ZEBAHU
[sakrificë].
Një nga mbretërit e Midianit që shtypën Izraelin. Zebahu dhe Zalmunai me sa duket mbretëruan gjatë periudhës shtatëvjeçare që Midiani bastiste Izraelin, rrënonte arat e mbillte kudo varfëri. (Gjy 6:1-6) Në një moment të papërcaktuar ata vranë edhe disa pjesëtarë të familjes së Gideonit.—Gjy 8:18, 19.
Kur Gideoni mundi ushtrinë e tyre prej 135.000 luftëtarësh, Zebahu, Zalmunai dhe 15.000 veta arritën t’ia mbathnin goxha larg, deri në Karkor, ndërkohë që i ndiqnin këmba-këmbës. Mirëpo atje Gideoni i mposhti përsëri dhe i zuri rob. Ndërsa po i kthente si robër të poshtëruar, të paktën deri në Sukot, këtyre mbretërve mund t’u kenë sjellë ndër mend fjalët që kishin thënë tërë mburrje (ose së paku qëndrimin që kishin shfaqur) dhe që janë dokumentuar te Psalmet: «Të shtiem në dorë vendet ku rri Perëndia.» (Ps 83:11, 12) Pasi ata pranuan që i kishin vrarë vëllezërit, Gideoni i vrau me duart e veta dy mbretërit midianitë.—Gjy 8:4-21.