JEFTEU
[(Perëndia) haptë; (Perëndia) ka hapur].
Gjykatës i Izraelit nga fisi i Manaseut. (Nu 26:29; Gjy 11:1) Ai zbatoi drejtësinë në territorin e Galaadit për gjashtë vjet, ndoshta në kohën e priftit Eli dhe në vitet e para të jetës së Samuelit. (Gjy 12:7) Fakti që Jefteu tha se izraelitët i zotëronin territoret në lindje të Jordanit nga «treqind vjet», mund të tregojë se shërbimi i tij 6-vjeçar si gjykatës filloi rreth vitit 1173 p.e.s.—Gjy 11:26.
Bir i ligjshëm. E ëma e Jefteut ishte ‘prostitutë’, megjithatë kjo s’do të thotë se Jefteu ishte fryt i prostitucionit ose fëmijë i paligjshëm. E ëma kishte qenë prostitutë para se të bëhej gruaja dytësore e Galaadit, ashtu si Rahaba dikur kishte qenë prostitutë, por më vonë u martua me Salmonin. (Gjy 11:1; Js 2:1; Mt 1:5) Pra, Jefteu nuk ishte fëmijë i paligjshëm dhe këtë e provon fakti që gjysmëvëllezërit e tij të lindur nga gruaja kryesore e të atit e dëbuan që të mos merrte një pjesë të trashëgimisë. (Gjy 11:2) Veç kësaj, më vonë, Jefteu u pranua si udhëheqësi i burrave të Galaadit (mes të cilëve duket që spikatnin më shumë gjysmëvëllezërit e vet). (Gjy 11:11) Për më tepër, ai i paraqiti Perëndisë një flijim në tabernakull. (Gjy 11:30, 31) Një fëmijë i paligjshëm nuk do të mund të bënte asnjërën nga këto, pasi ligji thoshte shprehimisht: «Asnjë bir i paligjshëm nuk mund të bëhet pjesë e kongregacionit të Jehovait. Deri në brezin e dhjetë, asnjë nga bijtë e tij nuk mund të bëhet pjesë e kongregacionit të Jehovait.»—Lp 23:2.
Duket se Jefteu ishte djali i parëlindur i Galaadit. Prandaj, si i parëlindur, normalisht do të kishte qenë kreu i familjes dhe do të kishte trashëguar dy pjesë nga zotërimet e të atit (i cili duhet të kishte vdekur tashmë kur Jefteun e dëbuan gjysmëvëllezërit). Vetëm duke e përzënë në mënyrë të paligjshme, gjysmëvëllezërit mund ta privonin nga trashëgimia që i takonte. Sipas Ligjit, i parëlinduri, edhe nëse ishte djali i një gruaje dytësore ose i një gruaje të një rangu më të ulët, prapëseprapë i kishte të drejtat e të parëlindurit.—Lp 21:15-17.
Rreth tij mblidhen ‘njerëz që sorollaten kot’. Kur e përzunë gjysmëvëllezërit, Jefteu shkoi të banonte në vendin e Tobit, një zonë në lindje të Galaadit, me sa duket jashtë kufijve të Izraelit. Pra, atje në kufi gjendej krejt i zbuluar ndaj sulmeve të armiqve të huaj të Izraelit, sidomos ndaj amonitëve. Me sa duket, «njerëz që sorollateshin kot», pra që ishin të papunë për shkak se amonitët u binin herë pas here në qafë, u mblodhën rreth Jefteut dhe e bënë prijësin e tyre. (Gjy 11:3) Banorët e territoreve në lindje të lumit Jordan (fisi i Rubenit, i Gadit dhe gjysma e fisit të Manaseut) ishin kryesisht rritës gjedhësh, dhe kusarët amonitë (të cilët shpesh kishin arritur të kalonin edhe Jordanin) u kishin zhvatur të mirat dhe mjetet e jetesës shumë prej banorëve të Galaadit.—Gjy 10:6-10.
Amonitët kërcënojnë me luftë. Shtypja nga amonitët zgjati 18 vjet. Perëndia e lejoi këtë gjë, sepse izraelitët jobesnikë ishin kthyer t’u shërbenin perëndive të kombeve përreth. Mirëpo, tani bijtë e Izraelit kishin ardhur në vete, ishin penduar për marrëzinë e tyre dhe i kishin kërkuar ndihmë Jehovait. Ata filluan të hiqnin të gjithë idhujt dhe t’i shërbenin Jehovait. Pikërisht në këtë kohë, amonitët u mblodhën në Galaad për një sulm të madh. (Gjy 10:7-17; 11:4) Kjo tregon se ai që i nxiti kombet pagane kundër Izraelit, në të vërtetë ishte armiku kryesor dhe i padukshëm i Perëndisë, Satana Djalli, dhe se faktikisht çështja ishte adhurimi i Perëndisë së vërtetë.—Krahaso Zb 12:9; Ps 96:5; 1Ko 10:20.
Izraeli e grumbulloi ushtrinë e tij në Mizpah. Gjysmëvëllezërit e Jefteut me sa duket ishin njerëz të shquar mes pleqve të Galaadit. (Gjy 10:17; 11:7) Ata e pranuan se ishte e nevojshme që dikush të vihej në krye e të merrte drejtimin. (Gjy 10:18) E kuptuan se për të mundur Amonin, u duhej një udhëheqës i zgjedhur nga Perëndia. (Gjy 11:5, 6, 10) Pa dyshim, Jefteu dhe burrat që ishin me të kishin kryer akte trimërie në Tob, gjë që tregonte se ai ishte i zgjedhuri i Jehovait. (Gjy 11:1) Burrat e Galaadit vendosën të shkonin te Jefteu, të cilin më parë e kishin përbuzur, që t’i kërkonin të bëhej prijësi i tyre.
Vihet në krye të Galaadit. Jefteu pranoi të bëhej prijësi i tyre në luftën kundër Amonit me një kusht: nëse Jehovai i jepte fitoren, ai do të vazhdonte të ishte prijësi i tyre edhe pasi të kthehej nga beteja. Këmbëngulja e tij në këtë pikë nuk ishte për arsye egoiste. Ai kish treguar sa shumë donte të luftonte për emrin e Perëndisë dhe për popullin e Tij. E nëse e mundte Amonin, kjo do të tregonte se Perëndia ishte me të. Jefteu donte të sigurohej se sundimi i Perëndisë nuk do të braktisej përsëri pasi të kalonte kriza. Veç kësaj, nëse ishte vërtet i parëlinduri i Galaadit, ai s’po bënte gjë tjetër veçse po vinte në vend të drejtën e tij ligjore për të qenë kreu i shtëpisë së Galaadit. Kështu, u bë besëlidhja para Jehovait në Mizpah. Me këtë Jefteu tregoi edhe një herë se për të Jehovai ishte Perëndia dhe Mbreti i Izraelit, si dhe Çlirimtari i tyre i vërtetë.—Gjy 11:8-11.
Si njeri me iniciativë, Jefteu nuk humbi kohë, por mori drejtimin plot vrull. Ai i dërgoi një mesazh mbretit të Amonit, duke vënë në dukje se agresori që kishte pushtuar tokën e Izraelit ishte Amoni. Mbreti ia ktheu se ato toka Izraeli ia kishte marrë Amonit. (Gjy 11:12, 13) Këtu Jefteu tregoi se nuk ishte thjesht një luftëtar i pagdhendur e i paditur, por një njohës i mirë i historisë dhe sidomos i marrëdhënieve të Perëndisë me popullin e tij. Ai hodhi poshtë argumentin e amonitëve duke thënë se (1) Izraeli nuk i kishte rënë në qafë Amonit, Moabit ose Edomit (Gjy 11:14-18; Lp 2:9, 19, 37; 2Kr 20:10, 11); (2) në kohën e pushtimit izraelit territori në fjalë nuk kishte qenë i Amonit, por i amoritëve kananitë, dhe se mbretin e tyre, Sihonin, bashkë me vendin e tij ua kishte dhënë në dorë Perëndia; (3) Amoni nuk i kishte vënë në diskutim territoret e pushtuara nga Izraeli për 300 vitet e kaluara; atëherë mbi ç’bazë e bënte tani?—Gjy 11:19-27.
Jefteu shkoi në rrënjë të problemit kur tha se e gjithë kjo kishte të bënte me adhurimin. Ai deklaroi se këtë vend ua kishte dhënë Perëndia Jehova, ndaj s’do t’u jepnin as edhe një pëllëmbë adhuruesve të një perëndie të rremë. Ai e quajti Kemoshin perëndi të Amonit. Disa mendojnë se ky është një gabim. Por, megjithëse perëndi i Amonit ishte Milkomi, kurse perëndi i Moabit ishte Kemoshi, këto kombe motra adhuronin shumë perëndi. Për shkak të grave të huaja që kishte marrë, Solomoni arriti deri aty sa e futi adhurimin e Kemoshit në Izrael. (Gjy 11:24; 1Mb 11:1, 7, 8, 33; 2Mb 23:13) Veç kësaj, sipas disa studiuesve, kuptimi i fjalës «Kemosh» mund të jetë «nënshtrues, pushtues». (Shih Gesenius’s Hebrew and Chaldee Lexicon, përkthyer nga S. Trezheli, 1901, f. 401.) Ndoshta Jefteu e tërhoqi vëmendjen te ky perëndi, pasi për amonitët Kemoshi ishte ai që ‘nënshtronte’ ose ‘pushtonte’ vendet e tjera dhe u jepte atyre tokat.
Zotimi i Jefteut. Jefteu e kuptonte tashmë se lufta me amonitët ishte vullneti i Perëndisë. I forcuar nga fryma e Perëndisë, ai i priu ushtrisë së tij në betejë. Njësoj si Jakobi rreth 600 vjet më parë, Jefteu mori një zotim që tregonte se kërkonte me gjithë zemër drejtimin e Jehovait dhe se gjithë suksesin që do të korrte, ia atribuonte Atij. (Gjy 11:30, 31; Zn 28:20-22) Jehovai e dëgjoi dhe e pranoi zotimin e tij, dhe amonitët u mundën.—Gjy 11:32, 33.
A kishte ndër mend Jefteu një flijim njerëzor, kur u zotua të paraqiste si blatim të djegur të parin që do të dilte nga shtëpia e tij për ta pritur?
Disa kritikë dhe studiues e dënojnë Jefteun për zotimin e tij, pasi mendojnë se ndoqi zakonin e kombeve të tjera, duke kaluar të bijën nëpër zjarr si blatim të djegur. Por kjo nuk është aspak e vërtetë. Një flijim i mirëfilltë njerëzor do të ishte fyerje për Jehovain, një gjë e neveritshme që shkelte ligjin e tij. Ai i kishte dhënë këtë urdhër të rreptë Izraelit: «Mos mëso të bësh gjëra të pështira si ato kombe. Mes teje të mos gjendet asnjë nga ata që e kalojnë të birin ose të bijën nëpër zjarr. . . . Sepse ata që i bëjnë këto, janë të pështirë për Jehovain, dhe për shkak të këtyre gjërave të pështira, Jehovai, Perëndia yt, po i përzë përpara teje.» (Lp 18:9-12) Jehovai nuk do ta kishte bekuar një njeri të tillë, përkundrazi do ta kishte mallkuar. Jefteu po luftonte pikërisht kundër amonitëve që i bënin flijime njerëzore perëndisë së tyre, Molekut.—Krahaso 2Mb 17:17; 21:6; 23:10; Jr 7:31, 32; 19:5, 6.
Kur tha se ‘kush të dilte nga dyert e shtëpisë së tij për ta takuar do t’i përkiste Jehovait’, Jefteu e kishte fjalën për një njeri, jo për një kafshë, përderisa kafshët që përdoreshin për flijim ka shumë mundësi që nuk mbaheshin në gjendje të lirë nëpër shtëpitë e izraelitëve. Veç kësaj, flijimi i një kafshe nuk do të tregonte ndonjë përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj Perëndisë. Ai e dinte se për ta takuar, fare mirë mund të dilte e bija. S’duhet harruar se në atë kohë fryma e Jehovait ishte mbi Jefteun, dhe kjo do të shmangte çdo zotim të nxituar nga ana e tij. Atëherë, si ‘do t’i përkiste Jehovait’ dhe do të paraqitej «si blatim i djegur» personi që do t’i dilte para Jefteut për ta uruar për fitoren?—Gjy 11:31.
Kishte raste kur edhe njerëzit mund t’i kushtoheshin Jehovait për t’i shërbyer në mënyrë të veçantë në shenjtërore. Ishte një e drejtë që prindërit mund ta ushtronin. Për shembull, Hana, e ëma e Samuelit, u zotua që para lindjes së tij, se të birin ia kushtonte shërbimit në tabernakull. Ky zotim ishte miratuar nga i shoqi, Elkanahu. Sapo i hoqi gjirin, Hana e paraqiti Samuelin në shenjtërore. Bashkë me të, ajo çoi edhe një kafshë si flijim. (1Sa 1:11, 22-28; 2:11) Samsoni ishte një tjetër fëmijë që iu kushtua në mënyrë të veçantë shërbimit të Perëndisë si nazire.—Gjy 13:2-5, 11-14; shih te Nu 30:3-5, 16 çfarë autoriteti kishte babai mbi të bijën.
Kur Jefteu e çoi të bijën në shenjtërore, që asokohe ishte në Shiloh, pa dyshim paraqiti edhe një kafshë si blatim të djegur. Sipas Ligjit, blatimi i djegur therej, rripej dhe ndahej në copa; zorrët dhe këmbët laheshin; trupi, koka dhe pjesët e tjera digjeshin në altar. (Le 1:3-9) Paraqitja e tërë kafshës si blatim përfaqësonte kushtimin e plotë, pa kushte dhe me gjithë zemër ndaj Jehovait. Kur ky blatim shoqëronte një blatim tjetër (për shembull, kur blatimi i djegur shoqëronte blatimin për mëkatin Ditën e Shlyerjes) do të thoshte se personi po i kërkonte Jehovait të pranonte blatimin tjetër.—Le 16:3, 5, 6, 11, 15, 24.
Për Jefteun dhe për të bijën, kjo ishte një sakrificë e vërtetë, pasi ai nuk kishte fëmijë tjetër. (Gjy 11:34) Pra, Jefteu do të mbetej pa pasardhës që të ruante emrin dhe trashëgiminë e tij në Izrael. E vetmja shpresë për të ishte e bija. Ajo nuk qau vdekjen e saj, por «virgjërinë», pasi dëshira e çdo izraeliti dhe izraeliteje ishte të lindte fëmijë për të ruajtur emrin dhe trashëgiminë e familjes. (Gjy 11:37, 38) Të mos kishe fëmijë, konsiderohej si një e keqe e madhe. Megjithatë, e bija e Jefteut «nuk pati kurrë marrëdhënie me ndonjë burrë». Këto fjalë do të kishin qenë të tepërta, nëse vlenin vetëm për kohën para se të bëhej zotimi, pasi ishte saktësuar tashmë që ajo ishte e virgjër. Përkundrazi, ato lidhen me përmbushjen e zotimit, dhe kjo tregohet nga fakti që vijnë pas shprehjes «[ai] bëri me të siç ishte zotuar». Në fakt, tregimi do që të nxjerrë në pah se edhe pas përmbushjes së zotimit, ajo mbeti e virgjër.—Gjy 11:39; krahaso përkthimet BR, DSF, ECM.
Veç këtyre që thamë, të bijën e Jefteut e vizitonin «vit për vit» shoqet e saj ‘për ta lavdëruar’. (Gjy 11:40) Fjala hebraike tanáh që përdoret këtu, del edhe te Gjykatësit 5:11 ku përkthehet ‘tregoj’ (BR ), ‘kremtoj’ (Dio ), ‘shpall’ (DSF ). Në një vepër referimi, kuptimi i kësaj fjale përcaktohet si «përsëris, tregoj». (A Hebrew and Chaldee Lexicon, nga B. Dejvisi, 1957, f. 693) Te Gjykatësit 11:40, versioni King James e përkthen këtë term «vajtoj», por në shënimet anësore lexohet «flas me». Gjatë kohës që shërbente në shenjtërore, e bija e Jefteut kishte shumë për të bërë, njësoj si nethinimët e tjerë («të dhuruarit» që i ishin kushtuar shërbimit në shenjtërore). Ata mblidhnin dru, nxirrnin ujë, bënin riparime të ndryshme dhe, pa dyshim, u bënin shumë shërbime të tjera priftërinjve dhe levitëve që shërbenin atje.—Js 9:21, 23, 27; Ezd 7:24; 8:20; Ne 3:26.
Efraimitët i kundërvihen. Efraimitët që mbaheshin si fisi kryesor i pjesës veriore të Izraelit (ku përfshihej edhe Galaadi), nga krenaria nuk e pranuan Jefteun në atë pozitë dhe u munduan të justifikoheshin për qëndrimin e tyre. Kështu, sajuan një akuzë të rreme si pretekst për t’u grindur me të. Edhe vite më parë, në kohën e gjykatësit Gideon, ata kishin treguar një qëndrim të ngjashëm. (Gjy 8:1) Thanë se Jefteu nuk i kishte thirrur për të luftuar kundër Amonit dhe kërcënuan se do t’ia digjnin shtëpinë mbi kokë.—Gjy 12:1.
Jefteu ua ktheu se i kishte thirrur, por ata nuk kishin pranuar. Ai tha: «Jehovai m’i dha në dorë [amonitët]. Pse pra, jeni ngritur sot në luftë kundër meje?» (Gjy 12:2, 3) Efraimitët u kapën me Jefteun për ushtrinë e tij: «Ju jeni burra të arratisur nga Efraimi, o Galaad, që banoni në mes të Efraimit dhe të Manaseut.» (Gjy 12:4) Ndoshta me këtë donin të përbaltnin vetë Jefteun, duke i kujtuar se më parë kishte qenë i dëbuar dhe se «njerëz që sorollateshin kot», pra njerëz të papunë, i shkonin nga pas si ikanakë.—Gjy 11:3.
Në betejën që u zhvillua më pas, Efraimi u mund dhe u shpartallua. Burrat e Jefteut i ndalën të arratisurit te vau i Jordanit. Efraimitët që po ia mbathnin, përpiqeshin ta fshihnin se kush ishin, por shqiptimi i tradhtonte. Kur u kërkohej të thoshin fjalën «Shiboleth», ata nuk thoshin dot sh, por u dilte «Siboleth». Dyzet e dy mijë efraimitë humbën jetën ngaqë u rebeluan kundër atij që Jehovai caktoi si shpëtimtarin e tyre.—Gjy 12:5, 6.
I miratuar nga Perëndia. Te 1 Samuelit 12:11 lexojmë që Jefteu u dërgua nga Jehovai si çlirimtar dhe te Hebrenjve 11:32 ai përmendet mes atyre që bëjnë pjesë në ‘renë e dëshmitarëve’ besnikë.—He 12:1.