Ehudi: Një njeri i besimit dhe i guximit
KISHIN kaluar shumë vjet që kur izraelitët vunë këmbë për herë të parë në Tokën e Premtuar. Moisiu dhe pasardhësi i tij, Josiu, kishin vdekur prej kohësh. Në mungesë të burrave të tillë të besimit, çmueshmëria për adhurimin e pastër mori teposhtën. Izraelitët kishin filluar madje t’u shërbenin Baalëve dhe shtyllave të shenjta.a Si rezultat, Jehovai e dha popullin e tij për tetë vjet në duart e sirianëve. Atëherë izraelitët i klithën Perëndisë për ndihmë. Ai i dëgjoi me mëshirë. Për të çliruar popullin e Tij, Jehovai ngriti një gjykatës, Otnielin.—Gjykatësit 3:7-11.
Këto ngjarje duhej t’u kishin mësuar izraelitëve një të vërtetë themelore: bindja ndaj Jehovait sjell bekime, kurse mosbindja çon në mallkime. (Ligji i përtërirë 11:26-28) Sidoqoftë, populli i Izraelit nuk nxori këtë mësim. Pas një periudhe paqeje për 40 vjet, ata e braktisën sërish adhurimin e pastër.—Gjykatësit 3:12.
Të kapur nga Moabi
Këtë herë, Jehovai lejoi që populli i tij të binte në duart e mbretit Eglon të Moabit. Bibla e përshkruan atë si ‘njeri shumë të trashë [të dhjamur]’. Me ndihmën e Amonit dhe të Amalekut, Egloni sulmoi Izraelin dhe ngriti pallatin e tij në Jeriko, në «qytetin e palmave». Sa ironike është që qyteti i parë Kanaanit, që duhej të pushtohej nga Izraeli, tani bujte shtatmadhërinë e një njeriu që adhuronte perëndinë e rremë Kemosh!b—Gjykatësit 3:12, 13, 17.
Egloni i mbajti nën zgjedhë izraelitët për 18 vjetët e mëvonshëm, siç duket duke kërkuar një taksë të rëndë prej tyre. Duke kërkuar haraçin periodik, Moabi forcoi pozitën e vet ekonomike, ndërkohë që shteronte të ardhurat e Izraelit. Është e kuptueshme se populli i Perëndisë ngriti zërin për lehtësim dhe rishtazi Jehovai e dëgjoi. Ai ngriti për ta një shpëtimtar tjetër, këtë radhë një beniamit me emrin Ehud. Për t’i dhënë fund tiranisë së Eglonit mbi Izraelin, Ehudi planifikoi të ndërmerrte një veprim në ditën e pagesës së haraçit të ardhshëm.—Gjykatësit 3:14, 15.
Në përgatitje të kësaj manovre të guximshme, Ehudi bëri një shpatë me dy tehe, një kubit të gjatë. Nëse ishte një kubit i vogël, arma ishte rreth 38 cm e gjatë. Disa do ta merrnin për një kamë. Me sa duket, nuk kishte pjesën horizontale, ndërmjet tehut dhe dorezës. Për këtë arsye, Ehudi mundi ta fshihte shpatën e tij të vogël në palën e veshjes së tij. Për më tepër, meqenëse Ehudi ishte mëngjarash, ai mundi ta ngjishte shpatën në anën e tij të djathtë, që nuk është një vend i zakontë për një armë.—Gjykatësit 3:15, 16.
Strategjia e Ehudit nuk ishte pa rreziqe. Për shembull, ç’do të bëhej sikur shoqëruesit e mbretit ta kontrollonin Ehudin për armë? Edhe sikur të mos e bënin, sigurisht që ata nuk do ta linin mbretin e tyre vetëm me një izraelit! Por edhe sikur ta linin dhe Egloni të vritej, si do të shpëtonte Ehudi? Sa larg mund të vraponte ai, para se shoqëruesit e Eglonit të zbulonin se çfarë kishte ndodhur?
Pa dyshim, Ehudi i bloi nëpër mend hollësi të tilla, ndoshta duke imagjinuar një varg rezultatesh shkatërrimtare. E megjithatë, ai vazhdoi planin e tij, duke treguar guxim dhe duke ushtruar besim në Jehovain.
Ehudi takon Eglonin
Dita për paraqitjen e haraçit tjetër erdhi. Ehudi bashkë me burrat e tij u fut në pallatin e mbretit. S’kaloi shumë dhe ata u gjendën përpara vetë mbretit Eglon. Por nuk kishte ardhur akoma koha që Ehudi të sulmonte. Pas paraqitjes së haraçit, Ehudi i dërgoi burrat që e sollën atë në shtëpi.—Gjykatësit 3:17, 18.
Përse Ehudi po vonohej për ta rrëzuar Eglonin përtokë? Mos vallë ai i lëshoi pe frikës? Jo, aspak! Për ta çuar në fund planin e tij, Ehudi kishte nevojë për një bisedë private me mbretin, gjë që nuk iu dha atij në këtë takim të parë. Për më tepër, Ehudi duhej të bënte një ikje të shpejtë. Ikja do të ishte më e lehtë për një njeri, sesa për gjithë suitën e atyre që sollën haraçin. Prandaj, Ehudi priti rastin e volitshëm. Vizita e shkurtër tek Egloni i dha mundësi atij të njihej me planin e pallatit dhe të mësonte masën e sigurisë së mbretit.
Pasi arriti në «guroret që ishin në Gilgal», Ehudi la burrat e tij dhe u kthye prapa për në pallatin e Eglonit. Distanca prej rreth 2 km, i dha pak kohë Ehudit që të mendonte rreth misionit të tij dhe të lutej për bekimin e Jehovait.—Gjykatësit 3:19, BR.
Ehudi kthehet
Siç duket, kthimi i Ehudit u mirëprit në pallat. Ndoshta haraçi dorëgjerë që ai i kishte paraqitur më parë Eglonit e kishte kthyer atë në një humor të mirë. Mund të ketë qenë që edhe pse vizita e parë kishte qenë e shkurtër, ajo i kishte dhënë mundësi të mjaftueshme Ehudit, për të vendosur një raport me mbretin. Sido që të ishte, Ehudi gjendej përsëri në prani të Eglonit.
«Kam një fjalë sekrete për ty, o mbret»,—tha Ehudi. Fakti që ai kishte arritur deri në këtë pikë, ishte një tregues se Jehovai ishte duke e drejtuar. E megjithatë, kishte një problem. «Fjala sekrete» që kishte Ehudi, nuk mund të thuhej në prani të shoqëruesve të mbretit. Nëse Jehovai do të ndërhynte, Ehudit i duhej menjëherë ajo ndihmë. «Mbani qetësi»,—urdhëroi mbreti. Përderisa Egloni nuk donte që kjo «fjalë sekrete» të merrej vesh, ai i largoi shoqëruesit e tij. Imagjino lehtësimin e Ehudit!—Gjykatësit 3:19, BR.
Egloni ishte i ulur në dhomën e tij me çati, kur Ehudi vajti e i tha: «Kam një fjalë për ty nga ana e Perëndisë.» (BR) Mos vallë Ehudi i referohej Kemoshit, kur përmendi ‘Perëndinë’? Egloni mund të ketë menduar kështu. Kureshtar ai u ngrit me zor nga froni i tij dhe qëndroi duke pritur. Ehudi iu afrua, ndoshta me lëvizje të kujdesshme, për të mos ngjallur tek mbreti dyshimin e një sulmi. Më pas, me një lëvizje të shpejtë, «Ehudi zgjati dorën e majtë, nxori shpatën nga krahu i djathtë dhe ia futi në bark [Eglonit]. Edhe doreza e shpatës u fut pas presës dhe dhjami u mbyll pas presës, sepse ai nuk e tërhoqi shpatën nga barku i mbretit dhe zorrët e tij dolën jashtë».—Gjykatësit 3:20-22.
Duke qëndruar aty rrotull, shoqëruesit e mbretit nuk lëviznin. E megjithatë, Ehudi ishte akoma në rrezik. Në çdo moment shërbëtorët e Eglonit mund të hynin e të zbulonin kufomën e mbretit të tyre të rënë. Ehudi duhej të largohej shpejt. Duke kyçur dyert, ai ia mbathi nga zgavra e ajrit, që gjendej në dhomën me çati.—Gjykatësit 3:23, 24a.
Zbulimi dhe disfata
Shpejt, shërbëtorët e Eglonit u bënë kureshtarë. Por nuk guxonin për të rrezikuar të mërzitnin mbretin, duke ndërprerë mbledhjen e tij private. Më pas, ata vërejtën se dyert e dhomës me çati ishin të kyçura. «Me siguri ai bën nevojën e tij në dhomëzën e sallës së freskët»,—arsyetuan ata. Megjithatë, ndërsa koha kalonte, kureshtja e thjeshtë u zëvendësua nga një valë ankthi. Shoqëruesit e Eglonit nuk mund të prisnin më gjatë. «Ata muarën çelsin dhe hapën [dyert e dhomës me çati]; dhe ja, zotëria e tyre rrinte shtritë në tokë: ai kishte vdekur.»—Gjykatësit 3:24b, 25.
Ndërkaq, Ehudi ia kishte mbathur. Ai kaloi guroret në Gilgal dhe më në fund arriti në Seira, një vend në rajonin malor të Efraimit. Ehudi mblodhi burrat e Izraelit dhe i drejtoi ata në një sulm të bashkuar kundër moabitëve. Tregimi thotë se ata «mundën rreth dhjetë mijë moabitë, të gjithë të fortë dhe trima; nuk shpëtoi as edhe një». Me Moabin të nënshtruar, toka e Izraelit nuk pati më shqetësim për 80 vjet.—Gjykatësit 3:26-30.
Të mësojmë nga shembulli i Ehudit
Ehudin e nxiti besimi në Perëndinë. Kreu 11 i Hebrenjve nuk e përmend specifikisht atë si një njeri që ‘me anë të besimit nënshtroi mbretërira; . . . u bë i fortë në betejë, theu ushtritë e huaja’. (Hebrenjve 11:33, 34) Megjithatë, Jehovai e mbështeti Ehudin, pasi ai veproi me besim dhe e çliroi Izraelin nga fuqia tiranike e mbretit Eglon.
Guximi ishte një nga cilësitë e Ehudit. Atij iu desh të ishte i guximshëm, që të përdorte në mënyrë të efektshme një shpatë të vërtetë. Si shërbëtorë të Perëndisë në këto ditë të sotme, ne nuk marrim në dorë një shpatë të tillë. (Isaia 2:4; Mateu 26:52) Por ne përdorim «shpatën e Frymës», Fjalën e Perëndisë. (Efesianëve 6:17) Ehudi ishte i aftë në përdorimin e armës së tij. Edhe ne duhet të jemi të aftë në përdorimin e Fjalës së Perëndisë, ndërsa predikojmë lajmin e mirë të Mbretërisë. (Mateu 24:14) Studimi personal i Biblës, prania e rregullt në mbledhjet e krishtere, pjesëmarrja me zell në shërbim dhe mbështetja me lutje në Atin tonë qiellor do të na ndihmojnë të imitojmë cilësitë e shfaqura nga Ehudi, vërtet një njeri i besimit dhe i guximit.
[Shënimet]
a Ka të ngjarë që shtyllat e shenjta të ishin simbolet e organeve gjenitale mashkullore. Ato shoqëroheshin me orgji seksuale tepër imorale.—1. Mbretërve 14:22-24.
b Kemoshi ishte hyjnia kryesore e moabitëve. (Numrat 21:29; Jeremia 48:46) Të paktën në disa raste, këtij perëndie të rremë e të neveritshëm, ndoshta i ishin sakrifikuar fëmijë.—2. Mbretërve 3:26, 27.
[Figura në faqen 31]
Ehudi dhe burrat e tij i paraqitën haraçin mbretit Eglon
[Burimi]
Riprodhuar nga Illustrirte Pracht Bibel/Heilige Schrift des Alten und Neuen Testaments, nach der deutschen Uebersetzung D. Martin Luther’s