IMITONI BESIMIN E TYRE | DEBORA
‘U ngrita si nënë në Izrael’
DEBORA pa përreth ushtarët e mbledhur në majë të malit të Taborit. Ishte skenë prekëse. Në dritën e agimit mendonte për trimërinë e tyre dhe për besimin e Barakut, kreut të tyre. Megjithëse ishin 10.000 trima, atë ditë do t’u sprovohej tej mase besimi dhe guximi. Do të përballeshin me një ushtri armike të përbetuar, dhe në numër ishin më të paktë e gati të paarmatosur. E prapëseprapë kishin ardhur, kryesisht falë kurajës që u kishte dhënë kjo grua.
Përfytyro pak, Debora me rrobat që ia fëshfërinte era teksa me Barakun shihte nga lart panoramën madhështore që shpalosej para tyre. Mali i Taborit i ngjante një koni të madh me majë të sheshtë. Nga maja e rrafshët e këtij mali rreth 400 metra të lartë, shihej në pëllëmbë të dorës rrafshina e Esdraelonit, që shtrihej në jugperëndim. Lumi Kishon gjarpëronte përmes fushave të gjelbërta drejt Detit të Madh, afër malit Karmel. Në atë rrafshinë të paanë diçka vezullonte nga larg. Ky vezullim i fortë nuk vinte nga ujërat e lumit që atë mëngjes mund të ishin të shterura, por nga ushtria e Siserës që afrohej kobshëm, nga kosat e hekurta që dilnin nga boshti i rrotave të afro 900 karrocave të luftës, që ishin krenaria e tyre. Qëllimi i Siserës ishte t’i rrafshonte izraelitët e paarmatosur si të ishin drithë.
Debora e dinte se Baraku dhe ushtarët e tij po prisnin ndonjë shenjë ose sinjal prej saj. A ishte e vetmja grua aty? A mund ta mbante ajo një përgjegjësi kaq të madhe? A mendonte: «Po unë, ç’dua këtu?» Duket qartë që jo. Ai që i kishte thënë ta fillonte këtë luftë ishte Jehovai, Perëndia i saj. Madje i kishte thënë se betejës do t’ia vinte vulën një grua. (Gjykatësit 4:9) Ç’mund të na mësojnë për besimin Debora dhe ata trima?
«SHKONI E SHPËRNDAHUNI NË MALIN E TABORIT»
Herën e parë që Bibla e përmend Deborën, e quan ‘profeteshë’. Në kohët biblike nuk ishte e zakonshme që një grua të merrte një caktim të tillë, por ka pasur edhe profetesha të tjera.a Debora mbante edhe një përgjegjësi tjetër. Siç duket shërbente edhe si zëdhënëse e Jehovait në çështjet gjyqësore midis izraelitëve.—Gjykatësit 4:4, 5.
Debora jetonte në rajonin malor të Efraimit, midis qytetit të Bethelit e të Ramahut. Ulej poshtë një palme dhe e ndihmonte popullin siç i thoshte Jehovai. Sigurisht, ishte punë e vështirë, por nuk u tut. Populli kishte tepër nevojë për ndihmën e saj. Në fakt, më vonë ajo mori pjesë në kompozimin e një kënge të frymëzuar nga Perëndia ku thuhej për popullin e saj jobesnik: «Ata zgjodhën perëndi të reja. Te porta bëhej luftë.» (Gjykatësit 5:8) Ngaqë izraelitët e kishin braktisur Jehovain për t’u shërbyer perëndive të tjera, ai i la në dorë të armiqve. Ndaj mbi ta sundonte mbreti kananit, Jabini, me anë të Siserës, gjeneralit të fuqishëm.
Sisera! Vetë emri i tij ngjallte tmerr e llahtar në Izrael. Feja dhe kultura kananite ishin brutale; kananitët flijonin fëmijë dhe bënin prostitucion në tempuj. Si ishte jeta nën sundimin e një gjenerali kananit dhe të ushtrisë së tij? Kënga e Deborës tregon se ishte pothuaj e pamundur të udhëtoje dhe fshatrat kishin mbetur të shkretë. (Gjykatësit 5:6, 7) Imagjino njerëz që fshiheshin në pyje a në kodra, që s’guxonin të merreshin me bujqësi ose të jetonin në fshatra të pambrojtur me mure, të udhëtonin në rrugë të hapura, nga frika se mos i sulmonin, u merrnin fëmijët a u përdhunonin gratë.b
Tmerri mbretëroi për 20 vjet gjersa Jehovai pa shenja se populli i tij kokëfortë ishte gati të ndryshonte, siç thotë edhe kënga e frymëzuar e Deborës dhe e Barakut: «Gjersa u ngrita unë, Debora, gjersa u ngrita unë si nënë në Izrael.» Nuk dihet nëse Debora dhe i shoqi, Lapidoti, kishin fëmijë, por ky varg kishte kuptim figurativ. Ç’është e vërteta, Jehovai e caktoi Deborën që ta mbronte kombin si një nënë. I tha të thërriste gjykatësin Barak, një njeri me besim të fortë, dhe ta udhëzonte të ngrihej kundër Siserës.—Gjykatësit 4:3, 6, 7; 5:7.
«Shkoni e shpërndahuni në malin e Taborit»,—i urdhëroi Jehovai nëpërmjet Deborës. Baraku duhej të mblidhte 10.000 burra nga dy fise të Izraelit. Debora u përcolli premtimin e Jehovait se do të ngadhënjenin mbi Siserën e pamposhtshëm dhe mbi 900 karrocat e tij të luftës. Me siguri Baraku duhet të jetë shtangur nga ky premtim. Izraeli s’kishte ushtri dhe ishte thuajse i paarmatosur. E megjithatë Baraku pranoi të shkonte në betejë, me kusht që edhe Debora të ngjitej me ta në malin e Taborit.—Gjykatësit 4:6-8; 5:6-8.
Disa e interpretojnë këtë si mungesë besimi nga ana e Barakut, por nuk ishte kështu. Në fund të fundit nuk i kërkoi më shumë armë Perëndisë. Por pikërisht nga besimi e pa të udhës të kishin midis tyre një përfaqësuese të Jehovait që të merrnin zemër. (Hebrenjve 11:32, 33) Jehovai e miratoi kërkesën e tij dhe e la Deborën të shkonte me ta. Megjithatë, Jehovai e frymëzoi këtë profeteshë të parathoshte edhe se lavdinë e fitores nuk do ta merrte një burrë. (Gjykatësit 4:9) Perëndia kishte vendosur që Siserën shpirtlig ta ekzekutonte një grua.
Në botën e sotme bëhen një mal me padrejtësi ndaj grave; ato dhunohen e abuzohen. Rrallë trajtohen me dinjitet, ashtu siç do Perëndia. Sidoqoftë, ai i vlerëson e i miraton njësoj si gratë, si burrat. (Romakëve 2:11; Galatasve 3:28) Rasti i Deborës na kujton se ai u jep edhe grave privilegje e shenja që tregojnë se kanë besimin dhe miratimin e tij të veçantë. Është shumë e rëndësishme që kurrsesi të mos përvetësojmë fanatizmin që karakterizon këtë botë.
«U LËKUND TOKA E RRODHËN QIEJT»
Baraku shkoi të mblidhte ushtrinë. Mori 10.000 burra trima që të dilnin kundër ushtrisë së frikshme të Siserës. Ndërsa i printe ushtrisë përpjetë malit të Taborit, ishte i kënaqur që kishin gjetur një mënyrë për të marrë zemër. Në Bibël lexojmë: «Edhe Debora u ngjit bashkë me të.» (Gjykatësit 4:10) Imagjino sa zemër merrnin ushtarët kur shihnin një grua trime që ngjitej bashkë me ta në malin e Taborit, e gatshme të vinte në rrezik jetën përkrah tyre sepse kishte besim te Perëndia Jehova.
Kur Sisera mësoi se Izraeli kishte guxuar të ngrinte një ushtri kundër tyre, reagoi menjëherë. Me Mbretin Jabin, ndoshta më i fuqishmi ndër ta, u bashkuan edhe disa mbretër kananitë. Toka tundej e buçiste nga trupat ushtarake dhe nga karrocat e Siserës ndërsa afroheshin në formacion luftimi përmes rrafshnaltës. Kananitët ishin të sigurt se do të mbaronin punë tak-fak me ushtrinë e mjerë të Izraelit.—Gjykatësit 4:12, 13; 5:19.
Po çfarë do të bënte Baraku e Debora ndërsa armiku afrohej? Nëse do të qëndronin në rrëpirën e malit të Taborit mund të kishin epërsi mbi forcat kananite, pasi karrocat e tyre nuk do të ishin aq të efektshme sa në sipërfaqe të sheshtë. Mirëpo Baraku do të luftonte siç e kishte urdhëruar Jehovai, prandaj priste shenjë nga Debora. Më në fund, erdhi momenti. Ajo i tha: «Ngrihu se kjo është dita kur Jehovai do të ta japë Siserën në dorë. A nuk po të prin vetë Jehovai?» Më pas lexojmë: «Baraku zbriti nga mali i Taborit me dhjetë mijë burra nga pas.»—Gjykatësit 4:14.c
Forcat izraelite u vërsulën teposhtë malit dhe dolën në fushë të hapur drejt atyre mekanizmave luftarake të frikshme. A u priu Jehovai ashtu siç u kishte thënë Debora? Kjo u bë e qartë menjëherë: «U lëkund toka e rrodhën qiejt.» Ushtria krenare e Siserës u bë rrëmujë. Shiu filloi të binte litarë. Ishte kaq i rrëmbyer, sa u duk sikur toka u përmbyt sa hap e mbyll sytë. Karrocat e rënda e të hekurta më shumë po u prishnin punë se po i ndihmonin. U zhytën dhe ngecën keq në baltë.—Gjykatësit 4:14, 15; 5:4.
Baraku dhe ushtarët e tij nuk u trembën nga stuhia. E dinin mirë nga vinte. U turrën drejt forcave kananite si ekzekutues të Perëndisë dhe e rrafshuan gjithë ushtrinë e Siserës. Lumi Kishon u fry dhe doli nga shtrati, duke spastruar trupat e armiqve drejt Detit të Madh.—Gjykatësit 4:16; 5:21.
Sot, Jehovai nuk i dërgon më në luftëra të mirëfillta shërbëtorët e tij. E vetmja luftë që na kërkon të bëjmë është lufta simbolike e besimit. (Mateu 26:52; 2 Korintasve 10:4) Nëse përpiqemi t’i bindemi Perëndisë në botën e sotme, tregojmë me kë jemi në këtë luftë. Kemi nevojë për guxim, sepse ata që marrin anën e Perëndisë hasin mjaft kundërshtime të ashpra. Por Jehovai nuk ka ndryshuar. Vazhdon t’i mbrojë ata që tregojnë besim tek Ai, ashtu si Debora, Baraku dhe ushtarët trima në Izraelin e lashtë.
«FORT E BEKUAR MES GRAVE»
Një nga armiqtë kananitë, më mizori prej tyre, u arratis. Sisera, shtypësi i lig i popullit të Perëndisë, ia mbathi me të katra nga fusha e betejës. I la ushtarët e vet të vdisnin në batak dhe u iku vjedhurazi izraelitëve. Doli në tokë më të thatë dhe u drejtua për te aleatët më të afërt që i shkoi mendja në ato momente. Vrapoi për kilometra të tërë përmes fushave, i tmerruar se mos e kapnin ushtarët izraelitë, dhe u drejtua për te tendat e Heberit, një keniti që ishte larguar nga populli i tij nomad në jug dhe kishte bërë njëfarë marrëveshjeje me mbretin Jabin.—Gjykatësit 4:11, 17.
I rraskapitur, Sisera arriti te tendat e Heberit. Atë nuk e gjeti në shtëpi, por gjeti gruan e tij, Jaelën. Sisera me sa duket mendoi se Jaela do të respektonte marrëveshjen e burrit të saj me mbretin Jabin. Për të mbase ishte e pakonceptueshme që një grua të vepronte e madje të mendonte ndryshe nga i shoqi. Po ishte e qartë se Sisera nuk e njihte Jaelën. Qartë, ajo e kishte parë shtypjen mizore të kananitëve, prandaj duhej të bënte një zgjedhje: ose ta ndihmonte këtë njeri të keq, ose të merrte anën e Jehovait e t’i jepte një goditje të fortë armikut të popullit të Tij. Çfarë të bënte? Si mund të matej një grua me këtë luftëtar të fuqishëm e të regjur me luftërat?
Jaela nuk kishte kohë për t’u menduar. I ofroi Siserës një vend për të pushuar. Ai e urdhëroi të mos i tregonte askujt që ishte aty. Ajo e mbuloi me kuvertë dhe i dha qumësht kur ai i kërkoi ujë. Pak pasi Sisera ra në gjumë të thellë, Jaela mori një kunj tende dhe një çekan, vegla që gratë në tenda dinin t’i përdornin mirë. I shkoi te koka Siserës dhe në këtë moment duhej të vepronte si ekzekutuese e Jehovait, një rol aspak i lehtë. Sikur edhe një moment i vogël pasigurie ose ngurrimi, Jaelës mund t’i kushtonte jetën. Mos vallë mendoi për popullin e Perëndisë dhe për mizorinë prej dekadash të këtij njeriu? Apo mendoi çfarë privilegji ishte të merrte anën e Jehovait? Bibla nuk thotë gjë. Ajo që dimë është se veproi pa ngurruar. Sisera vdiq!—Gjykatësit 4:18-21; 5:24-27.
Më pas Baraku erdhi në kërkim të presë. Kur Jaela i tregoi kufomën me kunjin e tendës të ngulur në tëmtha, e kuptoi menjëherë se profecia e Deborës ishte plotësuar. Sisera, luftëtari i fuqishëm, ishte vrarë nga një grua. Kritikët dhe skeptikët e ditëve të sotme i kanë vënë Jaelës lloj-lloj epitetesh negative, por ata nuk i dinë gjërat si Baraku dhe Debora. Në këngën e tyre të frymëzuar nga Zoti, këta e lavdëruan Jaelën si ‘fort të bekuar mes grave’ për veprën e saj të guximshme. (Gjykatësit 4:22; 5:24) Sa shpirtgjerë ishte Debora! Nuk ia kurseu lëvdatat Jaelës; meraku i saj kryesor ishte të përmbushej fjala e Jehovait.
Me vdekjen e Siserës, mbreti Jabin nuk përbënte më kërcënim për izraelitët. Mbas kaq kohësh, shtypja kananite mori fund. Për 40 vjet mbizotëroi paqja. (Gjykatësit 4:24; 5:31) Sa shumë u bekuan Debora, Baraku dhe Jaela për besimin që patën te Perëndia Jehova! Nëse imitojmë besimin e Deborës duke marrë me guxim anën e Jehovait dhe duke inkurajuar të tjerët të bëjnë po njësoj, Jehovai do të na bekojë me fitore dhe paqe të përhershme.
a Profeteshë ishte edhe Miriami, Hulda dhe gruaja e Isaisë.—Dalja 15:20; 2 Mbretërve 22:14; Isaia 8:3.
b Kënga e Deborës tregon se Sisera shpesh kthehej nga lufta me plaçkë ku përfshiheshin edhe vasha, ndonjëherë më tepër se një për çdo ushtar. (Gjykatësit 5:30) Fjala ‘vashë’ në këtë varg në gjuhën origjinale do të thotë «bark». Kjo të kujton se ato gra vlerësoheshin kryesisht për organet riprodhuese. Duket se përdhunimi ndodhte rëndom.
c Beteja që pasoi përshkruhet dy herë në Bibël, në tregimin historik të Gjykatësve, kapitulli 4, dhe në këngën e Deborës e të Barakut, kapitulli 5. Këta kapituj plotësojnë njëri-tjetrin me hollësitë që japin.