DEBORA
[bletë].
1. Taja e Rebekës. Kur Rebeka la shtëpinë e të atit për të shkuar në Palestinë që të martohej me Isakun, Debora shkoi me të. (Zn 24:59) Pasi shërbeu për shumë vjet në shtëpinë e Isakut, ndoshta pas vdekjes së Rebekës, Debora u bë pjesë e shtëpisë së Jakobit. Me sa duket, Debora vdiq rreth 125 vjet pas martesës së Rebekës me Isakun dhe e varrosën nën një pemë të madhe në Bethel. Emri që i vunë pemës (Alon-Bakuth, që do të thotë «pemë madhështore e vajtimit») tregon sa shumë e donte Jakobi dhe familja e tij.—Zn 35:8.
2. Një profeteshë në Izrael; gruaja e Lapidotit. (Gjy 4:4) Asgjë nuk tregon se Lapidoti dhe Baraku ishin i njëjti person, siç mendojnë disa. Deborën dhe Barakun i lidhte vetëm interesi i përbashkët për të çliruar izraelitët nga shtypja e kananitëve. Debora e kishte tendën nën një palmë mes Ramahut dhe Bethelit në rajonin malor të Efraimit; «bijtë e Izraelit ngjiteshin tek ajo për çështjet e tyre gjyqësore».—Gjy 4:5.
Jehovai e përdori Deborën për t’i bërë thirrje Barakut nga Kedesh-Neftali dhe për t’i treguar se kishte për qëllim që me 10.000 burra të mundte ushtrinë tejet të madhe të Jabinit, mbretit kananit, që drejtohej nga Sisera. Jehovai i kishte premtuar Barakut se do t’ia jepte armiqtë në dorë. Megjithatë, tek mblidhte luftëtarët dhe i ngjiste në malin e Taborit, ai nguli këmbë që Debora, edhe pse grua, të ishte e pranishme gjatë betejës si përfaqësuese e Perëndisë. Debora u tregua e gatshme të linte vendin e saj ku ishte e sigurt dhe të shkonte me Barakun. Megjithatë, ajo profetizoi se ‘lavdia’ e fitores do t’i shkonte një gruaje. Këto fjalë u përmbushën kur Jaela, një grua, vrau Siserën.—Gjy 4:6-10, 17-22.
Ditën e fitores, Debora dhe Baraku kënduan bashkë një këngë. Një pjesë e këngës është shkruar në vetën e parë, gjë që tregon se pjesërisht, në mos të gjithën, e shkroi Debora. (Gjy 5:7) Ishte zakon që gratë t’i festonin fitoret me këngë e valle. (Da 15:20, 21; Gjy 11:34; 1Sa 18:6, 7; Ps 68:11) Kënga ia jep gjithë meritën dhe lavdinë Jehovait për fitoren që i solli popullit të tij. Ajo e plotëson në mënyrë të konsiderueshme tregimin që pason dhe, për të pasur një kuadër më të plotë të ngjarjes, si kënga, edhe tregimi duhen shqyrtuar paralelisht. Pasi flet për fuqinë dhe madhështinë e Jehovait dhe pasi kujton gjendjen e Izraelit para betejës së Barakut, kjo këngë lavdëron fiset që iu përgjigjën thirrjes për luftë dhe ngre pyetje rreth fiseve të tjera që nuk e bënë. Gjithashtu, shton hollësi të gjalla për betejën dhe shpartallimin e kananitëve, për veprimin e guximshëm të Jaelës kur vrau Siserën dhe për zhgënjimin e nënës së Siserës që priste më kot plaçkë e skllevër nga Izraeli, fryte të fitores së shpresuar të të birit, Siserës.—Gjy 5.