Çfarë fshihet pas një emri?
Një grua etiopase lind djalë. Por gëzimi i kthehet në hidhërim kur sheh se foshnja nuk lëviz. Teksa gjyshja e merr trupin e vogël të pajetë për ta larë, djali papritur nis të lëvizë, të marrë frymë e të qajë! Emri i babait të djalit ka kuptimin «mrekulli», kështu që prindërit e kombinojnë atë me një fjalë tjetër amharike dhe i vënë djalit një emër që do të thotë «ka ndodhur një mrekulli».
Në Burundi, një djalë i ri po përpiqet t’u shpëtojë ushtarëve që duan ta vrasin. I fshehur në një arë, i betohet Perëndisë se, po ta shpëtojë, fëmijën e tij të parë do ta quajë Manirakiza, që do të thotë «Perëndia është Shpëtimtari». Pesë vjet më vonë, mirënjohës që është gjallë, ai i vë djalit të parë këtë emër.
DISAVE mund t’u duket e pazakontë t’u vënë fëmijëve emra që kanë një kuptim specifik, por ky zakon ka rrënjë të thella. Madje, Bibla përmban me qindra emra të tillë. Njohja e kuptimit të emrave të disa njerëzve do t’jua bëjë më të këndshëm leximin e Biblës. Shikoni disa shembuj.
Emra me kuptim në Shkrimet Hebraike
Ndër emrat e parë të dokumentuar në Bibël është emri Set, që do të thotë «i caktuar». Mamaja e Setit, Eva, shpjegoi pse zgjodhi këtë emër: «Perëndia ka caktuar për mua një farë tjetër në vend të Abelit, meqë atë e vrau Kaini.» (Zanafilla 4:25) Një nga pasardhësit e Setit, Lameku, i vuri djalit të vet emrin Noe, që do të thotë «pushim» ose «ngushëllim». Ai tha se i vuri këtë emër të birit, sepse ‘do t’u sillte ngushëllim për punën e tyre dhe për mundin e duarve të tyre, ngaqë toka ishte e mallkuar nga Jehovai’.—Zanafilla 5:29.
Vetë Perëndia ua ndryshoi emrat disa të rriturve për qëllime profetike. Për shembull, Abramit që do të thotë «Ati është lartësuar», ia ndryshoi emrin në Abraham, që do të thotë «Atë i një shumice». Në përputhje me këtë emër, Abrahami u bë vërtet atë i shumë kombeve. (Zanafilla 17:5, 6) Mendoni edhe për gruan e Abrahamit, Sarajën, që ndoshta ka kuptimin «grindavece». Sa e lumtur duhet të ketë qenë ajo kur Perëndia ia ndryshoi emrin në «Sara», që do të thotë «princeshë», duke lënë të kuptohet se do të ishte paraardhëse mbretërish.—Zanafilla 17:15, 16.
Gjithashtu, Perëndia ua zgjodhi vetë emrin disa fëmijëve. Për shembull, i tha Abrahamit dhe Sarës që djalit të tyre t’ia vinin emrin Isak, që do të thotë «e qeshura». Ky emër do t’i kujtonte gjithnjë atij çifti besnik reagimin që patën kur morën vesh se do të bëheshin me djalë në moshë të shkuar. Kur Isaku u rrit e u bë shërbëtor besnik i Perëndisë, emri i tij pa dyshim vazhdoi t’u sillte një buzëqeshje Abrahamit dhe Sarës teksa gëzonin shoqërinë e këtij biri të dashur.—Zanafilla 17:17, 19; 18:12, 15; 21:6.
Rakela, nusja e djalit të Isakut, ia vuri emrin birit të saj të vogël për një arsye krejt të ndryshme. Ndërsa ajo po vdiste, e quajti Ben-Oni, që do të thotë «djalë i brengës sime». Pastaj, i shoqi i mbetur i ve, Jakobi, ia ndryshoi paksa emrin në Beniamin, që do të thotë «djalë i dorës së djathtë». Ky emër nënkuptonte jo vetëm një pozitë të favorshme, por edhe mbështetëse.—Zanafilla 35:16-19; 44:20.
Nganjëherë njerëzit i vinin ose i merrnin emrat në përputhje me tiparet e tyre fizike. Për shembull, Isaku dhe Rebeka patën një djalë që lindi me qime të kuqe e të dendura, si një veshje prej leshi, prandaj e quajtën Esau. Përse? Në hebraisht, ky emër ka kuptimin «leshtor». (Zanafilla 25:25) Siç tregohet në librin e Ruthës, Naomi kishte dy djem. Njëri quhej Mahlon, që do të thotë «shëndetlig, invalid», kurse tjetri Kilion, që do të thotë «i brishtë». Nuk thuhet nëse këta emra ia vunë kur lindën apo më vonë, por duket se ishin të goditur, po të kemi parasysh vdekjen e tyre të parakohshme.—Rutha 1:5.
Një praktikë tjetër e zakonshme ishte ajo e ndryshimit ose rregullimit të emrave. Kur u kthye në Betlehem, e varfër pasi humbi burrin dhe dy djemtë, Naomi nuk donte ta thërritnin më me atë emër, që do të thotë «kënaqësia ime». Ngulte këmbë: «Mos më thërritni Naomi. Më thërritni Mara [që do të thotë «e hidhur»], sepse i Plotfuqishmi ma ka bërë jetën shumë të hidhur.»—Rutha 1:20, 21.
Një zakon tjetër ishte t’i vije fëmijës emrin për nder të një ngjarjeje të rëndësishme. Për shembull, emri i profetit Hage ka kuptimin «lindur në festë».a
Emra me kuptim në epokën e krishterë
Emri i Jezuit ka domethënie të madhe profetike. Para se të lindte ai, prindërit morën këtë udhëzim hyjnor: «Do t’ia vësh emrin Jezu», që do të thotë «Jehovai është shpëtim». Përse? «Ai do ta shpëtojë popullin e tij nga mëkatet»,—i tha engjëlli Jozefit. (Mateu 1:21) Pasi u miros me frymën e shenjtë pas pagëzimit, emri i Jezuit u kombinua me titullin hebraik «Mesia». Në greqisht, ky titull përkthehet «Krisht». Të dy termat kanë kuptimin «i Mirosuri».—Mateu 2:4.
Vetë Jezui zgjodhi emra përshkrues për disa dishepuj të tij. Për shembull, Simonit i vuri emrin semitik Kefa, që do të thotë «shkëmb». Përkthimi grek i emrit Kefa është «Pjetër», me të cilin njihej më tepër. (Gjoni 1:42) Vëllezërit e zellshëm Jakov dhe Gjon, Jezui i quajti «Boanerges», që do të thotë «Bij të bubullimës».—Marku 3:16, 17.
Dishepujt e Jezuit e vazhduan praktikën e vënies së epiteteve të përshtatshme. Një shembull është ai i dishepullit Jozef, të cilin apostujt e quajtën Barnaba, që do të thotë «Bir i Ngushëllimit». Barnaba jetoi në lartësinë e këtij emri, duke u sjellë ngushëllim shumë vetave.—Veprat 4:34-37; 9:27; 15:25, 26.
Rëndësia e emrit tuaj
Emrin që na vënë kur lindim, s’e kemi në dorë. Por ama vetëm ne e përcaktojmë reputacionin që fitojmë. (Proverbat 20:11) Pse të mos pyetni veten: «Sikur të mundnin, ç’emër do të zgjidhnin për mua Jezui ose apostujt? Cili emër do të ishte i përshtatshëm për të përshkruar cilësinë time më të mirë ose reputacionin tim?»
Kësaj pyetjeje duhet t’i kushtojmë shumë vëmendje. Përse? «Më mirë të bësh një emër të mirë, se pasuri të bollshme»,—shkroi mbreti i mençur Solomon. (Proverbat 22:1) Sigurisht, po të fitojmë një emër ose reputacion të mirë në zonën tonë, do të kemi diçka me vlerë të madhe. Por, më e rëndësishmja, po të bëjmë një emër të mirë para Perëndisë, do të fitojmë një thesar që mbetet gjithnjë. Në ç’mënyrë? Perëndia premton se do t’i shkruajë në «një libër kujtimi» emrat e atyre që i frikësohen dhe do t’u japë shpresën e jetës së përhershme.—Malakia 3:16; Zbulesa 3:5; 20:12-15.
[Shënimi]
a Shumë Dëshmitarë të Jehovait në Afrikë kanë emra që lidhen me titujt e kongreseve dhe asambleve të Dëshmitarëve, të mbajtur kur lindën ata.
[Diçitura në faqen 15]
Cili do të ishte një emër i përshtatshëm që përshkruan reputacionin tim?
[Kutia dhe figura në faqen 14]
Kush ishte Emanueli?
Emrat e disa njerëzve në Bibël ishin profetikë dhe përshkruanin veprën që do të bënin. Për shembull, profeti Isaia u frymëzua të shkruante: «Ja, vasha do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një djalë, të cilit do t’ia vërë emrin Emanuel.» (Isaia 7:14) Ky emër do të thotë «me ne është Perëndia». Disa komentues biblikë janë përpjekur që përmbushjen e parë të kësaj profecie ta lidhin me një nga mbretërit izraelitë ose me një nga djemtë e Isaisë. Por Mateu, shkrimtar i Ungjillit, tregoi se profecia e Isaisë u përmbush në mënyrë të plotë te Jezui.—Mateu 1:22, 23.
Disa kanë thënë se duke iu referuar Jezuit me emrin Emanuel, Bibla mëson se Jezui është Perëndia. Por, sipas kësaj logjike, edhe i riu Elihu, i cili ngushëlloi dhe ndreqi Jobin, ishte Perëndia. Përse? Sepse emri i tij ka kuptimin «Perëndia im është ai».
Jezui nuk pretendoi kurrë se ishte Perëndia. (Gjoni 14:28; Filipianëve 2:5, 6) Por ama pasqyroi në mënyrë të përsosur personalitetin e Atit të tij dhe përmbushi të gjitha premtimet e Perëndisë për Mesinë. (Gjoni 14:9; 2 Korintasve 1:20) Emri Emanuel përshkruan më së miri rolin e Jezuit si Fara mesianike, një pasardhës i Davidit, ai që dëshmon se Perëndia është me ata që e adhurojnë.
[Figura]
EMANUEL «Me ne është Perëndia»
[Kutia dhe figura në faqen 15]
Emri më domethënës
Emri i Perëndisë del rreth 7.000 herë në të gjithë Biblën. Ky emër, i paraqitur nga katër shkronjat hebraike יהוה, zakonisht përkthehet «Jehova» në shqip. Cila është domethënia e tij? Kur Moisiu e pyeti Perëndinë për emrin e tij, ai iu përgjigj: «Unë do të bëhem çdo gjë që dua të bëhem.» (Dalja 3:14) Pra, emri i Perëndisë është një garanci se ai do të bëhet çdo gjë që është e nevojshme për të përmbushur qëllimet e tij. (Isaia 55:8-11) Kur Perëndia bën një premtim, mund ta ndërtojmë të sigurt jetën tonë rreth këtij premtimi. Përse? Sepse emri i tij është Jehova.
[Figura në faqen 13]
ABRAHAM «Atë i një shumice»
[Figura në faqen 13]
SARA «Princeshë»