Martesa në dukje e pamundur e Boazit dhe e Ruthës
LËMI pranë Betlehemit është i gjallëruar nga veprimtaritë e pranverës. Ka qenë një ditë e gjatë. Nga aroma e grurit të sapopjekur, punëtorët e uritur kuptojnë se është koha për të ngrënë. Secili do të gëzojë frytet e mundit të vet.
Boazi, një pronar i pasur tokash, ha e pi derisa ngopet dhe çlodhet pranë një grumbulli të madh me grurë. Më vonë dita e korrjes mbaron dhe secili kërkon një vend të rehatshëm për të pushuar. Boazi, i kënaqur, tani mbulohet dhe fle.
Një takim i fshehtë
Në mesnatë, Boazi zgjohet sepse ka ftohtë e po dridhet. Çuditërisht ia kanë zbuluar qëllimisht këmbët dhe dikush është shtrirë pikërisht aty. Ngaqë nuk e dallon dot se kush është në errësirë, ai pyet: «Kush je ti?» Përgjigjet zëri i një gruaje: «Jam Ruthi [Rutha, BR], shërbëtorja jote: shtrije skajin e mantelit tënd mbi shërbëtoren tënde, sepse ti gëzon të drejtën e shpengimit.»—Rutha 3:1-9.
Ata bisedojnë të vetëm në errësirë. Gratë nuk vijnë në një lëm të vetme në këtë mënyrë. (Rutha 3:14) Megjithatë me ftesë të Boazit, Rutha vazhdon të rrijë e shtrirë te këmbët e tij deri pak para agimit. Në atë kohë, ajo ngrihet dhe ikën, që të shmangë kështu çdo kritikë të pabazuar.
A ishte ky një takim romantik? A po e joshte me zgjuarsi Rutha, kjo e ve e re dhe e varfër nga një vend pagan, këtë të moshuar të pasur? Apo atë natë Boazi po përfitonte nga rrethanat dhe nga vetmia e Ruthës? Jo. Ajo që ndodhi ishte në të vërtetë një shembull i besnikërisë dhe i dashurisë për Perëndinë. E për më tepër, faktet e asaj ngjarjeje janë gjithashtu shumë prekëse.
Por, kush është Rutha? Cili është motivi i saj? Kush është ky i pasur, Boazi?
«Një grua e shkëlqyer»
Disa vjet para kësaj ngjarjeje, Juda u godit nga zia e bukës. Një familje izraelite prej katër vetash—Elimeleku; gruaja e tij, Naomi; dhe dy djemtë, Mahloni dhe Kilioni—mërgoi në vendin pjellor të Moabit. Djemtë u martuan me dy gra moabite, Ruthën dhe Orpën. Pas vdekjes së tre burrave në Moab, të tria gratë dëgjuan se kushtet në Izrael ishin përmirësuar. Prandaj Naomi, tashmë e ve, e hidhëruar, pa fëmijë ose nipër, vendosi të kthehej në vendlindjen e saj.—Rutha 1:1-14.
Gjatë rrugës për në Izrael, Naomi e bindi Orpën që të kthehej te njerëzit e saj. Pastaj Naomi i tha Ruthës: «Ja, kunata jote u kthye te populli i vet dhe te perënditë e saj; ktheu mbrapa edhe ti, ashtu si kunata jote!» Por Rutha tha: «Mos ngul këmbë me mua që unë të të braktis, . . . sepse kudo që të shkosh ti do të shkoj edhe unë, . . . populli yt do të jetë populli im, Perëndia yt do të jetë edhe Perëndia im; aty ku të vdesësh ti do të vdes edhe unë dhe atje do të më varrosin.» (Rutha 1:15-17) Kështu të dy vejushat e skamura u kthyen në Betlehem. Atje dashuria dhe kujdesi i Ruthës për të vjehrrën u bëri kaq shumë përshtypje fqinjëve, saqë mendonin se ajo vlente «për [Naomin] më tepër se shtatë bij». Të tjerë e përshkruanin si ‘një grua të shkëlqyer’.—Rutha 3:11, BR; 4:15.
Në Betlehem, në fillim të korrjes së elbit, Rutha i tha Naomit: «Lermë të shkoj nëpër ara e të mbledh kallinj prapa atij në sytë e të cilit do të gjej hir.»—Rutha 2:2.
Rastësisht vjen në arën që i përket Boazit, një i afërm i vjehrrit të saj, Elimelekut. I kërkon leje mbikëqyrësit të punëtorëve që të mbledhë kallinj. Zelli i saj për të mbledhur kallinj është i jashtëzakonshëm dhe mbikëqyrësi e lavdëron te Boazi për punën e saj.—Rutha 1:22–2:7.
Një mbrojtës dhe bamirës
Boazi është një adhurues i përkushtuar i Jehovait. Ai i përshëndeste çdo mëngjes korrësit me fjalët: «Jehovai qoftë me ju!» dhe ata i përgjigjeshin: «Jehovai të bekoftë!» (Rutha 2:4, BR) Pasi vëren zellin e Ruthës në punë dhe merr vesh për besnikërinë e saj ndaj Naomit, Boazi i jep asaj të drejta të veçanta në mbledhjen e kallinjve. Me pak fjalë, ai i thotë: ‘Rri në arat e mia; nuk ke pse të shkosh në arat e tjera. Qëndro afër shërbëtoreve të mia; do të jesh e sigurt me to. U kam dhënë urdhër të rinjve që të mos të të prekin. Kur të kesh etje, ata do të të nxjerrin ujë të freskët.’—Rutha 2:8, 9.
Rutha përkulet në tokë dhe thotë: ‘Si vallë kam gjetur pëlqim në sytë e tu, edhe pse jam e huaj?’ Boazi përgjigjet: ‘Më kanë treguar gjerë e gjatë gjithçka që ke bërë për vjehrrën pas vdekjes së burrit tënd, se si le babanë, nënën, të afërmit dhe vendin tënd për të shkuar te një popull që nuk e kishe njohur më parë. Jehovai të shpërbleftë për këtë që bëre! Të dhëntë një pagë të përsosur.’—Rutha 2:10-12.
Boazi nuk po përpiqet për ta bërë për vete. Lavdërimi i tij është i sinqertë. Rutha është me të vërtetë e përulur dhe e falënderon për ngushëllimin që i jep siguri. E quan këtë gjë si të pamerituar dhe vazhdon të punojë edhe më fort. Më vonë, në kohën e ngrënies, Boazi e thërret Ruthën: ‘Afrohu, ha pak bukë dhe ngjyeje kafshatën në uthull.’ Ajo ha sa ngopet dhe ruan ushqim për ta marrë në shtëpi për Naomin.—Rutha 2:14.
Në fund të ditës, Rutha ka mbledhur rreth 22 litra elb. E merr atë dhe ushqimin e mbetur e kthehet në shtëpi te Naomi. (Rutha 2:15-18) E kënaqur nga gjithë ai bollëk, Naomi pyet: «Ku i ke mbledhur kallinjtë sot? . . . Bekuar qoftë ai që tregoi kujdes për ty!» Kur merr vesh se është Boazi, Naomi thotë: «Qoftë i bekuar nga Zoti ai që nuk e ka hequr mirësinë e tij nga të gjallët dhe të vdekurit. . . . Ky njeri është një i afërmi ynë i ngushtë, një njeri që ka të drejtë të na shpengojë [një nga riblerësit tanë, BR].»—Rutha 2:19, 20.
Gjen «një vend paqeje»
Nga dëshira për t’i gjetur nuses «një vend paqeje» ose shtëpi, Naomi përfiton nga rasti që të kërkojë të drejtën e riblerjes, në harmoni me Ligjin e Perëndisë. (Levitiku 25:25; Ligji i përtërirë 25:5, 6) Tani Naomi, i tregon Ruthës një plan për të vepruar në një mënyrë shumë të efektshme, madje edhe paksa mbresëlënëse—si të tërheqë vëmendjen e Boazit. Në errësirën e natës, Rutha, e përgatitur dhe e stërvitur mirë, zbret te lëmi që i përket Boazit. E gjen atë në gjumë. I zbulon këmbët dhe pret që të zgjohet.—Rutha 3:1-7.
Kur Boazi zgjohet, veprimi simbolik i Ruthës pa dyshim që e ndihmon të kuptojë kërkesën e saj që ‘të shtrijë skajin e mantelit të tij mbi shërbëtoren e tij’. Veprimi i Ruthës e bën të vetëdijshëm judeun e moshuar për detyrimin që ka si riblerës, sepse ai ishte një i afërm i burrit të vdekur të Ruthës, Mahlonit.—Rutha 3:9.
Vizita e Ruthës natën ishte e papritur. Megjithatë reagimi i Boazit lë të kuptohet se kërkesa e Ruthës për riblerjen nuk ishte krejt e papritur. Boazi ishte i gatshëm të vepronte sipas kërkesës së Ruthës.
Zëri i Ruthës duhet të ketë pasqyruar njëfarë ankthi, që e nxit Boazin ta sigurojë atë: «Mos ki frikë, bija ime: unë do të bëj për ty gjithçka që më kërkon, sepse të gjithë njerëzit e qytetit tim e dinë që ti je një grua e virtytshme.»—Rutha 3:11.
Që Boazi i pa veprimet e Ruthës si plotësisht të virtytshme duket qartë nga fjalët e tij: «Qofsh e bekuar nga Zoti bija ime! Mirësia [dashamirësia, BR] që tregove këtë herë të fundit ia kalon së parës.» (Rutha 3:10) Në rastin e parë, Rutha shfaqi dashamirësi ose dashuri besnike për Naomin. Rasti i fundit ishte se u identifikua me altruizëm para Boazit, një burri shumë më të madh, vetëm sepse ishte një riblerës. Ajo ishte e gatshme të ngrinte një pasardhje në emër të Mahlonit, burrit të saj të vdekur, dhe për Naomin.
Një riblerës tërhiqet
Mëngjesin tjetër, Boazi thërret një të afërm, të përmendur si «filani», i cili është një i afërm më i ngushtë i Naomit sesa Boazi. Përpara banorëve dhe pleqve të qytetit, Boazi thotë: ‘Mendova të ta bëj të ditur të drejtën që ke për të riblerë nga Naomi pjesën e arës që i përkiste burrit të saj Elimelekut, sepse ajo duhet ta shesë.’ Boazi vazhdon: ‘A do ta riblesh? Po qe se jo, atëherë do ta bëj unë riblerjen.’ Pas kësaj filani tregon se do ta bëjë riblerjen.—Rutha 4:1-4, BR.
Por atë e pret një surprizë. Tani Boazi thotë përpara gjithë dëshmitarëve: «Ditën që do ta blesh arën nga dora e Naomit, ti do ta blesh edhe nga Ruthi, Moabitja, bashkëshortja e të ndjerit, për ta ringjallur emrin e të ndjerit në trashëgiminë e tij.» Nga frika se mos rrënojë trashëgiminë e vet, i afërmi më i ngushtë e humb të drejtën e riblerjes duke thënë: «Unë nuk mund ta shpengoj [riblej, BR].»—Rutha 4:5, 6.
Sipas zakonit, njeriu që nuk pranon riblerjen duhet të heqë sandalen dhe t’ia japë të afërmit të tij. Prandaj kur riblerësi i thotë Boazit «blije ti vetë», heq sandalen. Atëherë Boazi u thotë pleqve dhe gjithë popullit: «Ju sot jeni dëshmitarë që unë bleva sot në duart e Naomit të gjitha ato që ishin pronë e Elimelekut, të Kilionit dhe të Mahlonit. Gjithashtu bleva për grua Ruthin, Moabiten, bashkëshorten e Mahlonit, për ta ringjallur emrin e të ndjerit në trashëgiminë e tij . . . Ju sot jeni dëshmitarë të këtij fakti.»—Rutha 4:7-10.
Të gjithë njerëzit që janë te porta i thonë Boazit: «Zoti e bëftë gruan që hyn në shtëpinë tënde si Rakelën dhe si Lean, dy gratë që ngritën shtëpinë e Izraelit. Paç pushtet në Efrathah dhe u bëfsh i famshëm në Betlem.»—Rutha 4:11, 12.
Me bekimin e popullit, Boazi merr Ruthën për grua. Ajo i lind një djalë që e quajnë Obed, dhe kështu Rutha dhe Boazi bëhen paraardhës të mbretit David e si rrjedhim të Jezu Krishtit.—Rutha 4:13-17; Mateu 1:5, 6, 16.
«Një pagë të përsosur»
Gjatë gjithë tregimit, që nga përshëndetja e parë mirëdashëse ndaj punëtorëve, e deri në pranimin e përgjegjësisë për të ruajtur emrin e familjes së Elimelekut, Boazi tregon se është një burrë i shquar, një njeri i veprimit dhe i autoritetit. Njëkohësisht ishte një njeri me vetëkontroll, me besim dhe me tërësi morale. Gjithashtu Boazi ishte bujar, mirëdashës, i dëlirë moralisht dhe plotësisht i bindur ndaj urdhërimeve të Jehovait.
Rutha shquhet për dashurinë për Jehovain, për dashurinë besnike ndaj Naomit dhe për papërtueshmërinë e përulësinë e saj. Nuk habitemi që populli e shihte atë si ‘një grua të shkëlqyer’. Ajo nuk hante «bukën e përtacisë» dhe falë punës së palodhur kishte diçka për ta ndarë me vjehrrën e saj nevojtare. (Fjalët e urta 31:27, 31) Duke pranuar përgjegjësinë për t’u kujdesur për Naomin, Rutha duhet të ketë ndier lumturinë që vjen nga dhënia.—Veprat 20:35; 1 Timoteut 5:4, 8.
Çfarë shembujsh të shkëlqyer që gjejmë në librin e Ruthës! Naomi kujtohet nga Jehovai. Rutha merr «një pagë të përsosur» si paraardhëse e Jezu Krishtit. Boazi bekohet me ‘një grua të shkëlqyer’. Kurse ne gjejmë shembuj besimi te këta individë.
[Kutia në faqen 26]
Një rreze shprese
Nëse ndonjëherë mendoni se po kaloni kohë të palumtura në jetë, historia e Ruthës mund t’ju japë një shkëndijë shprese. Kjo histori spikat si një epilog i rëndësishëm për librin e Gjykatësve. Libri i Ruthës tregon se si Jehovai përdori një të ve të përulur nga kombi i huaj i Moabit për të nxjerrë një mbret për popullin e tij. Në sfondin e librit të Gjykatësve besimi i Ruthës shkëlqen si një dritë e asaj epoke.
Nga leximi i historisë së Ruthës mund të keni sigurinë se pavarësisht sa të vështira mund të jenë kohët, Perëndia kujdeset gjithmonë për popullin e tij dhe i përmbush qëllimet e tij.