KAPITULLI 7
Kombet «kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai»
NË KËTË KAPITULL: Çfarë mësojmë nga historia e Izraelit me kombet që hodhën baltë mbi emrin e Jehovait?
1, 2. (a) Në ç’mënyrë kishte qenë Izraeli si një dele e vetme mes ujqërish? (Shih figurën hapëse.) (b) Çfarë lejuan izraelitët dhe mbretërit e tyre?
PËR qindra vjet Izraeli kishte qenë si një dele e vetme mes një tufe ujqërish. Amonitët, moabitët dhe edomitët, të cilët jetonin në lindje të Izraelit, ishin një kërcënim për izraelitët. Ndërsa në perëndim banonin filistinët, armiqtë e betuar të Izraelit. Në veri ndodhej Tiri, qendër e fuqishme dhe e pasur e një superfuqie të paanë tregtare. Kurse në jug shtrihej Egjipti i lashtë, ku sundonte faraoni, të cilin e shihnin si perëndi.
2 Kur izraelitët mbështeteshin te Jehovai, ai i mbronte nga armiqtë. Megjithatë, herë pas here, ata dhe mbretërit e tyre i lejonin kombet përqark që t’i largonin nga Jehovai. Një prej tyre ishte mbreti Akab, një gur shahu në duart e të tjerëve. Ai udhëhoqi mbretërinë dhjetëfisëshe të Izraelit në të njëjtën kohë kur në Judë ishte mbret Jehozafati. Akabi u martua me Jezebelën, vajzën e mbretit sidonit që kishte pushtet mbi qytetin e begatë të Tirit. Ajo bëri çmos të përhapte adhurimin e Baalit në Izrael dhe e nxiti të shoqin të ndotte adhurimin e pastër në një shkallë të pazakontë.—1 Mbret. 16:30-33; 18:4, 19.
3, 4. (a) Ndaj kujt e drejtoi vëmendjen Ezekieli? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?
3 Jehovai e kishte paralajmëruar popullin e tij për pasojat që do të kishte po të mos i qëndronte besnik. Tani e kishin mbushur kupën. (Jer. 21:7, 10; Ezek. 5:7-9) Në vitin 609 p.e.s. ushtria babilonase u kthye për të tretën herë në Tokën e Premtuar, thuajse dhjetë vjet pas pushtimit të fundit. Këtë herë do të rrëzonin muret e Jerusalemit dhe do të shtypnin ata që do të rebeloheshin kundër Nabukodonosorit. Rrethimi filloi dhe profecitë e frymëzuara të Ezekielit u përmbushën deri në detajet më të vogla. Në këtë moment profeti e drejton vëmendjen te kombet rreth e qark Tokës së Premtuar.
Kombet që shpifën për emrin e Jehovait, korrën pasojat e veprimeve të tyre
4 Jehovai i tha Ezekielit se armiqtë e Judës do të gëzonin kur të shkatërrohej Jerusalemi dhe do t’u binin në qafë të mbijetuarve. Ama, kombet që shpifnin për emrin e Jehovait, që përndiqnin popullin e tij dhe përpiqeshin ta largonin nga Ai, do të korrnin pasojat e veprimeve të tyre. Ç’mësime praktike mund të nxjerrim nga marrëdhënia e Izraelit me këto kombe? Si na japin shpresë profecitë e Ezekielit për këto kombe?
Të afërm që e trajtuan Izraelin «gjithë përçmim»
5, 6. Çfarë lidhje kishin amonitët me izraelitët?
5 Në njëfarë kuptimi, Amoni, Moabi dhe Edomi ishin të afërm gjaku të Izraelit. Pavarësisht nga lidhja familjare dhe historia e përbashkët, këto kombe patën një armiqësi të gjatë me popullin e Perëndisë dhe e trajtuan «gjithë përçmim».—Ezek. 25:6.
6 Të marrim rastin e amonitëve. Ata vinin nga nipi i Abrahamit, Loti, nëpërmjet vajzës së tij të vogël. (Zan. 19:38) Gjuha e tyre ngjante aq shumë me hebraishten, saqë populli i Perëndisë me siguri e kuptonte. Për shkak të kësaj lidhjeje familjare, Jehovai u tha izraelitëve të mos i sulmonin amonitët. (Ligj. 2:19) Prapëseprapë, në ditët e gjykatësve, amonitët u bënë bashkë me mbretin moabit, Eglonin, kundër Izraelit. (Gjyk. 3:12-15, 27-30) Më vonë, kur Sauli u bë mbret, ata sulmuan Izraelin. (1 Sam. 11:1-4) Ndërsa në ditët e mbretit Jehozafat u bashkuan sërish me forcat e moabitëve që të pushtonin Tokën e Premtuar.—2 Kron. 20:1, 2.
7. Si i trajtuan moabitët kushërinjtë e tyre, izraelitët?
7 Edhe moabitët vinin nga pasardhësit e Lotit, por nëpërmjet vajzës së tij të madhe. (Zan. 19:36, 37) Jehovai u tha izraelitëve të mos luftonin kundër Moabit. (Ligj. 2:9) Ama, moabitët nuk u sollën po kaq mirë me ta. Në vend që t’i ndihmonin kushërinjtë që ishin çliruar nga skllavëria e Egjiptit, u përpoqën t’i ndalonin të futeshin në Tokën e Premtuar. Mbreti i Moabit, Balaku, pagoi Balamin t’i mallkonte izraelitët. Ndërsa Balami mësoi Balakun si t’i shtynte burrat izraelitë të kryenin imoralitet dhe idhujtari. (Num. 22:1-8; 25:1-9; Zbul. 2:14) Moabitët i shtypën kushërinjtë e tyre për shekuj me radhë, deri në ditët e Ezekielit.—2 Mbret. 24:1, 2.
8. Pse Jehovai tha se Edomi ishte vëllai i Izraelit, por si vepruan edomitët?
8 Edomitët ishin pasardhës të Esaut, vëllait binjak të Jakobit. Lidhja mes edomitëve dhe izraelitëve ishte kaq e ngushtë, saqë Jehovai i quajti vëllezër. (Ligj. 2:1-5; 23:7, 8) Prapëseprapë, edomitët ishin armiq të Izraelit që nga Eksodi deri më 607 p.e.s. kur u shkatërrua Jerusalemi. (Num. 20:14, 18; Ezek. 25:12) Në atë kohë, edomitët ndienin kënaqësi kur Izraeli vuante dhe nxitnin babilonasit ta shkretonin Jerusalemin. Madje pengonin çdo izraelit që po ia mbathte dhe i dorëzonin tek armiqtë.—Psal. 137:7; Abd. 11, 14.
9, 10. (a) Çfarë ndodhi me Amonin, Moabin dhe Edomin? (b) Cilët shembuj tregojnë se jo të gjithë pjesëtarët e atyre kombeve u sollën keq me izraelitët?
9 Jehovai u kërkoi llogari «të afërmve» të popullit të tij për mënyrën si u sollën me të. Ai tha: «Amonitët do t’ia jap si pronë popujve të Lindjes, e kështu amonitët nuk do të kujtohen më mes kombeve.» Gjithashtu shtoi: «Do të ekzekutoj vendimin tim gjyqësor kundër Moabit, dhe ata kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.» (Ezek. 25:10, 11) Këto profeci filluan të përmbusheshin rreth pesë vjet pas rënies së Jerusalemit kur babilonasit pushtuan Amonin dhe Moabin. Ndërsa për Edomin, Jehovai tha se ‘do t’i shfaroste njerëz e bagëti, e do ta kthente në një vend të shkretë’. (Ezek. 25:13) Siç u paratha, Amoni, Moabi dhe Edomi u zhdukën si popuj.—Jer. 9:25, 26; 48:42; 49:17, 18.
10 Megjithatë, jo të gjithë pjesëtarët e atyre kombeve u sollën keq me popullin e Perëndisë. Për shembull, amoniti Zelek dhe moabiti Ithmah ishin mes luftëtarëve të fuqishëm të mbretit David. (1 Kron. 11:26, 39, 46; 12:1) Edhe moabitja Ruthë u bë adhuruese besnike e Jehovait.—Rutha 1:4, 16, 17.
Kurrë mos bëj as kompromisin më të vogël
11. Ç’mund të mësojmë nga marrëdhënia e Izraelit me Amonin, Moabin dhe Edomin?
11 Ç’mund të mësojmë nga marrëdhënia e Izraelit me këto kombe? Kur izraelitët e ulnin vigjilencën, praktikat e fëlliqura fetare të këtyre kombeve depërtonin tinëzisht te populli: si për shembull, adhurimi i perëndisë së Moabit, pra, Baalit të Peorit, dhe i perëndisë së Amonit, pra, Molekut. (Num. 25:1-3; 1 Mbret. 11:7) Diçka e ngjashme mund të na ndodhë edhe neve. Mbase të afërmit që nuk janë Dëshmitarë, na bëjnë presion të mos e marrim kaq seriozisht të vërtetën. Për shembull, mund të mos e kuptojnë pse nuk e festojmë Vitin e Ri, pse nuk shkëmbejmë dhurata gjatë Krishtlindjeve ose pse nuk marrim pjesë në festa të tjera të përhapura që kanë lidhje me fenë e rreme. Edhe pse mund të kenë motivet më të mira, ata mund të na shtyjnë të bëjmë kompromis me standardet tona, qoftë edhe për ndonjë gjë të vogël. Gjithsesi është jetësore që kurrë të mos biem pre e këtij presioni. Siç e tregon historia e Izraelit, edhe kompromisi më i vogël mund të na çojë në shkatërrim.
12, 13. Çfarë kundërshtimi mund të hasim, por çfarë mund të ndodhë nëse qëndrojmë besnikë?
12 Mund të mësojmë edhe diçka tjetër nga historia e Izraelit me Amonin, Moabin dhe Edomin. Mund të hasim kundërshtim të ashpër nga familjarët që nuk janë Dëshmitarë. Jezui na paralajmëroi se ndonjëherë mesazhi që predikojmë, ‘do të shkaktojë përçarje: djalin kundër babait, vajzën kundër nënës’. (Mat. 10:35, 36) Jehovai i udhëzoi izraelitët të mos nisnin konflikte me të afërmit e tyre. Po kështu, edhe ne nuk duhet të hapim sherr me familjarët që s’janë Dëshmitarë. Sidoqoftë nuk ka pse të habitemi kur të na kundërshtojnë.—2 Tim. 3:12.
13 Edhe nëse të afërmit nuk na pengojnë prerazi të adhurojmë Jehovain, nuk duhet t’i lejojmë të ndikojnë te ne më shumë se Jehovai. Pse? Sepse Jehovai meriton vendin e parë në zemrën tonë. (Lexo Mateun 10:37.) Gjithashtu, nëse i qëndrojmë besnikë Jehovait, disa të afërm mund të përqafojnë adhurimin e pastër, njësoj si Zeleku, Ithmahu dhe Rutha. (1 Tim. 4:16) Atëherë, edhe ata do të kënaqen duke i shërbyer të vetmit Perëndi të vërtetë e do të ndiejnë dashurinë dhe mbrojtjen e tij.
Armiqtë e Jehovait ‘u ndëshkuan ashpër’
14, 15. Si u sollën filistinët me izraelitët?
14 Filistinët kishin emigruar nga ishulli i Kretës në Kanan, vend që më vonë Jehovai ia premtoi Abrahamit dhe pasardhësve të tij. Si Abrahami, edhe Isaku kishin pasur njëfarë bashkëpunimi me filistinët. (Zan. 21:29-32; 26:1) Kur izraelitët hynë në Tokën e Premtuar, filistinët ishin bërë një komb i fuqishëm me një ushtri të frikshme. Ata adhuronin perëndi të rreme, si Baal-Zebubin dhe Dagonin. (1 Sam. 5:1-4; 2 Mbret. 1:2, 3) Ndonjëherë edhe Izraeli i adhuronte këto perëndi.—Gjyk. 10:6.
15 Ngaqë Izraeli nuk mbeti besnik, Jehovai i lejoi filistinët ta shtypnin popullin e tij për vite me radhë. (Gjyk. 10:7, 8; Ezek. 25:15) Ata u vunë kufizime të rreptaa dhe masakruan shumë prej tyre. (1 Sam. 4:10) Megjithatë, kur izraelitët pendoheshin dhe ktheheshin te Jehovai, ai i shpëtonte. Për shembull, u dërgoi burra, si Samsoni, Sauli dhe Davidi, që të çlironin popullin e Tij. (Gjyk. 13:5, 24; 1 Sam. 9:15-17; 18:6, 7) Siç e paratha Ezekieli, filistinët ‘u ndëshkuan ashpër’ kur vendin e tyre e pushtuan babilonasit dhe më vonë grekët.—Ezek. 25:15-17.
16, 17. Ç’mësojmë nga marrëdhënia e izraelitëve me filistinët?
16 Ç’mund të mësojmë nga marrëdhënia e Izraelit me filistinët? Populli i Jehovait në kohët moderne ka hasur kundërshtim nga disa prej kombeve më të fuqishme që ka njohur bota. Por, ndryshe nga Izraeli, ne kemi ruajtur një besnikëri të patundur përgjatë viteve. Prapëseprapë, duket sikur me raste armiqtë e adhurimit të pastër na kanë mposhtur. Për shembull, në fillim të shekullit të 20-të qeveria e Shteteve të Bashkuara u përpoq të ndalonte veprën e popullit të Jehovait, duke dënuar me shumë vite burg ata që merrnin drejtimin në organizatë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore partia naziste në Gjermani bëri çmos ta shfaroste popullin e Perëndisë, duke burgosur mijëra e duke vrarë qindra. Pas saj, Bashkimi Sovjetik nisi një fushatë shumëvjeçare kundër Dëshmitarëve të Jehovait, duke i dërguar vëllezërit në kampe pune ose duke i internuar në Siberi.
17 Mbase qeveritë do të vazhdojnë ta ndalojnë veprën e predikimit, të burgosin popullin e Perëndisë e madje të vrasin disa prej nesh. A duhet të frikësohemi ose të humbim besimin? Jo. Jehovai do ta mbrojë popullin e tij besnik. (Lexo Mateun 10:28-31.) Tashmë kemi parë të zhduken qeveri të fuqishme e tiranike, ndërkohë që populli i Jehovait vazhdon të lulëzojë. Së shpejti të gjitha qeveritë njerëzore do të përfundojnë njësoj si filistinët: duan, s’duan, do ta marrin vesh kush është Jehovai dhe do të zhduken njëherë e mirë.
‘Pasuritë përrallore’ nuk e mbrojtën
18. Sa e madhe ishte superfuqia tregtare e Tirit?
18 Qyteti i Tiritb ishte qendra e një prej superfuqive më të mëdha tregtare të botës së lashtë. Në perëndim, anijet e tij tregtare lundronin në distanca të mëdha përmes detit Mesdhe. Ndërsa në lindje tregtarët e tij përshkonin një rrjet rrugor që e lidhte me perandori të largëta. Për shekuj me radhë grumbulloi shumë pasuri falë shkëmbimit tregtar me këto vende. Tregtarët dhe shitblerësit e tij u pasuruan aq shumë, sa e konsideronin veten princa.—Isa. 23:8.
19, 20. Ku ndryshonin banorët e Tirit nga të Gibeonit?
19 Në kohën e mbretërve David dhe Solomon, Izraeli kishte lidhje të ngushta me Tirin. Tirasit u dhanë gjëra materiale dhe artizanë, që të ndërtonin pallatin e Davidit dhe më vonë tempullin e Solomonit. (2 Kron. 2:1, 3, 7-16) Tiri e pa Izraelin në kulmin e shkëlqimit të tij. (1 Mbret. 3:10-12; 10:4-9) Vetëm të mendosh për mundësinë që kishin mijëra tiras të mësonin për adhurimin e pastër, të njihnin Jehovain dhe t’i shihnin me sytë e tyre bekimet që vijnë kur i shërben Perëndisë së vërtetë.
20 Gjithsesi, banorët e Tirit nuk hoqën dorë nga materializmi. Ata nuk ndoqën shembullin e qytetit të fuqishëm kananit të Gibeonit. Gibeonasit thjesht kishin dëgjuar për veprat e mëdha të Jehovait dhe kaq u mjaftoi që të bëheshin shërbëtorë të tij. (Jos. 9:2, 3, 22–10:2) Në fakt, banorët e Tirit u bënë armiq të popullit të Perëndisë, e madje disa i shitën si skllevër.—Psal. 83:2, 7; Joe. 3:4, 6; Amo. 1:9.
Nuk duam t’i shohim asnjëherë gjërat materiale si mur mbrojtës
21, 22. Ç’ndodhi me Tirin dhe pse?
21 Nëpërmjet Ezekielit, Jehovai u tha këtyre kundërshtarëve: «Ja, unë jam kundër teje, o Tir, dhe do të ngre kundër teje shumë kombe, ashtu si deti ngre dallgët e tij. Ato do të t’i rrënojnë muret, o Tir, dhe do të t’i shembin kullat. Unë do të t’i heq rrënojat e do të të kthej në një shkëmb të zhveshur e të lëmuar.» (Ezek. 26:1-5) Tirasit mendonin se pasuritë do t’i mbronin njësoj siç mbronin pjesën ishullore të qytetit muret e larta 46 metra. Sa mirë do të bënin po t’i kushtonin vëmendje paralajmërimit të Solomonit: «Pasuritë janë qytet i fortifikuar për pasanikët; në imagjinatën e tyre janë si një mur mbrojtës.»—Prov. 18:11.
22 Kur babilonasit dhe më vonë grekët plotësuan profecinë e Ezekielit, banorët e Tirit kuptuan se siguria që u jepnin pasuritë e qytetit dhe muret, ishte thjesht imagjinare. Pasi u shkatërrua Jerusalemi, babilonasit nisën një fushatë kundër Tirit, i cili ra pas një rrethimi 13-vjeçar. (Ezek. 29:17, 18) Më vonë, në vitin 332 p.e.s. Aleksandri i Madh përmbushi një aspekt të jashtëzakonshëm të profecive të Ezekielit.c Ushtria e tij mblodhi gërmadhat e pjesës kontinentale të qytetit të Tirit, si gurë, punime prej druri e rrënoja. Pastaj i hodhi në ujë që të ndërtonte një rrugë për të arritur në qytetin-ishull. (Ezek. 26:4, 12) Aleksandri hapi një të çarë në mure, plaçkiti qytetin, vrau mijëra ushtarë dhe banorë, si dhe shiti si skllevër dhjetëra mijë të tjerë. Banorët e Tirit e morën vesh kush ishte Jehovai kur e provuan në kurriz se ‘pasuritë përrallore’ nuk sigurojnë mbrojtje të përhershme.—Ezek. 27:33, 34.
23. Çfarë mësojmë nga banorët e Tirit?
23 Çfarë mësojmë nga banorët e Tirit? Kurrë nuk duam që «fuqia mashtruese e pasurisë» të na bëjë të besojmë te gjërat materiale e t’i shohim si mur mbrojtës. (Mat. 13:22) S’mund të jemi «skllevër edhe të Perëndisë, edhe të Pasurisë». (Lexo Mateun 6:24.) Vetëm ata që i shërbejnë Jehovait me gjithë zemër janë vërtet të sigurt. (Mat. 6:31-33; Gjoni 10:27-29) Profecitë për fundin e këtij sistemi do të përmbushen me hollësi, pikërisht siç ndodhi me profecitë kundër Tirit. Në atë kohë ata që besojnë te pasuria, do ta marrin vesh se s’bën kush është Jehovai kur ai të shkatërrojë sistemin tregtar egoist të kësaj bote lakmitare.
Një fuqi politike si «një fije kashte»
24-26. (a) Pse Jehovai e quajti Egjiptin «fije kashte»? (b) Si e shpërfilli Zedekia drejtimin e Jehovait, dhe cilat ishin pasojat?
24 Që para kohës së Jozefit deri kur babilonasit marshuan drejt Jerusalemit, Egjipti kishte goxha ndikim politik në rajonin e Tokës së Premtuar. Falë historisë së tij të lashtë, dukej sikur kishte fituar stabilitet, si një pemë e moçme. Mirëpo, krahasuar me Jehovain, ai ishte tejet i brishtë, si «një fije kashte».—Ezek. 29:6.
25 Mbreti apostat Zedekia nuk e kishte kuptuar këtë. Jehovai e kishte urdhëruar nëpërmjet Jeremisë që t’i nënshtrohej mbretit të Babilonisë. (Jer. 27:12) Madje, Zedekia u betua në emër të Jehovait se nuk do të rebelohej kundër Nabukodonosorit. Mirëpo më vonë e shpërfilli drejtimin e Jehovait, e shkeli betimin dhe i kërkoi ndihmë Egjiptit që të luftonte kundër babilonasve. (2 Kron. 36:13; Ezek. 17:12-20) Gjithsesi, izraelitët që i varën shpresat te fuqia politike e Egjiptit, i bënë gropën vetes. (Ezek. 29:7) Egjipti mund të jetë dukur po aq i tmerrshëm, sa një ‘përbindësh i madh deti’. (Ezek. 29:3, 4) Ama, Jehovai tha se do të vepronte me të njësoj si gjuetarët që kapin krokodilët e Nilit. Pra, do t’i vinte grremça në nofulla dhe do ta çonte drejt shkatërrimit. Dhe veproi pikërisht kështu kur dërgoi babilonasit të pushtonin atë vend të lashtë.—Ezek. 29:9-12, 19.
26 Çfarë ndodhi me Zedekinë e pabesë? Ngaqë u rebelua kundër Jehovait, Ezekieli paratha se këtij ‘prijësi të lig’ do t’i hiqej kurora dhe se mbretërimi i tij do të merrte fund. Mirëpo, Ezekieli dha edhe shpresë. (Ezek. 21:25-27) Nëpërmjet tij, Jehovai paratha se fronin do ta merrte ai që kishte «të drejtën ligjore», një mbret nga linja mbretërore e Davidit. Në kapitullin tjetër do të shohim kush ishte.
27. Ç’mësojmë nga historia e Izraelit me Egjiptin?
27 Ç’mësojmë nga historia e Izraelit me Egjiptin? Ne sot nuk duhet të besojmë te fuqitë politike, duke menduar se do të na japin siguri të përhershme. As në mendimet tona ‘s’duhet të jemi pjesë e botës’. (Gjoni 15:19; Jak. 4:4) Sistemi politik mund të duket i fortë, por, ashtu si Egjipti i lashtë, është po aq i brishtë sa një fije kashte. Sa e pamend do të ishte të shpresonim te njerëzit vdekatarë në vend se te Sovrani i Plotfuqishëm i Universit!—Lexo Psalmin 146:3-6.
Kombet «kanë për ta marrë vesh»
28-30. Si «kanë për ta marrë vesh» kombet se kush është Jehovai dhe si e tregojmë ne se e njohim?
28 Te libri i Ezekielit, Jehovai thotë disa herë për kombet: «Kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.» (Ezek. 25:17) Sigurisht që këto fjalë dolën të vërteta në kohët e lashta kur Jehovai ekzekutoi gjykimin kundër armiqve të popullit të tij. Por, në ditët tona do të përmbushen në një shkallë shumë më të gjerë. Si?
29 Njësoj si populli i Perëndisë në kohët e lashta, jetojmë mes kombeve që na shohin si një dele të vetme e të pambrojtur. (Ezek. 38:10-13) Siç do ta shohim në kapitujt 17 dhe 18, së shpejti kombet do të nisin një sulm të pamëshirshëm kundër popullit të Perëndisë, duke përdorur gjithë sa kanë në dorë. Mirëpo, atëherë do ta kuptojnë çfarë është fuqia e vërtetë. Do të detyrohen ta mësojnë se kush është Jehovai e të pranojnë sovranitetin e tij kur t’i shkatërrojë në betejën e Armagedonit.—Zbul. 16:16; 19:17-21.
30 Kurse neve do të na mbrojë e do të na bekojë. Pse? Sepse që tani po tregojmë se e njohim Jehovain duke i besuar, duke iu bindur dhe duke përkrahur adhurimin e tij të pastër, ashtu siç e meriton.—Lexo Ezekielin 28:26.
a Për shembull, filistinët nuk lejuan askënd të punonte si metalpunues në Izrael. Izraelitëve u duhej të zbritnin te filistinët për të mprehur veglat bujqësore dhe për këtë punë duhej të paguanin sa paga e disa ditëve.—1 Sam. 13:19-22.
b Në fillim, qyteti i Tirit duket se ishte ndërtuar mbi një ishull shkëmbor pranë bregut, rreth 50 kilometra në veri të malit Karmel. Më vonë qyteti u zgjerua dhe një pjesë u ndërtua në zonën kontinentale. Emri semitik i qytetit, Sur, do të thotë «Shkëmb».
c Edhe Isaia, Jeremia, Joeli, Amosi dhe Zakaria thanë profeci kundër Tirit, të cilat u plotësuan në detaje.—Isa. 23:1-8; Jer. 25:15, 22, 27; Joe. 3:4; Amo. 1:10; Zak. 9:3, 4.