IMITONI BESIMIN E TYRE | JONATANI
«Jehovain s’e pengon asgjë»
Përfytyro një pararojë ushtarake të izoluar që inspekton një tokë të shkretë e shkëmbore. Ushtarëve filistinë të kësaj pararoje u kap syri diçka interesante në peizazhin monoton: dy burra izraelitë kanë dalë hapur në anën tjetër të grykës. Për ta kjo situatë është qesharake dhe aspak kërcënuese. Filistinët i kanë sunduar prej kohësh izraelitët, të cilët as veglat bujqësore nuk i mprehin dot pa ndihmën e armiqve. Ushtarët izraelitë janë pothuaj të paarmatosur. Për më tepër, këta janë vetëm dy burra! Edhe po të ishin të armatosur deri në dhëmbë, ç’dëm mund të bënin? Me qesëndi filistinët u thërrasin: «Ngjituni te ne, se do t’ju themi diçka!», duke menduar se u kishte ardhur rasti t’u jepnin një mësim të mirë.—1 Samuelit 13:19-23; 14:11, 12.
Ç’ishte e vërteta, njëra palë do të merrte një mësim, po kësaj radhe do të ishin filistinët. Dy izraelitët fillojnë të vrapojnë përgjatë grykës, e kalojnë dhe nisin të ngjiten nëpër shpatin më të afërt. Shpati i shkëmbit është kaq i thiktë sa dy burrave u duhet të ngjiten me këmbë e duar, por nuk ndalen, kacavaren nëpër shkëmbinj dhe shkojnë drejt e te pararoja! (1 Samuelit 14:13) Tani filistinët arrijnë të dallojnë se burri që merr drejtimin është i armatosur dhe nga pas e ndjek shqytari i vet. A kishte ndër mend të sulmonte një garnizon të tërë vetë i dytë? Mos e ka lënë gjë mendja?!
Jo, aspak; ai ishte burrë me besim të madh. Quhej Jonatan dhe historia e tij është e gjallë e plot mësime për të krishterët e vërtetë. Edhe pse ne nuk luftojmë në mënyrë të mirëfilltë, shembulli i Jonatanit na mëson goxha për guximin, besnikërinë dhe altruizmin e nevojshëm për të zhvilluar besim të vërtetë.—Isaia 2:4; Mateu 26:51, 52.
Djalë besnik dhe ushtar trim
Që të kuptojmë pse Jonatani u hodh në sulm kundër asaj pararoje, duhet ta njohim pak më mirë. Ai ishte djali i madh i Saulit, mbretit të parë të Izraelit. Kur Sauli u miros si mbret, Jonatani ishte i rritur, mbase 20 vjeç a diçka më shumë. Me sa duket, Jonatani ishte goxha i lidhur me të atin, i cili shpesh i hapte zemrën të birit. Në atë kohë, në sytë e Jonatanit, i ati nuk ishte thjesht një luftëtar sypatrembur, shtatlartë dhe i pashëm. Ishte shumë më tepër—një burrë plot besim dhe i përulur. Jonatani e kuptonte pse Jehovai zgjodhi Saulin si mbret. Madje, edhe profeti Samuel tha se në të gjithë vendin nuk kishte asnjë si Sauli.—1 Samuelit 9:1, 2, 21; 10:20-24; 20:2.
Sa i nderuar duhet të jetë ndier Jonatani të luftonte nën drejtimin e të atit kundër armiqve të popullit të Jehovait! Ato luftëra nuk ngjanin aspak me konfliktet nacionaliste të ditëve tona. Në atë kohë, Jehovai kishte zgjedhur të përfaqësohej nga kombi i Izraelit, të cilin e sulmonin vazhdimisht kombet që adhuronin perëndi të rremë. Filistinët e përlyer në adhurimin e perëndive pagane, si Dagoni, u përpoqën shpesh ta shtypnin e madje ta asgjësonin popullin e zgjedhur të Jehovait.
Për burra si Jonatani, luftimi ishte pjesë e shërbimit besnik ndaj Perëndisë Jehova. Në fakt, Jehovai i bekoi përpjekjet e Jonatanit. Pak pasi Sauli u bë mbret, ai e emëroi të birin në krye të 1.000 ushtarëve, të cilët Jonatani i udhëhoqi të sulmonin një garnizon filistin në Gebë. Ndonëse ushtarët e tij ishin pothuaj të paarmatosur, me ndihmën e Jehovait, Jonatani e fitoi betejën. Megjithatë, filistinët nuk ndenjën duarkryq, por mobilizuan një ushtri të madhe. Shumë prej ushtarëve të Saulit u hyri frika gjer në palcë. Disa ia mbathën dhe u fshehën. Madje kishte edhe nga ata që u bashkuan me kampin armik. Ama, guximi i Jonatanit nuk u zbeh asnjëherë.—1 Samuelit 13:2-7; 14:21.
Ditën që përshkruam në hyrje të tregimit, Jonatani vendosi të merrte vetëm shqytarin e të largohej pa rënë në sy. Teksa i afroheshin pararojës filistine në Mikmash, Jonatani i tregon se ç’kishte ndër mend. Si fillim do të dilnin hapur para filistinëve. Nëse filistinët i sfidonin dhe u thoshin të ngjiteshin te ta, kjo do të ishte shenjë se Jehovai do t’i ndihmonte shërbëtorët e tij. Shqytari pranoi pa e menduar dy herë, ndoshta ngaqë mori zemër nga fjalët e fuqishme të Jonatanit: «Jehovain s’e pengon asgjë që të shpëtojë, qoftë shumë, qoftë pak veta.» (1 Samuelit 14:6-10) Për çfarë e kishte fjalën Jonatani?
Duket se ai e njihte goxha mirë Perëndinë e tij. Pa dyshim kishte dëgjuar se në të kaluarën Jehovai e kishte ndihmuar popullin e vet të mposhtte armiq ku e ku më të shumtë në numër. Madje, disa herë Ai kishte sjellë fitoren përmes një njeriu të vetëm. (Gjykatësit 3:31; 4:1-23; 16:23-30) Ndaj, Jonatani e dinte mirë se për Perëndinë nuk kishin rëndësi as numrat, as forca e as armët e shërbëtorëve të vet, por besimi i tyre. Ja pse me besim Jonatani lejoi Jehovain të vendoste nëse ai dhe shqytari duhej ta sulmonin pararojën. Zgjodhi një shenjë me anë të së cilës Jehovai do të tregonte nëse e miratonte. Pastaj, me miratimin në xhep, Jonatani vazhdoi përpara pa frikë.
Vini re dy aspekte që karakterizonin besimin e Jonatanit. Së pari, ai ndiente nderim të thellë për Perëndinë e tij, Jehovain. E dinte se Perëndia i Plotfuqishëm nuk varet nga njeriu për të plotësuar qëllimet e veta, e prapëseprapë, Jehovai kënaqet kur i bekon njerëzit besnikë që i shërbejnë. (2 Kronikave 16:9) Së dyti, para se të vepronte, Jonatani kërkoi një shenjë miratimi nga Jehovai. Sot nuk presim që Perëndia të na japë shenja të mbinatyrshme që të sigurohemi nëse i miraton veprimet tona. Tani që e kemi të plotë Fjalën e Perëndisë, kemi gjithë sa na duhet për të dalluar qartë vullnetin e Tij. (2 Timoteut 3:16, 17) A e shqyrtojmë me kujdes Biblën para se të marrim vendime të rëndësishme? Nëse po, po tregojmë se meraku ynë kryesor është të bëjmë vullnetin e Jehovait e jo tonin—tamam si Jonatani.
Dy burrat, luftëtari me shqytarin, u ngjitën me shpejtësi nëpër shpatin e thiktë për te pararoja. Së fundi, kur filistinët kuptuan se po i sulmonin, dërguan disa burra që t’i sprapsnin dy pushtuesit. Ata ishin jo vetëm më të shumtë në numër, por kishin edhe terrenin më të favorshëm, ndaj duhej ta kishin të lehtë t’i vritnin dy burrat. Por, Jonatani nisi t’i godiste ushtarët njëri pas tjetrit. Kurse shqytari që vinte pas tij, i vriste. Në një sipërfaqe të vogël, dy burrat vranë 20 armiq. Jehovai bëri edhe më shumë. Bibla thotë: «Atëherë kampit në fushë dhe tërë njerëzve të pararojës u hyri dridhma. Zunë të dridheshin edhe çetat e zhvatësve e toka nisi të tundej. Kjo dridhmë vinte nga Perëndia.»—1 Samuelit 14:15.
Nga njëfarë distance, Sauli bashkë me burrat e tij vunë re që në kampin armik po përhapej kaos e panik. Madje, filistinët nisën të luftonin kundër njëri-tjetrit. (1 Samuelit 14:16, 20) Izraelitët morën zemër dhe sulmuan, mbase me armët që u merrnin filistinëve të vrarë. Atë ditë Jehovai i dha popullit të tij një fitore të jashtëzakonshme. Ai nuk ka ndryshuar aspak që prej atyre kohëve emocionuese. Nëse besojmë te Jehovai, siç bëri Jonatani dhe shqytari i tij pa emër, s’do të bëhemi kurrë pishman për zgjedhjet tona.—Malakia 3:6; Romakëve 10:11.
«Ai veproi bashkë me Perëndinë»
Ndryshe nga Jonatani, për Saulin ajo ngjarje nuk përfundoi edhe aq mirë. Ai kishte bërë gabime serioze. Nuk i ishte bindur Samuelit, profetit të caktuar nga Jehovai, kur paraqiti një flijim që i takonte ta ofronte profeti, i cili ishte edhe levit. Kur mbërriti Samueli, i tha Saulit se mbretëria e tij nuk do të zgjaste pikërisht për shkak të kësaj mosbindjeje. Pastaj, Sauli i vuri në një be të paarsyeshme burrat që nisi në betejë: «Mallkuar qoftë ai njeri që ha bukë përpara mbrëmjes, derisa të kem marrë hak kundër armiqve të mi!»—1 Samuelit 13:10-14; 14:24.
Fjalët e Saulit tregojnë se po merrte të tatëpjetën. Mos ndoshta ai burrë i përulur dhe i pjekur po transformohej në një egoist ambicioz? Tekefundit, Jehovai nuk e udhëzoi kurrë t’u vinte një kufizim kaq të paarsyeshëm atyre luftëtarëve trima e të papërtuar. Ç’të themi për fjalët e Saulit «derisa të kem marrë hak kundër armiqve të mi»? A po mendonte që lufta kishte të bënte vetëm me të? Mos po harronte se ajo çka kishte më shumë rëndësi ishte drejtësia e Jehovait dhe jo etja e tij për hakmarrje, lavdi ose fitore?
Jonatani nuk dinte gjë për betimin e pamend të të atit. I sfilitur nga beteja e ashpër, ai futi majën e shkopit në një huall, hëngri ca mjaltë dhe fuqitë iu përtërinë menjëherë. Kur një prej burrave i tregoi për ndalimin që kishte vënë i ati, Jonatani tha: «Im atë e ka futur vendin në telashe. Pa shihni, ju lutem, se si më rrezatuan sytë ngaqë provova fare pak mjaltë. Sa më mirë do të kishte qenë sikur sot populli të kishte ngrënë nga preja që gjeti tek armiqtë! Sepse masakra që u bë mes filistinëve nuk ka qenë e madhe.» (1 Samuelit 14:25-30) Kishte të drejtë. Jonatani ishte bir besnik, ama, besnikëria e tij nuk ishte e verbër. Ai nuk pranoi me sy mbyllur gjithçka që bëri ose tha i ati dhe, për shkak të kësaj pikëpamjeje të ekuilibruar, fitoi respektin e të tjerëve.
Sauli mori vesh se Jonatani kishte shkelur ndalimin, e prapëseprapë nuk pranoi që urdhri i tij ishte i pamend. Përkundrazi, çuditërisht mendonte se i biri duhej të vdiste. Jonatani nuk debatoi dhe as u përgjërua për mëshirë. Vini re përgjigjen e tij mbresëlënëse. Ai tha plot vetëmohim: «Ja tek jam! Le të vdes!» Por, izraelitët reaguan: «Të vdesë Jonatani që ka sjellë këtë shpëtim të madh në Izrael?! Kjo s’na ka shkuar kurrë ndër mend! Siç është e vërtetë që rron Jehovai, atij s’ka për t’i rënë përtokë as edhe një fije floku, sepse sot ai veproi bashkë me Perëndinë.» Përfundimi? Sauli u dorëzua. Tregimi thotë: «Populli, pra, e shpengoi Jonatanin dhe ai nuk vdiq.»—1 Samuelit 14:43-45.
Jonatani kishte krijuar një reputacion të mirë sepse ishte guximtar, i papërtuar dhe altruist. Pikërisht ky lloj reputacioni e ndihmoi kur ishte në rrezik. Bëjmë mirë të meditojmë se çfarë emri, ose reputacioni, po bëjmë ditë pas dite. Bibla tregon se një emër i mirë është tepër i çmuar. (Eklisiastiu 7:1) Nëse imitojmë Jonatanin e përpiqemi me gjithë zemër të bëjmë një emër të mirë para Jehovait, atëherë reputacioni ynë do të jetë një thesar i vyer.
Keq e më keq
Jonatani vazhdoi të luftonte besnikërisht përkrah Saulit përgjatë viteve, pavarësisht nga gabimet e tij. Imagjino sa është zhgënjyer teksa shihte të atin të shndërrohej në njeri krenar dhe të pabindur. Sauli po shkonte keq e më keq dhe Jonatani ishte i pafuqishëm përballë kësaj.
Situata arriti kulmin kur Jehovai e caktoi Saulin të luftonte kundër amalekitëve, një komb aq i zhytur në ligësi, sa Jehovai kishte parathënë se do ta shkatërronte komplet që në ditët e Moisiut. (Dalja 17:14) Sauli duhej të shfaroste gjithë gjënë e gjallë dhe të vriste mbretin amalekit, Agagun. Ai e fitoi betejën, pa dyshim me Jonatanin që, si gjithmonë, luftoi trimërisht nën drejtimin e tij. Ama tregoi mosbindje flagrante ndaj Jehovait, duke i kursyer jetën Agagut e duke mos shfarosur pasurinë dhe gjënë e gjallë. Profeti Samuel i shpalli Saulit gjykimin final të Jehovait: «Meqë ti ke hedhur poshtë fjalën e Jehovait, edhe ai po të hedh poshtë ty, që të mos jesh më mbret.»—1 Samuelit 15:2, 3, 9, 10, 23.
S’kaloi shumë dhe Jehovai e largoi frymën e shenjtë nga Sauli. Pa ndikimin e dashur të Jehovait, Sauli kishte luhatje drastike humori, shpërthime zemërimi dhe frikëra paralizuese. Tani dukej se tek ai në vend të frymës së mirë po vepronte një frymë e keqe nga Perëndia. (1 Samuelit 16:14; 18:10-12) Sa i shqetësuar duhej të ketë qenë Jonatani tek shihte sa për keq kishte ndryshuar babai i tij dikur fisnik! Prapëseprapë, Jonatani nuk devijoi kurrë nga shërbimi besnik ndaj Jehovait. Ai bëri më të mirën për të mbështetur të atin, me raste duke i folur goxha hapur, megjithatë i mbajti sytë te Perëndia dhe Ati i tij i pandryshueshëm, Jehovai.—1 Samuelit 19:4, 5.
Të ka ndodhur ndonjëherë të shohësh një njeri të dashur, mbase një pjesëtar të familjes, të ndryshojë në mënyrë drastike për keq? Kjo mund të ta copëtojë shpirtin. Rasti i Jonatanit na kujton fjalët që shkroi më vonë psalmisti: «Edhe sikur nëna dhe babai të më braktisnin, Jehovai do të më merrte në gji.» (Psalmi 27:10) Jehovai është besnik. Ai do të të marrë edhe ty në gji e do të jetë Ati më i mirë që mund të imagjinosh, pavarësisht nëse njerëzit e papërsosur të lënë në baltë ose të kthejnë krahët.
Ka gjasa që Jonatani ta ketë marrë vesh se Jehovai do t’ia hiqte mbretërinë Saulit. Si reagoi? A mendoi ndonjëherë si do të ishte vetë si mbret? A ushqeu shpresa që të ndreqte disa nga gabimet e të atit, duke lënë një shembull më të mirë si mbret besnik dhe i bindur? Nuk e dimë se ç’mund të ketë menduar; dimë vetëm se këto shpresa nuk u realizuan asnjëherë. A do të thotë kjo se Jehovai e kishte braktisur këtë burrë besnik? Aspak! Përkundrazi, ai përdori Jonatanin si një nga shembujt më të shkëlqyer të miqësisë besnike në të gjithë Biblën. Për këtë miqësi do të flitet në një artikull tjetër për Jonatanin.