Një përkthim i gjallë i Fjalës së Perëndisë
«Fjala e Perëndisë është e gjallë.»—HEBR. 4:12.
1. (a) Ç’lloj caktimi i dha Perëndia Adamit? (b) Që nga ajo kohë, si e ka përdorur populli i Perëndisë aftësinë e të folurit?
PERËNDIA JEHOVA u dhuroi krijesave të tij aftësinë për të komunikuar. Pasi e vendosi Adamin në shtëpinë parajsore, Perëndia i dha një caktim që përfshinte gjuhën: duhej t’u vinte emra kafshëve. Adami përdori fantazinë dhe intelektin që t’i vinte secilës një emër të përshtatshëm. (Zan. 2:19, 20) Që atëherë, populli i Perëndisë e ka përdorur aftësinë e të folurit, pra gjuhën, që të lëvdojë Jehovain dhe t’u tregojë të tjerëve vullnetin e tij. Kohët e fundit, një mënyrë e rëndësishme për të nxitur adhurimin e pastër nëpërmjet përdorimit të gjuhëve ka qenë përkthimi i Biblës.
2. (a) Cilat parime ndoqi Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re gjatë përkthimit? (b) Ç’do të shqyrtojmë në këtë artikull?
2 Ka me mijëra përkthime të Biblës, por kur është fjala se sa besnikërisht e përcjellin mesazhin e teksteve origjinale, ato ndryshojnë nga njëra-tjetra. Në vitet 1940, Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re përcaktoi parimet e përkthimit që janë zbatuar në më tepër se 130 gjuhë. Ato janë: (1) Të shenjtërohet emri i Perëndisë duke e rivendosur aty ku i takon në Shkrime. (Lexo Mateun 6:9.) (2) Të përkthehet fjalë për fjalë mesazhi i frymëzuar origjinal aty ku është e mundur, por të jepet kuptimi i saktë në rastet kur një përkthim i tillë do ta shtrembëronte domethënien. (3) Të përdoret një gjuhë që kuptohet kollaj dhe që të nxit të lexosh.a (Lexo Neheminë 8:8, 12.) Le të shohim si janë zbatuar këto parime në botimin e rishikuar të 2013-s të Përkthimit Bota e Re në anglisht, si edhe në botimet e tij në gjuhë të tjera.
NDERON EMRIN E PERËNDISË
3, 4. (a) Në cilat dorëshkrime të lashta gjendet Tetragrami? (b) Çfarë kanë bërë me emrin e Perëndisë shumë përkthime të Biblës?
3 Atyre që studiojnë dorëshkrimet e lashta hebraike të Biblës, si Rrotullat e Detit të Vdekur, u bën shumë përshtypje sa shpesh shfaqet Tetragrami—katër shkronjat në hebraisht që përfaqësojnë emrin e Perëndisë. Emri hyjnor nuk del vetëm në këto dorëshkrime të lashta hebraike, por edhe në disa kopje të Septuagintës greke të shekullit të dytë p.e.s. deri në shekullin e parë të e.s.
4 Me gjithë provat e padiskutueshme se emri i Perëndisë duhet të jetë se s’bën në Bibël, shumë përkthime e kanë hequr fare këtë emër të shenjtë. Në fakt, vetëm dy vjet pasi dolën Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re më 1950, u botua në anglisht Revised Standard Version. Ky përkthim, që ishte një rishikim i American Standard Version të vitit 1901, e hoqi emrin, duke shpërfillur parimet e botuesve të American Standard Version. Pse? Në parathënien e tij thuhet: «Përdorimi i çfarëdolloj emri të përveçëm për Perëndinë që është një dhe i vetëm . . . është krejt i papërshtatshëm për besimin universal të Kishës së Krishterë.» Ky u mor si model për shumë përkthime të mëvonshme në anglisht dhe në gjuhë të tjera.
5. Pse është e rëndësishme të mbahet emri i Perëndisë në Bibël?
5 A ka vërtet rëndësi nëse vihet apo hiqet emri i Perëndisë? Një përkthyes i zoti e di sa e rëndësishme është të kuptojë qëllimin e autorit; në bazë të kësaj, merren shumë vendime në përkthim. Vargje të panumërta në Bibël tregojnë sa rëndësi ka emri i Perëndisë dhe shenjtërimi i tij. (Dal. 3:15; Psal. 83:18; 148:13; Isa. 42:8; 43:10; Gjoni 17:6, 26; Vep. 15:14) Perëndia Jehova, Autori i Biblës, i frymëzoi shkrimtarët e saj që ta përdornin lirshëm emrin e tij. (Lexo Ezekielin 38:23.) Heqja e emrit hyjnor, që gjendet mijëra herë në dorëshkrimet e lashta, tregon mungesë respekti për Autorin.
6. Pse del edhe gjashtë herë të tjera emri hyjnor në botimin e rishikuar të Përkthimit Bota e Re?
6 Dëshmitë që tregojnë se duhet mbajtur emri i Perëndisë në Bibël nuk janë pakësuar, por janë shtuar. Në botimin e rishikuar të 2013-s të Përkthimit Bota e Re emri gjendet 7.216 herë, pra 6 herë më shumë se në botimin e vitit 1984. Pesë nga këto raste gjenden te 1 Samuelit 2:25; 6:3; 10:26; 23:14, 16. Në këto vargje, emri u rivendos kryesisht sepse gjendej në Rrotullat e Detit të Vdekur, të cilat janë shkruar më shumë se 1.000 vjet para tekstit hebraik masoretik. Në rastin tjetër, te Gjykatësit 19:18, emri u rivendos ngaqë u studiuan më thellë dorëshkrime të lashta.
7, 8. Çfarë nënkupton fakti që emri hyjnor do të thotë «Ai shkakton të bëhet»?
7 Për të krishterët e vërtetë, emri i Jehovait është plot kuptim. Shtojca e botimit të rishikuar të 2013-s të Përkthimit Bota e Re ka informacione të përditësuara në lidhje me këtë. Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re e kupton se emri lidhet me formën shkakore të foljes hebraike haváh, që do të thotë «Ai shkakton të bëhet».b Më parë, botimet tona e lidhnin këtë kuptim me Daljen 3:14, që thotë: «Unë do të bëhem çdo gjë që dua të bëhem.» Në bazë të kësaj, në botimin e vitit 1984 u tha se emri nënkupton që Jehovai ‘shkakton të bëhet ai vetë Përmbushësi i premtimeve’.c Mirëpo, shtojca A4 e botimit të rishikuar të 2013-s shpjegon: «Ndonëse emri Jehova mund të përfshijë këtë ide, nuk kufizohet vetëm me atë që zgjedh ai vetë të bëhet. Emri përfshin edhe atë që Ai shkakton të ndodhë në lidhje me krijimin e tij dhe me plotësimin e qëllimit të tij.» (Shih edhe broshurën Ndihmë për të studiuar Fjalën e Perëndisë, f. 5.)
8 Jehovai shkakton që krijimi i tij të bëhet gjithçka që zgjedh Ai. Në përputhje me kuptimin e emrit të tij, Perëndia shkaktoi që Noeja të bëhej ndërtues i arkës, Bezaleli të bëhej artizan i zoti, Gideoni të bëhej luftëtar fitimtar dhe Pavli të bëhej apostull i kombeve. Po, emri i Perëndisë është shumë domethënës për popullin e tij. Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re nuk do t’ia ulte kurrë vlerën emrit të Tij duke e hequr nga Bibla.
9. Cila është një arsye pse i është dhënë përparësi përkthimit të Biblës në gjuhë të tjera?
9 Në mbi 130 gjuhë Përkthimi Bota e Re nderon emrin e Perëndisë duke e vendosur aty ku i takon në librin e shenjtë. (Lexo Malakinë 3:16.) Në kontrast me këtë, tani ekziston prirja që emri hyjnor të hiqet kur përkthehet Bibla, duke e zëvendësuar me tituj si «Zot» ose me emrin e një perëndie vendase. Kjo është një arsye kryesore pse ka përparësi për Trupin Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait që sa më shumë njerëz të kenë në dorë një Bibël që nderon emrin e Perëndisë.
PËRKTHIM I QARTË DHE I SAKTË
10, 11. Cilat ishin disa vështirësi që hasën përkthyesit e Përkthimit Bota e Re në gjuhë të tjera?
10 Gjatë përkthimit të tekstit të shenjtë në shumë gjuhë, dolën goxha vështirësi. Për shembull, në të kaluarën Përkthimi Bota e Re në anglisht u përkthye sipas modelit të disa Biblave të tjera në anglisht që përdorin fjalën hebraike «Sheol» në vargje si Eklisiastiu 9:10. Më parë ky varg ishte: «Nuk ka asnjë punë, as plan, as njohuri, as mençuri në Sheol, në vendin ku po shkon.» Ndërsa Përkthimi Bota e Re përkthehej në mjaft gjuhë të tjera, përkthyesit hasën këtë vështirësi: shumica e lexuesve nuk e njohin fjalën «Sheol», ajo nuk gjendet në fjalorët e gjuhës së tyre dhe mund të merret si një vend gjeografik. Prandaj, u dha miratimi që të jepej qartë domethënia e fjalës «Sheol» dhe e termit përkatës në greqisht «Hades» duke përdorur fjalën «Varr», që është përkthimi i saktë.
11 Në disa gjuhë, krijoheshin paqartësi kur fjala hebraike néfesh dhe fjala greke psihé përktheheshin në çdo rast me një term që në anglisht ngjante me fjalën «shpirt». Pse? Sepse termat përkatës mund të jepnin përshtypjen se «shpirti» është pjesë jomateriale e njeriut. Kjo mund të pasqyronte idenë e gabuar se shpirti është diçka si fantazmë dhe jo njeriu vetë. Prandaj u dha miratimi që fjala «shpirt» të përkthehej sipas kontekstit, në përputhje me kuptimet që janë shpjeguar tashmë në shtojcat e Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re. Kështu iu dha përparësi përkthimit të tekstit në një mënyrë që të kuptohej kollaj, dhe shpesh u vunë shënime me përkthime ndihmëse.
12. Cilat janë disa ndryshime që u bënë në botimin e rishikuar të 2013-s të Përkthimit Bota e Re? (Shih në këtë numër edhe artikullin «Botimi i rishikuar i 2013-s i Përkthimit Bota e Re».)
12 Nga pyetjet e përkthyesve doli në pah se mund të lindnin keqkuptime të tjera të ngjashme. Prandaj në shtator 2007, Trupi Udhëheqës dha aprovimin që të rishikohej teksti në anglisht. Gjatë procesit të rishikimit, u rishqyrtuan mijëra pyetje nga përkthyesit e Biblës. U zëvendësuan shprehje që në anglisht kanë dalë nga përdorimi e u bënë përpjekje të mëdha që teksti të ishte i qartë dhe të kuptohej lehtë, pa sakrifikuar saktësinë. Duke zbatuar atë që ishte bërë në përkthimet në gjuhët e tjera, teksti në anglisht u mpreh.—Prov. 27:17.
MIRËNJOHJE E THELLË
13. Si janë ndier shumë veta për botimin e rishikuar të 2013-s?
13 Si janë ndier shumë veta për Përkthimin Bota e Re të rishikuar në anglisht? Në selinë qendrore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin kanë ardhur me mijëra letra mirënjohjeje. Fjalët e një motre shprehin ndjenjat e shumë të tjerëve: «Bibla është si një arkë thesari e mbushur plot e përplot me xhevahire. Kur lexon dhe kupton qartë fjalët e Jehovait me anë të botimit të rishikuar të 2013-s, është sikur e vëzhgon me imtësi secilin xhevahir, duke admiruar tërë faqet e tij, qartësinë, ngjyrën dhe bukurinë. Falë Shkrimeve të përcjella me një gjuhë të thjeshtë, kam njohur më mirë Jehovain, i cili më mban në prehër si një atë dhe më lexon fjalët e tij që më qetësojnë shpirtin.»
14, 15. Çfarë mbresash ka lënë Përkthimi Bota e Re në gjuhë të tjera përveç anglishtes?
14 Por nuk ka lënë mbresa vetëm Përkthimi Bota e Re i rishikuar në anglisht. Një i moshuar nga Sofja, Bullgari, tha për botimin në bullgarisht: «Kam vite që e lexoj Biblën, por asnjëherë nuk kam lexuar një përkthim kaq të kuptueshëm dhe që të vete drejt e në zemër.» Po njësoj, pasi mori një kopje të Përkthimit Bota e Re, një motër shqiptare u shpreh: «Sa bukur tingëllon Fjala e Perëndisë në shqip! Sa privilegj i madh është që Jehovai na flet në gjuhën tonë!»
15 Në shumë vende, Biblat kushtojnë dhe mezi gjenden, prandaj është bekim i madh qoftë edhe të marrësh në dorë një Bibël. Një raport nga Ruanda thoshte: «Prej vitesh, shumë veta që studionin me vëllezërit nuk përparonin sepse s’kishin Bibla. S’ua mbante xhepi të blinin Biblën që kishte nxjerrë kisha e vendit. Shpesh nuk e kuptonin tamam domethënien e disa vargjeve, e kjo i pengonte të përparonin.» Mirëpo gjërat ndryshuan kur doli në gjuhën e tyre Përkthimi Bota e Re. Një familje nga Ruanda me katër adoleshentë tha: «I falënderojmë me gjithë zemër Jehovain dhe skllavin e besueshëm e të matur që na dhanë këtë Bibël. Jemi goxha të varfër dhe s’kishim para të blinim Bibla për çdo pjesëtar të familjes. Por tani secili ka Biblën e vet. Ia shprehim mirënjohjen Jehovait duke e lexuar Biblën çdo ditë si familje.»
16, 17. (a) Çfarë dëshiron Jehovai për popullin e tij? (b) Për çfarë duhet të jemi të vendosur?
16 Me kalimin e kohës, Përkthimi Bota e Re i rishikuar do të jetë në dispozicion edhe në gjuhë të tjera. Satanai orvatet t’i pengojë përpjekje të tilla, por jemi të sigurt se Jehovai dëshiron që mbarë populli i tij ta dëgjojë tek i flet me një gjuhë të qartë e të kuptueshme. (Lexo Isainë 30:21.) Do të vijë dita kur «toka do të mbushet me njohurinë e Jehovait, ashtu si ujërat mbushin detin».—Isa. 11:9.
17 Qofshim të vendosur të përfitojmë nga çdo dhuratë e Jehovait, përfshirë këtë përkthim që nderon emrin e tij! Lejoje të flasë me ty çdo ditë nëpërmjet Fjalës së tij. Ai i dëgjon me vëmendje lutjet tona, falë aftësive të pakufishme që ka. Nëpërmjet këtij komunikimi do ta njohim gjithnjë e më nga afër Jehovain ndërsa na thellohet dashuria për të.—Gjoni 17:3.
a Shih shtojcën A1 të Përkthimit Bota e Re të rishikuar në anglisht dhe artikullin «Si të zgjedhësh një version të mirë të përkthimit të Biblës?» në Kullën e Rojës të 1 majit 2008.
b Sipas disa veprave të referimit, ky është kuptimi i emrit, ndonëse jo të gjithë studiuesit janë në një mendje.
c Shih shtojcën 1A «Emri i Perëndisë në Shkrimet Hebraike», f. 1661 në Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re.