ABIGAILA
[ati (im) është gëzuar].
1. Një nga gratë e Davidit. Në fillim kishte qenë gruaja e Nabalit, një njeriu të pasur nga Maoni, qytet që gjendej në skaj të shkretëtirës së Judës, në perëndim të Detit të Vdekur. (1Sa 25:2, 3; Js 15:20, 55) Ajo ishte «mjaft e matur dhe e hijshme», kurse burri i saj i parë, emri i të cilit do të thotë «i pamend; budalla», kishte «një sjellje të ashpër dhe të keqe».
Pas vdekjes së profetit Samuel, Davidi dhe burrat që ishin me të u zhvendosën në zonën ku kullotnin kopetë e burrit të Abigailës. Që nga ajo kohë, njerëzit e Davidit ishin ditë e natë si një «mur» mbrojtës për barinjtë dhe kopetë e Nabalit. Kështu, kur erdhi koha e qethjes, Davidi dërgoi disa të rinj në Karmel për t’i kujtuar Nabalit të mirën që i kishin bërë dhe t’i kërkonin ca ushqime. (1Sa 25:4-8, 15, 16) Mirëpo Nabali koprrac ua ktheu me të bërtitura; ai e fyeu Davidin sikur të ishte njeri dosido dhe të gjithë ata sikur të ishin skllevër në arrati. (1Sa 25:9-11, 14) Aq shumë u zemërua Davidi, sa ngjeshi shpatën dhe u nis me 400 burra drejt Karmelit për të shfarosur Nabalin dhe njerëzit e tij.—1Sa 25:12, 13, 21, 22.
Një shërbëtor i shqetësuar i tregoi Abigailës çfarë kish ndodhur. Atëherë, ajo u tregua mendjehollë dhe, pa vonuar, mblodhi sasi të mëdha ushqimi e drithi. Abigaila ngarkoi shërbëtorët dhe i nisi përpara, siç kishte bërë Jakobi para se të takohej me Esaun. (1Sa 25:14-19; Zn 32:13-20) Pa i treguar të shoqit, ajo u nis të takonte Davidin dhe iu përgjërua gjatë e plot zjarr, duke treguar mençuri e logjikë dhe njëherazi respekt e përulësi. Ajo e bindi se fjalët e pamenda të burrit të saj nuk justifikonin as derdhjen e padrejtë të gjakut dhe as mungesën e besimit se Jehovai do ta zgjidhte vetë çështjen në mënyrën e duhur. (1Sa 25:14-20, 23-31) Davidi falënderoi Perëndinë për ndërhyrjen e shpejtë të kësaj gruaje me gjykim të shëndoshë.—1Sa 25:32-35; krahaso Pr 25:21, 22; 15:1, 2.
Si u kthye në shtëpi, Abigaila priti derisa të bëhej esëll i shoqi, që ishte dehur në një gosti, dhe i tregoi çfarë kishte bërë. Atëherë «atij sa s’i pushoi zemra dhe u bë si gur», e pas dhjetë ditësh vdiq nga dora e Jehovait. Kur e mori vesh, Davidi i kërkoi Abigailës të bëhej gruaja e tij dhe ajo pranoi pa ngurruar. Abigaila u tregua e gatshme ta ndante dashurinë e Davidit me Ahinoamin, një jezrelite, të cilën ai e kishte marrë për grua më parë. Gruan e parë të Davidit, Mikalën, i ati, Sauli, ia kishte dhënë tashmë një burri tjetër.—1Sa 25:36-44.
Abigaila shkoi me Davidin në Gath, në skajin perëndimor të Shefelahut dhe më vonë në Ziklag, në veriperëndim të Negebit. Gjatë mungesës së Davidit, një bandë kusarësh amalekitë që vinte nga jugu i vuri zjarrin Ziklagut dhe mori robër gratë e fëmijët, bashkë me Abigailën dhe Ahinoamin. I siguruar nga Jehovai për fitoren, Davidi dhe burrat e tij u vunë në ndjekje të tyre dhe, pas një sulmi të befasishëm, shpartalluan amalekitët, liruan robërit dhe morën prapë gjithçka.—1Sa 30:1-19.
Tri ditë më vonë, kur Davidi ishte kthyer në Ziklag, mbërriti lajmi për vdekjen e Saulit. (2Sa 1:1, 2) Atëherë Abigaila shkoi bashkë me të shoqin në Hebron të Judës, ku Davidi u miros mbret. Këtu ajo solli në jetë një djalë, Kileabin (2Sa 3:3) që te 1 Kronikave 3:1 quhet Daniel. Në Hebron, numri i grave të Davidit arriti në gjashtë, dhe as Abigaila, as i biri nuk përmenden më në tregim.—2Sa 3:2-5.
2. Një nga dy motrat e Davidit. (1Kr 2:13-17) Disa studiues mendojnë se ajo ishte motra e Davidit vetëm nga nëna, jo nga babai. Te 2 Samuelit 17:25 Abigaila quhet ‘bijë e Nahashit’. Sipas traditës rabinike, Nahash është thjesht një emër tjetër i Jeseut, babait të Davidit. Septuaginta greke (botimi i Lagardës) në këtë varg ka ‘Jese’ në vend të ‘Nahash’. Kështu e kanë edhe disa përkthime moderne. (Shih DSF ‘Isai’; ECM ‘Jishai’.) Megjithatë, vlen të përmendet se tregimi i 1 Kronikave 2:13-16 nuk i quan Abigailën dhe Zerujanë ‘bija të Jeseut’, por ‘motra’ të bijve të Jeseut, pra, edhe të Davidit. Prandaj, ka mundësi që në fillim nëna e tyre të ketë qenë e martuar me një burrë me emrin Nahash, të cilit i lindi Abigailën dhe Zerujanë, e më pas të jetë bërë gruaja e Jeseut dhe nëna e bijve të tij. Kështu, s’mund të thuhet në mënyrë dogmatike se Abigaila ishte bijë e Jeseut.—Shih NAHASHI nr. 2.
Sipas Shkrimeve Abigaila, motra e Davidit, lindi vetëm një djalë, Amasën. Te 2 Samuelit 17:25, burri i saj quhet Ithra izraeliti, por gjetkë ai quhet Jeter (1Mb 2:5, 32) dhe te 1 Kronikave 2:17 quhet «Jeteri, ismaeliti». (Shih JETERI nr. 6.) Ka mundësi që Abigaila të jetë martuar me Jeterin kur Jeseu dhe familja e tij banonin në vendin e Moabit. (1Sa 22:3, 4) Gjatë mbretërimit të Davidit, Amasës, djalit të Abigailës, nuk iu kushtua ndonjë vëmendje e veçantë deri në kohën e rebelimit të Absalomit, kushëririt të tij, i cili e vuri në krye të ushtrisë së vet. Megjithatë, pas vdekjes së Absalomit, mbreti David kërkoi mbështetjen e Amasës, djalit të motrës së tij, që të rimerrte fronin dhe më pas e bëri kreun e ushtrisë në vend të Joabit. (2Sa 19:11-14) Shumë shpejt ky caktim i kushtoi jetën djalit të Abigailës që u vra nga Joabi, kushëriri i tij i mbushur me vrer.—2Sa 20:4-10.