KAPITULLI NËNTË
Ajo veproi me maturi
1-3. (a) Pse i kanosej një rrezik shtëpisë së Abigailës? (b) Çfarë do të mësojmë për këtë grua të rrallë?
ABIGAILA e pa panikun në sytë e djaloshit. Ai ishte i tmerruar, e me të drejtë. U kanosej një rrezik i madh. Tamam në ato çaste, rreth 400 luftëtarë ishin rrugës për atje, të vendosur që të vritnin çdo mashkull në shtëpinë e Nabalit, burrit të saj. Pse?
2 Gjithçka e kishte nisur Nabali. Si gjithnjë ishte treguar i pashpirt dhe arrogant. Por kësaj radhe kishte fyer njeriun e gabuar, komandantin e një grupi luftëtarësh mjaft të zotë që e donin dhe i qëndronin besnikë. Kështu, një nga shërbëtorët e Nabalit, mbase një bari, erdhi te Abigaila me shpresë që ajo të sajonte diçka për t’u shpëtuar kokën. Por, ç’mund të bënte një grua përballë një ushtrie?
Ç’mund të bënte një grua përballë një ushtrie?
3 Së pari, le të njihemi pak më mirë me këtë grua të rrallë. Kush ishte Abigaila? Si lindi kjo situatë kritike? Ç’na mëson shembulli i saj i besimit?
«Mjaft e matur dhe e hijshme»
4. Ç’lloj personi ishte Nabali?
4 Abigaila dhe Nabali nuk ishin për njëri-tjetrin. Nabali s’kish ku gjente grua më të mirë, kurse Abigaila s’kish ku gjente burrë më të keq. Ky njeri kishte para, prandaj e mbante veten për shumë të rëndësishëm. Por si e shihnin të tjerët? Zor se gjejmë ndonjë personazh biblik për të cilin flitet me fjalë kaq përçmuese. Vetë emri i tij do të thotë «i pamend» ose «budalla». A ia vunë këtë emër prindërit që nga lindja, apo ishte një epitet që ia ngjitën më vonë? Sidoqoftë, ai emër i shkonte për shtat. Nabali kishte «sjellje të ashpër dhe të keqe». Prepotent dhe pijanec siç ishte, shumë veta ia kishin frikën dhe s’e duronin dot.—1 Sam. 25:2, 3, 17, 21, 25.
5, 6. (a) Cilat cilësi të Abigailës mendon se ishin më tërheqëse? (b) Pse mund të jetë martuar Abigaila me një burrë kaq të pavlerë?
5 Abigaila ndryshonte si nata me ditën nga Nabali. Emri i saj do të thotë «Ati im është gëzuar». Shumë baballarë janë krenarë kur kanë një vajzë të bukur, por etërit e mençur janë shumë më të lumtur kur shohin që fëmija i tyre është i bukur nga brenda. Zakonisht, ai njeri që e ka dhuratë bukurinë e jashtme, nuk arrin të kuptojë nevojën për të kultivuar cilësi të tilla, si maturia, mençuria, guximi dhe besimi. Por s’ishte kështu me Abigailën. Bibla e lëvdon Abigailën si për maturinë, ashtu edhe për hijeshinë e saj.—Lexo 1 Samuelit 25:3.
6 Sot disa mund të pyesin përse një vajzë kaq inteligjente ishte martuar me një burrë kaq të pavlerë? Mbaj parasysh se në kohët biblike shumë martesa ujdiseshin nga prindërit. Edhe nëse ndodhte ndryshe, prapëseprapë pëlqimi i prindërve kishte mjaft peshë. Mos vallë prindërit e Abigailës e kishin dhënë pëlqimin, madje e kishin ujdisur vetë këtë martesë, ngaqë u kishte bërë përshtypje pasuria dhe pozita e Nabalit? Mos kishte ndikuar varfëria? Sido që të ketë qenë, paratë nuk e bënë Nabalin bashkëshort të mirë.
7. (a) Çfarë duhet të shmangin prindërit sot nëse duan t’ju mësojnë fëmijëve të tyre pikëpamjen e duhur për martesën? (b) Çfarë ishte e vendosur të bënte Abigaila?
7 Prindërit e mençur u mësojnë me kujdes fëmijëve pikëpamjen e duhur për martesën. Ata as nuk i nxitin fëmijët të martohen për para dhe as nuk i bëjnë presion të nisin një lidhje ndërsa janë tepër të rinj për të marrë mbi supe rolin dhe përgjegjësitë e një të rrituri. (1 Kor. 7:36) Gjithsesi, ishte tepër vonë që Abigaila të mendonte për këto gjëra. Cilado qoftë arsyeja, ajo ishte martuar me Nabalin dhe ishte e vendosur të bënte më të mirën në një situatë të vështirë.
«Ai iu hakërrua atyre»
8. Kë kishte fyer Nabali, dhe pse ky ishte një gabim trashanik?
8 Tani Nabali e fut Abigailën në një situatë të vështirë që ajo s’e kishte hasur kurrë më parë. Njeriu që ai kishte fyer ishte vetë Davidi. Ky ishte shërbëtori besnik i Jehovait, të cilin profeti Samuel e kishte mirosur, duke treguar kështu se Perëndia kishte zgjedhur Davidin për ta zëvendësuar Saulin si mbret. (1 Sam. 16:1, 2, 11-13) Për shkak të Saulit, mbretit vrasës e xheloz, Davidi kishte marrë arratinë dhe jetonte në shkretëtirë bashkë me 600 luftëtarët e tij besnikë.
9, 10. (a) Në çfarë mjedisi luftonin për mbijetesë Davidi dhe njerëzit e tij? (b) Pse Nabali duhej ta vlerësonte atë që bënin Davidi dhe njerëzit e tij? (Shih edhe shënimin e paragrafit 10.)
9 Nabali jetonte në Maon, por punonte diku afër në Karmel, e ka të ngjarë të ishte pronar tokash atje.a Këto qytete rrethoheshin nga vende të larta me bar, të mira për delet, dhe Nabali kishte 3.000 të tilla. Ndërkohë, rreth e rrotull vendi ishte i shkretë. Në jug shtrihej shkretëtira e paanë e Paranit. Në lindje, rruga drejt Detit të Kripur (sot njihet si Deti i Vdekur) kalonte përmes tokave djerrë plot lugina të thella e guva. Në këto vise Davidi dhe njerëzit e tij luftonin për mbijetesë, pa dyshim merreshin me gjueti për të siguruar ushqim dhe kalonin lloj-lloj peripecish. Ata i takonin shpesh të rinjtë që punonin si barinj te pasaniku Nabal.
10 Si i trajtonin këta ushtarë kaq punëtorë barinjtë? Do të ishte kollaj për ta që hera-herës ta përlanin ndonjë dele, por as që bëhej fjalë. Përkundrazi, ata ishin si një mur mbrojtës rreth kopeve dhe shërbëtorëve të Nabalit. (Lexo 1 Samuelit 25:15, 16.) Bagëtia dhe barinjtë hasnin një mal me rreziqe. Grabitqarët ishin me shumicë dhe kufiri jugor i Izraelit ishte kaq afër sa bandat e huaja të kusarëve dhe të hajdutëve sulmonin një e dy.b
11, 12. (a) Si tregoi Davidi takt dhe respekt në mesazhin që i çoi Nabalit? (b) Pse ishte e gabuar mënyra si iu përgjigj Nabali mesazhit të Davidit?
11 Duhet të ketë qenë goxha përgjegjësi të siguroje ushqim për gjithë ata burra në shkretëtirë. Prandaj, një ditë Davidi dërgoi dhjetë korrierë për t’i kërkuar ndihmë Nabalit. Me mençuri Davidi zgjodhi momentin e duhur. Ishte koha festive e qethjes së deleve, kur bujaria dhe gostitë ishin zakon. Davidi zgjodhi me kujdes edhe fjalët, duke iu drejtuar me shprehje plot mirësjellje. Madje e quajti veten ‘biri yt, Davidi’, mbase në shenjë respekti për moshën e Nabalit. Si u përgjigj ai?—1 Sam. 25:5-8.
12 Nabali u xhindos! Djaloshi i përmendur në fillim ia përshkroi kështu skenën Abigailës: «Ai iu hakërrua atyre.» Nabali koprrac u qa me zë të lartë për bukën e tij të shtrenjtë, për ujin dhe për mishin e therur. Ai u tall me Davidin duke e quajtur njeri dosido dhe e krahasoi me një shërbëtor që ia mbath nga zotëria i vet. Pikëpamja e Nabalit mund të ketë qenë si ajo e Saulit që e urrente Davidin. Asnjëri prej tyre nuk kishte pikëpamjen e Jehovait. Perëndia e donte Davidin dhe nuk e shihte si skllav rebel, por si mbretin e ardhshëm të Izraelit.—1 Sam. 25:10, 11, 14.
13. (a) Si reagoi Davidi kur u fye nga Nabali? (b) Çfarë na mëson parimi te Jakovi 1:20 për reagimin e Davidit?
13 Kur emisarët ia raportuan Davidit, atij iu ndez gjaku. «Secili të ngjeshë shpatën e vet!»—urdhëroi ai. Pasi rroku edhe vetë armët, Davidi u priu 400 burrave që të sulmonin. Ai u betua se do të shfaroste çdo mashkull të shtëpisë së Nabalit. (1 Sam. 25:12, 13, 21, 22) Tërbimi i Davidit ishte i kuptueshëm, por mënyra si e shprehu ishte e gabuar. Bibla thotë: «Zemërimi i njeriut nuk sjell drejtësinë e Perëndisë.» (Jak. 1:20) Por, si mund t’i shpëtonte Abigaila njerëzit e shtëpisë së saj?
«Bekuar qoftë gjykimi yt i shëndoshë!»
14. (a) Në ç’mënyrë Abigaila bëri hapin e parë për të ndrequr gabimin e Nabalit? (b) Çfarë mësojmë kur krahasojmë Nabalin me Abigailën? (Shih edhe shënimin.)
14 Në njëfarë mënyre, tashmë e kemi parë Abigailën të bëjë hapin e parë për ta ndrequr këtë gabim të tmerrshëm. Ndryshe nga i shoqi, Nabali, ajo ishte e gatshme të dëgjonte. Kurse për Nabalin, shërbëtori i ri tha: «Është kaq i pavlerë, sa është e kotë t’i flasësh.»c (1 Sam. 25:17) Mjerisht, rëndësia që i jepte vetes bëri që Nabali të mos denjonte të dëgjonte. Një arrogancë të tillë e kemi shpesh para syve edhe sot. Por i riu e dinte se Abigaila ishte ndryshe, prandaj ia parashtroi asaj problemin.
Ndryshe nga Nabali, Abigaila ishte e gatshme të dëgjonte
15, 16. (a) Si e tregoi Abigaila që ishte si gruaja e zonjë e përshkruar te libri i Proverbave? (b) Pse ajo që bëri Abigaila nuk ishte rebelim ndaj kryesisë që i takonte të shoqit?
15 Abigaila mendoi dhe veproi pa humbur kohë. Lexojmë: «Menjëherë Abigaila nxitoi.» Në këtë tregim, Bibla përmend disa herë se Abigaila veproi pa humbur kohë ose ‘nxitoi’. Ajo përgatiti një dhuratë bujare për Davidin dhe njerëzit e tij. Kjo dhuratë përfshinte bukë, verë, dele, drithë të pjekur, kuleç prej rrushi të thatë dhe bukëfiqe. Është e qartë se Abigaila e dinte mirë çfarë gjërash kishte dhe i kryente më së miri përgjegjësitë e saj në shtëpi, si gruaja e zonjë që u përshkrua më vonë në librin e Proverbave. (Prov. 31:10-31) Ajo i dërgoi ushqimet përpara me disa nga shërbëtorët e saj, pastaj i ndoqi e vetme. «Por burrit të saj, Nabalit, nuk i tregoi gjë»,—thotë Bibla.—1 Sam. 25:18, 19.
16 A do të thotë kjo se Abigaila po rebelohej ndaj kryesisë që i takonte të shoqit? Aspak. Mos harro se Nabali ishte treguar i lig me shërbëtorin e mirosur të Jehovait, një veprim që fare mirë mund t’u sillte vdekjen shumë pjesëtarëve të pafajshëm të shtëpisë së Nabalit. Nëse Abigaila do të kishte ndenjur duarkryq, a mund të bëhej bashkëfajtore me të shoqin? Në këtë rast, ajo duhej t’i nënshtrohej në radhë të parë Perëndisë, pastaj të shoqit.
17, 18. (a) Si iu afrua Abigaila Davidit dhe çfarë i tha? (b) Pse fjalët e saj patën fuqi?
17 S’kaloi shumë dhe Abigaila takoi Davidin me njerëzit e tij. Sërish nxitoi, por kësaj here të zbriste nga gomari dhe të përulej para Davidit. (1 Sam. 25:20, 23) Pastaj ia zbrazi zemrën plotësisht Davidit dhe i bëri një përgjërim mjaft prekës që t’i tregohej mëshirë të shoqit dhe shtëpisë së saj. Pse fjalët e saj patën fuqi?
18 Ajo mori përsipër përgjegjësinë për problemin që kishte lindur dhe i kërkoi Davidit ta falte. Me realizëm pranoi se i shoqi ishte i pamend, siç kishte edhe emrin, e ndoshta po i linte të kuptonte Davidit se do të ulte veten po të ndëshkonte një njeri të tillë. Ajo shprehu besimin e saj te Davidi si përfaqësues i Jehovait, duke pranuar se ai po bënte «luftërat e Jehovait». Gjithashtu tregoi se e dinte premtimin e Jehovait për Davidin dhe për mbretërimin, pasi tha: «Jehovai . . . do të të ngarkojë detyrën si prijës i Izraelit.» Më tej, e nxiti Davidin të mos bënte diçka që do ta ngarkonte me faj gjaku ose që më vonë mund të bëhej ‘shkak për t’iu marrë këmbët’, siç duket, e kishte fjalën për një ndërgjegje të vrarë. (Lexo 1 Samuelit 25:24-31.) Sa fjalë mirëdashëse e prekëse!
19. Si iu përgjigj Davidi Abigailës dhe pse e lëvdoi?
19 Si u përgjigj Davidi? Ai e pranoi dhuratën e Abigailës dhe tha: «Bekuar qoftë Jehovai, Perëndia i Izraelit, që të ka dërguar sot të më dalësh përpara! Bekuar qoftë gjykimi yt i shëndoshë dhe bekuar qofsh ti që nuk më le sot të bëhesha me faj gjaku!» Davidi e lëvdoi atë që ishte treguar trime dhe që kishte nxituar ta takonte. Gjithashtu pranoi se ajo nuk e kishte lënë të merrte mbi vete faj gjaku. «Ngjitu në paqe në shtëpinë tënde,—tha ai dhe shtoi me përulësi.—Unë e dëgjova zërin tënd.»—1 Sam. 25:32-35.
«Ja tek e keni skllaven tuaj»
20, 21. (a) Pse të duket e admirueshme gatishmëria e Abigailës për tu kthyer tek i shoqi? (b) Si tregoi Abigaila guxim dhe maturi kur zgjodhi momentin për të folur me Nabalin?
20 Pasi u largua, Abigaila s’kish si të mos mendonte për atë takim dhe patjetër i kishte rënë në sy kontrasti mes atij burri plot besim e të sjellshëm dhe njeriut prepotent me të cilin ishte martuar. Por nuk u end nëpër ato mendime. Më tej lexojmë: «Më vonë Abigaila vajti te Nabali.» Po, ajo u kthye tek i shoqi, më se e vendosur për të përmbushur rolin e saj si bashkëshorte, sa më mirë që të mundej. Duhej t’i tregonte për dhuratën që i kishte bërë Davidit dhe njerëzve të tij. Ai kishte të drejtë ta dinte. Duhej t’i tregonte edhe për rrezikun që kishte parandaluar, para se ai ta merrte vesh nga dikush tjetër e të turpërohej më shumë. Por s’mund t’ia thoshte tani. Ai po festonte si mbret dhe ishte bërë xurxull.—1 Sam. 25:36.
21 Përsëri tregoi guxim e maturi dhe priti deri në mëngjes kur t’i dilte vera. Ai do të ishte mjaft i kthjellët sa ta kuptonte, por ndoshta edhe më i rrezikshëm për shkak të natyrës së tij. Prapëseprapë ajo iu afrua dhe i tregoi fill e për pe. Natyrisht, priste që ai të shpërthente tërë furi, mbase me dhunë. Por, ai s’lëvizi vendit.—1 Sam. 25:37.
22. Çfarë i ndodhi Nabalit dhe ç’mësojmë për të gjitha rastet e tiranisë ose të abuzimit në familje?
22 Çfarë i ndodhi? «Atij sa s’i pushoi zemra dhe u bë si gur.» Mbase i ra ndonjë iktus. Gjithsesi, i erdhi fundi rreth dhjetë ditë më vonë, e jo për arsye krejtësisht mjekësore. Tregimi thotë: «Jehovai e goditi Nabalin, kështu që ai vdiq.» (1 Sam. 25:38) Me atë ekzekutim të drejtë mori fund makthi i gjatë i martesës së Abigailës. Ndonëse sot Jehovai nuk ndërhyn duke ekzekutuar dikë me anë të mrekullive, ky tregim na kujton mirë se atij nuk i shpëton pa vënë re asnjë rast i tiranisë ose i abuzimit në familje. Në kohën e duhur sipas tij, do të vendosë gjithnjë drejtësi.—Lexo Lukën 8:17.
23. Ç’bekim tjetër mori Abigaila, dhe si tregoi se nuk iu rrit mendja nga propozimi që iu bë?
23 Përveçse u çlirua nga një martesë e keqe, Abigailën e priste një bekim tjetër. Kur Davidi mori vesh vdekjen e Nabalit, dërgoi njerëz që t’i propozonte Abigailës për martesë. «Ja tek e keni skllaven tuaj,—u përgjigj ajo,—si shërbyese për t’u larë këmbët shërbëtorëve të zotërisë tim.» Duket qartë se perspektiva që do të bëhej gruaja e Davidit nuk ia rriti mendjen; madje ishte gati të bëhej shërbëtore e shërbëtorëve të tij! Prapë lexojmë se ajo nxitoi, por kësaj radhe të bëhej gati që të shkonte te Davidi.—1 Sam. 25:39-42.
24. Cilat sfida hasi Abigaila në jetën e saj të re, por si e konsideronin atë burri dhe Perëndia i saj?
24 Kjo s’do të thotë se jeta e Abigailës me Davidin do të shkonte vaj. Davidi tashmë ishte martuar me Ahinoamin. Ndonëse Perëndia lejonte poligaminë, sigurisht që ajo paraqiste sfida të veçanta për gratë besnike të asaj kohe. Veç kësaj, Davidi nuk ishte bërë ende mbret; do të kalonte pengesa e vështirësi para se t’i shërbente Jehovait në atë pozitë. Por, teksa e ndihmonte dhe e mbështeste Davidin gjatë jetës, e më vonë i lindi edhe një djalë, Abigaila e kuptonte se kishte një bashkëshort që e çmonte dhe e mbronte. Madje një herë ai e shpëtoi nga rrëmbyesit. (1 Sam. 30:1-19) Në këtë mënyrë, Davidi imitoi Perëndinë Jehova që i do dhe i vlerëson gra të tilla të matura, të guximshme e besnike.
a Ky nuk ishte mali i famshëm i Karmelit në veriun e largët, ku më vonë profeti Elija u përball me profetët e Baalit. (Shih kapitullin 10.) Karmeli këtu ishte një qytet pranë shkretëtirës në jug.
b Davidi duhet të ketë menduar se mbrojtja e pronarëve vendës të tokave dhe e kopeve të tyre ishte një shërbim për Perëndinë Jehova. Asokohe ishte qëllimi i Jehovait që pasardhësit e Abrahamit, Isakut dhe Jakobit të banonin në atë vend. Pra, mbrojtja e tyre nga pushtuesit e huaj dhe bandat e kusarëve ishte një formë e shërbimit të shenjtë.
c Shprehja që përdori djaloshi, «i pavlerë», do të thotë fjalë për fjalë «bir i belialit (i pavlefshmërisë)». Përkthime të tjera të Biblës, në këtë fjali përfshijnë përshkrimin që i bëhet Nabalit si njeri që «nuk dëgjon askënd» dhe përfundimin se «nuk ia vlen të flasësh me të».