SAMUELI
[emër i Perëndisë].
Një profet me emër (Ve 3:24; 13:20), i cili tradicionalisht mbahet si shkrimtari i librave biblikë të Gjykatësve, Ruthës dhe i një pjese të Librit të Parë të Samuelit. (Krahaso 1Sa 10:25; 1Kr 29:29.) I ati, Elkanahu, ishte levit nga familja jopriftërore e Kehathit. (1Kr 6:27, 28, 33-38) Samueli pati tre vëllezër dhe dy motra gjaku.—1Sa 2:21.
Para se Samueli të ngjizej, nëna e tij, Hana, premtoi se do t’ia kushtonte shërbimit të Jehovait si nazire. (1Sa 1:11) Prandaj, kur e ëma i hoqi gjirin, Samuelin e çuan në tabernakull në Shiloh (mbase kur ishte jo më i vogël se 3 vjeç; krahaso 2Kr 31:16) dhe ia besuan kryepriftit Eli. (1Sa 1:24-28) Kështu, Samueli që mbante një efod liri ‘shërbeu përpara Jehovait’ që në vogëli. E ëma shkonte vit për vit për ta parë dhe i çonte një petk të ri pa mëngë. (1Sa 2:18, 19) Ndërkohë që rritej, ai «fitonte pëlqimin e Jehovait dhe të njerëzve».—1Sa 2:26.
Bëhet profet në moshë shumë të re. Natën Samueli flinte në «tempullin e Jehovait, ku gjendej arka e Perëndisë», dhe duket se puna e parë që i ishte caktuar të bënte që në mëngjes, ishte hapja ‘e dyerve të shtëpisë së Jehovait’. (1Sa 3:3, 15) Me sa duket shprehja «ku gjendej arka e Perëndisë» i referohet zonës së tabernakullit dhe nuk duhet marrë sikur Samueli flinte te Më e Shenjta. Duke qenë levit nga familja jopriftërore e Kehathit, ai nuk kishte të drejtë ta shihte Arkën ose ndonjë orendi tjetër të shenjtë brenda shenjtërores. (Nu 4:17-20) Pjesa e vetme e shtëpisë së Jehovait ku mund të hynte Samueli ishte oborri i tabernakullit. Pra, ai duhet të ketë hapur dyert që të çonin në oborr ku edhe flinte. Gjatë kohës që tabernakulli u vendos përfundimisht në Shiloh, ka të ngjarë që atje të jenë bërë ndërtime të ndryshme, dhe në njërin prej tyre mund të ketë fjetur Samueli.
Një natë, pasi ishte shtrirë, Samueli dëgjoi një zë që e thirri në emër. Duke menduar se po i fliste kryeprifti Eli, vrapoi tek ai; kjo gjë ndodhi tri herë rresht. Vetëm atëherë Eliu e kuptoi se Samuelin po e thërriste Jehovai dhe e udhëzoi si të vepronte. Pastaj, Jehovai i tregoi Samuelit gjykimin e tij kundër shtëpisë së Eliut. Nga frika, Samueli nuk tregoi çfarë i kishte thënë Jehovai derisa Eliu e pyeti vetë. Kështu filloi aktiviteti i Samuelit si profet dhe gjithë Izraeli në fund e mori vesh se ai ishte vërtet profet i Jehovait.—1Sa 3:2-21.
Drejton Izraelin në adhurimin e vërtetë. Më shumë se 20 vjet më vonë, me nxitjen e Samuelit, izraelitët e braktisën idhujtarinë dhe filluan t’i shërbenin vetëm Jehovait. Më pas, Samueli i mblodhi izraelitët në Mizpah. Filistinët përfituan nga situata dhe mësynë në vend. Të frikësuar, bijtë e Izraelit i thanë Samuelit t’i kërkonte ndihmë Jehovait. Ai ashtu bëri dhe, gjithashtu, paraqiti si flijim një qengj pirës. (1Sa 7:2-9) Sigurisht, duke qenë levit kehathit, pra, jo prift, Samueli nuk ishte i autorizuar të bënte shërbesa në altarin e shenjtërores (Nu 18:2, 3, 6, 7), dhe askund nuk tregohet se veproi ashtu në ndonjë rast. Megjithatë, si përfaqësues dhe profet i Jehovait, ai mund të paraqiste flijime në vende të tjera në përputhje me drejtimin hyjnor, siç kishte bërë Gideoni (Gjy 6:25-28) dhe Elija. (1Mb 18:36-38) Jehovai iu përgjigj lutjes së Samuelit, duke i hutuar filistinët, gjë që u dha mundësi izraelitëve të korrnin një fitore vendimtare. Në kujtim të kësaj, Samueli ngriti një gur mes Mizpahut e Jeshanahut dhe e quajti Ebenezer (që do të thotë «guri i ndihmës»). (1Sa 7:10-12) Pa dyshim, disa gjëra që kishin zënë si plaçkë nga kjo luftë dhe luftëra të tjera, Samueli i shenjtëroi për të mirëmbajtur tabernakullin.—1Kr 26:27, 28.
Në ditët e Samuelit, filistinët pësuan edhe humbje të tjera (1Sa 7:13, 14) dhe ajo periudhë u karakterizua nga kremtime madhështore të pashkës. (2Kr 35:18) Duket se Samueli kishte marrë disa masa për derëtarët levitë, që mund të kenë shërbyer si bazë për organizimin që bëri Davidi. (1Kr 9:22) Vit për vit, ai nisej nga shtëpia e tij në Ramah, në rajonin malor të Efraimit, i binte qark Bethelit, Gilgalit e Mizpahut dhe vepronte si gjykatës i Izraelit në të gjitha këto vende. (1Sa 7:15-17) Ai nuk e shpërdoroi kurrë pozitën dhe e kreu shërbimin në mënyrë të paqortueshme. (1Sa 12:2-5) Kurse bijtë e tij, Joeli dhe Abijahu, e shtrembëruan drejtësinë.—1Sa 8:2, 3.
Miros Saulin si mbret. Jobesnikëria e bijve të Samuelit dhe kërcënimi i luftës me amonitët, i shtynë pleqtë e Izraelit t’i kërkonin Samuelit që të caktonte një mbret mbi ta. (1Sa 8:4, 5; 12:12) Jehovai iu përgjigj lutjes së Samuelit për këtë gjë duke i thënë profetit se duhej të pranonte, edhe pse kërkesa e popullit tregonte mungesë besimi te fuqia e Tij si mbret. Veç kësaj, ai duhej t’u tregonte çfarë do të kërkonte mbreti prej tyre. Megjithëse Samueli ua bëri të ditur se monarkia do të sillte humbjen e disa lirive, prapëseprapë populli ngulmoi të kishte një mbret. Pasi Samueli i nisi burrat e Izraelit secilin në shtëpinë e vet, Jehovai i drejtoi ngjarjet në atë mënyrë që Samueli të miroste si mbret Saulin, një beniaminit. (1Sa 8:6–10:1) Më pas, Samueli i mblodhi izraelitët në Mizpah dhe atje Sauli u caktua mbret me short. (1Sa 10:17-24) Samueli i tregoi përsëri popullit çfarë do të kërkonte mbreti nga ata, madje i shkroi të gjitha një për një.—1Sa 10:25.
Pas fitores së Saulit mbi amonitët, Samueli urdhëroi që izraelitët të shkonin në Gilgal për të konfirmuar edhe një herë mbretërimin e Saulit. Në këtë rast, Samueli përmblodhi gjithë jetën e tij, si edhe të kaluarën e Izraelit dhe tregoi se, nëse donin miratimin e Jehovait, pikërisht Atij duhej t’i bindeshin si mbreti, edhe populli. Që izraelitët ta kuptonin mirë se sa e rëndë ishte që kishin hedhur poshtë Jehovain si Mbret, Samueli u lut që ai të dërgonte një stuhi të pazakontë për atë stinë. Përgjigjja e Jehovait e nxiti popullin të pranonte sa e rëndë ishte shkelja që kishte bërë.—1Sa 11:14–12:25.
Më vonë, Samuelit iu desh ta qortonte Saulin në dy raste për mosbindje ndaj drejtimit hyjnor. Rasti i parë ishte kur ai i bëri të ditur se mbretërimi i Saulit nuk do të zgjaste, pasi kishte treguar besim të tepruar te vetja duke paraqitur një flijim në vend që të priste siç kishte marrë urdhër. (1Sa 13:10-14) Në mesazhin e dytë të dënimit, Samueli e lajmëroi Saulin se Jehovai e kishte hedhur poshtë si mbret, sepse nuk ishte bindur, por kishte lënë gjallë mbretin Agag dhe më të zgjedhurat e bagëtisë së trashë e të imët. Pas kërkesës së Saulit, Samueli u paraqit bashkë me të para pleqve të Izraelit dhe para popullit. Më vonë, Samueli urdhëroi që t’i sillnin Agagun dhe më pas «e bëri [atë] copë-copë përpara Jehovait në Gilgal».—1Sa 15:10-33.
Miros Davidin. Pasi u ndanë, ata të dy nuk e panë më njëri-tjetrin. Gjithsesi, Samueli filloi të mbante zi për Saulin. Mirëpo Jehovai ia ndërpreu zinë dhe e ngarkoi të shkonte në Betlehem që të miroste si mbret të ardhshëm të Izraelit një nga bijtë e Jeseut. Për të mos ngjallur asnjë dyshim te Sauli që mund t’i kushtonte jetën Samuelit, Jehovai i tha të merrte një mëshqerrë për flijim. Ndoshta duke menduar se Samueli kishte vajtur për t’i qortuar ose ndëshkuar për ndonjë shkelje, pleqtë e Betlehemit dridheshin nga frika. Megjithatë, ai i siguroi se kishte shkuar në paqe, dhe pastaj bëri të mundur që Jeseu dhe bijtë e tij të ishin të pranishëm në një vakt ku hahej flijimi. I habitur nga pamja e Eliabit, të parëlindurit të Jeseut, Samueli tha me vete se me siguri ai duhej të ishte i zgjedhuri i Jehovait për t’u bërë mbret. Mirëpo, Jehovai nuk kishte zgjedhur as Eliabin, as ndonjërin nga gjashtë bijtë e tjerë të Jeseut që ishin aty. Ja pse me këmbënguljen e Samuelit, vajtën të thërritnin më të voglin, Davidin, i cili po kulloste dhentë dhe, nën drejtimin e Jehovait, Samueli e mirosi mes vëllezërve të vet.—1Sa 15:34–16:13.
Më vonë, pasi mbreti Saul ishte përpjekur për të disatën herë t’i merrte jetën, Davidi shkoi te Samueli në Ramah. Më pas, të dy shkuan në Najoth, dhe Davidi qëndroi atje derisa Sauli shkoi vetë ta kërkonte. (1Sa 19:18–20:1) Gjatë kohës kur Davidi ende nuk mund të lëvizte lirisht për shkak të Saulit, «Samueli vdiq. Tërë Izraeli u mblodh, e vajtoi dhe e varrosi në shtëpinë e tij në Ramah». (1Sa 25:1) Kështu, Samueli vdiq si shërbëtor i miratuar i Perëndisë Jehova, pasi i shërbeu me besnikëri për një jetë të tërë. (Ps 99:6; Jr 15:1; He 11:32) Ai kishte treguar ngulmim në përmbushjen e detyrës së tij (1Sa 16:6, 11), përkushtim për adhurimin e vërtetë (1Sa 7:3-6), ndershmëri në marrëdhëniet me të tjerët (1Sa 12:3) dhe guxim e vendosmëri për të shpallur e mbështetur gjykimet dhe vendimet e Jehovait (1Sa 10:24; 13:13; 15:32, 33).
Në lidhje me kërkesën e Saulit që një medium në En-Dor t’i shfaqte Samuelin, shih SAULI nr. 1.