ELIU
[i ngjitur lart; i ngritur].
Kryeprift i Izraelit; me sa duket pasardhës i Ithamarit, djalit të katërt të Aaronit sipas radhës në të cilën përmendet. (Krahaso 2Sa 8:17; 1Mb 2:27; 1Kr 24:3; Da 6:23.) Eliu e gjykoi Izraelin si kryeprift për 40 vjet. Samueli u bë profet gjatë kohës që ai ishte gjallë. (1Sa 4:18; 3:10-13, 19-21) Në kohën e Eliut, Izraeli vuante nga uria frymore, sepse «në ato ditë fjala e Jehovait ishte rralluar dhe vegimet ishin diçka e pazakontë».—1Sa 3:1.
Për Eliun flitet shkarazi që në kapitullin e parë të Librit të Parë të Samuelit. I ulur jashtë pranë shtalkës së tabernakullit, Eliu qorton Hanën, një grua të drejtë, për të cilën mendon se është e dehur, ndërkohë që faktikisht ajo ishte duke iu lutur gjatë Jehovait atje përballë tabernakullit. Kur Hana i thotë se nuk është e dehur, por se flet nga shqetësimi dhe brenga e madhe, Eliu e lë të shkojë në paqe. Jehovai i përgjigjet lutjes së Hanës dhe ajo lind një djalë të cilit i vë emrin Samuel. Sapo i heq gjirin, e çon në tabernakull për të shërbyer atje, siç ishte zotuar.—1Sa 1:9-18, 20, 24, 28; 2:11, 18.
Lë pas dore disiplinimin e bijve. Si baba dhe kryeprift në Izrael, Eliu lë pas dore disiplinën e Jehovait. Dy bijtë e tij, Hofni dhe Finehasi, që shërbejnë zyrtarisht si priftërinj, janë «njerëz pa pikë vlere» që e kanë mendjen vetëm të mbushin barkun dhe të plotësojnë dëshirat e tyre të ndyra seksuale. Ata nuk janë të kënaqur me pjesën e flijimit që u është caktuar nga ligji i Perëndisë; madje marrin në fillim për vete duke dërguar një shërbëtor të kërkojë mish të gjallë nga ai që ofron flijimin, para se dhjami t’i paraqitet Jehovait mbi altar. Bijtë e Eliut me dëshira lakmitare dhe epshore shfrytëzojnë pozitën që kanë në tendën e takimit për t’u dhënë pas veseve dhe vjedhjes në kurriz të adhurimit të pastër të Jehovait. Edhe kur bijtë e tij të korruptuar kryejnë marrëdhënie imorale me gratë që shërbejnë në hyrje të tabernakullit, Eliu nuk i heq nga detyra, por thjesht i qorton me fjalë të buta. Eliu nderon më shumë bijtë e tij se Jehovain.—1Sa 2:12-17, 22-25, 29.
Pas njëfarë kohe, një profet i Perëndisë vjen me një mesazh të kobshëm paralajmërimi: shtëpisë së Eliut do t’i pritet krahu, pra do t’i hiqet fuqia dhe ndikimi, aq sa në shtëpinë e tij nuk do të mbetet asnjë i moshuar. Bijtë e tij të korruptuar do të vdesin në të njëjtën ditë. (1Sa 2:27-36) Jehovai e përforcon gjykimin e tij kundër shtëpisë së Eliut, pikërisht nëpërmjet djaloshit Samuel. (1Sa 3:11-14) Samueli ka frikë të tregojë për mesazhin që i ka dhënë Jehovai, por kur Eliu kërkon t’ia thotë, ai flet. Atëherë Eliu nënshtrohet përulësisht duke thënë: «Është Jehovai. Le të bëjë si t’i duket atij më mirë.»—1Sa 3:15-18.
Jehovai gjykon shtëpinë e Eliut. Shpagimi vjen siç kishte thënë Perëndia. Izraeli humb rreth 4.000 burra në betejën me filistinët. Izraelitët vendosin ta marrin Arkën nga Shilohu e ta sjellin në kamp, duke menduar se kështu do të çlirohen nga dora e armiqve. Mirëpo filistinët e bëjnë më të ashpër betejën. Tridhjetë mijë izraelitë humbin jetën. Arkën e marrin. Hofni dhe Finehasi, që shoqërojnë Arkën, vdesin. Një burrë nga fisi i Beniaminit ikën nga radhët e betejës dhe nxiton t’i çojë lajmin Eliut. I verbër dhe i ligësht, Eliu 98-vjeçar rri ulur në ndenjësen buzë rrugës me zemrën që i regëtin për Arkën. Sa merr vesh që Arkën e kanë marrë, ai bie praptas, thyen qafën dhe vdes.—1Sa 4:2-18.
Shpagimi i mëtejshëm i shtëpisë së Eliut erdhi nga duart e mbretit Saul, i cili urdhëroi pa pikë mëshire vrasjen e priftërinjve të Nobit që ishin pasardhës të Eliut nga Ahitubi, biri i Finehasit. (1Sa 14:3; 22:11, 18) Nga kjo masakër shpëtoi vetëm Abiatari, një nga bijtë e Ahimelekut, i cili vazhdoi të shërbente si prift gjatë gjithë kohës që mbretëronte Davidi. (1Sa 22:20; 2Sa 19:11) Megjithatë, Solomoni e hoqi Abiatarin nga detyra e priftit, ngaqë kishte ndihmuar Adonijahun i cili u rebelua dhe komplotoi. (1Mb 1:7; 2:26, 27) Kështu u përmbush gjykimi i Jehovait mbi shtëpinë e Eliut dhe pasardhësit e tij u përjashtuan përgjithmonë nga shërbimi si kryepriftërinj.—1Sa 3:13, 14.