KAPITULLI TETË
Qëndroi i patundur pavarësisht nga zhgënjimet
1. Pse Shilohun e kishte mbërthyer pikëllimi dhe vajtimi?
SAMUELI e ndiente pikëllimin në Shiloh. Qyteti dukej thuajse i larë nga lotët. Sa gra e fëmijë po qanin e po vajtonin ngaqë morën vesh se nuk do t’u kthehen më në shtëpi etërit, bashkëshortët, bijtë dhe vëllezërit! Dimë vetëm që Izraeli kishte humbur rreth 30.000 ushtarë në një betejë të tmerrshme me filistinët, jo shumë kohë pas humbjes së 4.000 vetave në një betejë tjetër.—1 Sam. 4:1, 2, 10.
2, 3. Cilat tragjedi njëra pas tjetrës i sollën turp dhe ia hoqën lavdinë Shilohut?
2 Kjo ishte vetëm një nga tragjeditë e shumta që ndodhën njëra pas tjetrës. Hofni dhe Finehasi, dy bijtë e ligj të kryepriftit Eli, kishin marshuar jashtë Shilohut me arkën e shenjtë të besëlidhjes. Kjo arkë e çmuar ishte simbol që tregonte se Jehovai ishte me popullin e tij dhe zakonisht mbahej në ndarjen e shenjtë të tabernakullit—një tempull në formë tende. Populli e mori arkën në betejë, duke menduar marrëzisht se do të vepronte si hajmali mbrojtëse dhe do t’u jepte fitoren. Por filistinët e morën arkën dhe vranë Hofnin e Finehasin.—1 Sam. 4:3-11.
3 Tabernakulli në Shiloh ishte nderuar për shekuj me radhë nga prania e arkës. Tani arka nuk ishte më. Me të dëgjuar këtë, 98-vjeçari Eli u rrëzua praptas nga ndenjësja dhe vdiq. Nusja e të birit, që u bë vejushë po atë ditë, vdiq duke lindur. Para se të jepte frymë, ajo tha: «Lavdia iku nga Izraeli.» Vërtet, Shilohu s’do të ishte më kurrë si më parë.—1 Sam. 4:12-22.
4. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë kapitull?
4 Si do t’i përballonte Samueli këto zhgënjime të thella? A do të qëndronte i fortë në besim përballë sfidës që të ndihmonte një popull që kishte humbur mbrojtjen dhe pëlqimin e Jehovait? Të gjithëve na ndodh herë pas here të hasim vështirësi e zhgënjime që na e vënë në provë besimin. Prandaj, le të shohim çfarë mund të mësojmë më tej nga Samueli.
‘Vuri në veprim drejtësinë’
5, 6. Ku përqendrohet tregimi biblik për një periudhë 20-vjeçare dhe me çfarë ishte i zënë Samueli gjatë kësaj kohe?
5 Tani tregimi biblik nuk përqendrohet te Samueli, por tek arka e shenjtë. Ai na tregon si vuajtën filistinët ngaqë e morën atë dhe si u detyruan ta kthenin sërish. Do të kalojnë rreth 20 vjet para se të flitet përsëri për Samuelin. (1 Sam. 7:2) Me çfarë u mor ai gjatë këtyre viteve? Përgjigjen e gjejmë në Bibël.
6 Mësojmë se, para kësaj periudhe 20-vjeçare, «Samueli vazhdoi t’i fliste tërë Izraelit». (1 Sam. 4:1) Tregimi thotë se pas kësaj periudhe, Samueli e bëri zakon të vizitonte tri qytete në Izrael duke u rënë qark çdo vit, që të zgjidhte mosmarrëveshje ose çështje të tjera. Pastaj kthehej në qytetin e tij, në Ramah. (1 Sam. 7:15-17) Qartë, Samueli ishte gjithmonë i zënë dhe, gjatë atij intervali 20-vjeçar, kishte shumë për të bërë.
Megjithëse dokumentimi biblik nuk e përmend Samuelin për një periudhë 20-vjeçare, jemi të sigurt se ai ishte i angazhuar në shërbim të Jehovait
7, 8. (a) Çfarë mesazhi i dha popullit Samueli pas dy dekadash pune të palodhur? (b) Si iu përgjigj populli sigurisë që i dha Samueli?
7 Imoraliteti dhe shthurja e bijve të Eliut ia kishin gërryer besimin popullit. Me sa duket, kjo çoi shumë veta në idhujtari. Por, pas dy dekadash pune të palodhur, Samueli i dha këtë mesazh popullit: «Nëse doni të ktheheni me gjithë zemër te Jehovai, atëherë flakini perënditë e huaja që janë mes jush dhe shëmbëlltyrat e Ashtorethit. Drejtojeni zemrën te Jehovai pa u shmangur dhe shërbejini vetëm atij, e ai do t’ju çlirojë nga dora e filistinëve.»—1 Sam. 7:3.
8 «Dora e filistinëve» e kishte zaptuar popullin. Kur ushtria e Izraelit u mund, filistinët menduan që mund ta shtypnin popullin e Perëndisë pa frikën e ndëshkimit. Por Samueli e siguroi popullin se gjërat do të ndryshonin vetëm nëse ktheheshin te Jehovai. A ishin të gatshëm për këtë? Samueli u kënaq kur ata i flakën idhujt dhe «filluan t’i shërbenin vetëm Jehovait». Ai organizoi një asamble në Mizpah, qytet në rajonin malor, në veri të Jerusalemit. Populli u mblodh, agjëroi dhe u pendua për mëkatet e shumta të idhujtarisë.—Lexo 1 Samuelit 7:4-6.
Filistinët mendonin se mbledhja e popullit të penduar të Jehovait ishte një rast për t’i shtypur
9. Çfarë rasti shfrytëzuan filistinët dhe si reagoi populli i Perëndisë ndaj rrezikut?
9 Megjithatë, filistinët morën vesh për këtë grumbullim të madh dhe shfrytëzuan rastin. Dërguan ushtrinë në Mizpah që t’i shtypte ata adhurues të Jehovait. Izraelitët dëgjuan për rrezikun që po u kanosej. Të tmerruar, i kërkuan Samuelit të lutej për ta. Ai u lut, madje ofroi edhe një flijim. Ndërkohë që mbahej ceremonia e shenjtë, ushtria filistine iu afrua Mizpahut. Atëherë Jehovai iu përgjigj lutjes së Samuelit. Jehovai tregoi indinjatën e tij. «Atë ditë [ai] shkaktoi bubullima të forta kundër filistinëve.»—1 Sam. 7:7-10.
10, 11. (a) Pse duhet të ketë pasur diçka të pazakontë në bubullimat që Jehovai lëshoi mbi ushtrinë filistine? (b) Çfarë solli beteja që filloi në Mizpah?
10 A duhet t’i përfytyrojmë ata filistinë si fëmijët e vegjël që turren për t’u fshehur pas mamit kur dëgjojnë një bubullimë? Jo, ishin ushtarë të fortë e të regjur në beteja. Prandaj, këto bubullima duhet të kenë qenë shumë të veçanta. Mos ishte volumi shurdhues i atyre bubullimave «të forta»? Mos vinte nga qielli blu e i pastër apo jehonte çuditërisht nga faqet e kodrave? Sidoqoftë, ato i tmerruan deri në palcë filistinët. Në hutim të plotë, shpejt u kthyen nga trima, në viktima. Burrat e Izraelit u hodhën në sulm nga Mizpahu, i mundën dhe iu vunë në ndjekje për kilometra të tërë, deri në jugperëndim të Jerusalemit.—1 Sam. 7:11.
11 Ajo betejë ishte pikë kthese. Që nga ajo kohë, filistinët vazhdonin të tërhiqeshin gjatë gjithë ditëve që Samueli ishte gjykatës. Qytetet u rivendosën njëri pas tjetrit nën kontrollin e popullit të Perëndisë.—1 Sam. 7:13, 14.
12. Çfarë do të thotë që Samueli ‘vuri në veprim drejtësinë’ dhe cilat cilësi e ndihmuan që të vazhdonte ta bënte këtë?
12 Mjaft shekuj më vonë, apostulli Pavël e radhiti Samuelin mes gjykatësve dhe profetëve besnikë që «vunë në veprim drejtësinë». (Hebr. 11:32, 33) Samueli bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Perëndisë dhe i nxiti të tjerët të vepronin njësoj. Ai e bënte gjithmonë këtë, sepse priste me durim Jehovain, duke vazhduar me besnikëri punën që i kishte caktuar, pavarësisht nga zhgënjimet. Gjithashtu tregoi një frymë mirënjohëse. Pas fitores në Mizpah, Samueli ngriti një përmendore që të kujtohej si e kishte ndihmuar Jehovai popullin e tij.—1 Sam. 7:12.
13. (a) Cilat cilësi na nevojiten nëse duam të imitojmë Samuelin? (b) Kur mendon se është mirë të zhvillojmë cilësi si të Samuelit?
13 Po ti, a dëshiron ‘të vësh në veprim drejtësinë’? Nëse po, bën mirë të mësosh nga durimi i Samuelit dhe nga qëndrimi i tij i përulur e mirënjohës. (Lexo 1 Pjetrit 5:6.) E kush nga ne nuk ka nevojë për cilësi të tilla? Sa mirë që Samueli i përvetësoi dhe i shfaqi këto cilësi kur ishte relativisht i ri, pasi, më vonë në jetë, do të përballonte zhgënjime edhe më të mëdha.
«Bijtë e tu nuk ecin në udhët e tua»
14, 15. (a) Si u zhgënjye thellë Samueli pasi «u plak»? (b) A ishte për t’u qortuar Samueli si baba, ngjashëm Eliut? Shpjego.
14 Herën tjetër që flitet për Samuelin, ishte «plak». Në këtë kohë, ai kishte dy bij të rritur, Joelin dhe Abijahun, të cilëve u besoi përgjegjësinë që ta ndihmonin në punën si gjykatës. Por mjerisht u besoi personave të gabuar. Sado i ndershëm e i drejtë që ishte Samueli, bijtë e tij e përdorën pozitën për qëllime egoiste, duke shtrembëruar drejtësinë e duke marrë ryshfete.—1 Sam. 8:1-3.
15 Një ditë, pleqtë e Izraelit iu afruan profetit të moshuar që të ankoheshin. Ata i thanë: «Bijtë e tu nuk ecin në udhët e tua.» (1 Sam. 8:4, 5) A ishte në dijeni të problemit Samueli? Tregimi nuk e thotë. Por ndryshe nga Eliu, pa dyshim që Samuelin nuk kishe pse ta qortoje si baba. Jehovai e kishte qortuar dhe ndëshkuar Eliun ngaqë nuk e ndreqi ligësinë e të bijve, ngaqë nderoi ata më tepër se Perëndinë. (1 Sam. 2:27-29) Jehovai kurrë nuk gjeti asnjë faj të tillë te Samueli.
16. Cilat ndjenja i mundojnë prindërit që kanë fëmijë rebelë, dhe si mund të gjejnë njëfarë ngushëllimi dhe drejtimi te shembulli i Samuelit?
16 Tregimi nuk thotë sa u turpërua, sa u trazua apo sa u zhgënjye Samueli kur dëgjoi për sjelljen e ligë të bijve të tij. Mjerisht, shumë prindër kanë kaluar ndjenja të tilla. Në kohët e errëta që jetojmë, rebelimi ndaj autoritetit dhe disiplinës prindërore është tejet i përhapur. (Lexo 2 Timoteut 3:1-5.) Prindërit që po përballen me një dhembje të tillë mund të gjejnë njëfarë ngushëllimi dhe drejtimi te shembulli i Samuelit. Ai nuk lejoi që sjellja jobesnike e të bijve të ndikonte sikur edhe një fije në drejtimin e jetës së tij. Mos harro, edhe kur fjalët dhe disiplina nuk arrijnë zemrat e ngurtësuara, shembulli i prindit mbetet një mësues i fuqishëm. Përveç kësaj, prindërit kanë përherë mundësi të bëjnë krenar vetë Atin e tyre, Perëndinë Jehova, siç bëri Samueli.
«Caktona, pra, një mbret»
17. Çfarë i kërkuan Samuelit pleqtë e Izraelit dhe si reagoi ai?
17 Bijtë e Samuelit as nuk e imagjinonin deri ku do të arrinin pasojat e lakmisë dhe egoizmit të tyre. Pleqtë vazhduan t’i thoshin Samuelit: «Caktona, pra, një mbret, si kanë tërë kombet.» A iu duk Samuelit sikur po e hidhnin poshtë me këtë kërkesë? Në fund të fundit, ai i kishte gjykuar për dekada ata njerëz në emër të Jehovait. Kurse tani donin t’i gjykonte një mbret, jo thjesht një profet si Samueli. Popujt përreth kishin mbretër, ndaj edhe Izraeli donte një mbret. Si reagoi Samueli? Lexojmë: «Kjo nuk i pëlqeu Samuelit.»—1 Sam. 8:5, 6.
18. Çfarë i tha Jehovai Samuelit për ta ngushëlluar dhe për t’i treguar sa i rëndë ishte mëkati i Izraelit?
18 Vër re si u përgjigj Jehovai kur Samueli ia parashtroi çështjen në lutje: «Dëgjoje zërin e popullit për gjithë sa të thonë, sepse nuk të kanë hedhur poshtë ty, por më kanë hedhur poshtë mua, që të mos jem mbret i tyre.» Sa ngushëlluese për Samuelin, e në të njëjtën kohë, sa fyerje e rëndë për Perëndinë e Plotfuqishëm! Jehovai i tha profetit të tij që t’i paralajmëronte izraelitët për çmimin e lartë që do të paguanin nëse donin një mbret njerëzor. Kur Samueli bëri si i tha Jehovai, ata ngulën këmbë: «Jo, sido që të jetë, duam të kemi një mbret.» Gjithmonë i bindur ndaj Perëndisë së tij, Samueli shkoi dhe mirosi mbretin që zgjodhi Jehovai.—1 Sam. 8:7-19.
19, 20. (a) Në ç’mënyra iu bind Samueli drejtimit të Jehovait për të mirosur Saulin si mbret të Izraelit? (b) Si vazhdoi Samueli ta ndihmonte popullin e Jehovait?
19 Por si u bind Samueli? A u bind tërë mëri, sa për sy e faqe? A lejoi që zhgënjimi t’ia helmonte zemrën e të linte zemërimin të hidhte rrënjë? Shumë do të reagonin kështu në situata të ngjashme, por jo Samueli. Ai e mirosi Saulin dhe e pranoi që e kishte zgjedhur vetë Jehovai. Ai e puthi Saulin në shenjë mirëseardhjeje dhe nënshtrimi ndaj mbretit të ri. Gjithashtu i tha popullit: «A e patë atë që ka zgjedhur Jehovai? Mes gjithë popullit nuk ka asnjë si ai.»—1 Sam. 10:1, 24.
20 Samueli nuk u përqendrua te të metat, por tek e mira e atij që zgjodhi Jehovai. E sa për veten, u përqendrua si të ruante integritetin ndaj Perëndisë, dhe jo të fitonte miratimin e njerëzve të lëkundur. (1 Sam. 12:1-4) Po ashtu, e përmbushi me besueshmëri caktimin, duke e këshilluar popullin e Perëndisë për rreziqet frymore që haste e duke i dhënë zemër që t’i qëndronte besnik Jehovait. Këshillat e Samuelit e prekën popullin dhe iu përgjëruan t’i lutej Perëndisë për ta. Ai u dha këtë përgjigje të bukur: «Nuk më ka shkuar kurrë ndër mend të mëkatoj kundër Jehovait, e të mos lutem më për ju. Unë do t’ju mësoj udhën e mirë e të drejtë.»—1 Sam. 12:21-24.
Shembulli i Samuelit na kujton të mos e lejojmë kurrë xhelozinë ose zemërimin të hedhë rrënjë në zemrën tonë
21. Si mund të të ndihmojë shembulli i Samuelit nëse ndonjëherë zhgënjehesh kur dikush tjetër zgjidhet për një detyrë a privilegj?
21 A je zhgënjyer ndonjëherë kur dikush tjetër është zgjedhur për një detyrë a privilegj? Shembulli i Samuelit është një përkujtues i fuqishëm që të mos e lejojmë kurrë xhelozinë ose zemërimin të hedhë rrënjë në zemrën tonë. (Lexo Proverbat 14:30.) Perëndia ka mjaft punë shpërblyese dhe të kënaqshme për secilin nga shërbëtorët e tij besnikë.
«Deri kur do të mbash zi për Saulin?»
22. Pse kishte të drejtë Samueli që pa të mirën te Sauli në fillim?
22 Samueli kishte të drejtë që shihte të mirën te Sauli, pasi ishte njeri i jashtëzakonshëm. Ishte i gjatë dhe shumë tërheqës, i guximshëm dhe i shkathët, por prapëseprapë, në fillim, ishte modest dhe pa pretendime. (1 Sam. 10:22, 23, 27) Përveç këtyre dhuratave, kishte edhe një dhuratë të çmuar—vullnetin e lirë, aftësinë për të zgjedhur drejtimin e jetës e për të marrë vetë vendime. (Ligj. 30:19) A e përdori siç duhet këtë dhuratë?
23. Cilën cilësi të çmuar humbi Sauli si fillim dhe si shfaqi gjithnjë e më shumë arrogancë?
23 Mjerisht, kur dikush përkëdhelet në shkëlqimin e ngrohtë të pushtetit të sapofituar, shpesh modestia është cilësia e parë që fashitet. S’kaloi shumë dhe Sauli u bë arrogant. Ai zgjodhi të mos u bindej urdhrave që Jehovai i jepte me anë të Samuelit. Në një rast, Sauli humbi durimin dhe ofroi një flijim që Samueli kishte ndërmend ta ofronte. Samuelit iu desh ta qortonte ashpër dhe të parathoshte se mbretëria do të hiqej nga familja e Saulit. Në vend që të mësonte nga disiplina, Sauli vazhdoi të kryente vepra mosbindjeje edhe më të këqija.—1 Sam. 13:8, 9, 13, 14.
24. (a) Në ç’mënyrë Sauli nuk iu bind Jehovait kur luftoi me Amalekitët? (b) Si e priti ndreqjen Sauli dhe cili ishte vendimi i Jehovait?
24 Nëpërmjet Samuelit, Jehovai i tha Saulit të luftonte kundër amalekitëve. Udhëzimet e Jehovait përfshinin urdhrin për të ekzekutuar mbretin e tyre të lig, Agagun. Por Sauli e kurseu Agagun bashkë me pjesën më të mirë të plaçkës që duhej shfarosur. Kur Samueli erdhi ta ndreqte, te Sauli vërehen ndryshime të mëdha. Në vend që ta pranonte me modesti ndreqjen, justifikoi veprimet e veta, e anashkaloi çështjen dhe u përpoq t’ia hidhte fajin popullit. Kur Sauli u përpoq ta minimizonte dhe të mos e pranonte disiplinën duke thënë se një pjesë e plaçkës ishte për t’ia flijuar Jehovait, Samueli tha fjalët e njohura: «Të bindesh është më mirë se flijimi.» Me guxim Samueli e qortoi dhe i tha vendimin e Jehovait: Mbretëria do t’i hiqej Saulit e do t’i jepej një tjetri—që ishte më i mirë se ai.a—1 Sam. 15:1-33.
25, 26. (a) Pse mbajti zi Samueli për Saulin dhe si e ndreqi me butësi Jehovai profetin e tij? (b) Ç’mësim nxori Samueli kur shkoi te shtëpia e Jeseut?
25 Samueli ishte mjaft i mërzitur për të metat e Saulit. Ai e kaloi natën duke iu lutur Jehovait për këtë. Madje mbajti zi për Saulin. Samueli kishte parë një potencial shumë të madh te Sauli, kaq gjëra të mira, kurse tani shpresat e tij ishin shkatërruar. Burri që njihte dikur, tani kishte ndryshuar—i kishte humbur cilësitë më të mira dhe ishte kthyer kundër Jehovait. Samueli nuk donte ta shihte më Saulin. Megjithatë, me kalimin e kohës, Jehovai e ndreqi me butësi pikëpamjen e Samuelit: «Deri kur do të mbash zi për Saulin, ndërkohë që unë e kam hedhur poshtë, që të mos mbretërojë në Izrael? Mbushe bririn tënd me vaj dhe nisu. Unë do të të dërgoj te Jeseu, betlehemiti, sepse kam zgjedhur për mbret një nga bijtë e tij.»—1 Sam. 15:34, 35; 16:1.
26 Qëllimi i Jehovait nuk varet nga njerëzit e papërsosur, të cilët nuk janë gjithmonë besnikë. Nëse dikush nuk qëndron besnik, Jehovai do të gjejë një tjetër që të përmbushë vullnetin e Tij. Kështu, Samueli i moshuar nuk u pikëllua më për Saulin. Nën drejtimin e Jehovait, shkoi në shtëpinë e Jeseut, në Betlehem, ku takoi disa nga bijtë e tij me pamje tërheqëse. Megjithatë, që në fillim Jehovai i kujtoi Samuelit të mos shikonte vetëm tiparet fizike. (Lexo 1 Samuelit 16:7.) Më në fund, Samueli takoi më të voglin, dhe ja ku ishte i zgjedhuri i Jehovait: Davidi!
Samueli mësoi se asnjë problem apo situatë shkurajuese nuk është aq e vështirë sa Jehovai të mos e zgjidhë apo ta kthejë në bekim
27. (a) Çfarë e ndihmoi besimin e Samuelit të bëhej gjithnjë e më i fortë? (b) Çfarë mendon për shembullin që la Samueli?
27 Vitet e fundit të jetës, Samueli e pa gjithnjë e më qartë sa i drejtë ishte vendimi i Jehovait që ta zëvendësonte Saulin me Davidin. Sauli ra aq poshtë, sa donte të vriste Davidin nga xhelozia, si dhe u bë apostat. Megjithatë, Davidi shfaqi cilësi të bukura—guxim, integritet, besim dhe besnikëri. Teksa jeta e Samuelit i afrohej fundit, besimi i forcohej gjithnjë e më shumë. Ai kuptoi se asnjë problem apo situatë shkurajuese nuk është aq e vështirë sa Jehovai të mos e zgjidhë apo ta kthejë në bekim. Në fund Samueli vdiq, duke lënë pas dokumentimin e një jete të jashtëzakonshme që zgjati thuajse një shekull. I gjithë Izraeli mbajti zi për atë njeri besnik, dhe kjo s’na habit. Edhe sot e kësaj dite, shërbëtorët e Jehovait bëjnë mirë të pyesin: «A do ta imitoj besimin e Samuelit?»
a Agagun e vrau vetë Samueli. As ai mbret i lig, as familja e tij nuk meritonte mëshirë. Shekuj më vonë, te pasardhësit e Agagut me sa duket përfshihej edhe «Hamani, agagiti», që u orvat ta shfaroste gjithë popullin e Perëndisë.—Est. 8:3; shih kapitujt 15 dhe 16 të këtij botimi.