KERETITËT
Emri i një popullsie që kishte lidhje me filistinët. (Ezk 25:16; So 2:5) Disa keretitë shërbyen në ushtrinë e popullit të zgjedhur të Jehovait.—2Sa 8:18; 20:23; 1Kr 18:17.
Një sërë leksikografësh hebrenj besojnë se rrënja e fjalës kerethím është karáth (që do të thotë «shfaros») dhe prandaj duhet përkthyer «ekzekutues». Megjithatë, shumica e komentuesve të Biblës mendojnë se termi hebraik për «keretitë» (kerethím) tregon kombësinë. Gjithsesi, e pranojnë se karáth mund të jetë vërtet rrënja e fjalës kerethím dhe se Jehovai mund të ketë përdorur aliteracionin si lojë fjalësh kur premtoi tek Ezekieli 25:16 se ‘do të shfaroste [hikhrattí ] keretitët [kerethím ]’ ose ndryshe ‘do të vriste vrasësit’.
Lidhjen mes keretitëve dhe filistinëve duket se e tregon fakti që përmenden së bashku tek Ezekieli 25:15-17 dhe Sofonia 2:5-7. Në këto vargje, Septuaginta greke zëvendëson termin ‘keretitë’ me ‘kretas’, ndoshta duke u përpjekur t’i lidhë ata me filistinët që erdhën «nga Kreta [Kaftori, shën., NW]». (Am 9:7) Për këtë arsye dhe për lidhjen që duket se kanë keretitët me ‘vendin e filistinëve’ te 1 Samuelit 30:14, 16, pjesa më e madhe e studiuesve nxjerrin si përfundim se keretitët dhe filistinët ishin i njëjti popull ose dy popuj që kishin lidhje të ngushtë mes tyre. Të tjerë mendojnë se keretitët mund të kenë qenë fis i rëndësishëm filistin.
Një hipotezë është se, edhe pse në fillim ishin dy popuj më vete, filistinët ose ishin më të fortë, ose mbërritën të parët në Kanaan ku, me kalimin e kohës, mbizotëruan e i dhanë emrin e tyre asaj pjese të vendit të quajtur Filisti, ndonëse emri keretitë nuk u zhduk krejtësisht. Sipas kësaj hipoteze, kuptimi i profecive të lartpërmendura të Ezekielit dhe të Sofonisë do të ishte ky: Jehovai do të hakmerrej dhe do t’u sillte mjerim të gjithë banorëve të qyteteve filistine, si filistinëve, edhe keretitëve. Këto profeci duket se i përmbushën babilonasit.
Disa keretitë bënin pjesë në ushtrinë e Davidit dhe, bashkë me peletitët (që përmenden shpesh me ta), mund të kenë qenë truproja e mbretit me në krye Benajahun. (2Sa 8:18; 20:23; 1Kr 18:17; krahaso 2Sa 23:22, 23; 1Kr 11:25.) Nga kjo, studiuesit shpesh përpiqen t’i lidhin me ‘truprojën kariene’ të kohës së priftit Jehojada, pra më shumë se 100 vjet më vonë. (2Mb 11:4, 19; shih TRUPROJA KARIENE.) Edhe pse, siç duket, ishin të huaj nga origjina, keretitët e kohës së Davidit nuk ishin thjesht mercenarë, pra nuk shërbenin për fitim (siç mendohet shpesh gabimisht), por i ishin përkushtuar me gjithë zemër Davidit si i mirosuri i Jehovait. Këtë e tregoi mjaft qartë rasti kur ata ndoqën me besnikëri Davidin, i cili u detyrua të braktiste Jerusalemin ngaqë ‘zemra e njerëzve të Izraelit’ ishte me Absalomin rebel. (2Sa 15:13, 18) Gjithashtu, më vonë, keretitët e bindur ndihmuan për të shtypur kryengritjen e beniaminitit Sheba dhe mbështetën Solomonin, atë që kishte zgjedhur Davidi për ta pasuar në fronin e Izraelit.—2Sa 20:7; 1Mb 1:38, 39, 44.