Fitore mbi të keqen
«PËRSE ky qen i ngordhur duhet të kërkojë të keqen e zotërisë tim, mbretit? Lërmë të kaloj, të lutem, e t’i heq kokën.» Këtë kërkoi Abishai, prijës i ushtrisë izraelite. Ky ishte reagimi i tij gjithë zemërim, kur dëgjoi që një beniaminit i quajtur Shimei, ofendoi me urrejtje mbretin David, zotërinë e tij.—2. Samuelit 16:5-9, BR.
Abishai ishte i ndikuar nga një filozofi që është përqafuar gjerësisht sot: parimi i kundërpërgjigjes me të njëjtën monedhë. Po, Abishai donte ta bënte Shimein të vuante për fyerjet që ai zbrazi mbi Davidin.
Por, cili ishte reagimi i Davidit? Davidi e frenoi Abishain, duke i thënë: «Lëre, mos e nga.» Megjithëse i pafajshëm kundrejt akuzave të Shimeit, Davidi i rezistoi me përulësi tundimit për t’iu kundërpërgjigjur. Në vend të kësaj, ai i la gjërat në dorë të Jehovait.—2. Samuelit 16:10-13, BR.
Kur Davidi u kthye në fron pas arratisjes prej një revolte të dështuar të të birit, ndër të parët që e përshëndetën dhe i kërkuan falje ishte Shimei. Abishai sërish donte ta vriste atë, por Davidi sërish nuk e lejoi një gjë të tillë.—2. Samuelit 19:15-23.
Në këtë rast, Davidi tregoi se ishte një portretizim i denjë i Jezu Krishtit, për të cilin apostulli Pjetër shkroi: «Kur e fyenin, nuk e kthente fyerjen, . . . po dorëzohej tek ai që gjykon drejtësisht.»—1. Pjetrit 2:23.
Sot, të krishterët këshillohen që të jenë «të përulur në mendje, duke mos e kthyer të keqen me të keqe». (1. Pjetrit 3:8, 9, BR) Duke ndjekur drejtimin e dhënë nga Davidi dhe Jezu Krishti, edhe ne mund «të vazhdojmë të mundim të keqen me të mirën».—Romakëve 12:17-21, BR.