BAAL-PERAZIMI
[pronar i çarjeve].
Vendi ku mbreti David mposhti plotësisht forcat e bashkuara të filistinëve ca kohë pasi kishte pushtuar kalanë e Sionit. (2Sa 5:9, 17-21) Në tregim thuhet se, kur dëgjoi që filistinët po vinin t’i sulmonin, Davidi dhe njerëzit e tij ‘zbritën në vendin ku ishte e vështirë të arrije’, ndërsa filistinët «shkonin lart e poshtë nëpër ultësirën e Refaimit». Pasi Jehovai e siguroi se do ta mbështeste, Davidi i sulmoi dhe filistinët ia mbathën duke lënë pas idhujt e tyre. Duke i dhënë meritën Jehovait për fitoren, Davidi tha: «Jehovai ka krijuar një të çarë mes armiqve të mi përpara meje, si një çarje të hapur nga ujërat»; ja pse «atij vendi ia vuri emrin Baal-Perazim». Te 2 Samuelit 5:21 thuhet se Davidi dhe njerëzit e tij ‘i hoqën idhujt që kishin lënë pas filistinët’. Në tregimin paralel të 1 Kronikave 14:12 përshkruhet veprimi i fundit që bënë: «Pastaj Davidi dha urdhër, e kështu ato [idhujt] u dogjën në zjarr.»
Mendohet se mali i Perazimit që përmendi Isaia (28:21) i referohet të njëjtit vend. Përmendja e tij në këtë profeci të sjell ndër mend fitoren që korri Jehovai përmes Davidit në Baal-Perazim. Kjo fitore merret si shembull për veprën e çuditshme që do të kryhet. Si deklaron Jehovai, kur të bëjë këtë vepër të çuditshme, Ai ‘do të krijojë një të çarë’ mes armiqve të tij, duke vërshuar mbi ta si një përmbytje e beftë.
Ultësira e Refaimit mendohet se është rrafshina e Bakës në jugperëndim të Malit të Tempullit, e cila, pasi zbret për rreth 1,5 km, kthehet në një luginë të ngushtë, duke formuar kështu Vadi-el-Verdin (Nahal-Refaʼimin). Nisur nga kjo, disa studiues hedhin idenë se Baal-Perazimi ndodhej pranë kësaj lugine. Mirëpo, duke mbajtur parasysh paralelizmin që bëri Isaia (28:21) me «ultësirën afër Gibeonit», disa studiues sugjerojnë një vendndodhje në veriperëndim, ndoshta në Sheik-Bedr, afro 4 km në perëndim-veriperëndim të Malit të Tempullit. (Js 15:8, 9) Kjo do të përputhej me faktin se rruga nga ia mbathën filistinët, teksa i ndiqte Davidi, ishte në drejtim të Gibeonit dhe Gezerit.—2Sa 5:22, 25; 1Kr 14:16.