ISH-BOSHETHI
[që do të thotë «njeri i turpit»].
Me sa duket më i vogli nga bijtë e Saulit dhe pasuesi i tij në fron. Listat gjenealogjike tregojnë se ai quhej edhe Eshbaal, që do të thotë «njeri i Baalit». (1Kr 8:33; 9:39) Megjithatë, në fragmente të tjera, si te Libri i Dytë i Samuelit, ai quhet Ish-Bosheth, emër ku pjesa «baal» është zëvendësuar me «bosheth». (2Sa 2:10) Fjala hebraike bósheth gjendet te Jeremia 3:24 dhe përkthehet «turpi» ose «gjëja e turpshme». (DSF; ECM ) Në dy raste të tjera báʽal dhe bósheth përdoren si paralele dhe ndajshtim, ku njëri term shpjegon dhe paraqet tjetrin. (Jr 11:13; Ho 9:10) Ka edhe emra të tjerë personazhesh ku termi «bosheth» ose një nga format e tij zëvendëson termin «baal». Për shembull, «Jerubaal» është zëvendësuar me «Jerubesheth» (2Sa 11:21; Gjy 6:32) dhe «Merib-Baal» me «Mefiboshet», dhe ky i fundit është nipi i Ish-Boshethit.—2Sa 4:4; 1Kr 8:34; 9:40.
Nuk dihet arsyeja e këtyre zëvendësimeve ose emrave të dytë. Disa studiues përpiqen ta shpjegojnë ekzistencën e emrave të dyfishtë si një ndryshim që u bë kur emri i përgjithshëm «baal» (pronar; zotëri) filloi të përdorej gjithnjë e më shumë vetëm për Baalin, perëndinë e neveritshëm kananit të pjellorisë. Megjithatë, po në Librin e Dytë të Samuelit, ku gjendet tregimi për Ish-Boshethin, thuhet se vetë mbreti David, për nder të Zotërisë Jehova, e quajti një shesh beteje Baal-Perazim (që do të thotë «pronar i çarjeve»), sepse tha: «Jehovai ka krijuar një të çarë mes armiqve të mi.» (2Sa 5:20) Të tjerë mendojnë se emri Ish-Bosheth mund të ketë paraqitur në mënyrë profetike vdekjen e turpshme të këtij njeriu dhe fundin tragjik të dinastisë së Saulit.
Pas vdekjes së Saulit dhe të djemve të tjerë të tij në fushëbetejën e Gilboas, Abneri, një i afërm i Saulit dhe komandant i forcave të tij, e mori Ish-Boshethin matanë Jordanit në Mahanaim. Atje e bënë mbret mbi të gjitha fiset, përveç Judës që njihte si mbret vetëm Davidin. Në këtë kohë, Ish-Boshethi ishte 40 vjeç dhe thuhet se kishte mbretëruar për dy vjet. Bibla nuk e saktëson në ç’periudhë binin këto dy vjet gjatë mbretërimit prej shtatë vjetësh e gjysmë të Davidit në Hebron, ndaj është e pamundur të zgjidhen mospajtimet që kanë disa studiues në këtë pikë. Megjithatë, duket më e arsyeshme të mendojmë se Ish-Boshethi u bë mbret pak pas vdekjes së të atit (dhe jo pesë vjet më pas); nëse ishte kështu, duhet të kenë kaluar pesë vjet nga vrasja e tij deri në hipjen e Davidit në fron si mbret i gjithë Izraelit.—2Sa 2:8-11; 4:7; 5:4, 5.
Mbretërimi jetëshkurtër i Ish-Boshethit u karakterizua nga trazira brenda dhe jashtë. Lufta mes shtëpisë së tij dhe shtëpisë së Davidit «zgjati shumë»; gjatë një beteje ai humbi 360 burra, kurse Davidi 20. (2Sa 2:12-31; 3:1) Ndërkohë, Abneri, i afërmi i tij, po forconte pozitën e vet në kurriz të Ish-Boshethit, madje kishte arritur deri aty sa kishte kryer marrëdhënie me një nga konkubinat e Saulit, që sipas zakonit në Lindje ishte baraz me tradhtinë. Kur Ish-Boshethi e qortoi për këtë, Abneri nuk qëndroi më në krah të tij, por bëri një besëlidhje me Davidin, ku parashikohej ndër të tjera kthimi i Mikalës, gruas së Davidit dhe njëkohësisht motrës së Ish-Boshethit. (2Sa 3:6-21) Vrasja e Abnerit nga Joabi e dobësoi edhe më shumë pozitën e Ish-Boshethit. S’kaloi shumë e dy nga kapitenët e tij e vranë kur ai po merrte një sy gjumë në drekë. (2Sa 3:22-27; 4:1, 2, 5-7) Megjithatë, kur vrasësit i çuan Davidit kokën e Ish-Boshethit, me shpresë që të merrnin një shpërblim, ai i vrau dhe urdhëroi që koka e Ish-Boshethit të varrosej në varrin e Abnerit në Hebron.—2Sa 4:8-12.
Kështu, dinastia e Saulit që mund të kishte zgjatur «përjetësisht», pati një fund të beftë e të palavdishëm, jo për shkak të mëkateve të Ish-Boshethit, por për shkak të mëkateve të të atit. (1Sa 13:13; 15:26-29) Është e vërtetë se Ish-Boshethi ishte një sundimtar i dobët, që e fitoi fronin dhe e mbajti kryesisht falë mbështetjes së Abnerit. Megjithatë, Davidi e quajti «njeri të drejtë».—2Sa 4:11.