Ai mund të kish gëzuar miratimin e Perëndisë
NE I shërbejmë Jehovait dhe duam miratimin e tij, apo jo? Por kujt ia jep Perëndia miratimin dhe bekimet e tij? Disa në kohët biblike gëzuan miratimin e tij edhe pse kishin kryer më parë mëkate të rënda. Të tjerë që kishin cilësi për t’u admiruar nuk e fituan miratimin e Perëndisë. Prandaj ndoshta pyesim: «Çfarë kërkon Jehovai para së gjithash te secili nga ne?» Shembulli i Rehoboamit, mbretit të Judës, mund të na ndihmojë të gjejmë përgjigjen.
NJË FILLIM I DOBËT
Babai i Rehoboamit ishte Solomoni, që mbretëroi 40 vjet në Izrael. (1 Mbret. 11:42) Solomoni vdiq në vitin 997 p.e.s. Pas kësaj Rehoboami udhëtoi për në veri, nga Jerusalemi në Sikem, që të mirosej mbret. (2 Kron. 10:1) Mos vallë ishte në merak nëse do të ecte dot në gjurmët e Solomonit, që njihej për mençurinë e pashoqe? Ndoshta Rehoboamit as i shkonte ndër mend se aftësia e tij për të zgjidhur çështje të koklavitura do të vihej në provë pas pak.
Rehoboami duhet të ketë vërejtur se atmosfera në Izrael ishte tepër e tensionuar. Më pas, disa përfaqësues të popullit shkuan tek ai dhe ia thanë shkoqur hallin që i mundonte: «Ati yt na vuri një zgjedhë të rëndë. Ti tani na e lehtëso punën e rëndë që na ngarkoi ai dhe zgjedhën e rëndë që na vuri, e ne do të të shërbejmë.»—2 Kron. 10:3, 4.
Rehoboami mund të jetë ndier ngushtë, si në një udhë pa krye. Po t’i plotësonte kërkesat e popullit, atëherë ai, familja dhe oborrtarët e tij duhej të shkurtonin shpenzimet për ca gjëra luksi e të kërkonin më pak nga populli. Nga ana tjetër, po të refuzonte, populli mund të rebelohej. Ç’do të bënte? Mbreti i ri u këshillua në fillim me pleqtë që kishin qenë këshilltarët e Solomonit. Mirëpo pastaj Rehoboami kërkoi këshilla nga më të rinjtë, nga ata të moshës së tij. Duke ndjekur këshillën e tyre, Rehoboami vendosi ta trajtonte ashpër popullin. Ai dha këtë përgjigje: «Unë do ta bëj zgjedhën tuaj më të rëndë dhe do ta rëndoj edhe më shumë. Im atë ju ndëshkoi me fshikull, kurse unë do t’ju ndëshkoj me kamxhik.»—2 Kron. 10:6-14.
A dallon te kjo histori një mësim për ne sot? S’ka dyshim se shpesh është e mençur t’ua vëmë veshin më të moshuarve që kanë fituar pjekuri në udhën e së vërtetës. Me përvojën që kanë mbi supe, ata mund të dallojnë rezultatin e mundshëm të një vendimi, e kështu të na japin këshilla të mira.—Jobi 12:12.
«ATA IU BINDËN FJALËS SË JEHOVAIT»
Në përgjigje të revoltës, Rehoboami mobilizoi ushtrinë e tij. Mirëpo Jehovai ndërhyri nëpërmjet profetit Shemajah dhe u tha: «Mos dilni të luftoni kundër vëllezërve tuaj, bijve të Izraelit. Secili të kthehet në shtëpinë e vet, sepse këtë gjë e kam bërë unë.»—1 Mbret. 12:21-24.a
Pra, të mos kundërpërgjigjej fare?! Mund ta imagjinojmë sa shumë do ta ketë trazuar kjo Rehoboamin! Ç’do të mendonte populli për një mbret që kërcënonte t’i ndëshkonte nënshtetasit e vet «me kamxhik», por pak më vonë dorëzohej para rebelimit të tyre flagrant? (Krahaso 2 Kronikave 13:7.) Gjithsesi, mbreti dhe ushtria e tij «iu bindën fjalës së Jehovait dhe u kthyen në shtëpi ashtu siç u kishte thënë Jehovai».
Çfarë mësimi nxjerrim ne sot? Është gjë e mençur t’i bindemi Perëndisë, edhe sikur të tjerët të na tallin për këtë. Bindja ndaj Perëndisë sjell miratimin e tij dhe bekime.—Ligj. 28:2.
Cili qe rezultati në rastin e Rehoboamit? Pasi u bind duke hequr dorë nga plani për të luftuar kundër kombit të sapoformuar, ai u përqendrua te ndërtimi i qyteteve në territoret e fisit të Judës dhe të Beniaminit, mbi të cilat mbretëronte ende. Gjithashtu, përforcoi «shumë» një numër të madh qytetesh. (2 Kron. 11:5-12) Ç’është më e rëndësishmja, ndoqi me besnikëri për njëfarë kohe ligjet e Jehovait. Teksa mbretëria 10-fisëshe e Izraelit me mbret Jeroboamin fundosej në idhujtari, shumë veta nga ajo mbretëri «mbështetnin Rehoboamin», duke udhëtuar për në Jerusalem që të merrnin anën e adhurimit të vërtetë. (2 Kron. 11:16, 17) Kështu, bindja e Rehoboamit e forcoi mbretërinë e tij.
MËKATI—DHE NJËFARË PENDIMI
Mirëpo, kur mbretëria e tij ishte bërë e patundur, Rehoboami bëri diçka befasuese. Braktisi ligjin e Jehovait për të përkrahur adhurimin pagan! Po përse? Mos ndoshta u ndikua nga e ëma, që ishte amonite? (1 Mbret. 14:21) Cilatdo qofshin arsyet, kombi në tërësi ndoqi gjurmët e tij. Si pasojë, Jehovai lejoi që mbreti i Egjiptit, Shishaku, të zaptonte shumë qytete të Judës, edhe pse Rehoboami i kishte fortifikuar!—1 Mbret. 14:22-24; 2 Kron. 12:1-4.
Situata arriti në një pikë kritike kur Shishaku mbërriti në Jerusalem, ku mbretëronte Rehoboami. Në atë moment, profeti Shemajah u dha këtë mesazh nga Perëndia Rehoboamit dhe princave të tij: «Ju më keni lënë mua, prandaj edhe unë ju kam lënë ju në dorë të Shishakut.» Si reagoi Rehoboami ndaj këtij mesazhi disiplinues? Në një mënyrë që meriton të lavdërohet! Bibla thotë: «Princat e Izraelit dhe mbreti u përulën dhe thanë: ‘Jehovai është i drejtë.’» Si rrjedhojë, Jehovai i shpëtoi nga shkatërrimi Rehoboamin dhe Jerusalemin.—2 Kron. 12:5-7, 12.
Pas kësaj, Rehoboami vazhdoi të qeveriste mbi mbretërinë jugore. Para se të vdiste, ai u dha bujarisht dhurata bijve të tij të shumtë, me sa duket për t’i prerë rrugën ndonjë revolte kundër Abijahut, që ishte vëllai i tyre dhe pasuesi i tij në fron. (2 Kron. 11:21-23) Me këtë veprim, Rehoboami tregoi deri diku një mençuri që nuk e kishte shfaqur më parë.
SHEMBULL I MIRË APO I KEQ?
Pavarësisht nga meritat që kishte, Rehoboami nuk e fitoi miratimin e Perëndisë. Bibla e përmbledh me këto fjalë mbretërimin e tij: «Ai bëri atë që ishte e keqe.» Pse? Sepse «nuk ishte plotësisht i vendosur në zemër për të kërkuar Jehovain».—2 Kron. 12:14.
Mendo pak çfarë nënkuptonte kjo: Rehoboami iu bind disa herë Perëndisë. Gjithashtu, bëri disa gjëra të mira për kombin e Jehovait. Ama, nuk kultivoi një lidhje të ngushtë me Jehovain ose një dëshirë të zjarrtë për ta kënaqur. Si pasojë, kreu mëkate dhe ra në kurthin e adhurimit të rremë. Ndoshta pyesim veten: «Në rastet kur Rehoboami reagoi mirë ndaj ndreqjes hyjnore, a e nxiti vërtet pendimi i sinqertë dhe dëshira për të kënaqur Perëndinë? Apo veproi kryesisht i ndikuar nga të tjerët?» (2 Kron. 11:3, 4; 12:6) Më vonë gjatë jetës, Rehoboami iu kthye rrugës së keqe. Sa shumë ndryshonte nga gjyshi i tij, mbreti David! Vërtet, Davidi bëri gabime, por jeta e tij u karakterizua nga dashuria për Jehovain, nga përkushtimi ndaj adhurimit të vërtetë dhe nga pendimi me gjithë zemër për mëkatet e tij.—1 Mbret. 14:8; Psal. 51:1, 17; 63:1.
Pa dyshim që mund të nxjerrim një mësim nga shembulli i Rehoboamit. Është diçka e lavdërueshme të plotësojmë nevojat materiale të familjes dhe të përpiqemi të realizojmë gjëra me vlerë. Ama, për të gëzuar miratimin e Perëndisë, duhet që mbi gjithçka të mbështetim adhurimin e vërtetë dhe të qëndrojmë të patundur në të.
Që ta arrijmë këtë, duhet të bëjmë çmos të ushqejmë pareshtur një dashuri të thellë për Jehovain. Ashtu siç e mbajmë ndezur zjarrin duke i hedhur dru, duhet ta mbajmë ndezur dashurinë për Perëndinë me anë të studimit të rregullt të Fjalës së tij, meditimit për atë që lexojmë dhe lutjeve ngulmuese. (Psal. 1:2; Rom. 12:12) Pastaj dashuria për Jehovain do të na ngjallë dëshirën ta kënaqim në çdo gjë që bëjmë. Ajo do të na nxitë që—po të jetë hera-herës e nevojshme—të pendohemi me gjithë zemër. Ndryshe nga Rehoboami, ne do të qëndrojmë të palëkundur në adhurimin e vërtetë.—Jud. 20, 21.
a Për shkak të jobesnikërisë së Solomonit, Perëndia kishte treguar tashmë se mbretëria do të ndahej.—1 Mbret. 11:31.