Të guximshëm falë besimit dhe frikës nga Perëndia
«Ji i fortë dhe guximtar. . . . Unë Jehovai, Perëndia yt, do të jem me ty.»—JOSIU 1:9.
1, 2. (a) Nga pikëpamja njerëzore, sa shanse për fitore kishin izraelitët kundër kananitëve? (b) Çfarë sigurie iu dha Josiut?
NË VITIN 1473 p.e.s., kombi i Izraelit ishte gati të hynte në Tokën e Premtuar. I prisnin disa vështirësi, siç i kujtoi Moisiu popullit: «Ti sot po kalon Jordanin që të hysh e t’u marrësh pronat kombeve më të mëdha e më të fuqishme se ti, qyteteve të mëdha e të fortifikuara deri në qiell, bijve të anakimëve, një populli të madh e shtatlartë, për të cilin ti vetë . . . ke dëgjuar të thuhet: ‘Kush mund t’u dalë para bijve të Anakut?’» (Ligji i përtërirë 9:1, 2) Po, fama e këtyre luftëtarëve gjigantë ishte e madhe! Për më tepër, disa kananitë kishin ushtri të pajisura mirë, me kuaj e karroca që te rrotat kishin kosa prej hekuri.—Gjykatësit 4:13.
2 Kurse Izraeli kishte qenë një komb skllevërish dhe sapo kishte kaluar 40 vjet në shkretëtirë. Prandaj, nga pikëpamja njerëzore, as që kishin shanse për të fituar. E megjithatë, Moisiu kishte besim; ai arrinte ta «shihte» Jehovain tek i udhëhiqte. (Hebrenjve 11:27) Moisiu i tha popullit: «Jehovai, Perëndia yt, do të kalojë përpara teje. . . . Do t’i shfarosë e do t’i mposhtë ata para teje.» (Ligji i përtërirë 9:3; Psalmi 33:16, 17) Pas vdekjes së Moisiut, Jehovai e siguroi Josiun se do ta mbështeste, duke i thënë: «Ngrihu bashkë me tërë popullin, kalo Jordanin dhe hyr në vendin që po u jap bijve të Izraelit. Askush nuk do të mund të të bëjë ballë sa të kesh jetë. Siç isha me Moisiun, do të jem edhe me ty.»—Josiu 1:2, 5.
3. Çfarë e ndihmoi Josiun të kishte besim e guxim?
3 Për të pasur mbështetjen dhe udhëheqjen e Jehovait, Josiu duhej të lexonte Ligjin e Perëndisë, të meditonte rreth tij dhe të jetonte sipas tij. Jehovai i tha: «Atëherë do të kesh sukses në udhën tënde, atëherë do të veprosh me mençuri. A nuk të urdhërova të ishe i fortë dhe guximtar? Tani po të urdhëroj prapë: ji i fortë dhe guximtar. Mos u trondit e mos u tremb, sepse unë Jehovai, Perëndia yt, do të jem me ty kudo që të shkosh.» (Josiu 1:8, 9) Ngaqë e dëgjoi Perëndinë, Josiu ishte vërtet guximtar, i fortë dhe i suksesshëm. Kurse pjesa më e madhe e njerëzve të brezit të tij, nuk e dëgjuan Perëndinë. Si pasojë, nuk patën sukses dhe vdiqën në shkretëtirë.
Një popull pa besim e pa guxim
4, 5. (a) Çfarë qëndrimi kishin dhjetë vëzhguesit, ndryshe nga Josiu dhe Kalebi? (b) Si reagoi Jehovai ndaj mungesës së besimit nga ana e popullit?
4 Dyzet vjet para kësaj ngjarjeje, kur Izraeli iu afrua për herë të parë vendit të Kanaanit, Moisiu dërgoi 12 burra për të vëzhguar vendin. Kur u kthyen, dhjetë prej tyre ishin të frikësuar. Ata thanë: «Të gjithë njerëzit që pamë atje, janë burra me shtat të jashtëzakonshëm. Po, atje pamë gjigantët, bijtë e Anakut që vijnë nga nefilimët. Na u duk vetja si karkaleca.» A ishin gjigantë «të gjithë njerëzit» dhe jo vetëm anakimët? Jo. A ishin anakimët pasardhës të nefilimëve që jetuan para Përmbytjes? Natyrisht që jo! Po gjithsesi, për shkak të këtyre zmadhimeve të qëllimshme, të gjithë kampin e përfshiu një valë frike. Njerëzit madje donin të ktheheshin në Egjipt, ku kishin qenë skllevër!—Numrat 13:31–14:4.
5 Mirëpo, dy nga vëzhguesit, Josiu dhe Kalebi, ishin entuziastë për të hyrë në Tokën e Premtuar. Ata i thanë popullit: «[Kananitët] janë për ne si një kafshatë. Ata nuk kanë më strehë ku të futen, kurse ne kemi Jehovain. Mos ua kini frikën.» (Numrat 14:9) A po tregonin Josiu dhe Kalebi një optimizëm prej të marri? Aspak! Ashtu si pjesa tjetër e kombit, ata kishin parë kur Jehovai poshtëroi Egjiptin e fuqishëm dhe perënditë e tij me anë të dhjetë plagëve. Pastaj kishin parë kur Jehovai mbyti në Detin e Kuq faraonin dhe ushtritë e tij. (Psalmi 136:15) Është e qartë se frika që treguan dhjetë vëzhguesit dhe ata që u ndikuan prej tyre, ishte e pafalshme. «Deri kur nuk do të kenë besim tek unë pas gjithë atyre shenjave që kreva mes tyre?»—tha Jehovai, duke shprehur kështu se sa thellë ishte lënduar.—Numrat 14:11.
6. Si lidhet guximi me besimin dhe si shihet kjo në kohët e sotme?
6 Jehovai shkoi gjer në rrënjë të problemit. Qëndrimi burracak i popullit tregonte se ata nuk kishin besim. Po, besimi dhe guximi janë të lidhur shumë ngushtë me njëri-tjetrin, aq shumë, saqë apostulli Gjon shkroi për kongregacionin e krishterë dhe luftën e tij frymore: «Kjo është fitorja që e mundi botën, besimi ynë.» (1 Gjonit 5:4) Sot, falë besimit si ai i Josiut dhe i Kalebit, lajmi i mirë i Mbretërisë po predikohet në mbarë botën nga më shumë se gjashtë milionë Dëshmitarë të Jehovait, të rinj e të moshuar, të fortë e të dobët fizikisht. Asnjë armik nuk ka qenë në gjendje ta bëjë të heshtë këtë ushtri të fuqishme e të guximshme.—Romakëve 8:31.
Mos ‘u sprapsni’!
7. Çfarë do të thotë ‘të sprapsesh’?
7 Sot, shërbëtorët e Jehovait e predikojnë me guxim lajmin e mirë, sepse janë në një mendje me apostullin Pavël, që shkroi: «Ne nuk jemi lloji që sprapset për shkatërrim, por lloji që ka besim për ruajtjen gjallë të shpirtit.» (Hebrenjve 10:39) ‘Të sprapsesh’, siç tha Pavli, nuk do të thotë thjesht të kalosh një çast frike, pasi shumë shërbëtorë besnikë të Perëndisë kanë pasur nganjëherë çaste frike. (1 Samuelit 21:12; 1 Mbretërve 19:1-4) Jo, ‘të sprapsesh’ do të thotë «të largohesh, të tërhiqesh prapa», «të heqësh dorë nga e vërteta», siç shpjegon një fjalor biblik. Po ky fjalor shton se fjala ‘të sprapsesh’ mund të jetë një metaforë e bazuar në ‘uljen e velave të një anijeje, që të bën të ulësh ritmin’ për sa i përket shërbimit të Perëndisë. Natyrisht, ata që kanë besim të fortë as e çojnë nëpër mend ‘të ulin ritmin’ kur lindin vështirësi, qofshin këto përndjekje, sëmundje a sprova të tjera. Përkundrazi, ata sulen përpara në shërbim të Jehovait, të vetëdijshëm se ai interesohet thellësisht për ta dhe i njeh kufizimet e tyre. (Psalmi 55:22; 103:14) A ke edhe ti këtë lloj besimi?
8, 9. (a) Si ua forcoi besimin Jehovai të krishterëve të hershëm? (b) Ç’mund të bëjmë ne për të forcuar besimin tonë?
8 Në një rast, apostujt ndien se u mungonte disi besimi, prandaj i thanë Jezuit: «Na jep më shumë besim.» (Luka 17:5) Kërkesa e tyre e sinqertë u plotësua, sidomos në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., kur fryma e shenjtë që u ishte premtuar u derdh mbi dishepujt dhe u dha kuptueshmëri më të thellë për Fjalën e për qëllimin e Perëndisë. (Gjoni 14:26; Veprat 2:1-4) Pasi iu forcua besimi në këtë mënyrë, dishepujt ndërmorën një fushatë predikimi me anë të së cilës, pavarësisht nga kundërshtimi, lajmi i mirë iu predikua «të gjitha krijesave nën qiell».—Kolosianëve 1:23; Veprat 1:8; 28:22.
9 Edhe ne, për të forcuar besimin dhe për të ngulmuar në shërbim, duhet të studiojmë Shkrimet, të meditojmë rreth tyre e të lutemi për të marrë frymën e shenjtë. Vetëm duke e ngulitur thellë në mendje e në zemër të vërtetën e Perëndisë, siç bënë Josiu, Kalebi dhe dishepujt e hershëm të krishterë, do të kemi atë besim që na jep guximin e nevojshëm për të qëndruar në luftën tonë frymore dhe për të dalë fitimtarë.—Romakëve 10:17.
Nuk mjafton vetëm të besojmë se ka një Perëndi
10. Çfarë përfshin besimi i vërtetë?
10 Siç e treguan njerëzit besnikë të kohëve të lashta, besimi që të jep guxim e qëndrueshmëri përfshin më tepër sesa thjesht të besojmë se ka një Perëndi. (Jakovi 2:19) Kërkon që ne ta njohim Jehovain si person dhe të kemi siguri të plotë tek ai. (Psalmi 78:5-8; Proverbat 3:5, 6) Do të thotë të besojmë me gjithë zemër se është në të mirën tonë të zbatojmë ligjet dhe parimet e Perëndisë. (Isaia 48:17, 18) Besimi përfshin edhe të kemi siguri të plotë se Jehovai do t’i përmbushë të gjitha premtimet e tij dhe do të bëhet «shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm».—Hebrenjve 11:1, 6; Isaia 55:11.
11. Si u bekuan Josiu dhe Kalebi për besimin dhe guximin e tyre?
11 Një besim i tillë nuk rri në vend, por rritet ndërsa jetojmë sipas së vërtetës, ndërsa ‘shijojmë’ dobitë, ‘provojmë’ ose përjetojmë përgjigjet për lutjet tona dhe ndërsa e ndiejmë drejtimin e Jehovait në jetën tonë në mënyra të tjera. (Psalmi 34:8; 1 Gjonit 5:14, 15) Mund të jemi të sigurt se Josiut dhe Kalebit iu forcua besimi kur shijuan mirësinë e Perëndisë. (Josiu 23:14) Shqyrtoni këto hollësi: ata mbijetuan gjatë udhëtimit 40-vjeçar në shkretëtirë, siç u kishte premtuar Perëndia. (Numrat 14:27-30; 32:11, 12) Patën një rol aktiv në pushtimin e Kanaanit që zgjati gjashtë vjet. Së fundi, patën jetë të gjatë dhe shëndet të mirë, e madje morën trashëgimi më vete si individë. Sa shumë i shpërblen Jehovai ata që i shërbejnë me besim e me guxim!—Josiu 14:6, 9-14; 19:49, 50; 24:29.
12. Si ‘e plotëson madhërisht fjalën e tij’ Jehovai?
12 Dashamirësia që i tregoi Perëndia Josiut dhe Kalebit na sjell ndër mend fjalët e psalmistit: «Ti e plotësove fjalën tënde më madhërisht nga sa prisnim falë emrit tënd.» (Psalmi 138:2) Kur Jehovai jep emrin e vet si garanci për një premtim, ai premtim përmbushet «madhërisht» në kuptimin që tejkalon çdo pritje tonën. (Efesianëve 3:20) Po, Jehovai nuk i zhgënjen kurrë ata që ‘gjejnë kënaqësi të thellë’ tek ai!—Psalmi 37:3, 4.
Një njeri që ‘i pëlqeu Perëndisë’
13, 14. Pse i duhej besim e guxim Enokut?
13 Mund të mësojmë shumë gjëra për besimin dhe guximin duke shqyrtuar shembullin e Enokut, një dëshmitari tjetër të kohëve para krishterimit. Që para se të fillonte të profetizonte, Enoku e dinte se besimi dhe guximi i tij do të viheshin në provë. Si e dinte? Sepse, në Eden, Jehovai kishte thënë që do të kishte armiqësi ose urrejtje mes atyre që i shërbejnë Perëndisë dhe atyre që i shërbejnë Satana Djallit. (Zanafilla 3:15) Enoku e dinte edhe se kjo urrejtje kishte nisur që në fillim të historisë njerëzore, kur Kaini vrau të vëllanë, Abelin. Në fakt, babai i tyre, Adami, jetoi edhe afro 310 vjet pasi kishte lindur Enoku.—Zanafilla 5:3-18.
14 Por pavarësisht nga këto, me guxim Enoku «vazhdoi të ecte me Perëndinë e vërtetë» dhe të dënonte «fjalët tronditëse» që thoshin njerëzit kundër Jehovait. (Zanafilla 5:22; Juda 14, 15) Ky qëndrim i patrembur në mbështetje të adhurimit të vërtetë, me sa duket i solli shumë armiq Enokut, duke ia vënë jetën në rrezik. Në këtë rast, Jehovai e kurseu profetin nga vuajtjet e vdekjes. Pasi i zbuloi Enokut se «i kishte pëlqyer», Perëndia Jehova «e hoqi» nga jeta në vdekje, ndoshta gjatë një vegimi profetik.—Hebrenjve 11:5, 13; Zanafilla 5:24.
15. Ç’shembull të shkëlqyer la Enoku për shërbëtorët e Jehovait sot?
15 Menjëherë pasi përmendi faktin që Enoku u hoq, Pavli përsëri theksoi rëndësinë e besimit, duke thënë se «pa besim është e pamundur t’i pëlqesh» Perëndisë. (Hebrenjve 11:6) Po, besimi i dha Enokut guximin e nevojshëm për të ecur me Jehovain dhe për të shpallur mesazhin e Tij ndëshkues në një botë të paperëndishme. Në këtë drejtim, Enoku la një shembull të shkëlqyer për ne, pasi kemi një vepër të ngjashme për të bërë, në një botë që i kundërvihet adhurimit të vërtetë dhe që është e mbushur me çdo lloj ligësie.—Psalmi 92:7; Mateu 24:14; Zbulesa 12:17.
Guxim që vjen prej frikës nga Perëndia
16, 17. Kush ishte Abdia dhe në ç’situatë u gjend?
16 Përveç besimit, ka edhe një cilësi tjetër që na jep guxim, domethënë frika plot nderim ndaj Perëndisë. Le të shqyrtojmë shembullin e jashtëzakonshëm të një njeriu me frikë Perëndie, që jetoi në ditët e profetit Elija dhe të mbretit Akab, i cili sundonte në mbretërinë veriore të Izraelit. Gjatë mbretërimit të Akabit, mbretëria veriore u infektua në mënyrë të paparë nga adhurimi i Baalit. Në fakt, 450 profetë të Baalit dhe 400 profetë të shtyllës së shenjtë (një simbol i organeve gjenitale mashkullore), ‘hanin në tryezën e Jezebelës’, gruas së Akabit.—1 Mbretërve 16:30-33; 18:19.
17 Jezebela, armike e egër e Jehovait, u përpoq ta çrrënjoste nga vendi adhurimin e vërtetë. Ajo vrau disa profetë të Jehovait e madje u përpoq të vriste edhe Elijan i cili, sipas udhëzimeve të Perëndisë, kaloi Jordanin dhe u largua nga vendi. (1 Mbretërve 17:1-3; 18:13) A e mendoni dot sa e vështirë do të kishte qenë në atë kohë të mbështetje adhurimin e pastër në mbretërinë veriore? Më keq akoma, po sikur të punonit pikërisht në pallatin mbretëror? E tillë ishte situata ku u gjend Abdia,a një njeri me frikë Perëndie që ishte përgjegjës i shtëpisë së Akabit.—1 Mbretërve 18:3.
18. Çfarë e dallonte Abdinë si adhurues të Jehovait?
18 Pa dyshim, Abdia tregohej i kujdesshëm dhe i matur në adhurimin ndaj Jehovait. Po gjithsesi, nuk bënte kompromis. Në fakt, te 1 Mbretërve 18:3 na thuhet: «Abdia i frikësohej shumë Jehovait.» Po, Abdia kishte vërtet një frikë të jashtëzakonshme ndaj Perëndisë! Kjo frikë e shëndetshme i dha një guxim të pashoq, siç u duk menjëherë pasi Jezebela vrau profetët e Jehovait.
19. Çfarë bëri Abdia, që tregoi se ishte i guximshëm?
19 Lexojmë: «Kur Jezebela shfaroste profetët e Jehovait, Abdia mori njëqind profetë dhe i mbajti të fshehur, pesëdhjetë në një shpellë, dhe pesëdhjetë në një tjetër. U siguroi, gjithashtu, bukë e ujë.» (1 Mbretërve 18:4) Siç mund ta merrni me mend, ishte shumë e rrezikshme të mbaje me bukë fshehurazi njëqind veta. Abdia jo vetëm që duhej të ruhej nga Akabi dhe Jezebela, po nuk duhej ta diktonin as 850 profetët e rremë që shkonin e vinin në pallat. Përveç kësaj, edhe adhuruesit e shumtë të rremë në vend, që nga fshatarët e deri te princat, pa dyshim që do të kishin përfituar nga rasti për ta demaskuar Abdinë, e të fitonin kështu pëlqimin e mbretit e të mbretëreshës. E megjithatë, tamam nën hundën e gjithë këtyre idhujtarëve, Abdia u kujdes me guxim për nevojat e profetëve të Jehovait. Sa e fuqishme që mund të jetë frika nga Perëndia!
20. Si e ndihmoi Abdinë frika nga Perëndia dhe si ju ndihmon juve shembulli i tij?
20 Ngaqë Abdia tregoi guxim falë frikës nga Perëndia, Ai me sa duket e mbrojti nga armiqtë. Te Proverbat 29:25 thuhet: «Të dridhesh para njerëzve përbën një lak, por kush beson te Jehovai, është i mbrojtur.» Abdia nuk ishte mbinjerëzor; edhe ai kishte frikë se mos e kapnin dhe e vritnin, ashtu si do të kishim frikë edhe ne. (1 Mbretërve 18:7-9, 12) Po gjithsesi, frika nga Perëndia i dha guxim që të kapërcente frikën nga njeriu. Abdia është një shembull i shkëlqyer për të gjithë ne, sidomos për ata që e adhurojnë Jehovain duke rrezikuar lirinë ose edhe jetën e tyre. (Mateu 24:9) Po, le të përpiqemi të gjithë t’i shërbejmë Jehovait «me frikë Perëndie dhe nderim të thellë»!—Hebrenjve 12:28.
21. Çfarë do të shqyrtohet në artikullin vijues?
21 Por besimi dhe frika nga Perëndia nuk janë të vetmet cilësi që të japin guxim. Dashuria mund të jetë një forcë edhe më e madhe. «Perëndia nuk na dha frymën e burracakërisë, por të fuqisë, të dashurisë dhe të mendjes së shëndoshë»,—shkroi Pavli. (2 Timoteut 1:7) Në artikullin vijues do të shohim se si mund të na ndihmojë dashuria që t’i shërbejmë me guxim Jehovait gjatë këtyre ditëve të fundit kritike.—2 Timoteut 3:1.
[Shënimi]
a Jo profeti Abdia.
A mund të përgjigjeni?
• Çfarë i dha guxim Josiut dhe Kalebit?
• Çfarë do të thotë të kesh vërtet besim?
• Pse Enoku e shpalli pa u trembur mesazhin ndëshkues të Perëndisë?
• Si na ndihmon frika nga Perëndia që të kemi më shumë guxim?
[Figura në faqet 16, 17]
Jehovai e urdhëroi Josiun: «Ji i fortë dhe guximtar»
[Figura në faqen 18]
Abdia u kujdes për profetët e Perëndisë dhe i mbrojti
[Figurat në faqen 19]
Enoku e shpalli me guxim fjalën e Perëndisë