Një shembull i mirë apo një paralajmërim për ty?
‘Perëndia i Jakobit do të na mësojë udhët e tij, dhe ne do të ecim në shtigjet e tij.’—ISA. 2:3.
1, 2. Në cilat mënyra mund të nxjerrësh dobi nga shembujt biblikë?
ME SIGURI je dakord se mund të nxjerrësh dobi nga ajo që është shkruar në Bibël. Aty gjen shembuj të burrave e grave besnikë, jetën dhe cilësitë e të cilëve do të të pëlqente t’i imitoje. (Hebr. 11:32-34) Megjithatë, ndoshta ke vërejtur edhe shembuj paralajmërues—burra dhe gra, veprat ose qëndrimet e të cilëve bën mirë t’i shmangësh.
2 Faktikisht, disa individë që përmenden në Bibël shërbejnë si shembuj të mirë të udhës që duhet të ndjekim, por edhe si paralajmërim të asaj që duhet të shmangim. Mendo për Davidin, një bari i përulur e më pas një mbret i fuqishëm. Ai është një shembull i mirë i një njeriu që e donte të vërtetën dhe besonte te Jehovai. Megjithatë, Davidi u bë fajtor për gabime serioze, siç ishin ato me Betshebën, Uriahun dhe regjistrimin e pamençur të popullsisë. Por le të përqendrohemi te biri i tij, Solomoni, mbret dhe shkrimtar i Biblës. Së pari do të shohim dy mënyra se si ai ishte shembull i mirë.
‘Mençuria e Solomonit’
3. Pse mund të themi se Solomoni la një shembull të mirë për ne?
3 Solomoni më i Madh, Jezu Krishti, foli pozitivisht për mbretin Solomon, duke na e paraqitur si një shembull të mirë. Jezui u tha disa judenjve dyshues: «Mbretëresha e jugut do të ringjallet me këtë brez Ditën e Gjykimit dhe do ta dënojë, sepse ajo erdhi nga fundi i botës për të dëgjuar mençurinë e Solomonit. Por ja, këtu është dikush më i madh se Solomoni.» (Mat. 12:42) Po, Solomoni ishte i famshëm për mençurinë e tij dhe na nxit që ta fitojmë mençurinë.
4, 5. Si e fitoi mençurinë Solomoni, por në ç’kuptim ne e fitojmë ndryshe mençurinë?
4 Në fillim të mbretërimit të tij, Perëndia iu shfaq Solomonit në një ëndërr dhe e ftoi t’i bënte një kërkesë. I vetëdijshëm se kishte përvojë të kufizuar, Solomoni kërkoi mençuri. (Lexo 1 Mbretërve 3:5-9.) I kënaqur që mbreti kërkoi mençuri dhe jo pasuri e lavdi, Perëndia i dha «një zemër të mençur e me kuptueshmëri»—si edhe begati. (1 Mbret. 3:10-14) Siç përmendi Jezui, mençuria e Solomonit ishte kaq e jashtëzakonshme saqë mbretëresha e Shebës dëgjoi për të dhe bëri një udhëtim të gjatë që ta dëgjonte me veshët e vet.—1 Mbret. 10:1, 4-9.
5 Ne personalisht nuk presim të na jepet mençuri në mënyrë të mrekullueshme. Solomoni tha se «Jehovai jep mençuri», por ai shkroi se duhet të përpiqemi ta fitojmë këtë cilësi hyjnore: «Me veshin tënd t’i kushtosh vëmendje mençurisë, për ta prirur zemrën drejt aftësisë dalluese.» Në fakt ai përdori shprehje të tilla, si ‘thërrit’, ‘vazhdo të kërkosh’ dhe ‘vazhdo të rrëmosh’. (Prov. 2:1-6) Qartë, ne mund të fitojmë mençuri.
6. Si mund të tregojmë se po nxjerrim dobi nga shembulli i mirë i Solomonit për sa i përket mençurisë?
6 Do të ishte mirë të pyesnim veten: «A ndikon tek unë shembulli i Solomonit, që e konsideronte një thesar mençurinë hyjnore?» Pasiguritë ekonomike i kanë bërë disa të përqendrohen te puna dhe paratë ose kanë ndikuar te vendimet që duhej të merrnin në lidhje me llojin dhe sasinë e arsimimit. Ç’mund të thuhet për ty dhe familjen tënde? A tregojnë zgjedhjet tuaja se e konsideroni një thesar mençurinë hyjnore dhe po e kërkoni atë? Mos ndoshta duhet të bëni ndryshime lidhur me gjërat ku jeni përqendruar dhe synimet tuaja, me qëllim që të fitoni më shumë mençuri? Në të vërtetë, të fitoni mençuri dhe ta përdorni atë është për të mirën tuaj të përhershme. Solomoni shkroi: «Atëherë do të kuptosh drejtësinë, gjykimin dhe ndershmërinë, gjithë udhën e asaj që është e mirë.»—Prov. 2:9.
Lartësimi i adhurimit të vërtetë solli paqe
7. Si u arrit të ndërtohej një tempull madhështor për Perëndinë?
7 Në fillim të mbretërimit të tij, Solomoni ndërmori hapa për ta zëvendësuar tabernakullin, i cili po përdorej që nga koha e Moisiut, me një tempull madhështor. (1 Mbret. 6:1) Mund ta quajmë tempulli i Solomonit, por ky projekt nuk ishte ideja e tij ose mënyra e tij për të bërë emër si arkitekt a bamirës i pasur. Në fakt, ishte Davidi ai që propozoi për herë të parë ndërtimin e një tempulli, dhe më pas Perëndia i dha Davidit projekte të detajuara për tempullin dhe pajisjet e tij. Dhe Davidi dha një kontribut të madh për të financuar punën. (2 Sam. 7:2, 12, 13; 1 Kron. 22:14-16) Gjithsesi, përgjegjësinë për ta realizuar këtë projekt ndërtimi që zgjati shtatë vjet e gjysmë, e pati Solomoni.—1 Mbret. 6:37, 38; 7:51.
8, 9. (a) Në ç’kuptim Solomoni la një shembull të mirë për ne duke ngulmuar në vepra të mira? (b) Çfarë ndodhi ngaqë Solomoni e lartësoi adhurimin e vërtetë?
8 Kështu Solomoni la një shembull të mirë për ne duke ngulmuar në vepra të mira që lidheshin me ndërtimin e tempullit, dhe ai u përqendrua në adhurimin e Jehovait. Kur tempulli përfundoi dhe arka e besëlidhjes u vendos brenda tij, Solomoni bëri një lutje publike. Ndër të tjera ai iu lut Jehovait: «Mbaji sytë ditë e natë te kjo shtëpi, te vendi për të cilin the: ‘Emri im do të jetë atje’, për të dëgjuar lutjen që bën shërbëtori yt drejt këtij vendi.» (1 Mbret. 8:6, 29) Izraelitët dhe të huajt mund të luteshin drejt kësaj strukture ku thirrej emri i Perëndisë.—1 Mbret. 8:30, 41-43, 60.
9 Çfarë ndodhi ngaqë Solomoni e lartësoi adhurimin e vërtetë? Pasi festoi përurimin e tempullit, populli ishte ‘i gëzuar dhe plot me hare në zemër për gjithë mirësinë që i kishte treguar Jehovai Davidit, shërbëtorit të vet, dhe Izraelit’. (1 Mbret. 8:65, 66) Në fakt, mbretërimi 40-vjeçar i Solomonit u karakterizua nga një paqe dhe begati e jashtëzakonshme. (Lexo 1 Mbretërve 4:20, 21, 25.) Psalmi 72 e pasqyron këtë dhe na ndihmon të kuptojmë më mirë bekimet që do të gëzojmë nën sundimin e Solomonit më të Madh, Jezu Krishtit.—Psal. 72:6-8, 16.
Shembulli paralajmërues i Solomonit
10. Cili gabim i Solomonit mund të na vijë menjëherë në mendje?
10 Po pse mund të themi se jeta e Solomonit përbën edhe një paralajmërim? Ndoshta të vijnë në mendje gratë dhe konkubinat e tij të huaja. Në Bibël lexojmë: «Kur Solomoni u plak, gratë ia kishin kthyer zemrën që të ndiqte perëndi të tjera. Kështu ai nuk iu kushtua me gjithë zemër Jehovait.» (1 Mbret. 11:1-6) Pa dyshim, je i vendosur të mos e imitosh kurrë udhën e tij të marrë. Por, a është ky i vetmi paralajmërim që gjejmë në jetën e Solomonit? Shqyrto disa hollësi të jetës së tij që kalojnë lehtë pa u vënë re dhe shih se ç’paralajmërim gjen.
11. Cilat ishin pasojat që erdhën nga martesa e parë e Solomonit?
11 Solomoni mbretëroi 40 vjet. (2 Kron. 9:30) Atëherë, ç’përfundim mund të nxjerrësh nga 1 Mbretërve 14:21? (Lexoje.) Sipas këtij vargu, kur vdiq Solomoni, biri i tij, Rehoboami, u bë mbret në moshën 41-vjeçare. Nëna e tij e kishte emrin «Namah dhe ishte amonite». Kjo do të thotë që, para se Solomoni të bëhej mbret, u martua me një të huaj nga një komb armik që u shërbente idhujve. (Gjyk. 10:6; 2 Sam. 10:6) A i adhuronte ajo? Edhe nëse dikur i adhuronte, mund t’i ketë braktisur idhujt e të jetë bërë një adhuruese e vërtetë ashtu si Rahaba dhe Rutha. (Rutha 1:16; 4:13-17; Mat. 1:5, 6) Megjithatë, ka shumë të ngjarë që Solomoni të ketë pasur krushq amonitë që nuk i shërbenin Jehovait.
12, 13. Ç’vendim jo të mençur mori Solomoni në fillim të mbretërimit të tij? Si mund të ketë arsyetuar?
12 Gjërat morën përfundimisht një drejtim të keq pasi ai u bë mbret. Solomoni lidhi «krushqi me faraonin, mbretin e Egjiptit. Ai mori bijën e faraonit, [dhe] e çoi në Qytetin e Davidit». (1 Mbret. 3:1) A imitoi Ruthën kjo egjiptiane duke përqafuar adhurimin e vërtetë? Asgjë nuk tregon se veproi kështu. Përkundrazi, me kalimin e kohës Solomoni ndërtoi një shtëpi për të (dhe ndoshta për shërbyeset e saj egjiptiane) jashtë Qytetit të Davidit. Pse? Shkrimet thonë se veproi kështu pasi nuk ishte e përshtatshme për një adhuruese të rreme të banonte pranë arkës së besëlidhjes.—2 Kron. 8:11.
13 Solomoni mund të ketë menduar se do të kishte dobi nga ana politike po të martohej me një princeshë egjiptiane, por ky nuk ishte justifikim. Kohë më parë, Perëndia kishte ndaluar martesat me kananitët paganë, madje duke përmendur me emër disa popuj kananitë. (Dal. 34:11-16) A arsyetoi Solomoni se Egjipti nuk ishte mes atyre kombeve? Edhe nëse po, a do të ishte i vlefshëm ky arsyetim? Në të vërtetë, sjellja e tij shpërfilli rrezikun e qartë që kishte përmendur Jehovai—që një izraelit mund të largohej nga adhurimi i vërtetë e të jepej pas adhurimit të rremë.—Lexo Ligjin e përtërirë 7:1-4.
14. Si mund të nxjerrim dobi duke i kushtuar vëmendje shembullit paralajmërues të Solomonit?
14 A do të lejojmë që sjellja e Solomonit të jetë një shembull paralajmërues për ne? Një motër mund të përpiqet të gjejë justifikime për të nisur një lidhje romantike që shpërfill drejtimin e Perëndisë për t’u martuar «vetëm në Zotërinë». (1 Kor. 7:39) Po kështu mund të gjejë justifikime edhe dikush që përfshihet në sporte që nuk bëjnë pjesë në programin e shkollës ose në rrethe shkollore, që raporton më pak të ardhura për të cilat duhet të paguajë taksa ose nuk thotë të vërtetën kur i kërkohet të tregojë për disa veprime që mund të jenë të sikletshme. Pika për t’u theksuar është se Solomoni mund të ketë përdorur arsyetime të papërsosura për t’i bërë bisht asaj që kishte urdhëruar Perëndia, dhe i njëjti rrezik ekziston edhe për ne.
15. Si tregoi mëshirë Perëndia në rastin e Solomonit, por çfarë nuk duhet të harrojmë në lidhje me këtë?
15 Është interesante që pasi përmend martesën e Solomonit me atë princeshë të huaj, Bibla tregon se Perëndia ia plotësoi atij kërkesën për mençuri e i dha edhe pasuri. (1 Mbret. 3:10-13) Solomoni i kishte shpërfillur urdhërimet e Perëndisë, megjithatë askund nuk tregohet që Jehovai e hodhi poshtë me të shpejtë si mbret ose që e disiplinoi ashpër. Kjo përputhet me faktin se Perëndia e kupton që jemi njerëz të papërsosur, të bërë nga pluhuri. (Psal. 103:10, 13, 14) Por të mos harrojmë: veprimet tona mund të kenë pasoja tani ose ndoshta në të ardhmen.
Sa shumë gra!
16. Çfarë po shpërfillte Solomoni duke marrë shumë gra?
16 Në Këngën e Solomonit, mbreti foli me admirim për një virgjëreshë që ishte më e bukur se 60 mbretëresha dhe 80 konkubina. (Këng. 6:1, 8-10) Nëse këto fjalë i referohen situatës së Solomonit, ai kishte marrë tërë ato gra në atë periudhë të mbretërimit. Edhe sikur shumica prej tyre, ose të gjitha, të ishin adhuruese të vërteta, Perëndia kishte urdhëruar nëpërmjet Moisiut që një mbret i Izraelit nuk duhej ‘të shtonte gratë e veta, që zemra e tij të mos shmangej nga udha’. (Ligj. 17:17) Gjithsesi, edhe këtë herë Jehovai nuk e hodhi poshtë Solomonin. Në fakt, Perëndia e bekoi përsëri duke e përdorur që të kompozonte librin biblik Kënga e Solomonit.
17. Ç’të vërtetë nuk duhet të shpërfillim?
17 A lë të nënkuptojë kjo se Solomoni mundi ta shpërfillte urdhrin e Perëndisë pa u ndëshkuar ose që edhe ne mund të bëjmë po njësoj? Jo. Përkundrazi, tregon se Perëndia mund vazhdojë të shfaqë vetëpërmbajtje për ca kohë. Por fakti që një shërbëtor i Perëndisë shpërfill urdhërimet e tij pa pasur pasoja negative të menjëhershme, s’do të thotë se nuk do t’i ketë kurrë. Kujto çfarë shkroi Solomoni: «Ngaqë dënimi kundër një vepre të keqe nuk është ekzekutuar me shpejtësi, zemra e bijve të njerëzve është plotësisht e vendosur për të bërë keq.» Ai shtoi: «Unë e di mirë se atyre që i frikësohen Perëndisë së vërtetë do t’u dalë për mirë, sepse kanë pasur frikë nga ai.»—Ekl. 8:11, 12.
18. Si e ilustron rasti i Solomonit të vërtetën që gjejmë te Galatasve 6:7?
18 Ah sikur Solomoni të kishte vazhduar t’i vinte veshin kësaj të vërtete hyjnore! Po, ai kishte bërë shumë të mira dhe kishte gëzuar për një kohë të gjatë bekimet e Perëndisë. Por me kalimin e kohës, bëri hapa të gabuar njëri pas tjetrit. Ai e bëri zakon mosbindjen. Sa të vërteta ishin fjalët që apostulli Pavël u frymëzua të shkruante më vonë: «Mos u mashtroni: Perëndia nuk vihet në lojë. Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.» (Gal. 6:7) Me kalimin e kohës Solomoni korri fryte të trishtueshme ngaqë shpërfilli urdhërimet e Jehovait. Në Bibël lexojmë: «Përveç bijës së faraonit, mbreti Solomon dashuroi shumë gra të huaja: moabite, amonite, edomite, sidonite dhe hitite.» (1 Mbret. 11:1) Ka të ngjarë që shumë prej tyre të kenë qëndruar të lidhura pas perëndive të rreme dhe Solomoni nuk ishte i imunizuar. Ai u largua nga udha dhe humbi miratimin e Perëndisë tonë të durueshëm.—Lexo 1 Mbretërve 11:4-8.
Mëso nga shembulli i tij: I mirë dhe i keq
19. Pse themi se Bibla përmban shumë shembuj të mirë?
19 Nga dashamirësia Jehovai e frymëzoi Pavlin të shkruante: «Gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë, që, me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet, të kemi shpresë.» (Rom. 15:4) Në gjërat e shkruara përfshihen shumë shembuj të mirë të burrave dhe grave me besim të jashtëzakonshëm. Pavli mundi të thoshte: «E ç’të them më? Sepse nuk do të më dilte koha, po të vazhdoja të tregoja për Gideonin, Barakun, Samsonin, Jefteun, Davidin, si dhe për Samuelin e profetët e tjerë, që nëpërmjet besimit mundën mbretëri, vunë në veprim drejtësinë, morën premtimet, . . . nga të dobët u bënë të fuqishëm.» (Hebr. 11:32-34) Ne mund dhe duhet të nxjerrim dobi nga shembujt e mirë që gjenden në Shkrime, duke ndjekur ose imituar atë që paraqitet në ato tregime të shkëlqyera biblike.
20, 21. Pse dëshiron që të vazhdosh të mësosh nga shembujt paralajmërues që gjenden në Bibël?
20 Megjithatë, disa tregime biblike përfshijnë shembuj paralajmërues. Shembuj të tillë ishin disa burra dhe gra që, në një moment të caktuar, Jehovai i pranoi dhe i përdori si shërbëtorë të tij. Kur lexojmë Biblën, mund të vërejmë se në cilat rrethana dhe mënyra disa shërbëtorë të Perëndisë u larguan nga udha e u bënë kështu shembuj paralajmërues për ne. Ndoshta dallojmë se disa zhvilluan dalëngadalë qëndrime ose prirje të gabuara që në fund sollën pasoja të trishtueshme. Si mund të nxjerrim mësime nga këto tregime? Mund t’i bëjmë vetes pyetje të tilla: «Si u zhvillua ajo prirje? A mund të zhvillohet një prirje e tillë edhe tek unë? Ç’mund të bëj që ta shmang këtë dhe të nxjerr dobi nga ky shembull paralajmërues?»
21 Sigurisht që duhet t’i marrim seriozisht këta shembuj, pasi Pavli u frymëzua të shkruante: «Këto gjëra u ndodhnin atyre si shembuj dhe u shkruan si një paralajmërim për ne, mbi të cilët ka mbërritur fundi i sistemeve.»—1 Kor. 10:11.
Çfarë ke mësuar?
• Pse mund të thuash se në Bibël ka shembuj të mirë dhe shembuj paralajmërues?
• Si e bëri zakon mosbindjen Solomoni gjatë jetës së tij?
• Si mund të nxjerrësh dobi nga shembulli paralajmërues i Solomonit?
[Figura në faqen 9]
Solomoni e përdori mençurinë që i dha Perëndia
[Figurat në faqen 12]
A po nxjerr dobi nga shembulli paralajmërues i Solomonit?