Fjala e Jehovait është e gjallë
Pika kryesore nga libri i parë i Mbretërve
«KUR të drejtët shumohen, populli gëzohet, por, kur sundon i pabesi, populli rënkon.» (Fjalët e urta 29:2) Libri i parë i Mbretërve e ilustron shumë qartë se sa e vërtetë është kjo fjalë e urtë. Aty tregohet jeta e Solomonit, gjatë mbretërimit të të cilit, Izraeli i lashtë ka siguri dhe begati të madhe. Në librin e parë të Mbretërve tregohet edhe për ndarjen e kombit pas vdekjes së Solomonit dhe për 14 mbretër që e pasuan, disa në Izrael e disa në Judë. Vetëm dy nga ata mbretër i qëndruan vazhdimisht besnikë Jehovait. Veç kësaj, libri tregon edhe për veprimtarinë e gjashtë profetëve, një prej të cilëve ishte edhe profeti Elija.
Ky libër, i shkruar nga profeti Jeremia në Jerusalem e në Judë, përfshin një periudhë prej rreth 129 vjetësh, nga viti 1040 p.e.s. deri në vitin 911 p.e.s. Me sa duket, ndërsa përpilonte librin, Jeremia u konsultua edhe me regjistra të tjera të lashtë, si ‘libri i bëmave të Solomonit’, të cilat nuk ekzistojnë më.—1 Mbretërve 11:41; 14:19; 15:7.
NJË MBRET I MENÇUR SJELL PAQEN DHE BEGATINË
Që në fillim, libri i parë i Mbretërve na zgjon interesin duke treguar për përpjekjen e Adonijahut, birit të mbretit David, për të rrëmbyer fronin e të atit. Veprimi i menjëhershëm i profetit Natan e prish këtë plan dhe mbret bëhet Solomoni, djali tjetër i Davidit. Jehovai kënaqet nga kërkesa që i bën mbreti i sapovendosur në fron dhe i jep atij «një zemër të urtë dhe të zgjuar», si edhe «pasuri dhe lavdi». (1 Mbretërve 3:12, 13) Mençuria e mbretit s’ka të krahasuar dhe pasuria e tij është e pallogaritshme. Izraeli hyn në një periudhë paqeje dhe begatie.
Disa nga projektet e ndërtimit që realizon Solomoni janë tempulli i Jehovait dhe disa ndërtesa qeveritare. Jehovai e siguron Solomonin: «Unë do ta bëj të qëndrueshëm fronin e mbretërisë sate mbi Izrael për gjithnjë», me kusht që mbreti të vazhdojë të jetë i bindur. (1 Mbretërve 9:4, 5) Perëndia i vërtetë e paralajmëron edhe për pasojat e mosbindjes. Mirëpo, Solomoni merr shumë gra të huaja. I ndikuar prej tyre, i kthehet adhurimit të rremë, kur është në moshë të thyer. Jehovai parathotë se mbretëria e tij do të përçahet. Solomoni vdes në vitin 997 p.e.s., duke i dhënë fund mbretërimit 40-vjeçar. Fronin e trashëgon Rehoboami, i biri.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
1:5—Pse Adonijahu u përpoq të merrte fronin ndërkohë që Davidi ishte ende gjallë? Bibla nuk e thotë pse. Megjithatë, është e arsyeshme të nxjerrim përfundimin se Adonijahu mendonte që kishte të drejtën e fronit, meqë ishte djali më i madh i Davidit. Dhe kjo sepse vëllezërit e mëdhenj të Adonijahut, pra Amnoni dhe Absalomi, kishin vdekur, e ndoshta edhe Kileabi, djali tjetër i Davidit. (2 Samuelit 3:2-4; 13:28, 29; 18:14-17) Meqë kishte siguruar mbështetjen e Joabit, kreut të fuqishëm të ushtrisë, si edhe të Abiatarit, kryepriftit që kishte shumë ndikim, mbase Adonijahu ndihej i sigurt se do të fitonte. Bibla nuk thotë gjë nëse ai e dinte apo jo planin e Davidit, që fronin ta trashëgonte Solomoni. Megjithatë nuk i ftoi për ‘flijimet’ Solomonin dhe njerëzit e tjerë besnikë të Davidit. (1 Mbretërve 1:9, 10) Kjo lë të kuptohet se e konsideronte Solomonin si rivalin e tij.
1:49-53; 2:13-25—Pse Solomoni urdhëroi ta vritnin Adonijahun, pasi e kishte falur? Edhe pse Betsheba nuk e kuptoi, Solomoni e diktoi qartë pse Adonijahu i tha asaj që t’i kërkonte mbretit Abishagën për grua. Ndonëse Davidi nuk kishte pasur marrëdhënie seksuale me Abishagën e bukur, ajo konsiderohej konkubina e tij. Sipas zakonit të asaj kohe, ajo do t’i përkiste vetëm trashëgimtarit të ligjshëm të Davidit. Adonijahu mund të ketë menduar se, po të merrte për grua Abishagën, mund të përpiqej prapë të merrte fronin. Duke e parë kërkesën e Adonijahut si shprehje të ambicies së tij për të marrë mbretërinë, Solomoni e ktheu mbrapsht faljen.
6:37–8:2—Kur u përurua tempulli? Tempulli përfundoi muajin e tetë të vitit 1027 p.e.s., në vitin e 11-të të mbretërimit të Solomonit. Nga sa duket, për të sjellë pajisjet dhe për të bërë përgatitjet e tjera u deshën 11 muaj. Përurimi duhet të ketë ndodhur muajin e shtatë të vitit 1026 p.e.s. Në libër përshkruhen edhe projekte të tjera ndërtimi pas përfundimit të tempullit dhe para se të përmendet përurimi i tij, me sa duket për të dhënë një përshkrim më të plotë të ndërtimeve që u bënë në atë periudhë.—2 Kronikave 5:1-3.
9:10-13—A ishte në përputhje me Ligjin e Moisiut dhurata prej 20 qytetesh në krahinën e Galilesë që i bëri Solomoni mbretit Hiram të Tirit? Ndoshta në atë kohë mendohej se ligji që gjejmë te Levitiku 25:23, 24, zbatohej vetëm për zonën ku banonin izraelitë. Ka mundësi që qytetet të cilat Solomoni i dha Hiramit të ishin banuar nga joizraelitë, ndonëse gjendeshin brenda kufirit të Tokës së Premtuar. (Eksodi 23:31) Ose, ndoshta veprimi i Solomonit tregonte se ai nuk po e zbatonte plotësisht Ligjin, si në rastin kur ‘mori një numër të madh kuajsh’ dhe kur u martua me shumë gra. (Ligji i përtërirë 17:16, 17) Sidoqoftë, Hiramit nuk i pëlqeu dhurata. Ndoshta ato qytete nuk ishin mbajtur mirë nga banorët paganë ose mund të mos kenë pasur një pozicion të mirë gjeografik.
11:4—Mos vallë Solomoni u bë jobesnik në moshë të shkuar, për shkak të plakjes? Nga sa duket, nuk është kështu. Kur filloi të mbretëronte, Solomoni ishte shumë i ri, dhe, ndonëse mbretëroi për 40 vjet, nuk arriti një moshë shumë të thyer. Për më tepër, ai nuk u largua krejtësisht nga adhurimi i Jehovait. Me sa duket, u përpoq të ndiqte një rrugë të mesme, duke përzier disa forma adhurimi.
Mësime për ne:
2:26, 27, 35. Ajo që parathotë Jehovai, del gjithnjë. Heqja nga pozita e Abiatarit, që ishte pasardhës i Elit, përmbushi ‘fjalën që Zoti kishte shqiptuar lidhur me shtëpinë e Elit’. Zëvendësimi i Abiatarit me Sadokun, nga linja e Finehasit, përmbushi Numrat 25:10-13.—Eksodi 6:25; 1 Samuelit 2:31; 3:12; 1 Kronikave 24:3.
2:37, 41-46. Sa e rrezikshme është të mendojmë se mund t’i shkelim kufijtë pa pësuar gjë! Ata që, me dashje, largohen dhe nuk ndjekin më ‘rrugën e ngushtë që të çon në jetë’, do të vuajnë pasojat e këtij vendimi jo të mençur.—Mateu 7:14.
3:9, 12-14. Jehovai u përgjigjet lutjeve të sinqerta të shërbëtorëve të tij për të pasur mençuri, kuptueshmëri dhe udhëheqje, që të kryejnë shërbimin ndaj tij.—Jakovi 1:5.
8:22-53. Sa të ndjera ishin fjalët e çmueshmërisë që shprehu Solomoni për Jehovain, duke e quajtur Perëndi dashamirës, që përmbush premtimet dhe dëgjon lutjet! Meditimi rreth fjalëve të Solomonit në lutjen e përurimit të tempullit, do të na e shtojë çmueshmërinë për këto aspekte të personalitetit të Perëndisë, si edhe për të tjera.
11:9-14, 23, 26. Kur Solomoni nuk iu bind më në vitet e fundit të jetës, Jehovai ngriti kundër tij kundërshtarë. Apostulli Pjetër thotë: «Perëndia u kundërvihet fodullëve, por u jep dashamirësi të pamerituar të përulurve.»—1 Pjetrit 5:5.
11:30-40. Mbreti Solomon u përpoq ta vriste Jeroboamin, pasi kishte dëgjuar profecinë e Akijahut për Jeroboamin. Sa i ndryshëm kishte qenë reagimi i këtij mbreti rreth 40 vjet më parë, kur nuk pranoi të hakmerrej kundër Adonijahut dhe komplotuesve të tjerë! (1 Mbretërve 1:50-53) Solomoni e kishte ndryshuar sjelljen, ngaqë ishte larguar nga Jehovai.
NJË MBRETËRI E BASHKUAR PËRÇAHET
Jeroboami dhe populli vijnë para mbretit Rehoboam dhe i kërkojnë t’ua lehtësojë barrën që kishte vënë babai i tij, Solomoni. Në vend që t’ua plotësojë kërkesën, Rehoboami i kërcënon se do t’u vërë barrë edhe më të rënda. Dhjetë fise rebelohen dhe zgjedhin si mbret të tyre Jeroboamin. Mbretëria përçahet. Rehoboami sundon në mbretërinë jugore, që përbëhet nga fisi i Judës dhe i Beniaminit, kurse Jeroboami sundon në mbretërinë veriore të Izraelit, të përbërë nga dhjetë fise.
Që të mos e lërë popullin të shkojë në Jerusalem për të adhuruar, Jeroboami vendos dy viça ari, njërin në Dan dhe tjetrin në Bethel. Ndër mbretërit që mbretërojnë në Izrael pas Jeroboamit janë: Nadabi, Baasha, Elahu, Zimri, Tibni, Omri, Akabi dhe Ahaziahu. Në Judë, Rehoboamin e pasojnë Abijami, Asa, Jehozafati dhe Jehorami. Profetët që shërbejnë në kohën e këtyre mbretërve janë: Akijahu, Shemajahu dhe një njeri i Perëndisë që s’i është përmendur emri, si edhe Jehu, Elija e Mikajahu.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
18:21—Pse nuk foli populli, kur Elija u kërkoi të ndiqnin ose Jehovain, ose Baalin? Ndoshta e kuptuan që s’i kishin dhënë përkushtimin vetëm Jehovait, siç kërkonte ai, prandaj ndiheshin fajtorë. Ose ndoshta ndërgjegjja u ishte ngurtësuar deri në atë pikë, sa nuk u dukej e gabuar të adhuronin Baalin, ndërkohë që pretendonin se ishin adhurues të Jehovait. Vetëm pasi Jehovai bëri të qartë fuqinë e tij, vetëm atëherë thanë: «Jehovai është Perëndia i vërtetë! Jehovai është Perëndia i vërtetë!»—1 Mbretërve 18:39, BR.
20:34—Pse Akabi nuk e vrau mbretin e sirianëve, Ben-Hadadin, pasi Jehovai i kishte dhënë fitoren mbi sirianët? Në vend që ta vriste Ben-Hadadin, Akabi bëri një marrëveshje me të, sipas së cilës, rrugët e Damaskut, kryeqytetit të Sirisë, do t’i jepeshin si pronë Akabit, me sa duket për të ngritur pazare ose tregje. Më parë, po njësoj kishte vepruar babai i Ben-Hadadit, që kishte marrë si pronë disa rrugë të Samarisë, për qëllime tregtie. Prandaj, Ben-Hadadi u lirua me qëllim që Akabi të vendoste lidhje tregtie me Damaskun.
Mësime për ne:
12:13, 14. Kur të marrim vendime të rëndësishme në jetë, duhet të kërkojmë këshilla nga individë të mençur e të pjekur, që i njohin Shkrimet dhe që kanë shumë respekt për parimet hyjnore.
13:11-24. Këshillat ose sugjerimet që duken të dyshimta, duhet të vlerësohen sipas drejtimit të mençur që jep Fjala e Perëndisë, edhe sikur të na jepen nga ndonjë bashkëbesimtar që ka qëllime të mira.—1 Gjonit 4:1.
14:13. Jehovai na heton, duke kërkuar gjërat e mira që mund të kemi. Sado e vogël ose e papërfillshme të jetë kjo gjë e mirë, ai mund ta bëjë të rritet ndërkohë që ne bëjmë çmos t’i shërbejmë atij.
15:10-13. Me guxim, duhet ta hedhim poshtë apostazinë dhe të mbështetim adhurimin e vërtetë.
17:10-16. Vejusha e Zarefatit e kuptoi që Elija ishte profet dhe e mirëpriti si të tillë, e Jehovai e bekoi për besimin dhe veprat e saj. Edhe sot Jehovai i vëren veprat tona të besimit dhe i shpërblen ata që e mbështetin në mënyra të ndryshme veprën e Mbretërisë.—Mateu 6:33; 10:41, 42; Hebrenjve 6:10.
19:1-8. Kur hasim kundërshtim të ashpër, mund të jemi të sigurt se Jehovai na mbështet.—2 Korintasve 4:7-9.
19:10, 14, 18. Adhuruesit e vërtetë nuk janë kurrë vetëm. Kanë Jehovain dhe një vëllazëri mbarëbotërore.
19:11-13. Jehovai nuk është perëndi i natyrës ose thjesht personifikim i forcave të natyrës.
20:11. Kur Ben-Hadadi u mburr se do ta shkatërronte Samarinë, mbreti i Izraelit u përgjigj: «Ai që ka armaturën në trup [domethënë që po përgatitet për betejë] të mos lavdërohet si ai që e heq» armaturën kur kthehet fitimtar nga beteja. Kur na jepet një detyrë e re, duhet të shmangim sigurinë e tepruar në vetvete, që është veti e mburravecëve.—Fjalët e urta 27:1; Jakovi 4:13-16.
Me shumë vlerë për ne
Kur po tregonte se si u dha Ligji në malin Sinai, Moisiu u tha bijve të Izraelit: «Shikoni, unë vë sot para jush bekimin dhe mallkimin; bekimin në rast se u bindeni urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tuaj, që sot ju përcaktoj; mallkimin, në rast se nuk u bindeni urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tuaj dhe largoheni nga rruga që ju përcaktoj sot.»—Ligji i përtërirë 11:26-28.
Sa qartë na shpaloset kjo e vërtetë themelore në librin e parë të Mbretërve! Siç e kemi parë, ky libër përmban edhe mësime të tjera me vlerë. Mesazhi i tij është vërtet i gjallë dhe ushtron fuqi.—Hebrenjve 4:12.
[Figura në faqen 29]
Tempulli dhe ndërtime të tjera që bëri Solomoni
[Figura në faqet 30, 31]
Pasi Jehovai e tregoi qartë fuqinë e tij, populli thirri: «Jehovai është Perëndia i vërtetë!»