IZRAELI
[ndeshet (ngulmon) me Perëndinë; ose Perëndia ndeshet].
1. Emri që Perëndia i vuri Jakobit kur ishte rreth 97 vjeç. Natën kur kaloi luginën e përroit të Jabokut dhe po shkonte të takonte të vëllanë, Esaun, Jakobi nisi të përleshej me dikë që, siç u kuptua më pas, ishte një engjëll. Ngaqë ngulmoi në atë përleshje, Jakobit iu ndërrua emri në Izrael, si shenjë e bekimit të Perëndisë. Për të kujtuar këto ngjarje, Jakobi e quajti vendin Peniel ose Penuel. (Zn 32:22-31; shih JAKOBI nr. 1.) Më vonë, në Bethel, Perëndia e konfirmoi ndryshimin e emrit të Jakobit dhe që nga ai moment e deri në fund të jetës ai u quajt shpesh Izrael. (Zn 35:10, 15; 50:2; 1Kr 1:34) Megjithatë, nga më shumë se 2.500 rastet që shfaqet emri Izrael, një pjesë e mirë lidhen me pasardhësit e Jakobit si komb.—Da 5:1, 2.
2. Të gjithë pasardhësit e Jakobit si grup, në çfarëdo periudhe. (Da 9:4; Js 3:7; Ezd 2:2b; Mt 8:10) Si pasardhës të 12 bijve të Jakobit, shpesh ata quheshin «bijtë e Izraelit»; disi më rrallë edhe ‘shtëpia e Izraelit’, «populli i Izraelit», ‘burrat e Izraelit’, «kombi i Izraelit» ose «izraelitë».—Zn 32:32; Mt 10:6; Ve 4:10; 5:35; Ef 2:12; Ro 9:4; shih IZRAELIT.
Në vitin 1728 p.e.s., zia e bukës e detyroi familjen e Jakobit të udhëtonte për në Egjipt, ku pasardhësit e tyre jetuan 215 vjet si të ardhur. Izraelitët e ‘shtëpisë së Jakobit në Egjipt’, pa llogaritur gratë e bijve të Jakobit, ishin gjithsej 70. Por, gjatë qëndrimit atje, u bënë një komunitet skllevërish jashtëzakonisht i madh, ndoshta dy a tre milionë veta ose edhe më shumë.—Zn 46:26, 27; Da 1:7; shih DALJA.
Në shtratin e vdekjes, Jakobi i bekoi 12 bijtë e vet sipas kësaj radhe: Rubenin, Simeonin, Levin, Judën, Zabulonin, Isakarin, Danin, Gadin, Asherin, Neftalin, Jozefin, Beniaminin. Nëpërmjet tyre vazhdoi brez pas brezi ndarja patriarkale e fiseve. (Zn 49:2-28) Mirëpo, gjatë skllavërisë së Izraelit, egjiptianët vendosën sistemin e vet drejtues, të pavarur nga organizimi patriarkal, dhe caktuan disa izraelitë si të parë të popullit. Këta llogaritnin sa tulla bëheshin dhe ndihmonin përgjegjësit egjiptianë, që i shtrëngonin izraelitët të punonin. (Da 5:6-19) Kurse Moisiu ia bënte të njohura kongregacionit udhëzimet e Jehovait me anë të ‘pleqve të Izraelit’, që trashëgonin rolin si krerë të shtëpive atërore. Gjithashtu, ishin ata që e shoqëruan kur doli para faraonit.—Da 3:16, 18; 4:29, 30; 12:21.
Në kohën e duhur, në vitin 1513 p.e.s., kur përfundoi periudha e parathënë 400-vjeçare e mundimeve, Jehovai dërrmoi fuqinë botërore të Egjiptit dhe e nxori nga skllavëria popullin e vet, Izraelin, me një shfaqje madhështore që tregoi se është Sovrani i Plotfuqishëm. Me ta shkoi edhe «një turmë e madhe e përzier» joizraelitësh, që ishin të gëzuar të bashkoheshin me popullin e zgjedhur të Perëndisë.—Zn 15:13; Ve 7:6; Da 12:38.
Lindja e kombit. Sipas besëlidhjes me Abrahamin, kongregacioni i Izraelit që u formua më pas konsiderohej si një individ i vetëm, kështu që mund ta rimerrte ose ta riblente nga skllavëria një farefis i afërt. Nëpërmjet asaj besëlidhjeje ligjore, farefisi i afërt ishte Jehovai, Ati i tyre. Si Riblerësi i ligjshëm, ai përdori fuqinë ndëshkuese për të vrarë të parëlindurin e faraonit, ngaqë nuk kishte pranuar të lironte birin ‘e parëlindur’ të Perëndisë, Izraelin. (Da 4:22, 23; 6:2-7) Kështu, pasi u çlirua në mënyrë ligjore nga Egjipti, Izraeli u bë prona e veçantë e Jehovait. Ai tha: «Nga të gjitha familjet e tokës, unë ju kam njohur vetëm ju.» (Am 3:2; Da 19:5, 6; Lp 7:6) Gjithsesi, Perëndisë iu duk me vend që tani të mos i trajtonte më thjesht si një shoqëri patriarkale, por si kombin e Izraelit, që e krijoi vetë dhe që i dha një qeveri teokratike, e cila kishte për kushtetutë besëlidhjen e Ligjit.
Brenda tre muajsh pasi doli nga Egjipti, Izraeli u bë një komb i pavarur nën besëlidhjen e Ligjit, që hyri në fuqi në malin e Sinait. (He 9:19, 20) Dhjetë Fjalët ose Dhjetë Urdhërimet e shkruara «me gishtin e Perëndisë» përbënin themelin e atij kodi ligjor kombëtar, të cilit iu shtuan rreth 600 ligje, norma, rregulla dhe vendime gjyqësore. Kështu, ai ishte kodi ligjor më i plotë ndër gjithë kodet e popujve të lashtë dhe shtjellonte deri në hollësitë më të vogla ç’marrëdhënie duhej të kishin njerëzit me Perëndinë dhe me njëri-tjetrin.—Da 31:18; 34:27, 28.
Meqë ajo qeverisje ishte krejtësisht teokratike, gjithë autoritetin gjyqësor, ligjvënës dhe ekzekutiv e kishte Jehovai. (Is 33:22; Jk 4:12) Pastaj Teokrati i Madh i delegonte njëfarë pushteti administrativ përfaqësuesve të tij të emëruar. Kodi ligjor madje parashikonte se në të ardhmen një dinasti mbretërish do ta përfaqësonte Jehovain në çështjet civile. Gjithsesi, ata mbretër nuk ishin monarkë absolutë, pasi priftëria ishte e shkëputur nga pushteti mbretëror dhe e pavarur nga ai. Mbretërit, në fakt, uleshin në «fronin e Jehovait» si përfaqësues të tij, të nënshtruar ndaj udhëzimeve dhe disiplinës së tij.—Lp 17:14-20; 1Kr 29:23; 2Kr 26:16-21.
Në atë kod kushtetues, adhurimi i Jehovait qëndronte mbi gjithçka tjetër dhe mbizotëronte në çdo aspekt të jetës e të veprimtarive të kombit. Idhujtaria konsiderohej një tradhti e rëndë që ndëshkohej me vdekje. (Lp 4:15-19; 6:13-15; 13:1-5) Tabernakulli i shenjtë, e më pas tempulli, me flijimet e caktuara që bëheshin atje, ishte qendra fizike e adhurimit. Priftëria e emëruar nga Perëndia kishte Urimin dhe Thumimin, nëpërmjet të cilëve merrte përgjigje nga Jehovai rreth çështjeve të rëndësishme e të vështira për jetë a vdekje. (Da 28:30) Mbaheshin rregullisht asamble ku shkonin burra, gra e fëmijë (për burrat ishin të detyrueshme), të cilat shërbenin për të forcuar marrëdhënien e kombit me Perëndinë, si edhe unitetin.—Le 23:2; Lp 31:10-13.
U vendosën gjykatës të «dhjetësheve», të «pesëdhjetësheve», të «qindësheve» dhe të «mijësheve». Falë atij sistemi, mund të trajtoheshin shpejt çështjet që ngrinte populli. Gjithashtu, mund t’i apeloheshin Moisiut, i cili mund t’ia parashtronte çështjen Jehovait po të ishte e nevojshme, që ta jepte Ai vendimin përfundimtar. (Da 18:19-26; Lp 16:18) Edhe organizimi ushtarak, me sistemin e rekrutimit dhe ndarjen e komandës, ndiqte një kriter numerik të ngjashëm.—Nu 1:3, 4, 16; 31:3-6, 14, 48.
Përgjegjësitë e shumëllojshme civile, gjyqësore dhe ushtarake i përmbushnin krerët e fiseve—pleq me përvojë, të mençur e të matur. (Lp 1:13-15) Këta pleq qëndronin para Jehovait si përfaqësues të mbarë kongregacionit të Izraelit dhe nëpërmjet tyre, Jehovai dhe Moisiu i flitnin popullit. (Da 3:15, 16) Ata burra dëgjonin me durim çështjet gjyqësore, siguroheshin që të zbatoheshin aspektet e ndryshme të besëlidhjes së Ligjit (Lp 21:18-21; 22:15-21; 25:7-10), çonin në vend vendimet që kishte dhënë tashmë Perëndia (Lp 19:11, 12; 21:1-9), shërbenin si komandantë ushtarakë (Nu 1:16), ratifikonin traktatet e lidhura (Js 9:15) dhe, si grup nën udhëheqjen e kryepriftit, plotësonin përgjegjësi të tjera (Js 22:13-16).
Në shtetin e ri teokratik të Izraelit me pushtet të centralizuar ruhej edhe ndarja patriarkale në 12 fise. Megjithatë, që fisi i Levit të përjashtohej nga shërbimi ushtarak (e kështu t’ia kushtonte kohën vetëm çështjeve të adhurimit) dhe njëkohësisht të mbeteshin 12 fise mes të cilave të ndahej në 12 pjesë Toka e Premtuar, u bënë disa rregullime formale në gjenealogji. (Nu 1:49, 50; 18:20-24) Veç kësaj, ishte çështja e të drejtave të të parëlindurit. Rubenit, të parëlindurit të Jakobit, i takonte një pjesë trashëgimie e dyfishtë (krahaso Lp 21:17), por ai e humbi këtë të drejtë kur kreu incest me konkubinën e të atit. (Zn 35:22; 49:3, 4) Mungesa e Levit mes 12 fiseve, si edhe mungesa e atij që kishte të drejtat e të parëlindurit krijuan boshllëqe që duheshin plotësuar.
Jehovai i ndreqi të dyja çështjet në një mënyrë relativisht të thjeshtë, me një veprim të vetëm. Dy bijtë e Jozefit, Efraimi dhe Manaseu, u caktuan krerë fisesh me të drejta të plota. (Zn 48:1-6; 1Kr 5:1, 2) Numri i fiseve, duke përjashtuar Levin, shkoi sërish në 12, dhe Jozefit, që përfaqësohej nga bijtë e tij Efraim dhe Manase, iu dha një pjesë toke e dyfishtë. Kështu, të drejtat e të parëlindurit iu hoqën Rubenit, të parëlindurit të Leas, dhe iu dhanë Jozefit, të parëlindurit të Rakelës. (Zn 29:31, 32; 30:22-24) Me këto ndryshime, emrat e 12 fiseve (jolevite) të Izraelit ishin: Rubeni, Simeoni, Juda, Isakari, Zabuloni, Efraimi, Manaseu, Beniamini, Dani, Asheri, Gadi dhe Neftali.—Nu 1:4-15.
Nga Sinai në Tokën e Premtuar. Vetëm 2 nga 12 vëzhguesit e dërguar në Tokën e Premtuar u kthyen me besim aq të fortë, sa t’u jepnin zemër vëllezërve të tyre që të mësynin dhe ta pushtonin vendin. Për shkak të asaj mungese të përgjithshme besimi, Jehovai vendosi që, me përjashtime të pakta, të gjithë ata nga 20 vjeç e sipër që kishin dalë nga Egjipti, të vdisnin aty ku ishin, në shkretëtirë. (Nu 13:25-33; 14:26-34) Kështu, kampi i madh i Izraelit u end për 40 vjet nëpër gadishullin e Sinait. Edhe Moisiu dhe Aaroni vdiqën pa vënë këmbë në Tokën e Premtuar. Pak kohë pasi Izraeli doli nga Egjipti, një regjistrim tregoi se kishte gjithsej 603.550 burra, por afro 39 vjet më vonë, brezi i ri numëronte 1.820 veta më pak, pra 601.730.—Nu 1:45, 46; 26:51.
Gjatë jetës nomade në shkretëtirë, Jehovai ishte si një mur mbrojtës përqark Izraelit, një mburojë që i ruante nga armiqtë. Vetëm kur izraelitët ngrinin krye kundër tij, lejonte t’u binin të këqija. (Nu 21:5, 6) Gjithashtu, Jehovai u siguronte gjithçka të nevojshme. Ai u dha manë e ujë, u dha rregulla higjienike për t’u ruajtur shëndetin, e madje nuk lejoi t’u vjetroheshin sandalet. (Da 15:23-25; 16:31, 35; Lp 29:5) Por, me gjithë kujdesin e dashur dhe mrekullitë që bënte Jehovai për ta, Izraeli shpesh murmuriste e ankohej; hera-herës ngriheshin disa rebelë që sfidonin emërimet teokratike dhe Jehovait i duhej t’i disiplinonte rreptë, që të tjerët të mësonin t’i frikësoheshin e t’i bindeshin Çlirimtarit të Madh.—Nu 14:2-12; 16:1-3; Lp 9:24; 1Ko 10:10.
Udhëtimit 40-vjeçar të Izraelit nëpër shkretëtirë po i vinte fundi kur Jehovai u dha në dorë mbretërit e amoritëve, Sihonin dhe Ogun. Me atë fitore, Izraeli trashëgoi një territor të madh në lindje të Jordanit, ku u vendosën me banim fisi i Rubenit, fisi i Gadit dhe gjysma e fisit të Manaseut.—Lp 3:1-13; Js 2:10.
Periudha e gjykatësve. Pas vdekjes së Moisiut, në vitin 1473 p.e.s. Josiu i udhëhoqi izraelitët matanë Jordanit, drejt vendit ‘ku rridhte qumësht e mjaltë’. (Nu 13:27; Lp 27:3) Pastaj, në një fushatë të gjerë gjashtëvjeçare, ata pushtuan territorin që ishte nën sundimin e 31 mbretërve në perëndim të Jordanit, ku përfshiheshin edhe qytete të fortifikuara si Jerikoja dhe Ai. (Js 1 deri në 12) Bënë përjashtim rrafshinat bregdetare dhe disa qytete-enklava, si qyteti bastion i jebusitëve që u bë më vonë Qyteti i Davidit. (Js 13:1-6; 2Sa 5:6-9) Këta elementë që i kundërviheshin Perëndisë dhe që u lejuan të qëndronin, iu bënë Izraelit si gjemba në ijë, dhe krushqitë me ta vetëm sa ia shtonin dhembjen. Për një periudhë më se 380-vjeçare, që nga vdekja e Josiut e derisa Davidi i bëri zap plotësisht, adhuruesit e perëndive të rreme shërbyen ‘si mjet për ta vënë në provë Izraelin e për të parë nëse ata do t’u bindeshin urdhërimeve të Jehovait’.—Gjy 3:4-6.
Territori i porsapushtuar u nda me short mes fiseve të Izraelit, ashtu si e kishte urdhëruar Jehovai Moisiun. Gjashtë ‘qytete strehimi’ u lanë mënjanë si strehim për ata që vritnin padashur një njeri. Këto, bashkë me 42 qytete të tjera dhe kullotat rreth e qark tyre, iu dhanë fisit të Levit.—Js 13 deri në 21.
Siç parashikonte besëlidhja e Ligjit, çdo qytet vendoste te portat e tij gjykatës dhe të parë, që trajtonin çështjet gjyqësore (Lp 16:18), si edhe pleq përfaqësues, që kujdeseshin për interesat e përgjithshme të qytetit. (Gjy 11:5) Edhe pse fiset mbanin identitetin dhe trashëgiminë e tyre, pushteti organizativ i centralizuar që ushtrohej gjatë qëndrimit në shkretëtirë, tani thuajse nuk ekzistonte më. Kënga e Deborës dhe e Barakut, ndodhitë rreth luftës së Gideonit dhe veprat e Jefteut nxjerrin në pah problemet e krijuara nga mungesa e unitetit, të cilat lindën pas vdekjes së Moisiut dhe të pasuesit të tij, Josiut, ngaqë populli nuk kërkoi udhëheqjen e Kreut të vet të padukshëm, Perëndisë Jehova.—Gjy 5:1-31; 8:1-3; 11:1–12:7.
Si vdiq Josiu dhe pleqtë e brezit të tij, besnikëria dhe bindja e popullit ndaj Jehovait nisën të dobësoheshin dhe ata luhateshin sa nga adhurimi i vërtetë në adhurimin e rremë. (Gjy 2:7, 11-13, 18, 19) Kur e braktisnin Jehovain dhe u shërbenin Baalëve, Jehovai nuk i mbronte më dhe lejonte që kombet përqark t’i zhvatnin. Shtypja i sillte në vete dhe u kujtonte se duhej të ishin të bashkuar, e kështu Izraeli kryeneç i lutej Jehovait, i cili i jepte gjykatës ose shpëtimtarë që ta çlironte popullin. (Gjy 2:10-16; 3:15) Josiun e pasuan një varg gjykatësish sypatrembur, si: Otnieli, Ehudi, Shamgari, Baraku, Gideoni, Tola, Jairi, Jefteu, Ibzani, Eloni, Abdoni dhe Samsoni.—Gjy 3 deri në 16.
Pas çdo çlirimi, uniteti i kombit forcohej. Pati edhe ngjarje të tjera që e bashkuan popullin. Në një rast, kur u dhunua poshtërsisht konkubina e një leviti, 11 fise u ngritën të bashkuara plot indinjatë kundër fisit të Beniaminit, me një ndjenjë faji dhe përgjegjësie kombëtare. (Gjy kap. 19, 20) Veç kësaj, të gjitha fiset mblidheshin tok në Shiloh, në tabernakull, tek arka e besëlidhjes. (Js 18:1) Prandaj, kur Arkën e morën filistinët si pasojë e shfrenimit dhe e sjelljes së keqe të priftërisë së atëhershme, sidomos e bijve të kryepriftit Eli, humbjen e ndjeu mbarë kombi. (1Sa 2:22-36; 4:1-22) Pasi vdiq Eliu dhe u bë Samueli profet e gjykatës i Izraelit, populli u bashkua edhe më shumë, sepse ai i binte përqark Izraelit për të zgjidhur çështjet dhe mosmarrëveshjet e popullit.—1Sa 7:15, 16.
Mbretëria e bashkuar. Në vitin 1117 p.e.s., Samuelin e mërziti shumë kjo kërkesë e Izraelit: «Caktona, pra, një mbret, si kanë tërë kombet.» Megjithatë, Jehovai i tha: «Dëgjoje zërin e popullit . . . sepse nuk të kanë hedhur poshtë ty, por më kanë hedhur poshtë mua, që të mos jem mbret i tyre.» (1Sa 8:4-9; 12:17, 18) Fill pas kësaj, beniaminiti Saul u zgjodh si mbreti i parë i Izraelit. Mirëpo, ndonëse sundimi i tij filloi mirë, s’kaloi shumë dhe arroganca e çoi në mosbindje, mosbindja në rebelim dhe në fund, si pasojë e rebelimit, u këshillua me një mediume. Kështu, 40 vitet e mbretërimit të tij ishin një dështim kokë e këmbë.—1Sa 10:1; 11:14, 15; 13:1-14; 15:22-29; 31:4.
Davidi nga fisi i Judës, ‘një njeri siç ia donte zemra Jehovait’ (1Sa 13:14; Ve 13:22), u miros mbret në vend të Saulit. Nën udhëheqjen e tij të aftë, kufijtë e kombit u shtrinë deri atje ku kishte premtuar Perëndia, «nga lumi i Egjiptit deri në lumin e madh, lumin Eufrat».—Zn 15:18; Lp 11:24; 2Sa 8:1-14; 1Mb 4:21.
Gjatë mbretërimit 40-vjeçar të Davidit, përveç organizimit të ndarjes në fise, u shtuan edhe disa funksione speciale. Veç pleqve me autoritet që shërbenin në qeverinë e centralizuar, ishte edhe një rreth i ngushtë këshilltarësh të mbretit. (1Kr 13:1; 27:32-34) Gjithashtu, ekzistonte një departament më i madh qeveritar i përbërë nga njerëz me përgjegjësi në çështje administrative: princa të fiseve, krerë, zyrtarë oborri dhe personel ushtarak. (1Kr 28:1) Që të trajtoheshin siç duhej disa çështje, Davidi emëroi 6.000 levitë si gjykatës dhe zyrtarë. (1Kr 23:3, 4) U ngritën edhe departamente të tjera me përgjegjësit përkatës, të cilat kujdeseshin për kultivimin e arave, si edhe administronin vreshtat dhe punishtet e verës, ullishtet dhe rezervat e vajit, bagëtitë dhe kopetë. (1Kr 27:26-31) Për interesat financiare të mbretit kujdesej departamenti qendror i thesarit, i cili ishte i ndarë nga departamenti që mbikëqyrte thesaret e mbajtura tjetërkund, si në qytete dhe fshatra të largëta.—1Kr 27:25.
Solomoni hipi në fron në vitin 1037 p.e.s., pas të atit, Davidit. Ai mbretëroi për 40 vjet «mbi të gjitha mbretëritë, që nga Lumi [Eufrat] deri në vendin e filistinëve dhe deri në kufirin e Egjiptit». Kur mbretëronte ai, sundonte paqja dhe begatia, sepse kombet përqark «i sollën dhurata dhe i shërbyen Solomonit gjatë gjithë jetës së tij». (1Mb 4:21) Mençuria e Solomonit ishte proverbiale, pasi ai ishte mbreti më i mençur në lashtësi dhe gjatë mbretërimit të tij, Izraeli arriti kulmin e fuqisë dhe të lavdisë. Një ndër arritjet më të mëdha të Solomonit ishte ndërtimi i tempullit madhështor, projektin e të cilit e mori nga i ati, Davidi, që e kishte bërë nën frymëzim.—1Mb kap. 3 deri në 9; 1Kr 28:11-19.
Mirëpo, me gjithë lavdinë, pasurinë dhe mençurinë që zotëronte, Solomoni përfundoi me turp, pasi lejoi që bashkëshortet e shumta të huaja ta largonin nga adhurimi i pastër i Jehovait dhe ta shtynin drejt praktikave të përdhosura të feve të rreme. Kur vdiq, Solomoni e kishte humbur miratimin e Jehovait. Pas tij mbretëroi i biri, Rehoboami.—1Mb 11:1-13, 33, 41-43.
Rehoboami, që s’ishte as i mençur, as largpamës, e rëndoi edhe më tepër barrën e rëndë që qeveria i kishte vënë popullit. Si pasojë, dhjetë fiset veriore u shkëputën dhe bënë mbret Jeroboamin, siç kishte parathënë profeti i Jehovait. (1Mb 11:29-32; 12:12-20) Kështu, në vitin 997 p.e.s., mbretëria e Izraelit u nda.
Për hollësi rreth ndarjes së mbretërisë, shih IZRAELI nr. 3.
Pas mërgimit në Babiloni. Për 390 vjet pas vdekjes së Solomonit dhe shpërbërjes së mbretërisë së bashkuar deri në shkatërrimin e Jerusalemit në vitin 607 p.e.s., termi «Izrael» zakonisht përdorej vetëm për dhjetë fiset që ishin nën sundimin e mbretërisë veriore. (2Mb 17:21-23) Por, pasi u kthye prej mërgimit një mbetje nga të 12 fiset dhe deri në shkatërrimin e dytë të Jerusalemit në vitin 70 të e.s., termi «Izrael» përfshinte sërish krejt pasardhësit e Jakobit që jetonin në atë periudhë. Popullsia e 12 fiseve së bashku u quajt prapë «tërë Izraeli».—Ezd 2:70; 6:17; 10:5; Ne 12:47; Ve 2:22, 36.
Ndër ata që u kthyen në Jerusalem në vitin 537 p.e.s. me Zorobabelin dhe kryepriftin Josi (Jeshua) ishin 42.360 burra (pa dyshim, edhe gratë dhe fëmijët e tyre; po ashtu, skllevërit dhe këngëtarët). Ata nisën të rindërtonin shtëpinë e adhurimit të Jehovait. (Ezd 3:1, 2; 5:1, 2) Pastaj, në vitin 468 p.e.s., disa të tjerë u kthyen me Ezdrën (Ezd 7:1–8:36) dhe më vonë, në vitin 455 p.e.s., pa dyshim një grup tjetër shoqëroi Neheminë kur shkoi në Jerusalem me caktimin e veçantë që të rindërtonte muret dhe portat e qytetit. (Ne 2:5-9) Prapëseprapë, siç tregon libri i Esterës, anekënd perandorisë mbetën shumë izraelitë.—Es 3:8; 8:8-14; 9:30.
Edhe pse Izraeli nuk u bë një komb sovran dhe i pavarur si dikur, komuniteti hebre gëzonte mjaft liri nën sundimin pers. Mëkëmbësit dhe guvernatorët (si Zorobabeli dhe Nehemia) zgjidheshin nga gjiri i izraelitëve. (Ne 2:16-18; 5:14, 15; Hg 1:1) Pleqtë e Izraelit dhe princat e fiseve vazhduan të shërbenin si këshilltarë e përfaqësues të popullit. (Ezd 10:8, 14) U organizua sërish priftëria sipas regjistrimeve gjenealogjike të vjetra të ruajtura me kujdes dhe, pasi rifilloi shërbimi i levitëve, paraqiteshin flijime dhe zbatoheshin kërkesat e tjera të besëlidhjes së Ligjit.—Ezd 2:59-63; 8:1-14; Ne 8:1-18.
Me rënien e Perandorisë Perse dhe me ngritjen e Greqisë si fuqi botërore, Izraeli u copëtua nga konflikti mes Ptolemenjve të Egjiptit dhe Seleukajve të Sirisë. Këta të fundit vendosën të zhduknin me rrënjë adhurimin dhe traditat judaike gjatë sundimit të Antiokut IV (Epifan). Orvatjet e tij arritën kulmin në vitin 168 p.e.s., kur ngriti një altar pagan mbi altarin e tempullit në Jerusalem dhe ia kushtoi perëndisë grek Zeus. Mirëpo, ai veprim skandaloz pati efekt të kundërt, pasi u bë shkëndija e revoltës së Makabenjve. Tre vjet pas kësaj, tamam në të njëjtën ditë, udhëheqësi fitimtar jude Judë Makabeu ia rikushtoi tempullin e pastruar Jehovait në një festë që judenjtë e kremtojnë deri më sot dhe e quajnë Hanukah.
Pasoi një shekull plot me trazira të brendshme, që e larguan gjithnjë e më shumë Izraelin nga administrimi fisnor i parashikuar në besëlidhjen e Ligjit. Pikërisht gjatë asaj periudhe, herë dobësohej e herë lulëzonte qeveria e Makabenjve ose Hasmonenjve, si edhe u formua partia e saducenjve që përkrahte Hasmonenjtë dhe partia e farisenjve që ishte kundër tyre. Në fund u kërkua ndërhyrja e Romës, që tanimë ishte fuqia botërore. Kështu, në vitin 63 p.e.s., gjeneral Gneu Pompeu mori Jerusalemin pas një rrethimi tremujor dhe Judën ia aneksoi Perandorisë Romake. Rreth vitit 39 p.e.s., Roma bëri mbret të judenjve Herodin e Madh dhe afro tre vjet më vonë ai i dha fund sundimit të Hasmonenjve. Në vitin 2 p.e.s., pak para vdekjes së Herodit, lindi Jezui si ‘lavdia e popullit [të Perëndisë], Izraelit’.—Lu 2:32.
Gjatë shekullit të parë të e.s., pushteti perandorak i Romës mbi Izraelin ushtrohej nëpërmjet qeveritarëve të krahinave dhe guvernatorëve ose prokuratorëve. Bibla përmend disa qeveritarë krahinash, si Filipin, Lisaninë dhe Herod Antipën (Lu 3:1); guvernatorët Ponc Pilat, Feliks dhe Fest (Ve 23:26; 24:27); si edhe mbretërit Agripa I dhe Agripa II (Ve 12:1; 25:13). Brendapërbrenda kishte mbetur akoma njëfarë organizimi i fiseve sipas gjenealogjisë, përderisa Cezar Augusti urdhëroi që izraelitët të shkonin të regjistroheshin në qytetet e shtëpive atërore. (Lu 2:1-5) «Pleqtë» dhe priftërinjtë levitë kishin ende shumë autoritet mes popullit (Mt 21:23; 26:47, 57; Ve 4:5, 23), ndonëse i kishin zëvendësuar në një masë të madhe kërkesat e shkruara të besëlidhjes së Ligjit me tradita njerëzish.—Mt 15:1-11.
Në një atmosferë të tillë lindi krishterimi. Në fillim erdhi Gjon Pagëzori, pararendësi i Jezuit, i cili i ktheu shumë izraelitë te Jehovai. (Lu 1:16; Gjo 1:31) Pastaj Jezui dhe apostujt e tij vijuan veprën e shpëtimit, duke punuar pa u kursyer mes ‘deleve të humbura të shtëpisë së Izraelit’, duke hapur sytë e verbër që të dallonin traditat mashtruese të njerëzve dhe dobitë e pakrahasueshme të adhurimit të pastër të Perëndisë. (Mt 15:24; 10:6) Megjithatë, vetëm një mbetje izraelitësh e pranuan Jezuin si Mesia dhe shpëtuan. (Ro 9:27; 11:7) Ata brohoritën me gëzim për ardhjen e tij si «Mbret i Izraelit». (Gjo 1:49; 12:12, 13) Kurse pjesa dërrmuese nuk donte të besonte te Jezui (Mt 8:10; Ro 9:31, 32), e kështu u bashkua me krerët fetarë që bërtitnin: «Hiqe! Hiqe! Vëre në shtyllë!» «Ne s’kemi mbret tjetër, përveç Cezarit.»—Gjo 19:15; Mr 15:11-15.
Shpejt koha tregoi se ajo besnikëri në dukje aq e madhe ndaj Cezarit ishte e shtirur. Elementë fanatikë brenda Izraelit nxitnin revolta pas revoltash që ndëshkoheshin egër nga Roma, çka e shtonte urrejtjen e judenjve ndaj sundimit romak. Në fund situata ishte gati të shpërthente dhe forcat romake në vend nuk e frenonin dot më. Kështu Cest Gali, guvernator i Sirisë, doli kundër Jerusalemit me trupa më të fuqishme për të ruajtur pushtetin e Romës.
Pasi i vuri zjarrin Bezetës, zonës në veri të tempullit, Gali fushoi para pallatit mbretëror, në jugperëndim të tempullit. Në atë moment, siç thotë historiani Jozef, ai mund të kishte çarë lehtë përpara e të hynte në qytet; mirëpo, vonesa e tij i fuqizoi rebelët. Atëherë pararoja romake krijoi një mbulesë mbrojtëse, si zhgualli i breshkës, duke mbajtur përsipër mburojat dhe nisi të gërmonte themelet e mureve. Edhe një herë, teksa ishin në prag të fitores në vjeshtën e vitit 66 të e.s., romakët u tërhoqën. Ja çfarë thotë historiani Jozef për atë tërheqje: «Cesti . . . i zmbrapsi befas trupat e veta, hoqi dorë nga shpresat e tij, paçka se nuk kishte pësuar ndonjë disfatë dhe, kundër çdo parashikimi, u tërhoq nga qyteti.» (Lufta judaike, II, 540 [xix, 7]) Ai sulm kundër qytetit, i pasuar nga tërheqja e papritur, u dha sinjalin dhe mundësinë të krishterëve të atjeshëm që ‘të iknin në male’, siç kishte udhëzuar Jezui.—Lu 21:20-22.
Vitin tjetër (67 të e.s.), Vespasiani u mobilizua të shuante revoltën e judenjve, por vdekja e papritur e Neronit në vitin 68 i çeli udhën që të bëhej perandor. Kështu, në vitin 69 Vespasiani u kthye në Romë dhe la të birin, Titin, që të vazhdonte fushatën. Vitin tjetër, më 70 të e.s., Jerusalemi u mor dhe u shkatërrua. Tre vjet më pas ra në dorë të romakëve Masada, fortesa e fundit e judenjve. Historiani Jozef thotë se gjatë gjithë fushatës kundër Jerusalemit vdiqën 1.100.000 judenj, shumë prej të cilëve nga murtaja dhe nga zia e bukës, kurse 97.000 veta u morën rob dhe mjaft prej tyre u çuan skllevër në të katër anët e perandorisë.—Lufta judaike, VI, 420 (ix, 3).
Për identitetin e ‘dymbëdhjetë fiseve të Izraelit’ të përmendura te Mateu 19:28 dhe Luka 22:30, shih FISI («Do të gjykoni dymbëdhjetë fiset e Izraelit»).
3. Fiset që formuan dy herë mbretërinë e shkëputur veriore të Izraelit.
Ndarja e parë e qeverisë kombëtare ndodhi rreth vitit 1078 p.e.s., pas vdekjes së Saulit. Fisi i Judës e pranoi Davidin si mbret, por fiset e tjera bënë mbret birin e Saulit, Ish-Boshethin; dy vjet më pas Ish-Boshethi u vra. (2Sa 2:4, 8-10; 4:5-7) Me kalimin e kohës, e çara u mbyll dhe Davidi u bë mbret i të 12 fiseve.—2Sa 5:1-3.
Më vonë, gjatë mbretërimit të Davidit, kur u shtyp kryengritja që nxiti biri i tij Absalomi, të gjitha fiset e pranuan sërish Davidin si mbret. Prapëseprapë, kur e kthyen mbretin në fron, u ndez një debat për çështje procedure mes dhjetë fiseve veriore që quheshin Izrael dhe burrave të Judës.—2Sa 19:41-43.
Të dymbëdhjeta fiset e mbështetën bashkërisht mbretërimin e birit të Davidit, Solomonit. Por, pas vdekjes së tij, rreth vitit 998 p.e.s., mbretëria u nda për të dytën herë. Vetëm fiset e Beniaminit dhe të Judës mbështetën mbretin Rehoboam, që ulej në fronin e të atit, Solomonit, në Jerusalem. Izraeli, që përbëhej nga dhjetë fiset e tjera në veri dhe në lindje, zgjodhi mbret Jeroboamin.—1Mb 11:29-37; 12:1-24; HARTA, vëll. 1, f. 947 në botimin anglisht.
Në fillim, kryeqytet i Izraelit u bë Sikemi. Pastaj kryeqyteti u zhvendos në Tirzah dhe më vonë, gjatë mbretërimit të Omrit, në Samari, e cila mbeti kryeqytet për 200 vitet pasuese. (1Mb 12:25; 15:33; 16:23, 24) Jeroboami e dinte mirë se uniteti ruhet kur një popull adhuron së bashku. Prandaj, që fiset e shkëputura të mos shkonin në tempullin e Jerusalemit për të adhuruar, vendosi dy viça të artë, jo në kryeqytet, por në dy skajet e territorit të Izraelit: njërin në Bethel në jug, tjetrin në Dan në veri. Veç kësaj, caktoi një priftëri jolevite që ta udhëhiqte dhe mësonte Izraelin të adhuronte viçat e artë dhe demonët në formë cjapi.—1Mb 12:28-33; 2Kr 11:13-15.
Në sytë e Jehovait, ky mëkat i Jeroboamit ishte shumë i rëndë. (2Mb 17:21, 22) Sikur t’i kishte qëndruar besnik Jehovait dhe të mos jepej pas asaj idhujtarie të neveritshme, Perëndia do të kishte lejuar të vazhdonte dinastia e tij. Por ashtu siç rrodhën gjërat, familja e tij e humbi fronin kur u vra i biri, Nadabi, më pak se dy vjet pas vdekjes së Jeroboamit.—1Mb 11:38; 15:25-28.
Siç vepronte sundimtari, ashtu vepronte edhe kombi i Izraelit. Nga viti 997 deri në vitin 740 p.e.s., sunduan nëntëmbëdhjetë mbretër, pa llogaritur Tibnin. (1Mb 16:21, 22) Vetëm nëntë prej tyre u pasuan në fron nga të bijtë dhe vetëm njëri pati një dinasti që zgjati deri në brezin e katërt. Shtatë mbretër të Izraelit sunduan dy vjet a më pak; disa madje vetëm pak ditë. Njëri vrau veten, katër vdiqën para kohe, kurse gjashtë të tjerë i vranë njerëz ambiciozë që uzurpuan fronin e viktimave të tyre. Edhe Jehu, më i miri nga të gjithë, ndonëse fitoi miratimin e Jehovait pasi hoqi adhurimin e ndyrë të Baalit që përkrahej nga Akabi dhe Jezebela, «nuk tregoi kujdes që të ecte me gjithë zemër në ligjin e Jehovait, Perëndisë së Izraelit», por lejoi të vazhdonte në mbarë vendin kulti i viçit i vendosur nga Jeroboami.—2Mb 10:30, 31.
S’ka dyshim që Jehovai u tregua shpirtgjerë me Izraelin. Gjatë historisë së tyre 257-vjeçare, ai dërgonte pareshtur shërbëtorët e tij që t’i paralajmëronte sundimtarët dhe popullin për rrugët e liga që ndiqnin, por më kot. (2Mb 17:7-18) Ndër ata shërbëtorë të përkushtuar të Perëndisë ishin profetët: Jehu (jo mbreti), Elija, Mikajahu, Eliseu, Jonai, Odedi, Hozea, Amosi dhe Mikea.—1Mb 13:1-3; 16:1, 12; 17:1; 22:8; 2Mb 3:11, 12; 14:25; 2Kr 28:9; Ho 1:1; Am 1:1; Mi 1:1.
Izraeli e kishte më të vështirë se Juda që të mbrohej nga pushtuesit, sepse, ndonëse kishte dyfishin e popullsisë së saj, sipërfaqja që duhej të mbronte ishte gati tri herë më e madhe. Përveç betejave të herëpashershme kundër Judës, Izraeli shpesh ishte në luftë me Sirinë në kufirin verior e lindor, si edhe nën presionin e Asirisë. Rrethimin e fundit të Samarisë e nisi Shalmaneseri V në vitin e shtatë të mbretërimit të Hoshesë, por u deshën gati tre vjet që asirianët ta merrnin qytetin rreth vitit 740 p.e.s.—2Mb 17:1-6; 18:9, 10.
Politika e asirianëve, që zuri fill nga Tiglath-Pileseri III, pararendësi i Shalmaneserit, ishte t’i shpërngulte robërit nga territori i pushtuar dhe të çonte në vend të tyre banorë nga vise të tjera të perandorisë. Kjo u vinte pritë kryengritjeve në të ardhmen. Pjesëtarët e kombeve që u shpërngulën në territorin e Izraelit, dalëngadalë u përzien me vendësit edhe nga ana etnike, edhe nga ajo fetare, e më pas u quajtën samaritanë.—2Mb 17:24-33; Ezd 4:1, 2, 9, 10; Lu 9:52; Gjo 4:7-43.
Megjithatë, rënia e Izraelit nuk nënkuptoi zhdukjen e plotë të dhjetë fiseve veriore. Me sa duket, asirianët lanë në territorin e Izraelit disa pjesëtarë të atyre fiseve. Pa dyshim, të tjerë kishin ikur në territorin e Judës para vitit 740 p.e.s, për t’u larguar nga idhujtaria e Izraelit, dhe pasardhësit e tyre duhej të ishin mes robërve që u çuan në Babiloni në vitin 607 p.e.s. (2Kr 11:13-17; 35:1, 17-19) Patjetër, edhe pasardhës të robërve që morën asirianët (2Mb 17:6; 18:11) ishin mes mbetjes së kthyer nga mërgimi, që përbënte 12 fiset e Izraelit nga viti 537 p.e.s. e më pas.—1Kr 9:2, 3; Ezd 6:17; Ho 1:11; krahaso Ezk 37:15-22.
4. Toka e Premtuar, pra zona gjeografike që iu caktua kombit të Izraelit (12 fiseve), në dallim nga territori i kombeve të tjera (1Sa 13:19; 2Mb 5:2; 6:23), dhe ku sundonin mbretër izraelitë.—1Kr 22:2; 2Kr 2:17.
Pas ndarjes së kombit, shprehja ‘vendi i Izraelit’ hera-herës tregonte territorin e mbretërisë veriore, për ta dalluar nga ai i Judës. (2Kr 30:24, 25; 34:1, 3-7) Si ra mbretëria veriore, emrin e Izraelit në të vërtetë e mbajti gjallë Juda, e vetmja mbretëri që mbeti nga pasardhësit e Izraelit (Jakobit). Prandaj, profeti Ezekiel e përdori shprehjen ‘toka e Izraelit’ kryesisht për territorin e mbretërisë së Judës dhe për kryeqytetin e saj, Jerusalemin. (Ezk 12:19, 22; 18:2; 21:2, 3) Ai ishte vendi që mbeti i shkretuar për 70 vjet, nga viti 607 p.e.s. e tutje (Ezk 25:3), por në të cilin do të mblidhej rishtas një mbetje besnike.—Ezk 11:17; 20:42; 37:12.
Për përshkrimin e veçorive gjeografike dhe klimatike të Izraelit, si edhe për madhësinë e tij, vendndodhjen, pasuritë natyrore e të tjera, shih artikullin PALESTINA.