SAMARITANËT
[ka të ngjarë: të Samarisë].
Ky term u shfaq për herë të parë në Shkrime pas pushtimit të mbretërisë dhjetëfisëshe të Samarisë në vitin 740 p.e.s.; përdorej për ata që jetonin në mbretërinë veriore para pushtimit, për t’i dalluar nga të huajt që u çuan atje më vonë nga vise të tjera të Perandorisë Asiriane. (2Mb 17:29) Me sa duket, asirianët nuk i shpërngulën të gjithë banorët izraelitë, sepse nga tregimi i 2 Kronikave 34:6-9 (krahaso 2Mb 23:19, 20) kuptohet se gjatë mbretërimit të Josisë kishte ende izraelitë në atë zonë. Në rrjedhën e kohës, «samaritanë» u quajtën pasardhësit e atyre që mbetën në Samari dhe të atyre që çuan asirianët atje. Kështu, pa dyshim që disa samaritanë lindën nga martesat e përziera mes kombësive të ndryshme. Në një periudhë të mëvonshme, ky emër tregonte më tepër fenë, sesa përkatësinë etnike ose politike. «Samaritanë» quheshin pjesëtarët e sektit fetar të përhapur në lashtësi afër Sikemit e Samarisë, të cilët kishin disa bindje krejt të ndryshme nga judaizmi.—Gjo 4:9.
Feja samaritane. Në zhvillimin e fesë samaritane ndikuan një sërë faktorësh. Ndër ta, një rol jo pak të rëndësishëm luajtën përpjekjet e Jeroboamit për t’i larguar dhjetë fiset nga adhurimi i Jehovait me qendër në Jerusalem. Për afro 250 vjet pas ndarjes së kombit në dy mbretëri, priftërinjtë levitë të emëruar nga Perëndia u zëvendësuan me një priftëri të vendosur nga njerëzit, e si pasojë mbretëria e Izraelit u zhyt në idhujtari degjeneruese. (1Mb 12:28-33; 2Mb 17:7-17; 2Kr 11:13-15; 13:8, 9) Pas kësaj, mbretëria veriore ra. Imigrantët paganë që u sollën nga Babilonia, Kutahu, Ava, Hamathi dhe Sefarvaimi adhuronin shumë hyjni—Sukot-Benotin, Nergalin, Ashimën, Nibazin, Tartakun, Adramelekun dhe Anamelekun. Sado që mësuan diçka për Jehovain nga një prift i priftërisë së Jeroboamit, prapëseprapë, ashtu si kishte bërë Samaria me viçat e artë, edhe ata vazhduan të adhuronin brez pas brezi perënditë e tyre të rreme. (2Mb 17:24-41) Gati njëqind vjet pas rënies së Samarisë, përpjekjet e mëdha të Josisë që këto komunitete veriore ta flaknin tej adhurimin e idhujve, nuk patën ndonjë ndikim më jetëgjatë se reformat e ngjashme që bëri në mbretërinë jugore të Judës.—2Mb 23:4-20; 2Kr 34:6, 7.
Në vitin 537 p.e.s., një mbetje e 12 fiseve u kthye nga mërgimi në Babiloni, e gatshme të rindërtonte tempullin e Jehovait në Jerusalem. (Ezd 1:3; 2:1, 70) Pikërisht atëherë «samaritanët», që banonin tashmë në vend kur mbërritën izraelitët dhe që u përshkruan si «kundërshtarët e Judës dhe të Beniaminit», iu afruan Zorobabelit e pleqve dhe u thanë: «Na lini të ndërtojmë bashkë me ju, sepse njësoj si ju ne kërkojmë Perëndinë tuaj dhe i bëjmë flijime atij që nga ditët e Esar-Hadonit, mbretit të Asirisë që na solli këtu.» (Ezd 4:1, 2) Mirëpo, ky pohim se ishin të përkushtuar ndaj Jehovait u bë sa për sy e faqe, sepse, kur Zorobabeli nuk e pranoi ofertën e tyre, samaritanët nuk lanë gur pa luajtur që të pengonin ndërtimin e tempullit. Pasi u shkuan kot gjithë përpjekjet për t’u krijuar probleme e frikësuar, ata i shkruan perandorit të Persisë një letër me akuza të rreme, e kështu doli një dekret qeveritar që e ndali ndërtimin për disa vjet.—Ezd 4:3-24.
Në mesin e shekullit të 5-të p.e.s., kur Nehemia nisi të meremetonte muret e Jerusalemit, Sanballati (guvernator i Samarisë, sipas njërit prej papiruseve të Elefantinës) bëri çmos disa herë që ta pezullonte projektin, por nuk ia doli. (Ne 2:19, 20; 4:1-12; 6:1-15) Pas një mungese të gjatë, Nehemia u kthye në Jerusalem dhe, me të marrë vesh se nipi i kryepriftit Eliashib ishte martuar me të bijën e Sanballatit, ‘e dëboi’.—Ne 13:6, 7, 28.
Ngritja e tempullit samaritan në malin e Gerizimit, ndoshta në shekullin e 4-t p.e.s., për të konkurruar me atë në Jerusalem shënoi, sipas disave, ndarjen përfundimtare mes judenjve e samaritanëve, ndonëse të tjerë mendojnë se marrëdhëniet u prenë mbi një shekull më vonë. Në kohën kur filloi shërbimin Jezui, hendeku mes dy grupeve nuk ishte mbyllur, paçka se tempulli i Gerizimit ishte shkatërruar prej rreth një shekulli e gjysmë. (Gjo 4:9) Samaritanët adhuronin ende në malin e Gerizimit (Gjo 4:20-23), dhe judenjtë i shihnin shtrembër. (Gjo 8:48) Prandaj ilustrimi i Jezuit me samaritanin e mirë ishte shumë i goditur për këtë qëndrim përçmues.—Lu 10:29-37.
Pentateuku samaritan. Qysh nga kohët e hershme, Shkrimet e samaritanëve përbëheshin vetëm nga pesë librat e parë të Biblës, madje edhe këto të recensuara, të shkruara me germat e tyre dhe të njohura si Pentateuku samaritan. Pjesën tjetër të Shkrimeve Hebraike, ndoshta me përjashtim të librit të Josiut, e hidhnin poshtë. Pentateuku samaritan ka rreth 6.000 ndryshime nga teksti masoretik, shumica e të cilave janë vogëlsi. Megjithatë, disa ndryshime janë të mëdha, si për shembull, rasti i Ligjit të përtërirë 27:4, ku Gerizimi zëvendëson Ebalin, vendin ku ligjet e Moisiut duheshin shkruar mbi gurët e zbardhur me gëlqere. (Lp 27:8) Natyrisht, arsyeja e këtij ndryshimi ishte të mbështetnin bindjen e tyre se Gerizimi është mali i shenjtë i Perëndisë.
Sidoqoftë, në tërësi, fakti që pranonin Pentateukun u dha arsye samaritanëve të besonin se do të vinte një profet më i madh se Moisiu. (Lp 18:18, 19) Në shekullin e parë, samaritanët po pritnin të vinte Krishti, Mesia, dhe disa prej tyre e pranuan; të tjerë e hodhën poshtë. (Lu 17:16-19; Gjo 4:9-43; Lu 9:52-56) Më vonë, falë predikimit të të krishterëve të hershëm, shumë samaritanë përqafuan me gëzim krishterimin.—Ve 8:1-17, 25; 9:31; 15:3.