ARPADI
Qytet i Sirisë Veriore dhe rezidencë mbretërore, që në Bibël përmendet gjithmonë bashkë me qytetin e Hamathit. Arpadi mendohet se është Tell-Erfadi (Tell-Rifʽati), rreth 30 km në veri-veriperëndim të Halebit. Meqë ndodhej në rrugën që të çonte në jug drejt Hamathit e Damaskut, asirianët e sulmonin shpesh, derisa e pushtoi Tiglath-Pileseri III e më vonë Sargoni II. Prandaj, kur biri i Sargonit, Senakeribi, kërcënoi Jerusalemin në vitin 732 p.e.s., përmendi me anë të zëdhënësit të tij rabshakeh fatin e Arpadit si një dëshmi se perënditë e kombeve ishin të paafta t’i bënin ballë fuqisë së madhe të Asirisë. (2Mb 18:34; 19:12, 13; Is 36:19; 37:12, 13) Profeti Isaia e kishte parathënë këtë mburrje. (Is 10:9) Më vonë Jeremia profetizoi se Hamathi e Arpadi do të turpëroheshin dhe do t’u bëhej gjaku ujë nga «një lajm i keq», me sa duket nga fitoret e mbretit babilonas, Nabukodonosorit.—Jr 49:23.