Të jetojmë me anë të besimit në premtimet e Perëndisë
«Unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër, jam Perëndia dhe askush nuk më ngjet mua, që shpall fundin që në fillim dhe shumë kohë më parë gjërat që ende nuk janë bërë.»—ISAIA 46:9, 10.
1, 2. Cilat janë disa pikëpamje të ndryshme lidhur me pjesëmarrjen e Perëndisë në çështjet tokësore?
SA MERR pjesë Perëndia në çështjet tokësore? Opinionet ndryshojnë. Një pikëpamje është se ai nuk merr pjesë fare. Pasi i vuri gjërat në lëvizje me anë të krijimit, ai ose nuk do, ose nuk është në gjendje të veprojë për dobinë tonë. Sipas kësaj pikëpamjeje, Perëndia është si një baba, i cili e vë të birin mbi një biçikletë të re, e rregullon dhe i jep një shtytje për ta nisur në rrugë. Pas kësaj, babai largohet. Djali ecën vetë dhe mund të bjerë ose mund të mos bjerë. Sido që të jetë, kjo çështje nuk i përket më babait.
2 Një pikëpamje tjetër është që Perëndia drejton në mënyrë aktive çdo aspekt të jetës sonë dhe merr pjesë drejtpërdrejt në çdo ngjarje të të gjithë krijimit të tij. Por, nëse është kështu, disa mund të nxjerrin përfundimin se Perëndia nuk bën të ndodhin vetëm gjërat e mira, por edhe krimet e tragjeditë që godasin njerëzimin. Njohja e së vërtetës lidhur me marrëdhëniet e Perëndisë me njerëzit, do të na ndihmojë të dimë se çfarë të presim prej tij. Gjithashtu, kjo do ta forcojë besimin tonë në përmbushjen e sigurt të premtimeve të tij.—Hebrenjve 11:1.
3. (a) Si e dimë që Jehovai është një Perëndi i qëllimit? (b) Pse për Jehovain thuhet se është ai që ‘formon’ ose modelon qëllimin e tij?
3 Një pikë kyçe lidhur me pyetjen se sa merr pjesë Perëndia në çështjet njerëzore është fakti që Jehovai është një Perëndi i qëllimit. Kjo kuptohet qartë nga vetë emri i tij. «Jehova» do të thotë «Ai shkakton të bëhet». Duke ndërmarrë veprime progresive, Jehovai shkakton që të jetë Përmbushësi i të gjitha premtimeve të tij. Rrjedhimisht, për Jehovain thuhet se është ai që ‘formon’ ose modelon qëllimin e tij lidhur me ngjarjet a veprimet e ardhshme. (2. Mbretërve 19:25; Isaia 46:11) Këta terma vijnë nga fjala hebraike jatsar, e cila ka lidhje me fjalën që do të thotë «poçar». (Jeremia 18:4) Pikërisht ashtu si një poçar i aftë mund t’i japë formë një mase argjile, duke e kthyer në një enë të bukur, Jehovai mund të modelojë ose të manovrojë gjërat për të kryer vullnetin e tij.—Efesianëve 1:11.
4. Si e përgatiti Perëndia tokën për t’u banuar nga njerëzit?
4 Për shembull, Perëndia kishte si qëllim që toka të ishte një vend me bukuri të jashtëzakonshme, i cili do të banohej nga njerëz të përsosur e të bindur. (Isaia 45:18) Shumë kohë përpara se të krijonte burrin dhe gruan e parë, me dashuri Jehovai bëri përgatitje për ta. Kapitujt e parë të librit të Zanafillës përshkruajnë se si Jehovai vendosi ditën dhe natën, tokën dhe detin. Më pas, ai krijoi bimësinë dhe jetën shtazore. Kjo përgatitje e tokës për t’u banuar nga njerëzit përfshiu shumë mijëvjeçarë. Projekti u përfundua me sukses. Burri dhe gruaja e parë filluan jetën e tyre në Eden, në një parajsë të këndshme, e cila ishte e pajisur plotësisht me gjëra që ata të mund të gëzonin jetën. (Zanafilla 1:31) Kështu, Jehovai mori pjesë drejtpërdrejt në çështjet tokësore, duke i modeluar progresivisht veprat e tij për qëllimin e vet të lartë. A e ndryshoi pjesëmarrjen e tij zgjerimi i familjes njerëzore?
Jehovai i kufizon marrëdhëniet e tij me njerëzit
5, 6. Pse Perëndia i kufizon marrëdhëniet e tij me njerëzit?
5 Edhe pse e ka fuqinë për ta bërë, Jehovai nuk drejton e nuk kontrollon çdo hollësi të aktivitetit njerëzor. Ka disa arsye për këtë. Njëra është se njerëzit u krijuan sipas shëmbëllimit të Perëndisë, me vullnet të lirë, duke qenë njerëz të lirë. Jehovai nuk na detyron të veprojmë sipas urdhrave të tij dhe për të ne nuk jemi si kukulla. (Ligji i përtërirë 30:19, 20; Jozueu [Josiu] 24:15) Edhe pse na konsideron përgjegjës për veprimet tona, me dashuri Perëndia na ka dhënë një liri të konsiderueshme për të vendosur se si do ta jetojmë jetën tonë.—Romakëve 14:12; Hebrenjve 4:13.
6 Një arsye tjetër se përse Perëndia nuk drejton çdo gjë që ndodh, lidhet me çështjen që ngriti Satanai në Eden. Satanai sfidoi sovranitetin e Perëndisë. Ai i ofroi Evës diçka që dukej si një mundësi për të qenë të pavarur, një ofertë që ajo dhe më vonë burri i saj, Adami, e pranuan. (Zanafilla 3:1-6) Duke iu përgjigjur kësaj sfide, Perëndia i ka lejuar njerëzit që të sundojnë vetë për një periudhë kohe, për të provuar nëse kishte bazë sfida e Satanait. Për këtë arsye, nuk mund t’i vihet faji Perëndisë për gjërat e gabuara që bëjnë njerëzit sot. Moisiu shkroi për njerëzit rebelë: «Ata janë të korruptuar, nuk janë bij të tij [të Perëndisë], për shkak të fajit të tyre.»—Ligji i përtërirë 32:5.
7. Cili është qëllimi i Jehovait për tokën dhe për njerëzimin?
7 Megjithatë, ndonëse lejoi zgjedhjen e lirë dhe eksperimentet e bëra në sundimin e pavarur, Jehovai nuk ka përdorur taktikën e mosndërhyrjes, për sa i përket çështjeve të tokës, gjë që do të na jepte pak shpresa se do t’i përmbushë premtimet e tij. Megjithëse Adami dhe Eva u rebeluan kundër sovranitetit të Perëndisë, Jehovai nuk e ndryshoi qëllimin e tij të dashur për tokën dhe për njerëzimin. Ai do ta transformojë patjetër tokën në një parajsë të populluar me njerëz të përsosur, të bindur e të lumtur. (Luka 23:42, 43) Dokumentacioni i Biblës, që nga Zanafilla e deri te Zbulesa, përshkruan se si ka punuar në mënyrë progresive Jehovai për të plotësuar këtë qëllim.
Perëndia vepron për të plotësuar vullnetin e tij
8. Çfarë përfshinte çuarja e izraelitëve në Tokën e Premtuar?
8 Perëndia e tregoi se do ta përmbushë qëllimin e tij, në marrëdhëniet me kombin izraelit. Për shembull, Jehovai e siguroi Moisiun se Ai do t’i çlironte izraelitët nga Egjipti dhe do t’i çonte në Tokën e Premtuar, një vend ku rridhte qumësht e mjaltë. (Eksodi [Dalja] 3:8) Kjo ishte një deklaratë historike dhe siguruese. Ky veprim do të përfshinte çlirimin e izraelitëve, që numëronin rreth tre milionë veta, së bashku me të huajt që i shoqëronin, nga një komb i fuqishëm, i cili iu kundërvu me forcë këtij largimi. (Eksodi 3:19) Vendi ku do t’i çonte banohej nga kombe të fuqishme, të cilat do t’i rezistonin me forcë ardhjes së tyre. (Ligji i përtërirë 7:1) Ndërmjet këtyre dy vendeve ishte një shkretëtirë, ku izraelitët do të kishin nevojë për ushqim e për ujë. Kjo ishte një situatë që e lejoi Jehovain të shfaqte fuqinë e tij supreme dhe hyjninë e tij.—Levitiku 25:38.
9, 10. (a) Pse Josiu ishte në gjendje të dëshmonte se premtimet e Perëndisë janë të besueshme? (b) Sa e rëndësishme është që të kemi besim në aftësinë e Perëndisë për të shpërblyer besnikët e tij?
9 Perëndia i nxori izraelitët nga Egjipti me anë të një serie veprash të fuqishme. Së pari, ai dërgoi dhjetë plagë shkretuese mbi kombin e Egjiptit. Më pas, ndau Detin e Kuq, duke u dhënë mundësi izraelitëve që të iknin, ndërsa ushtria egjiptiane e cila po i ndiqte, u mbyt. (Psalmi 78:12, 13, 43-51) Pas këtyre gjërave, ai u kujdes për izraelitët gjatë 40 vjetëve që kaluan në shkretëtirë, duke i ushqyer me manë, duke u siguruar ujë e madje duke u kujdesur që rrobat e tyre të mos griseshin e që këmbët e tyre të mos enjteshin. (Ligji i përtërirë 8:3, 4) Pasi izraelitët hynë në Tokën e Premtuar, Jehovai i udhëhoqi drejt fitores mbi armiqtë e tyre. Josiu, i cili ushtroi besim të fortë në premtimet e Jehovait, qe një dëshmitar okular i të gjitha këtyre gjërave. Prandaj, ai mundi t’u thoshte i sigurt të moshuarve të ditëve të tij: «Pranoni, pra, me gjithë zemër e me gjithë shpirt që nuk ka rënë përtokë asnjë nga fjalët e mira që Zoti, Perëndia juaj, ka thënë lidhur me ju, të tëra u vërtetuan për ju.»—Jozueu 23:14.
10 Ashtu si Josiu i lashtë, sot të krishterët janë plotësisht të bindur se Perëndia dëshiron dhe është i aftë të veprojë në dobi të atyre që i shërbejnë. Kjo bindje është një pjesë thelbësore e besimit tonë. Apostulli Pavël shkroi: «Pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se [ai] . . . është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë.»—Hebrenjve 11:6.
Perëndia e parashikon të ardhmen
11. Cilët faktorë i japin mundësi Perëndisë të përmbushë premtimet e tij?
11 Deri tani kemi parë se, ndonëse Perëndia lejon vullnetin e lirë dhe sundimin e pavarur të njeriut, ai ka si fuqinë, ashtu edhe dëshirën për të vepruar që të plotësojë qëllimin e tij. Gjithsesi, ka edhe një faktor tjetër që i kontribuon përmbushjes së sigurt të premtimeve të Perëndisë. Jehovai mund të parashikojë të ardhmen. (Isaia 42:9) Me anë të profetit të tij, Perëndia tha: «Kujtoni gjërat e kaluara të kohëve shumë të vjetra, sepse unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër, jam Perëndia dhe askush nuk më ngjet mua, që shpall fundin që në fillim dhe shumë kohë më parë gjërat që ende nuk janë bërë, duke thënë: ‘Plani im do të realizohet dhe do të bëj gjithçka më pëlqen’.» (Isaia 46:9, 10) Një bujk me përvojë e di se kur dhe ku të mbjellë farën, por mund të ketë prapëseprapë njëfarë pasigurie se si do të shkojnë punët. Ndërsa ‘Mbreti i përjetësisë’ ka njohuri të saktë për të parashikuar me saktësi se kur dhe ku duhet të veprojë për të plotësuar qëllimin e tij.—1. Timoteut 1:17, BR.
12. Si e ushtroi Jehovai në ditët e Noes aftësinë e tij parashikuese?
12 Shqyrto se si e ushtroi Perëndia në ditët e Noes aftësinë e tij parashikuese. Për shkak të ligësisë shumë të përhapur që kishte mbushur tokën, Perëndia vendosi t’i jepte fund njerëzimit të pabindur. Ai vendosi një kohë se kur do ta bënte këtë, 120 vjet më pas që nga ai moment. (Zanafilla 6:3) Duke vendosur atë periudhë specifike, Jehovai mori në konsideratë jo vetëm shkatërrimin e të ligjve, gjë që mund ta bënte në çdo kohë. Orari që kishte vendosur Jehovai siguronte mundësi edhe për ruajtjen e të drejtëve. (Krahaso Zanafillën 5:29.) Me mençurinë e tij, Perëndia e dinte që më përpara se kur duhej ta caktonte punën që do të çonte në atë fund. Ai i dha Noes aq informacione të hollësishme sa i duheshin. Noeja duhej të ndërtonte një arkë «për shpëtimin e shtëpisë së tij», ndërsa të ligjtë do të shkatërroheshin nga një përmbytje globale.—Hebrenjve 11:7; Zanafilla 6:13, 14, 18, 19.
Një projekt kolosal ndërtimi
13, 14. Pse ndërtimi i arkës ishte një caktim me sfida?
13 Shqyrtoje këtë caktim nga këndvështrimi i Noes. Duke qenë se ishte njeri i Perëndisë, Noeja e dinte se Jehovai mund t’i shkatërronte të paperëndishmit. Por, para se të ndodhte kjo, duhej bërë një punë që kërkonte besim. Ndërtimi i arkës do të ishte një projekt kolosal. Perëndia i kishte specifikuar përmasat që do të kishte ajo. Arka do të ishte më e gjatë se sa janë disa fusha futbolli të sotme dhe e lartë sa një ndërtesë pesëkatëshe. (Zanafilla 6:15) Ndërtuesit do të ishin pa përvojë dhe të paktë në numër. Ata nuk do të kishin mjetet dhe pajisjet e sofistikuara që janë në dispozicion sot. Për më tepër, meqë nuk e kishte aftësinë e Jehovait për të ditur që më përpara të ardhmen, Noeja nuk kishte asnjë mënyrë për ta ditur se çfarë situatash do të lindnin përgjatë viteve, të cilat ose mund ta ndihmonin, ose mund ta pengonin projektin e ndërtimit. Ka të ngjarë që Noeja të ketë medituar rreth shumë pyetjeve. Si do të mblidheshin materialet e ndërtimit? Si do t’i mblidhte ai kafshët? Çfarë ushqimi do të nevojitej dhe në çfarë sasie? Kur do të ndodhte me saktësi Përmbytja e parathënë?
14 Përveç këtyre, ishin edhe kushtet shoqërore. Ligësia mbizotëronte. Nefilimët e fuqishëm, pasardhësit hibridë të engjëjve të ligj dhe të grave, e kishin mbushur tokën me dhunë. (Zanafilla 6:1-4, 13) Për më tepër, ndërtimi i arkës nuk do të ishte një projekt që mund të realizohej në fshehtësi. Njerëzit do ta pyetnin se çfarë po bënte dhe Noeja do t’ua tregonte. (2. Pjetrit 2:5) A mund të pritej që ata ta miratonin këtë punë? Vështirë se po! Disa vjet më parë, Enoku besnik kishte shpallur shkatërrimin e të ligjve. Mesazhi i tij u prit kaq keq, saqë Perëndia «e mori» Enokun ose e ndërpreu jetën e tij, me sa duket për të mos lejuar që të vritej nga armiqtë e Tij. (Zanafilla 5:24; Hebrenjve 11:5; Judës 14, 15) Noeja, jo vetëm që duhej të shpallte një mesazh të ngjashëm, i cili nuk do të pritej mirë, por duhej të ndërtonte edhe një arkë. Dora-dorës që do të ndërtohej, arka do të shërbente si një përkujtues i fuqishëm i besnikërisë së Noes përpara bashkëkohësve të tij të ligj.
15. Pse Noeja pati besim se mund ta kryente caktimin e tij?
15 Noeja e dinte se projekti kishte mbështetjen dhe bekimin e Perëndisë së Plotfuqishëm. A nuk ia kishte caktuar vetë Jehovai atë punë? Jehovai e kishte siguruar Noen se ai dhe familja e tij do të hynin në arkën e përfunduar dhe do të ruheshin të gjallë në Përmbytjen globale. Madje, Perëndia e nënvizoi sigurinë e kësaj me anë të një marrëveshjeje solemne. (Zanafilla 6:18, 19) Ka të ngjarë që Noeja ta ketë kuptuar se Jehovai kishte parashikuar dhe kishte peshuar gjithçka që përfshihej, para se t’i jepte atij caktimin. Për më tepër, Noeja e dinte se Jehovai kishte fuqinë për të ndërhyrë në ndihmë të tij, kur do të ishte e nevojshme. Kështu, besimi e nxiti Noen të vepronte. Ashtu si pasardhësi i tij, Abrahami, Noeja ishte «plotësisht i bindur se atë që [Perëndia] e kishte premtuar, ishte edhe i fuqishëm ta bënte».—Romakëve 4:21.
16. Ndërsa ndërtimi i arkës përparonte, si forcohej besimi i Noes?
16 Ndërsa vitet kalonin dhe arka merrte formë, besimi i Noes forcohej. Problemet e ndërtimit dhe të organizimit zgjidheshin. Sprovat kapërceheshin. Asnjë kundërshtim nuk mund ta ndalte veprën. Familja e Noes përjetoi mbështetjen dhe mbrojtjen e Jehovait. Ndërsa Noeja vazhdonte përpara, ‘cilësia e sprovuar e besimit të tij prodhonte qëndrueshmëri’. (Jakovit 1:2-4, BR) Përfundimisht, arka mbaroi së ndërtuari, Përmbytja erdhi dhe Noeja e familja e tij mbijetuan. Noeja përjetoi përmbushjen e premtimeve të Perëndisë, ashtu si edhe Josiu më vonë. Besimi i Noes u shpërblye.
Jehovai e mbështet veprën
17. Si janë paralele kohët tona me ditët e Noes?
17 Jezui paratha se ditët tona do të ishin paralele me ditët e Noes. Edhe një herë, Perëndia ka vendosur të shkatërrojë të ligjtë dhe ka caktuar një kohë për këtë gjë. (Mateu 24:36-39) Gjithashtu, ai ka vënë në lëvizje gjërat, për ruajtjen e të drejtëve. Ndërsa Noeja duhej të ndërtonte një arkë, shërbëtorët e Perëndisë sot duhet të shpallin qëllimet e Jehovait, t’u mësojnë të tjerëve Fjalën e tij dhe të bëjnë dishepuj.—Mateu 28:19.
18, 19. Si e dimë që predikimi i lajmit të mirë ka mbështetjen e Jehovait?
18 Nëse Jehovai nuk do të kishte qenë me Noen që ta ndihmonte dhe ta mbështeste, arka nuk do të ishte ndërtuar. (Krahaso Psalmin 127:1.) Në mënyrë të ngjashme, pa mbështetjen e Jehovait, krishterimi i vërtetë nuk do të mbijetonte dot, e akoma më pak të lulëzonte. Këtë gjë e pranoi edhe Gamalieli në shekullin e parë, një farise i shquar dhe mësues i Ligjit. Kur Sinedri judaik donte të vriste apostujt, ai e paralajmëroi këtë gjyq: «U rrini larg këtyre njerëzve dhe i lironi, sepse në qoftë se ky plan ose kjo vepër është prej njerëzve, ajo do të prishet, por nëse është prej Perëndisë, ju nuk mund ta prishni, sepse do të gjendeshit në luftë kundër vetë Perëndisë!»—Veprat 5:38, 39.
19 Suksesi i aktivitetit të predikimit, si në shekullin e parë, ashtu edhe sot, ka provuar se kjo nuk është një vepër e njerëzve, por e Perëndisë. Artikulli vijues do të trajtojë disa nga rrethanat dhe zhvillimet entuziazmuese që kanë ndihmuar për ta bërë këtë vepër kaq të suksesshme në një shkallë kaq të gjerë.
Kurrë mos u dorëzo!
20. Kush na mbështet në predikimin e lajmit të mirë?
20 Edhe pse jetojmë në «kohë të vështira», ne mund të jemi të sigurt se Jehovai ushtron kontroll të plotë. Ai po e mbështet dhe po e mban popullin e vet në punën që po bën, për të përfunduar predikimin e lajmit të mirë para se të mbërrijë koha e caktuar e tij për t’i dhënë fund këtij sistemi të lig gjërash. (2. Timoteut 3:1; Mateu 24:14) Jehovai na fton të jemi «bashkëpunëtorët» e tij. (1. Korintasve 3:9) Na jepet, gjithashtu, siguria se Krishti Jezu është me ne në këtë vepër dhe se mund të mbështetemi në ndihmën dhe drejtimin engjëllor.—Mateu 28:20; Zbulesa 14:6.
21. Për sa i përket cilës bindje nuk duhet të dorëzohemi kurrë?
21 Duke qenë se ushtruan besim në premtimet e Jehovait, Noeja dhe familja e tij u shpëtuan nga ujërat e përmbytjes. Ata që ushtrojnë një besim të ngjashëm sot, do të shpëtohen gjatë ‘mjerimit të madh’ që po vjen. (Zbulesa 7:14, BR) Po jetojmë në kohë me të vërtetë entuziazmuese. Përpara nesh shtrihen ngjarje historike! Së shpejti, Perëndia do të veprojë për të sjellë qiej të rinj të lavdishëm dhe një tokë të re, në të cilën do të banojë drejtësia. (2. Pjetrit 3:13) Kurrë, kurrë mos u dorëzo për sa i përket bindjes sate se çdo gjë që Perëndia thotë, është në gjendje edhe ta bëjë!—Romakëve 4:21.
Pika për rishikim
◻ Pse Jehovai nuk i kontrollon të gjitha hollësitë e aktivitetit njerëzor?
◻ Si u bë e dukshme fuqia e Jehovait për të plotësuar qëllimin e tij, në marrëdhëniet me Izraelin?
◻ Si u shfaq në ditët e Noes aftësia e Jehovait për të parashikuar të ardhmen?
◻ Çfarë sigurie mund të kemi në premtimet e Perëndisë?