IMITONI BESIMIN E TYRE | ELIJA
Ai qëndroi deri në fund
Elija mori vesh lajmin: mbreti Akab kishte vdekur. Mund të imagjinojmë profetin e moshuar që fërkon mjekrën mendueshëm, me shikimin e përhumbur teksa në mendje i rikthehen dekadat gjatë të cilave ishte përballur me mbretin e lig. Sa shumë kishte hequr Elija! E kishin kërcënuar, e kishin ndjekur këmba-këmbës, e madje kishte parë vdekjen me sy—e gjithë kjo për shkak të Akabit dhe të së shoqes, mbretëreshës Jezebelë. Mbreti s’kishte bërë asgjë për ta ndaluar Jezebelën që të urdhëronte vrasjen e shumë profetëve të Jehovait. Nga lakmia, çifti kishte komplotuar edhe vrasjen e Nabotit të drejtë e të pafajshëm dhe të bijve të tij. Ja pse Elija kishte shpallur mesazhin e gjykimit të Jehovait që dënonte Akabin dhe gjithë dinastinë e tij. Fjalët e Perëndisë u plotësuan. Akabi vdiq tamam siç kishte parathënë Jehovai.—1 Mbretërve 18:4; 21:1-26; 22:37, 38; 2 Mbretërve 9:26.
E megjithatë, Elija e dinte se i duhej ende qëndrueshmëri. Jezebela ishte akoma gjallë dhe po vazhdonte të ndikonte tmerrësisht për keq te familja e saj dhe te kombi. Elijan e prisnin sfida të reja dhe kishte ende shumë për t’i mësuar shokut dhe pasuesit të tij, Eliseut. Ndaj le të shqyrtojmë tri nga caktimet e fundit të Elijas. Ndërsa shohim si qëndroi falë besimit, mund të kuptojmë më mirë si ta forcojmë edhe ne besimin në këto kohë të trazuara.
Ahaziahu gjykohet
Tani mbret i Izraelit ishte Ahaziahu, djali i Akabit dhe i Jezebelës. Në vend që të mësonte nga marrëzia e prindërve, ai eci në gjurmët e tyre të liga. (1 Mbretërve 22:52) Edhe Ahaziahu adhuronte Baalin. Baalizmi ishte një fe që i nxiste njerëzit të bënin gjëra të ulëta, si të praktikonin prostitucionin në tempull e madje të flijonin fëmijë. A ekzistonte ndonjë mënyrë që t’ia mbushte mendjen Ahaziahut të hiqte dorë nga rruga e tij dhe ta largonte popullin nga kjo mungesë besnikërie skandaloze ndaj Jehovait?
Papritmas mbretit të ri e arrogant i ndodhi një tragjedi. Ai ra nga vrima e tarracës së shtëpisë dhe u vra keq. Edhe pse ishte në lojë vetë jeta e tij, prapëseprapë nuk i kërkoi ndihmë Jehovait. Përkundrazi dërgoi lajmëtarë në Ekron, një qytet armik filistin, që të pyesnin perëndinë Baal-Zebub nëse kishte ndonjë shpresë që ta merrte veten. Jehovait iu sos durimi dhe dërgoi një engjëll tek Elija që t’i thoshte t’i pengonte ata lajmëtarë. Profeti i ktheu te mbreti me një mesazh goxha të fortë. Ahaziahu kishte mëkatuar rëndë, duke vepruar sikur të mos kishte Perëndi në Izrael. Prandaj, Jehovai kishte vendosur që ai të mos ngrihej më kurrë nga shtrati.—2 Mbretërve 1:2-4.
Ahaziahu i papenduar pyeti lajmëtarët: «Si ishte ai burri që ju doli përpara dhe ju tha këto fjalë?» Pasi i përshkruan veshjen e thjeshtë të një profeti, Ahaziahu tha menjëherë: «Është Elija.» (2 Mbretërve 1:7, 8) Vlen të përmendet se Elija bëri një jetë të thjeshtë e të përqendruar te shërbimi i Perëndisë, sa mund të identifikohej fare kollaj vetëm nga përshkrimi i rrobave të tij të thjeshta. S’ka diskutim se kjo nuk mund të thuhej për Ahaziahun apo për prindërit e tij, materialistë të pangopur. Sot shembulli i Elijas na kujton të jetojmë sipas këshillës së Jezuit për të bërë një jetë të thjeshtë, me sytë e përqendruar te gjërat që kanë vërtet rëndësi.—Mateu 6:22-24.
I vendosur të merrte hak, Ahaziahu dërgoi 50 ushtarë bashkë me kreun e tyre për të arrestuar Elijan. Kur e gjetën, që «po rrinte ulur në majë të malit»a, kreu i ushtrisë e urdhëroi vrazhdë në emër të mbretit që ‘të zbriste’—ka të ngjarë të nënkuptonte ekzekutimin. Imagjino pak! Edhe pse ata ushtarë e dinin se Elija ishte «njeri i Perëndisë së vërtetë», menduan se kishin të drejtë ta frikësonin e ta kërcënonin. Sa gabim e kishin! Elija i tha kreut të tyre: «E pra, nëse unë jam njeri i Perëndisë, le të zbresë zjarr nga qiejt dhe të të përpijë ty bashkë me pesëdhjetë njerëzit e tu.» Dhe Perëndia veproi! «Nga qiejt zbriti një zjarr që përpiu atë dhe pesëdhjetë njerëzit e tij.» (2 Mbretërve 1:9, 10) Fundi tragjik i atyre ushtarëve është një përkujtues i gjallë se për Jehovain nuk është gjë e vogël kur shërbëtorët e tij trajtohen me përçmim a me mungesë respekti.—1 Kronikave 16:21, 22.
Ahaziahu dërgoi 50 burra të tjerë bashkë me kreun e tyre, i cili u tregua edhe më moskokëçarës se i pari. Nga njëra anë nuk kishte mësuar asgjë nga vdekja e atyre 51 burrave, ndonëse hiri i tyre mund të shihej ende nëpër shpatin e malit. Nga ana tjetër, jo vetëm përsëriti urdhrin përçmues të paraardhësit të tij që Elija ‘të zbriste’, por i tha edhe «shpejt». Ç’budallallëk! Si pasojë, ai dhe ushtarët humbën jetën në të njëjtën mënyrë si grupi i parë. Megjithatë, më kokëforti nga të gjithë ishte mbreti, të cilit nuk i erdhi fare keq për gjithë sa ndodhi dhe dërgoi një grup të tretë ushtarësh. Sa mirë që kreu i tyre ishte burrë më me mend. Ai iu drejtua me përulësi Elijas dhe iu përgjërua t’i kursehej jeta atij dhe ushtarëve. Si njeri i Perëndisë, nuk çuditemi që Elija pasqyroi mëshirën e Jehovait kur iu përgjigj këtij kreu të përulur. Engjëlli i Jehovait e udhëzoi Elijan të shkonte me ushtarët, ndaj ai u bind dhe i përsëriti fjalët e Jehovait mbretit të lig. Ahaziahu vdiq, tamam siç kishte thënë Perëndia. Mbretërimi i tij zgjati vetëm dy vjet.—2 Mbretërve 1:11-17.
Si shfaqi qëndrueshmëri Elija ndonëse rrethohej nga njerëz rebelë e kokëfortë? Pyetje me vlerë edhe për ne sot, apo jo? A je shkurajuar ndonjëherë ngaqë dikush që ke për zemër, nuk ua vuri veshin këshillave të mençura dhe këmbënguli të ndiqte një udhë të dëmshme? Si mund të tregojmë qëndrueshmëri edhe përballë këtyre zhgënjimeve? Mund të mësojmë diçka nga vendi ku ushtarët gjetën Elijan. S’e themi dot në mënyrë dogmatike pse ishte «në majë të malit», ama, mund të jemi mjaft të sigurt se, si njeri i lutjes, e shfrytëzoi atë vend të qetë për t’u lidhur më ngushtë me Perëndinë e tij të dashur. (Jakovi 5:16-18) Po njësoj, edhe ne mund ta bëjmë zakon të lëmë mënjanë kohë që të flasim vetëm për vetëm me Perëndinë, duke i thirrur në emër e duke i hapur zemrën për hallet dhe shqetësimet tona. Kështu do të jemi më në gjendje të tregojmë qëndrueshmëri kur të tjerët përreth nesh tregohen moskokëçarës dhe i shkaktojnë dëme vetes.
I jep mantelin
Ishte koha që Elija të linte caktimin e tij zyrtar. Shiko çfarë bëri. Ndërkohë që bashkë me Eliseun po linin qytetin e Gilgalit, Elija i kërkon të qëndrojë aty, kurse vetë do të vazhdonte rrugën për në Bethel, rreth 11 kilometra (7 milje) larg. Por, Eliseu i përgjigjet i vendosur: «Siç është e vërtetë që rron Jehovai dhe siç është e vërtetë që rron shpirti yt, unë nuk do të të lë.» Kur arrijnë në Bethel, Elija i thotë Eliseut se duhet të shkojë vetëm në Jeriko, diku te 22 kilometra (14 milje) larg. Me vendosmëri Eliseu i përgjigjet si më parë. Në Jeriko u përsërit e njëjta situatë, para se të niseshin drejt lumit Jordan, rreth 8 kilometra (5 milje) larg. Por Eliseu, që ishte më i ri, e kishte vendosur. As e çonte ndër mend ta linte Elijan.—2 Mbretërve 2:1-6.
Eliseu shfaqi një cilësi jetësore, dashurinë besnike. E njëjta dashuri që tregoi Rutha për Naomin, lloji i dashurisë që kapet fort pas dikujt a diçkaje dhe që nuk pranon të ndahet. (Rutha 1:15, 16) Kjo cilësi u duhet të gjithë shërbëtorëve të Perëndisë sot më shumë se kurrë. A e dallojmë vlerën e saj po aq qartë sa Eliseu?
S’ka dyshim se Elija duhet të jetë prekur kur pa dashurinë besnike të shokut të tij të ri. Ja përse, Eliseu pati privilegjin të shikonte mrekullinë e tij të fundit. Buzë lumit Jordan, që vende-vende është i rrëmbyer dhe i thellë, Elija rrahu ujërat me mantelin e tij zyrtar. Dhe ujërat u ndanë! Dëshmitarë okularë të kësaj mrekullie ishin edhe «pesëdhjetë burra nga bijtë e profetëve», me sa duket pjesë e një shkolle që po zgjerohej, ku stërviteshin burra për të marrë drejtimin në adhurimin e pastër në vend. (2 Mbretërve 2:7, 8) Ka të ngjarë që këtë program stërvitjeje ta ketë mbikëqyrur Elija. Disa vjet më parë, në një rast ai kishte menduar se ishte i vetmi besnik në vend. Që prej asaj kohe, Jehovai e kishte shpërblyer qëndrueshmërinë e Elijas, duke i dhënë mundësi të shihte përparimin e shkëlqyer të adhuruesve të Tij.—1 Mbretërve 19:10.
Pasi kaluan Jordanin, Elija i tha Eliseut: «Kërko çfarë do që të bëj për ty para se të më ndajnë nga ti.» Elija e dinte se kishte ardhur momenti të largohej. Ai nuk ishte xheloz që miku i tij më i ri do të merrte privilegje e do të kishte pozitë. Përkundrazi ishte gati të bënte gjithë sa kishte në dorë për ta ndihmuar. Eliseu i bëri vetëm një kërkesë: «Të lutem, të kalojnë tek unë dy pjesë të frymës sate.» (2 Mbretërve 2:9) Ai nuk donte dyfishin e frymës së shenjtë që kishte marrë Elija. Thjesht po kërkonte trashëgiminë që i takonte një biri të parëlindur, i cili me ligj merrte pjesën më të madhe, ose dy pjesë të trashëgimisë, në përputhje me përgjegjësitë e reja si kreu i familjes. (Ligji i përtërirë 21:17) Meqë do të pasonte Elijan si profet të Perëndisë, me sa duket kuptoi se i nevojitej fryma e tij e guximshme që të kryente caktimin.
Me përulësi, Elija e la përgjigjen në dorë të Jehovait. Nëse Jehovai do ta lejonte Eliseun të shihte momentin kur Ai të merrte profetin e moshuar, atëherë përgjigjja e kërkesës do të ishte po. S’kaloi shumë dhe diçka e mrekullueshme ndodhi teksa dy burrat, miq prej shumë kohësh, ‘ecnin udhës e bisedonin’.—2 Mbretërve 2:10, 11.
S’ka diskutim se miqësia me njëri-tjetrin i ndihmoi Elijan dhe Eliseun të tregonin qëndrueshmëri në kohë të vështira
Një dritë e çuditshme ndriçoi qiellin dhe nisi të afrohej gjithnjë e më pranë. Mund të imagjinojmë një zhurmë të fortë, vërshëllyese, ndërkohë që ngrihet një stuhi e cila sjell vrik drejt dy burrave një objekt të shndritshëm që i detyron të ndahen. Kur panë këtë, ka mundësi të jenë sprapsur e të kenë mbetur gojëhapur. Ata panë një karrocë që shkëlqente si të ishte prej zjarri. Elija e kuptoi se i kishte ardhur koha. A hipi në karrocë? Tregimi nuk thotë gjë, por sido të ketë qenë, ai ndjeu se stuhia po e ngrinte në ajër lart, shumë lart.
Eliseu vështroi i mahnitur. Meqë iu shpalos kjo shfaqje mbresëlënëse, e kuptoi se Jehovai do t’i jepte vërtet «dy pjesë» nga fryma e guximshme e Elijas. Megjithatë ishte tepër i trishtuar të mendonte për këtë. Ai nuk e dinte ku po shkonte miku i tij i shtrenjtë i moshuar, por ka të ngjarë që nuk priste ta shihte më. Ndaj nisi të thërriste: «Ati im, ati im, karroca e luftës e Izraelit dhe kalorësit e tij.» Pasi mësuesi i tij i dashur i humbi nga sytë dalëngadalë, Eliseu shqeu rrobat i pikëlluar.—2 Mbretërve 2:12.
Ndërsa ngjitej lart, a i dëgjoi Elija thirrjet e dëshpëruara të mikut të tij të ri, e ndoshta derdhi ca pika lot edhe vetë? Sido të ketë qenë, ai s’kishte pikë dyshimi se një mik si Eliseu e ndihmoi të tregonte qëndrueshmëri edhe në kohë goxha të vështira. Bëjmë mirë të mësojmë nga shembulli i Elijas dhe të lidhim miqësi me njerëz që e duan Perëndinë dhe që bëjnë vullnetin e tij.
Caktimi i fundit
Po ku shkoi Elija? Disa fe mësojnë se e mori Zoti në qiell. Kjo është e pamundur. Shekuj më vonë Jezu Krishti tha se, deri në atë kohë, askush nuk ishte ngjitur në qiell. (Gjoni 3:13) Prandaj, kur lexojmë se «me anë të një stuhie, Elija u ngjit në qiej», lind pyetja: cilët qiej? (2 Mbretërve 2:11) Bibla e përdor fjalën «qiej» jo vetëm për vendin ku jeton Jehovai, por edhe për atmosferën e tokës, ku ka re dhe ku fluturojnë zogjtë. (Psalmi 147:8) Pikërisht në këta qiej u ngjit Elija. Ç’ndodhi më pas?
Jehovai thjesht e transferoi në një caktim të ri profetin e tij të dashur, kësaj here në mbretërinë fqinje të Judës. Bibla tregon se Elija ishte ende në atë caktim, ka mundësi mbi shtatë vjet më vonë. Në atë kohë Judën e qeveriste mbreti i lig Jehoram. Ai ishte martuar me vajzën e Akabit dhe të Jezebelës, ndaj ndikimi i tyre i lig vazhdonte ende. Jehovai e caktoi Elijan të shkruante një letër ku shpallte gjykimin kundër Jehoramit. Siç ishte parathënë, Jehorami pati një vdekje të tmerrshme. Ç’është më e keqja, tregimi thotë se «në fund ai iku dhe askujt s’i erdhi keq».—2 Kronikave 21:12-20.
Çfarë kontrasti mes atij njeriu të lig dhe Elijas! Është e vërtetë se nuk e dimë si ose kur vdiq Elija. Ama dimë se nuk pati fundin e Jehoramit, për vdekjen e të cilit nuk i erdhi keq askujt. Eliseun e merrte malli për mikun e tij. E s’ka dyshim se edhe profetët e tjerë besnikë ndiheshin po njësoj. Vetë Jehovai tregoi se e vlerësonte Elijan kur rreth 1.000 vjet më vonë, përdori imazhin e këtij profeti të dashur në vegimin e shpërfytyrimit. (Mateu 17:1-9) A ke dëshirë të mësosh nga Elija dhe të zhvillosh atë lloj besimi që i qëndron çdo vështirësie? Atëherë bëj çmos të krijosh miqësi me ata që e duan Perëndinë, të përqendrohesh te shërbimi i Jehovait dhe t’i lutesh shpesh me gjithë zemër. Urojmë që edhe ti të gjesh një vend të përhershëm në zemrën e Perëndisë tonë të dashur, Jehovait!
a Disa studiues kanë thënë se mali i përmendur këtu është mali Karmel, ku disa vjet më parë, Perëndia i kishte dhënë fuqi Elijas të mposhtte profetët e Baalit. Megjithatë, Bibla nuk e specifikon emrin e malit.