HEZEKIA
[Jehovai forcon].
1. Mbret i Judës nga viti 745 deri në vitin 717 p.e.s. Me sa duket hipi në fron kur vdiq i ati, Akazi, «vitin e tretë të mbretërimit të Hoshesë», mbretit të Izraelit (mbase viti i 3-të i Hoshesë si mbret që i paguante haraç Tiglath-Pileserit III), po të llogaritet zyrtarisht mbretërimi i tij nga nisani i vitit pasues (745 p.e.s.). (2Mb 18:1) Gjatë mbretërimit të Hezekisë shërbyen si profetë Isaia, Hozea dhe Mikea. (Is 1:1; Ho 1:1; Mi 1:1) Hezekia u shqua si një mbret që «qëndroi i lidhur ngushtë me Jehovain», duke bërë atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait dhe duke ndjekur urdhërimet e tij. Që në fillimet e tij si mbret, ai e mbështeti me zell adhurimin e vërtetë, jo vetëm në Judë, por në gjithë territorin e Izraelit. Njësoj si paraardhësi i tij, Davidi, Hezekia bëri çmos të ndiqte udhët e Jehovait dhe për të mund të thuhej se «pas tij nuk pati asnjë si ai ndër gjithë mbretërit e Judës, as ndër ata që kishin qenë para tij». Prandaj «Jehovai ishte me të».—2Mb 18:3-7.
Kontributi në fushën e shkrimeve. Veç këtyre, Hezekia njihet edhe për interesin e tij në mbledhjen e disa proverbave të Solomonit, siç kuptohet nga hyrja e pjesës së Librit të Proverbave që sot përkon me Proverbat kapitujt 25 deri në 29: «Edhe këto janë proverba të Solomonit, të cilat i mblodhën njerëzit e Hezekisë, mbretit të Judës.» (Pr 25:1) Pasi Jehovai e shëroi nga një sëmundje vdekjeprurëse, ai shkroi këngën e falënderimit që gjendet tek Isaia 38:10-20. Në të ai thotë se do të luanin meloditë e tij për vegla me tela. (Vrg 20) Disa mendojnë se Hezekia është autori i Psalmit 119. Nëse është kështu, ka mundësi ta ketë shkruar kur ishte princ, domethënë nuk ishte bërë akoma mbret.
Gjendja e kombit kur hipi në fron. Kur Hezekia hipi në fron, mbretëria e Judës nuk e kishte miratimin e Perëndisë, pasi Akazi, i ati i Hezekisë, kishte bërë shumë gjëra të urryera para Jehovait dhe kishte lejuar që në Judë të merrte dhenë adhurimi i perëndive të rreme. Prandaj, Jehovai lejoi që vendi të vuante në duart e armiqve, sidomos të Asirisë, fuqisë së dytë botërore. Akazi kishte zhvatur tempullin dhe pallatin mbretëror për t’i dhënë ryshfet mbretit të Asirisë. Më keq akoma, kishte bërë copë-copë pajisjet e tempullit, kishte mbyllur dyert e tij dhe kishte ngritur altarë për vete «në çdo cep të Jerusalemit» për t’u bërë flijime perëndive të tjera. Gjatë mbretërimit të tij, Akazi kishte siguruar mbrojtjen e mbretit të Asirisë me anë të një aleance. (2Mb 16:7-9; 2Kr 28:24, 25) Por, në fillim të mbretërimit të tij, Hezekia «ngriti krye kundër mbretit të Asirisë».—2Mb 18:7.
Kur Hezekia hipi në fronin e Judës, mbretëria veriore dhjetëfisëshe e Izraelit ishte më keq akoma. Për shkak të mëkateve të rënda, Jehovai kishte lejuar që Izraeli të gjendej në pikë të hallit—duhej t’i paguante haraç Asirisë, e cila s’vonoi shumë dhe e zaptoi Izraelin, kurse popullin e çoi në mërgim.—2Mb 17:5-23.
Zelli për adhurimin e vërtetë. Hezekia e tregoi zellin e tij për adhurimin e Jehovait sapo mori fronin në moshën 25-vjeçare. Gjëja e parë që bëri ishte hapja dhe meremetimi i tempullit. Pastaj, mblodhi priftërinjtë e levitët dhe u tha: «Dua me gjithë zemër të bëj një besëlidhje me Jehovain, Perëndinë e Izraelit.» Ishte një besëlidhje besnikërie, sikur në Judë u përtëri besëlidhja e Ligjit, që ishte ende në fuqi por ishte lënë pas dore. Me shumë energji ai organizoi shërbimin e levitëve dhe rivendosi rregullimin për veglat muzikore dhe këngët e lëvdimit. Ishte nisan, muaji kur kremtohej Pashka, mirëpo tempulli, priftërinjtë dhe levitët nuk ishin të pastër. Deri më 16 nisan, tempulli u pastrua dhe pajisjet u riparuan. Më pas, duhej bërë një shlyerje e veçantë për gjithë Izraelin. Fillimisht ishin princat që sollën blatime për mëkatin e flijime për mbretërinë, shenjtëroren dhe popullin. Pastaj vetë populli paraqiti mijëra blatime të djegura.—2Kr 29:1-36.
Meqenëse papastërtia e pengonte popullin të kremtonte Pashkën në datën e caktuar, Hezekia shfrytëzoi ligjin që i lejonte ata që ishin të papastër të kremtonin Pashkën një muaj më vonë. Përveç Judës, ai ftoi edhe Izraelin duke dërguar me anë të vrapuesve letra në të gjithë vendin, nga Beer-Sheba në Dan. Shumë u tallën me vrapuesit. Megjithatë, disa të tjerë, sidomos nga Asheri, Manaseu dhe Zabuloni, u përulën dhe shkuan për Pashkën; ftesën e pranuan edhe disa nga Efraimi dhe Isakari. Veç kësaj, qenë të pranishëm edhe shumë joizraelitë adhurues të Jehovait. Për ata banorë të mbretërisë veriore që ishin besnikë të adhurimit të vërtetë, nuk ishte aspak e lehtë të merrnin pjesë. Njësoj si lajmëtarët, ata i kundërshtuan dhe i tallën, pasi mbretëria dhjetëfisëshe kishte rënë shumë poshtë; ajo ishte zhytur në adhurimin e rremë dhe jetonte nën kërcënimin e Asirisë.—2Kr 30:1-20; Nu 9:10-13.
Pas Pashkës, u mbajt për shtatë ditë festa e Kuleçve të Ndormë. Ishin aq të gëzuar, sa gjithë kongregacioni vendosi ta vazhdonte kremtimin edhe për shtatë ditë të tjera. Edhe në këto kohë të rrezikshme, bekimi i Jehovait vërshoi aq sa «në Jerusalem pati një gëzim të madh, sepse që nga ditët e Solomonit, birit të Davidit, mbretit të Izraelit, nuk kishte pasur një gjë të tillë në atë qytet».—2Kr 30:21-27.
Ajo që ndodhi më pas tregoi se ishte fjala për një rivendosje dhe rigjallërim të vërtetë të adhurimit të pastër, dhe jo thjesht për një grumbullim të nxitur nga një ndjenjë kalimtare. Para se të ktheheshin nëpër shtëpi kremtuesit dolën e copëtuan kolonat e shenjta, shembën vendet e larta e altarët, si dhe prenë shtyllat e shenjta në të gjithë Judën e Beniaminin, madje edhe në Efraim e Manase. (2Kr 31:1) Hezekia dha shembullin duke bërë copë-copë gjarprin prej bakri që kishte bërë Moisiu, sepse populli e kishte kthyer në idhull duke i paraqitur tym blatimi. (2Mb 18:4) Pas festës së madhe, Hezekia mori masa që populli të vazhdonte të ecte në adhurimin e vërtetë: organizoi ndarjet priftërore dhe u kujdes që të mbështeteshin shërbimet në tempull; e nxiti popullin t’i bindej Ligjit për të dhjetat dhe kontributet në fryte të para për levitët e priftërinjtë, dhe populli iu përgjigj me gjithë zemër thirrjes së tij.—2Kr 31:2-12.
Intensifikohet kërcënimi asirian. Në këto kohë të trazuara, kur Asiria po gllabëronte gjithçka që i dilte para, Hezekia u mbështet te Jehovai, Perëndia i Izraelit. Ai ngriti krye kundër mbretit të Asirisë dhe sulmoi qytetet filistine që ishin bërë aleate të tij.—2Mb 18:7, 8.
Vitin e 4-t të mbretërimit të Hezekisë (742 p.e.s.) Shalmaneseri, mbreti i Asirisë, nisi rrethimin e Samarisë. Vitin e 6-të të mbretërimit të Hezekisë (740 p.e.s.) Samaria ra në duart e tij. Asirianët çuan në mërgim popullsinë e mbretërisë dhjetëfisëshe dhe sollën në vend popuj të tjerë. (2Mb 18:9-12) Kështu, mbretëria e Judës që përfaqësonte sundimin teokratik të Perëndisë dhe adhurimin e vërtetë, mbeti si një ishull i vogël i rrethuar ngado me armiq të egër.
Senakeribi, biri i Sargonit II, kishte si ambicie t’u shtonte trofeve të tij të luftës edhe pushtimin e Jerusalemit, sidomos ngaqë Hezekia ishte tërhequr nga aleanca që kishte bërë i ati, Akazi, me Asirinë. Vitin e 14-të të mbretërimit të Hezekisë (732 p.e.s.), Senakeribi «sulmoi të gjitha qytetet e fortifikuara të Judës dhe i pushtoi». Për të shpëtuar Jerusalemin, Hezekia i ofroi para Senakeribit; atëherë Senakeribi kërkoi shumën e majme prej 300 talentash argjendi (rr. 1.982.000 dollarë) dhe 30 talentash ari (rr. 11.560.000 dollarë). Për të paguar këtë shumë, Hezekia u detyrua të jepte gjithë argjendin që gjendej në tempull dhe në thesarin e mbretit, përveç metaleve të çmuara me të cilat ai vetë kishte veshur portat dhe shtalkat e tempullit. Kjo e kënaqi mbretin e Asirisë, por vetëm përkohësisht.—2Mb 18:13-16.
Ndërtimet dhe veprat inxhinierike. Përballë një sulmi të afërt nga Senakeribi i pangopur, Hezekia u tregua i mençur dhe strateg ushtarak. Ai bllokoi të gjitha burimet jashtë Jerusalemit që, në rast rrethimi, asirianët të gjendeshin pa ujë. Përforcoi fortifikatat e qytetit dhe «bëri shumë shigjeta e mburoja». Sidoqoftë, ai nuk u mbështet te këto mjete lufte, pasi kur mblodhi krerët ushtarakë dhe popullin u tha: «Jini guximtarë dhe të fortë! Mos kini frikë, as mos u tmerroni nga mbreti i Asirisë dhe nga gjithë turma që është me të, sepse ata që janë me ne janë më shumë se ata që janë me të. Me të është një krah prej mishi, por me ne është Jehovai, Perëndia ynë, për të na ndihmuar dhe për të luftuar në betejat tona.»—2Kr 32:1-8.
Ujësjellësi i Hezekisë ishte një nga veprat më të shquara inxhinierike të lashtësisë. Ai fillonte nga burimi i Gihonit, në lindje të pjesës veriore të Qytetit të Davidit, ndiqte një rrjedhë jo të rregullt për rreth 533 m deri në Pellgun e Siloamit në luginën e Tiropeonit poshtë Qytetit të Davidit, por brenda murit të ri të shtuar në pjesën jugore të qytetit. (2Mb 20:20; 2Kr 32:30) Në murin e tunelit të ngushtë me lartësi mesatare 1,8 m, arkeologët kanë zbuluar një mbishkrim në hebraishten e lashtë. Në të thuhet pjesërisht: «Ja se si u hap ai:—Ndërsa [ . . .] (kishte) ende [ . . .] kazmë(a), secili drejt njëri-tjetrit dhe teksa kishte ende edhe tri kute për t’u hapur, [u dëgjua] zëri i një njeriu që thërriste shokun e tij, sepse kishte mbetur një pjesë e përbashkët në shkëmb djathtas [dhe majtas]. E kur tuneli u shpua, punëtorët gërmuan (shkëmbin), secili drejt njëri-tjetrit, kazmë kundër kazme; dhe uji vërshoi nga burimi drejt rezervuarit për 1.200 kute dhe lartësia e shkëmbit sipër kokës (kokave) të gërmuesve ishte 100 kute.» (Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. B. Priçardi, 1974, f. 321) Pra, tuneli u gërmua në shkëmb duke nisur nga dy skajet e tij, derisa u takuan në mes—një arritje e vërtetë inxhinierike.
Dështimi i Senakeribit në Jerusalem. Siç e priste Hezekia, Senakeribi vendosi të sulmonte Jerusalemin. Teksa rrethonte Lakishin, një qytet të fortifikuar mirë, Senakeribi nisi një pjesë të ushtrisë me një delegacion krerësh ushtarakë që të kërkonin kapitullimin e Jerusalemit. Rabshakehu (nuk është emri i tij, por titulli ushtarak) që fliste rrjedhshëm hebraisht, ishte zëdhënësi i grupit. Me zë të lartë, ai u tall me Hezekinë dhe sfidoi Jehovain. Ai tha me mburrje se Jehovai nuk mund ta shpëtonte Jerusalemin, ashtu si perënditë e kombeve të tjera nuk kishin mundur të shpëtonin trojet e adhuruesve të tyre nga mbreti i Asirisë.—2Mb 18:13-35; 2Kr 32:9-15; Is 36:2-20.
Hezekia ishte shumë në ankth, por vazhdoi të mbështetej dhe t’i kërkonte ndihmë Jehovait në tempull. Veç kësaj, ai dërgoi disa nga krerët e popullit te profeti Isaia. Përgjigjja e Isaisë, që vinte nga Jehovai, ishte se Senakeribi do të dëgjonte një lajm dhe do të kthehej në vendin e vet ku do të vritej. (2Mb 19:1-7; Is 37:1-7) Ndërkohë Senakeribi kishte shkuar nga Lakishi në Libnah, ku dëgjoi se Tirhakahu, mbreti i Etiopisë, kishte dalë për të luftuar kundër tij. Megjithatë, Senakeribi i dërgoi letra Hezekisë me anë të lajmëtarëve, ku vazhdonte me kërcënimet e tij dhe sfidonte Jehovain, Perëndinë e Izraelit. Me të marrë këto letra tejet fyese, Hezekia i hapi para Jehovait, i cili u përgjigj përsëri me anë të Isaisë; Perëndia sfidonte Senakeribin dhe e siguronte Hezekinë se asirianët nuk do të hynin në Jerusalem. Jehovai tha: «Unë do ta mbroj këtë qytet dhe do ta shpëtoj për hirin tim dhe për hir të Davidit, shërbëtorit tim.»—2Mb 19:8-34; Is 37:8-35.
Gjatë natës, Jehovai dërgoi engjëllin e tij që shfarosi 185.000 nga ajka e ushtarëve të Senakeribit, «çdo burrë trim dhe të fuqishëm, udhëheqës dhe të parë në kampin e mbretit të Asirisë, kështu që ai u kthye i mbuluar me turp në vendin e vet». Kjo u dha fund kërcënimeve të Senakeribit për Jerusalemin. Më vonë, «ndërsa [Senakeribi] përkulej në shtëpinë e Nisrokut, perëndisë së tij, Adrameleku dhe Sharezeri, bijtë e vet, e vranë me shpatë».—2Kr 32:21; Is 37:36-38.
Janë zbuluar disa mbishkrime që flasin për fitoren e Senakeribit mbi forcat etiopase. Në to thuhet: «Hezekia, judeu, nuk iu nënshtrua zgjedhës sime. Prandaj rrethova 46 qytete të tij të forta . . . e i pushtova . . . Vetë atë e mbajta si të burgosur në Jerusalem, në selinë e tij mbretërore, tamam si zogun në kafaz.» (Ancient Near Eastern Texts, f. 288) Ai nuk thotë se e shtiu në dorë qytetin. Kjo mbështet tregimin biblik që flet për revoltën e Hezekisë kundër Asirisë dhe dështimin e Senakeribit për të marrë Jerusalemin. Siç e kishin zakon mbretërit paganë që lartësonin veten nëpër mbishkrime, edhe Senakeribi në këtë mbishkrim e ekzagjeron shumën e argjendit që i kishte paguar Hezekia; ai thotë se ishin 800 talenta, ndërkohë që Bibla thotë se ishin 300.
I zgjatet jeta me anë të një mrekullie. Rreth kohës kur Senakeribi kërcënonte Jerusalemin, Hezekia u sëmur për vdekje nga një çiban i keq. Profeti Isaia i tha të rregullonte gjërat dhe të priste vdekjen. Në këtë kohë, Hezekisë nuk i kishte lindur ende djalë, pra dukej se shtëpia mbretërore e Davidit rrezikonte të shuhej. Hezekia iu lut Jehovait me zjarr e me lot, dhe Jehovai i tha Isaisë të kthehej te mbreti e t’i thoshte se ia kishte zgjatur jetën edhe 15 vjet. Perëndia i dha edhe një shenjë për këtë duke bërë që hija e diellit të shkonte dhjetë shkallë prapa «mbi shkallët e Akazit». (Shih DIELLI.) Tre vjet pas kësaj ngjarjeje, Hezekisë i lindi Manaseu, që më vonë e pasoi në fron.—2Mb 20:1-11, 21; 21:1; Is 38:1-8, 21.
Gabimi i Hezekisë dhe pendimi. Shkrimet thonë se «Hezekia nuk iu përgjigj së mirës që i ishte bërë, sepse zemra e tij u bë fodulle dhe indinjata e Perëndisë ra mbi të dhe mbi Judën e Jerusalemin». (2Kr 32:25) Bibla nuk thotë nëse ky fodullëk lidhej me veprimin e tij aspak të mençur kur u tregoi gjithë thesarin e shtëpisë dhe gjithë mbretërinë lajmëtarëve të mbretit të Babilonisë, Berodak-Baladanit (Merodak-Baladanit), të cilët shkuan te Hezekia pas shërimit të tij. Ndoshta Hezekia i tregoi gjithë pasuritë për t’i bërë përshtypje mbretit të Babilonisë, një aleati të mundshëm kundër mbretit të Asirisë. Kjo, pa dyshim, mund të ndizte lakminë e babilonasve. Profeti Isaia ishte kundër çdo aleance ose mbështetjeje te Babilonia, armikja shekullore e Perëndisë. Kur dëgjoi si i kishte pritur Hezekia lajmëtarët e Babilonisë, nën frymëzimin e Jehovait, Isaia paratha se një ditë babilonasit do të merrnin gjithçka në Babiloni, madje edhe disa nga pasardhësit e tij. Megjithatë, Hezekia u përul dhe me dashamirësi Perëndia lejoi që kjo gjëmë të mos binte sa qe gjallë ai.—2Mb 20:12-19; 2Kr 32:26, 31; Is 39:1-8.
Në kohën e profetit Jeremia, disa nga krerët e popullit në Jerusalem folën mirë për Hezekinë, sepse ky ia kishte vënë veshin Mikesë nga Moresheti, profetit të Jehovait.—Jr 26:17-19.
2. Paraardhës i profetit Sofonia; ndoshta mbreti Hezekia.—So 1:1.
3. Izraelit, pasardhësit e të cilit u kthyen nga mërgimi në Babiloni me Zorobabelin. Ka të ngjarë që ky të mos ketë qenë mbreti Hezekia. (Ezd 2:1, 2, 16; Ne 7:6, 7, 21) Një pasardhës i këtij Hezekie mund të ketë qenë një nga krerët e popullit që vulosën ‘marrëveshjen e denjë për besim’ në kohën e Nehemisë.—Ne 9:38; 10:1, 14, 17.