Jerusalemi në kohët biblike: Çfarë zbulon arkeologjia?
VEPRIMTARI të mëdha interesante arkeologjike kanë ndodhur në Jerusalem, veçanërisht që prej vitit 1967. Shumë prej vendeve të gërmuara janë tani të hapura për publikun, prandaj le të vizitojmë disa prej tyre dhe të shohim se si përputhet arkeologjia me historinë biblike.
Jerusalemi i mbretit David
Zona së cilës Bibla i referohet si Mali Sion, mbi të cilin ishte ndërtuar Qyteti i lashtë i Davidit, duket krejt e papërfillshme në metropolin e Jerusalemit modern. Gërmimet në Qytetin e Davidit, të drejtuara ndërmjet viteve 1978-1985 nga i ndjeri profesor Yigel Shiloh, zbuluan një strukturë masive gurore të shkallëzuar, apo mur mbështetës, në anën lindore të kodrës.
Profesori Shiloh pohoi se ajo duhet të jetë rrënoja e një nënstrukture shumë të madhe muresh tarracore, mbi të cilën jebusejtë (banorët përpara pushtimit nga ana e Davidit) ndërtuan një kështjellë. Ai shpjegoi se struktura e shkallëzuar gurore që gjeti në majë të këtyre mureve tarracore, i përkiste fortesës së re të ndërtuar nga Davidi në vendndodhjen e kështjellës jebuseje. Në 2. Samuelit 5:9, lexojmë: «Kështu Davidi u vendos në qytetin e fortifikuar dhe e quajti Qyteti i Davidit. Pastaj Davidi filloi të ndërtojë rreth e qark, duke u nisur nga Milo dhe në drejtim të pjesës së brendshme.»
Pranë kësaj strukture ndodhen hyrjet e sistemeve të lashta të furnizimit me ujë, pjesë të të cilave duket se janë që prej kohës së Davidit. Disa thënie që gjenden në Bibël në lidhje me sistemin e tunelit të ujit të Jerusalemit, kanë bërë që të lindin pyetje. Për shembull, Davidi u tha njerëzve të tij se «kushdo që i mund jebusejtë, të arrijë deri në kanal [tunel uji, BR] dhe t’i zmbrapsë» armiqtë. (2. Samuelit 5:8) Këtë e bëri komandanti i Davidit, Joabi. Çfarë do të thotë saktësisht shprehja «tunel uji»?
Pyetje të tjera kanë lindur në lidhje me Tunelin e famshëm të Siloamit, që ka të ngjarë të jetë hapur në shekullin e tetë p.e.s. nga inxhinierët e mbretit Ezekia, të cilit i është referuar në 2. Mbretërve 20:20 dhe në 2. Kronikave 32:30. Si mund t’ia dilnin mbanë të takoheshin dy skuadrat e hapësve të tunelit, që gërmonin nga skaje të kundërta? Përse zgjodhën një shteg gjarpërues, duke e bërë kështu tunelin shumë më të gjatë sesa një tunel i drejtë? Në ç’mënyrë patën ajër të mjaftueshëm për të marrë frymë, veçanërisht meqenëse ka të ngjarë që të kenë përdorur llamba me vaj?
Revista Biblical Archaeology ka ofruar përgjigje të mundshme për pyetje të tilla. Dan Gill, këshilltar gjeologjik i këtij gërmimi, citohet se ka thënë: «Nën Qytetin e Davidit shtrihet një sistem karstik natyror i zhvilluar mirë. Karstik është një term gjeologjik, që përshkruan një rajon të çrregullt gropash, shpellash dhe kanalesh të krijuara nga ujërat tokësore, ndërsa ato kullojnë dhe rrjedhin përmes formacioneve shkëmbore të nëntokës. . . . Shqyrtimi që i kemi bërë ujësjellësave nëntokësore nën Qytetin e Davidit, tregon se në thelb atyre u është dhënë formë nëpërmjet një zgjerimi të shkathët që i kanë bërë njerëzit kanaleve dhe puseve të formuara nga tretja natyrore (karstike), të cilat u integruan në sisteme funksionale të furnizimit me ujë.»
Kjo mund të ndihmojë për të shpjeguar se si u gërmua Tuneli i Siloamit. Ai mund të ketë ndjekur udhën gjarpëruese të një kanali natyror nën kodër. Skuadrat që punonin nga secili skaj mund të kenë gërmuar një tunel të përkohshëm, duke modifikuar shpellat ekzistuese. Pastaj është gërmuar një kanal i pjerrët, që uji të rridhte nga burimi i Gihonit deri tek Pellgu i Siloamit, i cili ka mundësi të ndodhej brenda mureve të qytetit. Kjo ishte një vepër vërtet inxhinierike, sepse diferenca e lartësisë ndërmjet dy skajeve është vetëm 32 centimetra, megjithëse gjatësia e tij është 533 metra.
Studiuesit e kanë ditur prej kohësh se burimi kryesor i ujit për qytetin e lashtë ishte burimi i Gihonit. Ai ndodhej jashtë mureve të qytetit, por mjaft afër për të lejuar gërmimin e një tuneli dhe të një pusi 11 metra të thellë, i cili do t’u bënte të mundur banorëve të nxirrnin ujë, pa dalë jashtë mureve mbrojtëse. Ky njihet si Pusi i Uarenit, emër që vjen nga ai i Karl Uarenit, i cili e zbuloi këtë sistem në vitin 1867. Por, kur u bënë tuneli dhe pusi? A ekzistonin ata në kohën e Davidit? A ishte ky tuneli i ujit që u përdor nga Joabi? Dan Gilli përgjigjet: «Për të provuar nëse Pusi i Uarenit ishte në fakt një gropë natyrore, ne analizuam një fragment të kores gëlqerore nga muret e saj të çrregullta, për karbonin-14. Ajo nuk e përmbante aspak atë, duke treguar kështu se korja është më shumë se 40.000-vjeçare. Kjo siguron një dëshmi më se të qartë që pusi nuk mund të jetë gërmuar nga njeriu.»
Dëshmi nga koha e Ezekisë
Mbreti Ezekia jetoi në kohën kur kombi i Asirisë po përpinte çdo gjë që i dilte përpara. Në vitin e gjashtë të mbretërimit të tij, asirianët morën Samarinë, kryeqytetin e mbretërisë së dhjetë fiseve. Tetë vjet më vonë (732 p.e.s.), asirianët u kthyen përsëri, duke kërcënuar Judën dhe Jerusalemin. Libri i dytë i Kronikave, 32:1-8, përshkruan strategjinë mbrojtëse të Ezekisë. A ka ndonjë dëshmi të dukshme të kësaj periudhe?
Po, në vitin 1969, profesori Nehman Avigad zbuloi rrënoja që i përkasin kësaj periudhe. Gërmimet zbuluan një prerje të një muri masiv, ku pjesa e parë ishte 40 metra e gjatë, 7 metra e gjerë dhe sipas përllogaritjeve, 8 metra e lartë. Muri qëndronte pjesërisht mbi një shkëmb dhe pjesërisht mbi shtëpitë e ndërtuara kohët e fundit. Kush e ndërtoi murin dhe kur? «Dy fragmente të Biblës e ndihmuan Avigadin që të përcaktonte saktësisht datën dhe qëllimin e murit»,—raporton një revistë arkeologjike. Në këto fragmente lexohet: «Atëherë Ezekia mori guxim, rindërtoi të gjitha muret e rrëzuara, ngriti kulla dhe përjashta ndërtoi një mur të jashtëm.» (2. Kronikave 32:5) «Keni shembur shtëpi për të fortifikuar muret.» (Isaia 22:10) Sot vizitorët mund të shohin një pjesë të këtij të ashtuquajturi Mur i Gjerë, në Lagjen Judaike të Qytetit të Vjetër.
Gërmime të ndryshme kanë zbuluar, gjithashtu, se në atë kohë Jerusalemi ishte shumë më i madh nga sa mendohej më parë, ndoshta për shkak të ardhjes së refugjatëve nga mbretëria veriore pas shpartallimit të saj nga asirianët. Profesori Shiloh ka bërë një llogaritje, sipas së cilës qyteti i jebusejve mbulonte një zonë prej pothuajse 6 hektarësh. Në kohën e Solomonit ai mbulonte pothuajse 16 hektarë. Në kohën e mbretit Ezekia, 300 vjet më vonë, zona e fortifikuar e qytetit arriti deri në 60 hektarë.
Varrezat e periudhës së Tempullit të Parë
Varrezat që prej periudhës së Tempullit të Parë, domethënë përpara se babilonasit të shkatërronin Jerusalemin në vitin 607 p.e.s., kanë qenë një burim tjetër informacioni. Gjetje mahnitëse u bënë, kur në vitin 1979/80 u gërmuan shpellat e varrosjeve në shpatet e Luginës së Hinomit. «Gjatë gjithë historisë së kërkimit arkeologjik në Jerusalem, kjo është një prej depozitimeve shumë të pakta të Tempullit të Parë, e gjetur me gjithçka që përmban. Ajo përmbante më shumë se një mijë objekte»,—thotë arkeologu Gabriel Barkei. Ai vazhdon: «Ëndrra më e dëshirueshme e çdo arkeologu që punon në Izrael, dhe veçanërisht në Jerusalem, është që të zbulojë materiale të shkruara.» U gjetën dy rrotulla të vogla argjendi që përmbanin diçka. Po çfarë?
Barkei shpjegon: «Kur pashë shiritin prej argjendi të hapur dhe e vendosa nën thjerrzë, munda të shoh se sipërfaqja ishte e mbuluar nga shkronja të bëra me delikatesë, të shkruara me një instrument të mprehtë mbi shtresën shumë të hollë dhe të brishtë të argjendit. . . . Emri Hyjnor që duket qartë në mbishkrim, ishte i përbërë nga katër shkronjat hebraike të shkruara me shkrimin e lashtë hebraik, yod-he-waw-he.» Në një botim të mëvonshëm, Barkei shton: «Për çudinë tonë, të dyja pllakat prej argjendi ishin të skalitura me formula bekimi pothuajse identike me Bekimin Priftëror biblik.» (Numrat 6:24-26) Kjo ishte hera e parë që emri i Jehovait u gjet në një mbishkrim të zbuluar në Jerusalem.
Si i datojnë studiuesit këto rrotulla prej argjendi? Kryesisht me anë të mjedisit arkeologjik, në të cilin u gjetën. Në këtë depozitim, u gjetën më shumë se 300 pjesë të një poçeje të datueshme, të cilat tregonin se bëhej fjalë për shekullin e shtatë dhe të gjashtë p.e.s. Mënyra e të shkruarit, kur u krahasua me mbishkrime të tjera të datuara, tregon se bëhet fjalë për të njëjtën periudhë. Rrotullat janë ekspozuar në Muzeun e Izraelit në Jerusalem.
Shkatërrimi i Jerusalemit në vitin 607 p.e.s.
Bibla flet për shkatërrimin e Jerusalemit në vitin 607 p.e.s. në 2. Mbretërve, kreu 25, në 2. Kronikave, kreu 36 dhe në Jereminë, kreu 39, duke treguar se ushtria e Nabukodonosorit i vuri flakën qytetit. A e kanë vërtetuar gërmimet e kohëve të fundit këtë tregim historik? Sipas profesorit Yigal Shiloh, «dëshmia [e shkatërrimit babilonas] në Bibël . . . është plotësuar nga dëshmia më se e qartë arkeologjike: shkatërrim total i strukturave të ndryshme dhe një zjarr përpirës, i cili konsumoi pjesët e ndryshme prej druri të shtëpive». Më tej, ai komenton: «Gjurmë të këtij shkatërrimi janë gjetur në secilën prej gërmimeve të kryera në Jerusalem.»
Vizitorët mund të shohin rrënoja të këtij shkatërrimi, që ndodhi më shumë se 2.500 vjet më parë. Kulla Izraelite, Dhoma e Djegur dhe Shtëpia e Damkosur, janë emrat e vendeve të njohura arkeologjike, të ruajtura dhe të hapura për publikun. Arkeologët Xheni M. Kahil dhe David Tarlër, bëjnë një përmbledhje në një libër: «Shkatërrimi masiv i Jerusalemit nga babilonasit është i dukshëm jo vetëm nga shtresat e trasha të rrënojave të shkrumbëzuara, të zhvarrosura në struktura të tilla si ajo e Dhomës së Djegur dhe e Shtëpisë së Damkosur, por edhe nga gjetja e pirgut të madh të gërmadhave, të formuar nga ndërtesat e shembura, që mbulonin shpatin lindor. Përshkrimet biblike mbi shkatërrimin e qytetit . . . plotësojnë dëshminë arkeologjike.»—Ancient Jerusalem Revealed.
Pra, kuadri biblik i Jerusalemit prej kohës së Davidit e deri në shkatërrimin e tij në vitin 607 p.e.s., është verifikuar në shumë mënyra nga gërmimet arkeologjike të bëra gjatë 25 vjetëve të fundit. Por, ç’mund të thuhet për Jerusalemin e shekullit të parë të e.s.?
Jerusalemi në ditët e Jezuit
Gërmimet, Bibla, historiani judaik Jozefi, si dhe burime të tjera, i ndihmojnë studiuesit të krijojnë kuadrin e Jerusalemit të ditëve të Jezuit, përpara se ta shkatërronin romakët në vitin 70 të e.s. Një maket, i ekspozuar pas një hoteli të madh në Jerusalem, përditësohet rregullisht në përputhje me ato që zbulojnë gërmimet e reja. Karakteristika kryesore e qytetit ishte Kodrina e Tempullit, të cilin Herodi e kishte dyfishuar në madhësi në krahasim me atë të kohës së Solomonit. Ai ishte podiumi më i madh i bërë nga njeriu në botën e lashtë, pothuajse 480 me 280 metra. Disa gurë ndërtimi peshonin 50 ton, njëri madje pothuajse 400 ton dhe sipas një studiuesi, «i pashoq në madhësi, kudo në botën e lashtë».
Nuk është për t’u çuditur që disa njerëz u befasuan kur dëgjuan Jezuin t’u thoshte: «Shkatërroni këtë tempull dhe unë për tri ditë do ta ngre përsëri.» Ata menduan se e kishte fjalën për ndërtesën shumë të madhe të tempullit, megjithëse ai donte të thoshte «tempullin e trupit të vet». Prandaj, ata thanë: «U deshën dyzet e gjashtë vjet që të ndërtohet ky tempull dhe ti do ta ngresh për tri ditë?» (Gjoni 2:19-21) Si rezultat i gërmimeve në rrethinat e Kodrinës së Tempullit, vizitorët mund të shohin tani pjesë të mureve dhe karakteristika të tjera arkitekturale të kohës së Jezuit dhe madje mund të ngjisin shkallët që ka të ngjarë t’i ketë ngjitur edhe ai, për tek portat jugore të tempullit.
Jo shumë larg murit perëndimor të Kodrinës së Tempullit, në Lagjen Judaike të Qytetit të Vjetër, ndodhen dy zona gërmimi të shekullit të parë, të restauruara bukur, të njohura si Shtëpia e Djegur dhe Lagjja Herodiane. Pas zbulimit të Shtëpisë së Djegur, arkeologu Nahman Avigad shkroi: «Tani është plotësisht e qartë se kjo ndërtesë u dogj nga romakët në vitin 70 A.D., gjatë shkatërrimit të Jerusalemit. Për herë të parë në historinë e gërmimeve në atë qytet, doli në dritë një dëshmi arkeologjike e gjallë dhe e qartë e djegies së qytetit.»—Shiko fotografitë në faqen 12.
Disa prej këtyre zbulimeve hedhin dritë mbi disa prej ngjarjeve të jetës së Jezuit. Ndërtesat ndodheshin në Qytetin e Sipërm, ku banonin njerëzit e pasur të Jerusalemit, përfshirë këtu edhe priftërinjtë e lartë. Nëpër shtëpi u gjet një numër i madh vaskash rituali. Një studiues vëren: «Numri i madh i vaskave dëshmon për mbajtjen me rreptësi të ligjeve mbi pastërtinë rituale, të praktikuar nga banorët e Qytetit të Sipërm gjatë periudhës së Tempullit të Dytë. (Këto ligje janë regjistruar në Mishnah, e cila u kushton hollësive të mikveh, dhjetë kapituj.)» Ky informacion na ndihmon të çmojmë komentet që Jezui u bëri farisenjve dhe skribëve në lidhje me këto rite.—Mateu 15:1-20; Marku 7:1-15.
Në Jerusalem është gjetur, gjithashtu, edhe një numër i madh enësh guri. Nahman Avigad vëren: «Përse, atëherë, u shfaqën kaq papritur dhe në sasi të tilla në shtëpitë e Jerusalemit? Përgjigjja shtrihet në sferën e veprimit të halakhah, ligjeve judaike të pastërtisë rituale. Mishnah na tregon se enët prej guri janë mes atyre objekteve që nuk janë të prekshme nga papastërtia. . . . Guri ishte thjesht i paprekshëm nga ndotja rituale.» Është sugjeruar se kjo gjë shpjegon se përse uji që Jezui e shndërroi në verë, u mblodh në enë guri në vend se në enë balte.—Levitiku 11:33; Gjoni 2:6.
Një vizitë në Muzeun e Izraelit do të tregojë dy eshtërore të jashtëzakonshme. Biblical Archaeology Review shpjegon: «Kryesisht, eshtëroret u përdorën pothuajse njëqind vjet para shkatërrimit romak të Jerusalemit në vitin 70 të e.s. . . . I vdekuri vendosej në një të çarë të thellë, të gdhendur në murin e një shpelle varrosjesh; pasi kalbej mishi, kockat mblidheshin dhe vendoseshin në një eshtërore: një mbajtëse zakonisht prej guri gëlqeror të stolisur.» Ato të dyja që janë ekspozuar, u gjetën në nëntor 1990 në një shpellë varrosjesh. Arkeologu Zve Grënhët, thotë: «Fjala . . . ‘Kajafa’ në të dyja këto eshtërore shfaqet për herë të parë në një mjedis arkeologjik. Ai është ndoshta emri i familjes së kryepriftit Kajafa, i përmendur . . . në Besëlidhjen e Re. . . . Nga shtëpia e tij në Jerusalem, Jezui iu dorëzua administratorit romak, Ponc Pilatit.» Njëra prej eshtëroreve përmbante kockat e një burri rreth 60 vjeç. Studiuesit janë të mendimit se ato janë në të vërtetë kockat e Kajafës. Një studiues ua referon këto gjetje kohës së Jezuit: «Një monedhë e gjetur në njërën prej eshtëroreve të tjera, ishte bërë nga Herod Agripa (37-44 e.s.). Të dyja eshtëroret e Kajafës mund të jenë po aq të hershme sa dhe fillimi i shekullit.»
Uilliam G. Dever, profesor i arkeologjisë së Lindjes së Afërt në universitetin e Arizonës, bëri këtë koment në lidhje me Jerusalemin: «Nuk është e tepruar të themi se gjatë 15 vjetëve të fundit, kemi mësuar për historinë arkeologjike të këtij vendi kyç, më shumë se gjatë 150 vjetëve të mëparshëm të marrë së bashku.» Shumë prej veprimtarive të mëdha arkeologjike në Jerusalem gjatë dekadave të fundit, sigurisht që kanë paraqitur gjetje, të cilat hedhin dritë mbi historinë biblike.
[Burimi i figurës në faqen 9]
Riprodhim i qytetit të Jerusalemit në kohën e Tempullit të Dytë; ndodhet në truallin e hotelit «Holy Land», Jerusalem
[Figurat në faqen 10]
Sipër: Qoshja jugperëndimore e Kodrinës së Tempullit të Jerusalemit
Djathtas: Duke kaluar përmes tunelit të Ezekisë