SHTËPIA E ATIT
Shprehja hebraike behthʼav (shumës behthʼavóhth) mund të nënkuptojë (1) vendin e banimit (Lp 22:21); (2) familjen e atit në vendin ku ai banon (Zn 31:30; 38:11); (3) pjesëtarët e shtëpisë, edhe pse larg shtëpisë së të parëve (Zn 46:31; Gjy 9:18); (4) në varësi të përkthimit, «shtëpinë e atit», «shtëpinë kryesore», «shtëpinë e të parëve» ose «shtëpinë atërore», e cila, me raste, përfshinte disa familje. Për shembull, në kohën e numërimit të izraelitëve në shkretëtirë, shtëpia atërore e Kehathit përbëhej nga katër familje. (Nu 3:19, 30; shih edhe Da 6:14; Nu 26:20-22; Js 7:17.) Disa shtëpi atërore formonin një fis (si në rastin e fisit të Levit që përbëhej nga shtëpitë atërore të Gershonit, të Kehathit e të Merarit).
Sidoqoftë, termat «shtëpi atërore», «shtëpi e atit» ose «shtëpi e atit tonë» e kështu me radhë, nuk kishin vetëm përdorimet e mësipërme. (Për një përdorim të gjerë të termit «shtëpi atërore» shih Nu 17:2, 6, ku shtëpia atërore është një fis.)
Me shtimin e popullsisë së Izraelit e të ngulimeve në vise të ndryshme të Tokës së Premtuar, u shtuan edhe shtëpitë atërore. Davidi i organizoi priftërinjtë në 24 ndarje shërbimi sipas shtëpive të tyre atërore, 16 ndarje për Eleazarin dhe 8 për Ithamarin; 24 krerët e tyre u quajtën «krerë të shtëpive të tyre atërore». (1Kr 24:4-6) Pjesa tjetër e levitëve u përzgjodh me short për detyra të ndryshme, pa i dhënë përparësi moshës së krerëve të shtëpive të tyre atërore.—1Kr 24:20-31.
Kur bëhej fjalë për çështje zyrtare tregtie mes fiseve ose për çështje drejtësie, çdo shtëpi atërore në Izrael përfaqësohej nga kreu i vet trashëgimtar. (Ne 7:70, 71; 11:13) Në kohën e mbretit Josia, kur u kremtua Pashka në Jerusalem, me sa duket, populli hyri në oborrin e tempullit që të paraqiste blatime sipas radhës së familjeve atërore. Levitët, sipas ndarjeve të bëra në bazë të familjeve atërore, i merrnin blatimet e popullit dhe i përgatitnin.—2Kr 35:4, 5, 12.
Jezu Krishti u premtoi ithtarëve të vet se po shkonte t’u përgatiste një vend «në shtëpinë e Atit» të tij, dhe e kishte fjalën për vendin qiellor ku banon Jehovai.—Gjo 14:2; shih FAMILJA.