HIRAMI
[ndoshta formë e shkurtuar e emrit Ahiram që do të thotë «vëllai im është i lartë (i lartësuar)»].
Në disa vargje të tekstit masoretik, ky emër shkruhet «Hirom» (1Mb 5:10, 18; 7:40a) dhe «Huram» (2Kr 2:3).
1. Mbret i Tirit në shekullin e 11-të p.e.s.; bashkëkohës dhe mik i mbretërve David e Solomon.
Kur Davidi mori Sionin dhe nisi të ndërtonte atje një pallat, Hirami dërgoi lajmëtarë që të bënte një marrëveshje tregtare me të. Pastaj e furnizoi Davidin me drurë cedri nga shpatet perëndimore të Libanit dhe i dërgoi mjeshtra të aftë për të punuar drurin e gurin.—2Sa 5:11; 1Kr 14:1.
Si mori vesh se Davidi kishte vdekur dhe në vend të tij mbretëronte Solomoni, Hirami dërgoi shërbëtorët e vet që të përtërinin këtë marrëveshje miqësie. (1Mb 5:1) Pas kësaj, Solomoni i kërkoi ndihmë Hiramit që t’i dërgonte materiale e krahë pune për të ndërtuar tempullin e madh dhe në shkëmbim do t’u jepte punëtorëve të tij sasi të mëdha gruri, elbi, vere dhe vaji. (1Mb 5:2-6; 2Kr 2:3-10) Hirami bekoi Jehovain, dhe mes dy kombeve u bë një besëlidhje miqësie.—1Mb 5:7-12; 2Kr 2:11-16.
Në fund të projektit 20-vjeçar të ndërtimit, Solomoni i dha Hiramit 20 qytete, por ky nuk mbeti fare i kënaqur kur i pa. (1Mb 9:10-13; shih KABULI nr. 2.) Nuk dihet nëse Hirami i ktheu po këto qytete Solomonit apo nëse i dha të tjera. (2Kr 8:1, 2) Nuk dihet as nëse Hirami ia dha Solomonit 120 talentat e arit (46.242.000 dollarë) pasi mori si dhuratë qytetet apo nëse ato ishin përfshirë në njëfarë mënyre në shkëmbim.—1Mb 9:14.
Hirami bashkëpunoi me Solomonin edhe kur ky ndërtoi një flotë anijesh në gjirin e ʽAkabës, në Ezion-Geber. Ai i siguroi detarë me përvojë që do të ishin në një ekuipazh me shërbëtorët e Solomonit. Përveç këtyre anijeve që lundronin në ujërat e Afrikës Lindore, Hirami dhe Solomoni kishin edhe anije të tjera që shkonin deri në Tarshish, me sa duket në skajin jugor të Mesdheut. Gjithë kjo veprimtari duke u rënë deteve kryq e tërthor solli mjaft pasuri: ar, argjend, fildish, gurë të çmuar, drurë të kushtueshëm dhe krijesa të rralla, si majmunë e pallonj.—1Mb 9:26-28; 10:11, 12, 22; 2Kr 8:18; 9:10, 21; shih EZION-GEBERI.
2. Artizani i zotë që bëri shumë nga pajimet e tempullit të Solomonit. I ati ishte nga Tiri, kurse e ëma ishte vejushë «nga fisi i Neftalit» (1Mb 7:13, 14), «prej bijve të Danit». (2Kr 2:13, 14) Ky mospajtim në dukje zgjidhet po të pranojmë pikëpamjen që përkrahin disa studiues se ajo ishte nga fisi i Danit, kishte mbetur e ve nga burri i parë që ishte prej fisit të Neftalit dhe pastaj ishte rimartuar me dikë nga Tiri.
Hirami, mbreti i Tirit (nr. 1), e dërgoi këtë Hiram që të mbikëqyrte punën e veçantë ndërtuese për Solomonin, ngaqë ishte i zoti dhe kishte përvojë në punimin e materialeve të tilla, si ari, argjendi, bakri, hekuri, guri dhe druri. Ai ishte jashtëzakonisht i aftë edhe për ngjyerje, për skalitje dhe për skicimin e çdo lloj modeli. Pa dyshim që i ati tiras duhej t’ia kishte mësuar që në fëmijëri Hiramit teknikat e punëve artizanale të asaj epoke, meqë vetë ai ishte mjeshtër i mbaruar i bakrit.—1Mb 7:13-45; 2Kr 2:13, 14; 4:11-16.
Duket se mbreti i Tirit e quante Hiram-Abi, epitet që fjalë për fjalë do të thotë «Hirami ati im». (2Kr 2:13) Me këtë, mbreti nuk donte të thoshte se Hirami ishte me të vërtetë i ati por, ndoshta, se ishte «këshilltari» ose «kryemjeshtri» i mbretit. Po kështu, shprehja Hiram-Abiv (fjalë për fjalë «Hirami ati i tij») duket se do të thotë «Hirami është kryemjeshtri i tij (pra, i mbretit)».—2Kr 4:16.