Gjykim i ekzekutuar në ultësirën e vendimit
«Le të ngjiten . . . kombet në ultësirën e Jozafatit, sepse atje do të ulem, për të gjykuar të gjitha kombet.»—JOELI 3:12, BR.
1. Pse Joeli shikon turma të mbledhura në «ultësirën e vendimit»?
«TURMA, turma ndodhen në ultësirën e vendimit»! Ne i lexojmë këto fjalë emocionuese në Joelin 3:14. Pse janë mbledhur këto turma? Joeli përgjigjet: «Dita e Jehovait është afër.» Është dita e madhe e shfajësimit të Jehovait, dita për ekzekutimin e gjykimit mbi moritë që kanë hedhur poshtë Mbretërinë e vendosur të Perëndisë, nën Krishtin Jezu. Më në fund, «katër engjëjt» e kapitullit 7 të Zbulesës, janë gati të lëshojnë «katër erërat e tokës», të mbajtura fort prej tyre, që sjellin si rezultat «një mjerim të madh, të tillë që nuk ka ndodhur qysh prej fillimit të botës e deri tani, jo, dhe as nuk do të ndodhë përsëri».—Zbulesa 7:1; Mateu 24:21, BR.
2. (a) Pse vendi për ekzekutimin e gjykimit nga Jehovai quhet në mënyrë të përshtatshme «ultësira e Jozafatit»? (b) Si reagoi në mënyrën e duhur Jozafati, kur u sulmua?
2 Në Joelin 3:12, vendi për këtë ekzekutim gjykimi quhet «ultësira e Jozafatit». Në mënyrë të përshtatshme, gjatë një periudhe të stuhishme të historisë së Judës, Jehovai ekzekutoi atje gjykimin në favor të mbretit të mirë Jozafat, emri i të cilit do të thotë «Jehovai është Gjykatës». Një shqyrtim i asaj që ndodhi në atë kohë, do të na ndihmojë ta kuptojmë më mirë atë që do të ndodhë së shpejti në kohën tonë. Tregimi gjendet në kapitullin 20 të 2. Kronikave. Në vargun 1 të këtij kapitulli, lexojmë se «bijtë e Moabit, bijtë e Amonit dhe bashkë me ta disa të Amonimit, dolën në luftë kundër Jozafatit». Si reagoi Jozafati? Ai bëri atë që bëjnë gjithnjë shërbëtorët besimplotë të Jehovait në një situatë krize. Ai iu drejtua Jehovait për udhëheqje, duke u lutur me zjarr: «O Perëndia ynë, a nuk do ta ekzekutosh gjykimin mbi ta? Sepse ne jemi fare pa fuqi përpara kësaj turme të madhe që vjen kundër nesh dhe ne vetë nuk dimë çfarë duhet të bëjmë, por sytë tanë janë drejtuar tek ti.»—2. Kronikave 20:12, BR.
Jehovai i përgjigjet një lutjeje
3. Cilat udhëzime i dha Jehovai Judës, kur hasën sulmin e tërbuar të kombeve fqinje?
3 Ndërsa «të gjithë ata të Judës qëndronin përpara Jehovait, madje edhe të vegjlit e tyre, gratë e tyre dhe bijtë e tyre», Jehovai dha përgjigjen e tij. (2. Kronikave 20:13, BR) Ashtu siç përdor sot «skllavin e besueshëm dhe të matur» të tij, po ashtu Dëgjuesi i madh i lutjes autorizoi profetin levit Jahaziel, për t’u siguruar përgjigjen e Tij atyre që ishin mbledhur. (Mateu 24:45, BR) Lexojmë: «Ja çfarë ju ka thënë Jehovai: ‘Mos u frikësoni dhe as mos u tmerroni për shkak të kësaj turme të madhe, sepse beteja nuk është juaja, por e Perëndisë. . . . Në këtë rast, nuk do të keni nevojë të luftoni. Zini pozicionin tuaj, qëndroni pa lëvizur dhe shikoni shpëtimin e Jehovait në favorin tuaj. . . . Mos u frikësoni dhe as mos u tmerroni. Nesër dilni kundër tyre dhe Jehovai do të jetë me ju.’»—2. Kronikave 20:15-17, BR.
4. Në ç’mënyrë kërkoi Jehovai që populli i tij të ishte aktiv, jo pasiv, kur u ndodh përballë me sfidën e armikut?
4 Jehovai kërkoi nga mbreti Jozafat dhe nga populli i tij më shumë sesa thjesht të rrinin me sytë nga qielli, në pritje të një çlirimi të mrekullueshëm. Ata duhej të merrnin iniciativën për të përballuar sfidën e armikut. Mbreti dhe ‘të gjithë ata të Judës, madje edhe të vegjlit e tyre, gratë e tyre dhe bijtë e tyre’, shprehën besim të fortë, kur me bindje u ngritën herët në mëngjes dhe marshuan për t’u bërë ballë hordhive pushtuese. Në rrugë e sipër, mbreti vazhdonte të jepte udhëzime teokratike dhe inkurajim, duke i nxitur ata: «Vini besim në Jehovain, Perëndinë tuaj, që të mund të qëndroni gjatë. Vini besim në profetët e tij dhe kështu, dilni të suksesshëm.» (2. Kronikave 20:20, BR) Besim në Jehovain! Besim në profetët e tij! Këtu gjendej çelësi i suksesit. Në mënyrë të ngjashme sot, ndërsa vazhdojmë aktivë në shërbimin e Jehovait, mos dyshofshim kurrë se ai do ta nxjerrë fitimtar besimin tonë!
5. Në ç’mënyrë Dëshmitarët e Jehovait janë sot aktivë, ndërsa lavdërojnë Jehovain?
5 Ashtu si judenjtë e kohës së Jozafatit, ne duhet t’i «thurim lavdi Jehovait, sepse dashamirësia e tij e dashur është në kohë të pacaktuar». Si ia thurim këtë lavdi? Duke predikuar me zell Mbretërinë! Ashtu si ata judenj «filluan me thirrje të gëzuara dhe lavdërim», kështu ne i shtojmë besimit tonë veprat. (2. Kronikave 20:21, 22, BR) Po, le të shfaqim një besim të ngjashëm të vërtetë, ndërsa Jehovai përgatitet për t’u hedhur në veprim kundër armiqve të tij! Megjithëse rruga mund të duket e gjatë, le të jemi të vendosur për të duruar, aktivë në besim, siç po bën sot nëpër vendet me trazira në botë, populli i tij fitimtar. Në disa vende të goditura fort nga persekutimi, dhuna, uria dhe kushtet e tmerrshme ekonomike, shërbëtorët besimplotë të Perëndisë po përjetojnë rezultate të jashtëzakonshme, siç e tregon edhe Libri Vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait i vitit 1998.
Jehovai shpëton popullin e tij
6. Si na ndihmon besimi i fortë që të qëndrojmë besnikë sot?
6 Kombet e paperëndishme që rrethonin Judën, u përpoqën ta gllabëronin popullin e Perëndisë, por me një besim shembullor, shërbëtorët e Jehovait u përgjigjën duke kënduar lavditë e tij. Ne mund të shprehim sot të njëjtin besim. Duke e mbushur jetën tonë me vepra lavdërimi për Jehovain, ne forcojmë armaturën tonë frymore, duke mos i lënë fare vend për të depërtuar mashtrimeve dinake të Satanait. (Efesianëve 6:11) Besimi i fortë do ta shtypë tundimin për t’u shpërqendruar nga zbavitjet degraduese, materializmi dhe apatia, që karakterizojnë botën përreth nesh, e cila po vdes. Ky besim i pamposhtur do të na mbajë për të shërbyer me besnikëri bashkë me «skllavin e besueshëm dhe të matur», ndërsa ushqehemi vazhdimisht me dietën e ushqimit frymor, që sigurohet «në kohën e duhur».—Mateu 24:45, BR.
7. Si u janë përgjigjur Dëshmitarët e Jehovait sulmeve të ndryshme kundër tyre?
7 Besimi ynë i bazuar në Bibël do të na forcojë për të qëndruar të patundur kur hasim fushata urrejtjeje, të nxitura nga ata që shfaqin frymën e «skllavit të lig» në Mateun 24:48-51. Duke përmbushur këtë profeci në një mënyrë të jashtëzakonshme, apostatët janë duke mbjellë sot aktivisht gënjeshtra dhe propagandë në shumë vende, madje duke komplotuar me disa nga ata që kanë pozita autoriteti nëpër kombe. Ku ka qenë e përshtatshme, Dëshmitarët e Jehovait janë përgjigjur, siç përshkruhet në Filipianëve 1:7, ‘duke mbrojtur dhe duke vendosur ligjërisht lajmin e mirë’. (BR) Për shembull, më 26 shtator 1996, në një çështje gjyqësore nga Greqia, të nëntë gjyqtarët e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg, ripohuan njëzëri se «Dëshmitarët e Jehovait futen në përkufizimin e ‘fesë së njohur’», që u takon të gëzojnë lirinë e mendimit, të ndërgjegjes e të besimit, si dhe të drejtën për ta bërë të njohur besimin e tyre. Sa për apostatët, gjykimi i Perëndisë thotë: «Atyre u ndodhi ajo që thotë proverbi i vërtetë: ‘Qeni u kthye tek e vjella e vet dhe dosa që ishte larë, te zhgërryerja në llucë.’»—2. Pjetrit 2:22, BR.
8. Në ditët e Jozafatit, si e ekzekutoi Jehovai gjykimin kundër armiqve të popullit të tij?
8 Në kohën e Jozafatit, Jehovai ekzekutoi gjykimin kundër atyre që donin t’i bënin dëm popullit të Tij. Lexojmë: «Jehovai vuri burra në pritë kundër bijve të Amonit, të Moabit dhe të rajonit malor të Seirit, që po vinin në Judë dhe ata goditën njëri-tjetrin. Bijtë e Amonit dhe të Moabit qëndruan kundër banorëve të rajonit malor të Seirit, për t’ia kushtuar ata shkatërrimit dhe për t’i shfarosur; sapo mbaruan me banorët e Seirit, ndihmuan njëri-tjetrin për të shkatërruar shoku-shokun.» (2. Kronikave 20:22, 23, BR) Judenjtë e quajtën këtë vend ultësirën e Barakut, ku Barak do të thotë «bekim». Edhe në ditët tona, ekzekutimi i gjykimit nga Jehovai mbi armiqtë e vet, do të sjellë si rezultat bekime të mëdha për popullin e tij.
9, 10. Cilët e kanë treguar veten të denjë për gjykimin e pafavorshëm të Jehovait?
9 Ne mund të pyesim: Kush duhet të marrë një gjykim të pafavorshëm nga Jehovai në kohët moderne? Për të marrë përgjigjen e kësaj pyetjeje, duhet të kthehemi te profecia e Joelit. Joeli 3:3 flet për armiqtë e popullit të tij, të cilët «do ta jepnin fëmijën mashkull për prostitut dhe do ta shitnin fëmijën femër për verë». Po, ata i konsiderojnë shërbëtorët e Perëndisë shumë më të ulët se veten dhe fëmijët e tyre si të mos vlejnë më shumë sesa mëditja e një prostitute ose sesa kostoja e një brokeje me verë. Atyre do t’u duhet të përgjigjen për këtë.
10 Po kaq të denjë për gjykim janë edhe ata që kryejnë kurvëri frymore. (Zbulesa 17:3-6) Të qortueshëm janë sidomos ata që u bien me bërryl fuqive politike, që të persekutojnë Dëshmitarët e Jehovait dhe të bllokojnë aktivitetin e tyre, siç kanë bërë kohët e fundit në Evropën Lindore disa udhëheqës fetarë, të cilët përdorin demagogjinë. Jehovai shpreh vendosmërinë e tij për të vepruar kundër punëtorëve të tillë të poshtërsisë.—Joeli 3:4-8.
«Shenjtëroni luftën!»
11. Si i sfidon Jehovai armiqtë e tij për luftë?
11 Më pas, Jehovai thërret popullin e tij, për të shpallur një sfidë mes kombeve: «Shenjtëroni luftën! Zgjoni burrat e fuqishëm! Le të afrohen! Le të ngjiten, të gjithë burrat e luftës!» (Joeli 3:9, BR) Kjo është një deklaratë për një lloj të pazakontë lufte: luftë e drejtë. Dëshmitarët besnikë të Jehovait mbështeten në armët frymore, ndërsa i përgjigjen propagandës gënjeshtare, duke i kundërvënë gënjeshtrës të vërtetën. (2. Korintasve 10:4; Efesianëve 6:17) Së shpejti Perëndia do të shenjtërojë «luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm». Ajo do t’ia heqë qafe tokës të gjithë kundërshtarët e sovranitetit të Perëndisë. Populli i tij mbi tokë nuk do të ketë pjesë fizike në të. Në kuptimin real dhe të figurshëm, ata i kanë ‘farkëtuar shpatat e tyre në plugje dhe heshtat në draprinj’. (Isaia 2:4, BR) Në kontrast me këtë, Jehovai sfidon kombet kundërshtare për të bërë të kundërtën: «Farkëtoni plugjet tuaja në shpata dhe gërshërët tuaja për kositje në heshta.» (Joeli 3:10, BR) Ai i fton ata të hedhin në përleshje të gjithë arsenalin e tyre të makinave të luftës dhe të armatimeve moderne. Por ato nuk mund t’ia dalin mbanë, sepse beteja dhe fitorja i përkasin Jehovait!
12, 13. (a) Megjithë përfundimin e Luftës së Ftohtë, si e kanë treguar shumë kombe se janë ende luftëdashëse? (b) Për çfarë nuk janë të përgatitura kombet?
12 Në fillimet e viteve 90, kombet deklaruan se Lufta e Ftohtë kishte mbaruar. Duke pasur parasysh këtë, a u arrit synimi kryesor i Kombeve të Bashkuara për paqe dhe siguri? Vështirë! Çfarë na tregojnë ngjarjet në Burundi, Republikën Demokratike të Kongos, Irak, Liberi, Ruandë, Somali dhe në ish-Jugosllavi? Me fjalët e Jeremisë 6:14, ata po thonë: «‘Ka paqe! Ka paqe!’, kur nuk ka paqe.»—BR.
13 Edhe pse lufta e hapur ka pushuar në disa vende, kombet anëtare të OKB-së konkurrojnë akoma me njëra-tjetrën për prodhimin e armëve të sofistikuara të luftës. Disa vazhdojnë të mbajnë rezerva armësh bërthamore. Të tjera zhvillojnë armë kimike ose bakteriologjike të shkatërrimit në masë. Ndërsa këto kombe mblidhen në vendin simbolik të quajtur Harmagedon, ai i sfidon: «Sa për të dobëtin, le të thotë: ‘Jam një burrë i fuqishëm.’ Jepni ndihmën tuaj dhe ejani të gjitha ju kombe përreth dhe mblidhuni së bashku.» Pastaj Joeli ndërhyn me thirrjen e tij: «Drejt atij vendi, o Jehova, bëj të zbresin të fuqishmit e tu.»—Joeli 3:10, 11, BR.
Jehovai mbron të vetët
14. Kush janë të fuqishmit e Jehovait?
14 Kush janë të fuqishmit e Jehovait? Rreth 280 herë në Bibël, Perëndia i vërtetë është quajtur «Jehovai i ushtrive». (2. Mbretërve 3:14, BR) Këto ushtri janë moritë engjëllore të qiellit, që qëndrojnë gati për të zbatuar urdhrat e Jehovait. Kur sirianët u përpoqën të kapnin Eliseun, Jehovai ia hapi së fundi sytë shoqëruesit të Eliseut, për të parë se përse ata nuk do t’ia dilnin: «Ja! Rajoni malor ishte plot me kuaj dhe me qerre të zjarrta lufte rreth e qark Eliseut.» (2. Mbretërve 6:17, BR) Jezui tha se mund t’i kishte thirrur Atit të tij për «më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh». (Mateu 26:53) Duke përshkruar kalërimin e Jezuit për të ekzekutuar gjykimin në Harmagedon, Zbulesa thotë: «Ushtritë që ishin në qiell e ndiqnin mbi kuaj të bardhë dhe ishin të veshura me lir të bardhë, të pastër dhe të hollë. Dhe nga goja e tij del një shpatë e mprehtë e gjatë, që me të të godasë kombet dhe do t’i kullotë ato me një shufër hekuri. Ai shkel edhe në shtypësen e verës të zemërimit e të mërisë së Perëndisë të Plotfuqishëm.» (Zbulesa 19:14, 15, BR) Kjo shtypëse simbolike e verës është përshkruar me terma të gjalla si «shtypësja e madhe e verës e zemërimit të Perëndisë».—Zbulesa 14:17-20, BR.
15. Si e përshkruan Joeli luftën e Jehovait kundër kombeve?
15 Si, pra, i përgjigjet Jehovai kërkesës lutëse të Joelit për të bërë të zbresin atje të fuqishmit e vetë Perëndisë? Ajo gjendet në këto fjalë të gjalla: «Le të zgjohen dhe të ngjiten kombet në ultësirën e Jozafatit, sepse atje do të ulem për të gjykuar të gjitha kombet që janë përreth. Vini draprin, sepse e korra është pjekur. Ejani, zbritni, sepse shtypësja e verës është mbushur plot. Tirat në fakt janë plot e përplot, sepse ligësia e tyre është bërë e bollshme. Turma, turma ndodhen në ultësirën e vendimit, sepse dita e Jehovait është afër në ultësirën e vendimit. Vetë dielli dhe hëna do të errësohen me siguri dhe vetë yjet do ta tërheqin në fakt shkëlqimin e tyre. Nga Sioni vetë Jehovai do të ulërijë dhe nga Jerusalemi do të lëshojë zërin e tij. Dhe qielli e toka me siguri do të lëkunden.»—Joeli 3:12-16, BR.
16. Kush do të përfshihet mes atyre, kundër të cilëve Jehovai ekzekuton gjykimin?
16 Po aq sa është e sigurt se emri Jozafat do të thotë «Jehovai është Gjykatës», aq e sigurt është se Perëndia, Jehovai, do ta shfajësojë plotësisht sovranitetin e tij, kur të ekzekutojë gjykimin. Profecia i përshkruan ata që marrin një gjykim të pafavorshëm si ‘turma, turma në ultësirën e vendimit’. Çdo mbrojtës që ka mbetur i fesë së rreme, do të jetë mes këtyre turmave. Do të përfshihen, gjithashtu, ata që përshkruhen në Psalmin e dytë: kombet, grupet kombëtare, mbretërit e tokës dhe zyrtarët e lartë, të cilët kanë preferuar më shumë sistemin e korruptuar të kësaj bote, sesa ‘t’i shërbejnë Jehovait me druajtje’. Këta refuzojnë ta «puthin birin». (Psalmi 2:1, 2, 11, 12, BR) Ata nuk e pranojnë Jezuin si Mbretin bashkëpunëtor të Jehovait. Veç këtyre, turmat e shënuara për shkatërrim do të përfshijnë të gjithë ata njerëz, të cilët ky Mbret i lavdishëm do t’i gjykojë se janë «cjepë». (Mateu 25:33, 41) Në kohën e duhur të Jehovait për të ulëritur nga Jerusalemi qiellor, i emëruari prej tij Mbret i mbretërve, do të kalërojë për të ekzekutuar këtë gjykim. Qiejt dhe toka me siguri që do të lëkunden! Megjithatë, ne jemi të sigurt se «Jehovai do të jetë një strehim për popullin e tij dhe një fortesë për bijtë e Izraelit».—Joeli 3:16, BR.
17, 18. Cilët identifikohen si të mbijetuar të mjerimit të madh dhe çfarë kushtesh do të gëzojnë ata?
17 Zbulesa 7:9-17 i identifikon ata që mbijetojnë mjerimin e madh si «një shumicë e madhe» e përbërë nga ata që ushtrojnë besim në fuqinë shpërblerëse të gjakut të Jezuit. Këta gjejnë mbrojtje në ditën e Jehovait, ndërsa turmat që mizërojnë, të profecisë së Joelit, ballafaqohen me gjykimin e pafavorshëm. Joeli u thotë të mbijetuarve se «juve njerëz, do t’ju duhet të dini se unë jam Jehovai, Perëndia juaj, që banoj në Sion, në malin tim të shenjtë», banesa qiellore e Jehovait.—Joeli 3:17a, BR.
18 Profecia më pas na informon që zotërimet e Mbretërisë qiellore të Perëndisë «duhet të bëhen një vend i shenjtë dhe për sa u përket të huajve, ata nuk do të kalojnë më nëpër të». (Joeli 3:17b, BR) Në qiell dhe në sferën tokësore të kësaj Mbretërie qiellore, nuk do të ketë të huaj, sepse të gjithë do të jenë të bashkuar në adhurimin e pastër.
19. Si është përshkruar nga Joeli lumturia parajsore e popullit të Perëndisë sot?
19 Edhe sot, mes popullit të Jehovait këtu në tokë mbizotëron një bollëk paqeje. Të bashkuar, ata po shpallin gjykimet e tij në mbi 230 vende dhe në më shumë se 300 gjuhë të ndryshme. Ky lulëzim është profetizuar bukur nga Joeli: «Duhet të ndodhë që atë ditë malet të pikojnë verë të ëmbël, nga vetë kodrat të rrjedhë qumështi dhe në vetë shtretërit e përrenjve të Judës të rrjedhë ujë.» (Joeli 3:18, BR) Po, Jehovai do të vazhdojë të derdhë mbi lavdëruesit e tij në tokë, një vërshim bekimesh të gëzueshme dhe mirëqenieje, si dhe një rrjedhë në rritje të të vërtetave të çmuara. Sovraniteti i Jehovait do të jetë shfajësuar plotësisht në ultësirën e vendimit dhe gëzimi do të jetë me bollëk, ndërsa Jehovai banon përgjithmonë mes popullit të tij të shpenguar.—Zbulesa 21:3, 4, BR.
A mund të kujtosh?
◻ Si e shpëtoi Jehovai popullin e tij në ditët e Jozafatit?
◻ Cilët gjykon Jehovai në «ultësirën e vendimit» si të denjë për shkatërrim?
◻ Kush janë të fuqishmit e Perëndisë dhe çfarë roli do të luajnë ata në konfliktin përfundimtar?
◻ Çfarë lumturie gëzojnë adhuruesit besimplotë?
[Figura në faqen 21]
Judës iu tha: ‘Mos u frikëso, sepse beteja nuk është jotja, por e Perëndisë’
[Figura në faqen 23]
Jehovai i sfidon armiqtë e tij të ‘farkëtojnë plugjet e tyre në shpata’
[Figura në faqen 24]
Bibla identifikon një shumicë të madhe të mbijetuarish të mjerimit të madh