Fitoni një zemër që i pëlqen Jehovait
«Krijo tek unë një zemër të kulluar, o Perëndi, dhe vër brenda meje një frymë të re, të palëkundur.»—PSALMI 51:10, BR.
1, 2. Përse duhet të jemi të interesuar për zemrën tonë?
AI ISHTE shtatlartë dhe i paraqitshëm. Profetit Samuel i bëri kaq përshtypje kur e pa, saqë nxori përfundimin se këtë bir të madh të Jeseut kishte zgjedhur Perëndia për të qenë mbret pas Saulit. Por Jehovai tha: «Mos ia shiko [këtij biri] as pamjen as shtatgjatësinë, sepse unë e kam refuzuar . . . , njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën.» Siç doli më vonë, Jehovai kishte zgjedhur birin më të vogël të Jeseut, Davidin, i cili ishte «një njeri simbas zemrës së tij».—1 Samuelit 13:14; 16:7.
2 Perëndia mund të lexojë zemrën e njerëzve, siç e bëri të qartë më vonë ai vetë: «Unë, Zoti, hetoj zemrën, vë në provë mendjen për t’i dhënë secilit sipas rrugëve të tij, sipas frytit të veprimeve të tij.» (Jeremia 17:10) Po, «Jehovai është ai që shqyrton zemrat». (Proverbat [Fjalët e urta] 17:3, BR) Por, çfarë është zemra që shqyrton Jehovai te ne? Veç kësaj, çfarë mund të bëjmë për të fituar një zemër që i pëlqen atij?
«Njeriu i fshehtë i zemrës»
3, 4. Në cilin kuptim përdoret kryesisht fjala «zemër» në Bibël? Jepni shembuj.
3 Në Shkrimet e Shenjta, fjala «zemër» gjendet rreth një mijë herë. Në shumicën e rasteve është përdorur në mënyrë të figurshme. Për shembull, Jehovai i tha profetit Moisi: «U thuaj bijve të Izraelit që të më bëjnë një ofertë; do ta pranoni ofertën nga çdo njeri që e bën i shtyrë nga zemra e tij.» Dhe ata që bënë oferta ‘erdhën, të shtyrë nga zemra e tyre’. (Eksodi [Dalja] 25:2; 35:21) Është e qartë se një veçori e zemrës figurative është motivi, domethënë forca e brendshme që na nxit të veprojmë. Gjithashtu, zemra jonë figurative pasqyron emocionet dhe ndjenjat tona, dëshirat dhe përzemërsitë. Zemra mund të jetë e mbushur me zemërim ose plot frikë, e copëtuar nga hidhërimi ose e ngazëlluar nga gëzimi. (Psalmi 27:3; 39:3; Gjoni 16:22; Romakëve 9:2) Ajo mund të jetë krenare ose e përulur, e dashur ose plot urrejtje.—Fjalët e urta 16:5; Mateu 11:29; 1 Pjetrit 1:22.
4 Për pasojë, shpesh «zemra» shoqërohet me motivimin dhe ndjenjat, kurse «mendja» ka të bëjë në mënyrë të veçantë me intelektin. Në këtë mënyrë duhen kuptuar këto terma, kur ndeshen në të njëjtin kontekst në Shkrime. (Mateu 22:37; Filipianëve 4:7) Por, zemra dhe mendja nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Për shembull, Moisiu i nxiti izraelitët: «Duhet të rikujtosh në zemrën tënde [ose «duhet të sjellësh ndër mend», shënimi] se Jehovai është Perëndia i vërtetë.» (Ligji i përtërirë 4:39, BR) Skribëve që po bënin plane kundër tij, Jezui u tha: «Përse po mendoni gjëra të liga në zemrën tuaj?» (Mateu 9:4) Me zemrën mund të lidhen edhe «kuptueshmëria», «njohuria» dhe ‘arsyetimi’. (1 Mbretërve 3:12, BR; Proverbat 15:14, BR; Marku 2:6) Pra, zemra figurative mund të përfshijë edhe intelektin, domethënë mendimet ose kuptueshmërinë tonë.
5. Çfarë përfaqëson zemra figurative?
5 Sipas një vepre referimi, zemra figurative përfaqëson «pjesën qendrore në përgjithësi, pjesën e brendshme, pra, njeriun e brendshëm ashtu siç shfaqet në të gjitha veprimtaritë e tij të ndryshme, në dëshirat e tij, në dashurinë, emocionet, pasionet, qëllimet, mendimet e tij, në perceptimet, përfytyrimet, mençurinë, njohurinë, aftësitë, në bindjet dhe në arsyetimet e tij, në kujtesën dhe në vetëdijen e tij». Ajo përfaqëson atë që jemi vërtet përbrenda, ‘njeriun e fshehtë të zemrës’. (1 Pjetrit 3:4) Kjo është ajo që sheh e shqyrton Jehovai. Prandaj, Davidi mundi të lutej: «Krijo tek unë një zemër të kulluar, o Perëndi, dhe vër brenda meje një frymë të re, të palëkundur.» (Psalmi 51:10, BR) Si mund të fitojmë një zemër të kulluar?
‘Vini zemrën’ në Fjalën e Perëndisë
6. Çfarë thirrjeje i bëri Moisiu Izraelit, kur ishin duke fushuar në Rrafshinën e Moabit?
6 Kur po këshillonte bijtë e Izraelit që ishin mbledhur në Rrafshinën e Moabit para se të hynin në Tokën e Premtuar, Moisiu tha: «Vini zëmërënë tuaj ndër gjithë fjalët që po u dëshmonj juve unë sot, për të cilatë të porositni djemtë tuaj të kenë kujdes të bënjënë gjithë fjalët e këtij nomi.» (Ligji i përtërirë 32:46, Bashkimi i Kombit) Izraelitët duhej të ‘kushtonin vëmendje të madhe’. (Knox) Vetëm duke qenë tërësisht të njohur me urdhrat e Perëndisë, ata mund t’ua ngulitnin këto urdhra bijve të tyre.—Ligji i përtërirë 6:6-8.
7. Çfarë përfshin të ‘vëmë zemrën’ në Fjalën e Perëndisë?
7 Një kërkesë kryesore për të fituar një zemër të kulluar është të fitojmë njohuri të saktë për vullnetin dhe për qëllimet e Perëndisë. Ka vetëm një burim për këtë njohuri, Fjala e frymëzuar e Perëndisë. (2 Timoteut 3:16, 17) Gjithsesi, vetëm njohuria në nivel mendor nuk do të na ndihmojë të fitojmë një zemër që i pëlqen Jehovait. Që njohuria të prekë atë që jemi vërtet përbrenda, duhet të ‘vëmë zemrën’ ose ‘ta marrim me zemër’ atë që po mësojmë. (Ligji i përtërirë 32:46) Si bëhet kjo? Psalmisti David shpjegon: «Kujtoj ditët e lashta; bie në mendime të thella mbi tërë veprat e tua; reflektoj mbi gjëra që kanë bërë duart e tua.»—Psalmi 143:5.
8. Rreth cilave pyetje mund të përsiatemi gjatë studimit?
8 Edhe ne duhet të meditojmë me çmueshmëri rreth veprimtarisë së Jehovait. Kur lexojmë Biblën ose botimet e bazuara në Bibël, duhet të përsiatemi rreth pyetjeve të tilla, si: Çfarë më mëson kjo për Jehovain? Cilat cilësi të Jehovait shoh të shfaqen këtu? Çfarë më mëson ky tregim për atë që i pëlqen e atë që nuk i pëlqen Jehovait? Cilat janë pasojat kur ndjekim një drejtim që Jehovai e do, në krahasim me ato kur ndjekim një drejtim që ai e urren? Si lidhet ky informacion me ato që tashmë di?
9. Sa të vlefshëm janë studimi personal dhe meditimi?
9 Lizaa 32-vjeçare shpjegon se si arriti të çmonte vlerën e studimit dhe të meditimit domethënës: «Pas pagëzimit në vitin 1994, isha shumë e gjallë në të vërtetën për afro dy vjet. I ndiqja të gjitha mbledhjet e krishtere, kushtoja nga 30 deri në 40 orë çdo muaj në shërbimin në fushë dhe shoqërohesha me të bashkëkrishterët. Pastaj, fillova të largohesha. Rashë kaq poshtë, saqë shkela edhe ligjin e Perëndisë. Por, erdha përsëri në vete dhe vendosa ta pastroja jetën time. Sa e kënaqur jam që Jehovai e ka parë pendimin tim dhe më ka pranuar përsëri! Shpesh kam medituar: Përse u largova? Përgjigjja që më vjen gjithnjë në mend është se kisha lënë pas dore studimin dhe meditimin domethënës. Thjesht, e vërteta biblike nuk më kishte arritur në zemër. Tani e tutje, studimi personal dhe meditimi do të jenë gjithnjë pjesë domethënëse e jetës sime.» Ndërsa rritemi në njohurinë për Jehovain, për Birin e tij dhe për Fjalën e tij, sa jetësore është që të lëmë mënjanë kohë për meditim domethënës!
10. Përse është urgjente të lëmë kohë mënjanë për studimin personal dhe për meditimin?
10 Në këtë botë të ethshme, të gjejmë kohë për studimin dhe meditimin është vërtet një sfidë. Megjithatë, të krishterët sot qëndrojnë në prag të një Toke të Premtuar të mrekullueshme, në prag të botës së re të drejtë të Perëndisë. (2 Pjetrit 3:13) Së shpejti presim të ndodhin ngjarje rrëqethëse, si shkatërrimi i ‘Babilonisë së Madhe’ dhe sulmi i «Gogut të vendit të Magogut» mbi popullin e Jehovait. (Zbulesa 17:1, 2, 5, 15-17; Ezekieli 38:1-4, 14-16; 39:2) Ajo që gjendet përpara mund të na e vërë në provë dashurinë që kemi për Jehovain. Është urgjente që ta blejmë tani kohën e duhur dhe të vëmë zemrën në Fjalën e Perëndisë!—Efesianëve 5:15, 16.
‘Përgatitni zemrën për të konsultuar Fjalën e Perëndisë’
11. Në ç’mënyrë zemra mund të krahasohet me tokën?
11 Zemra figurative mund të krahasohet me një tokë në të cilën mund të mbillet fara e së vërtetës. (Mateu 13:18-23) Tokës fizike normalisht i bëhen shërbime për të siguruar rritjen e shëndetshme të të mbjellave. Në mënyrë të ngjashme, zemra duhet përgatitur ose i duhen bërë shërbime, në mënyrë që të jetë më e ndjeshme ndaj Fjalës së Perëndisë. Prifti Ezdra ‘e përgatiti zemrën e tij për të konsultuar ligjin e Jehovait dhe për ta zbatuar atë’. (Ezdra 7:10, BR) Si mund ta përgatitim ne zemrën?
12. Çfarë do të na ndihmojë ta përgatitim zemrën për studimin?
12 Një përgatitje e shkëlqyer e zemrës kur konsultojmë Fjalën e Perëndisë është lutja me gjithë zemër. Mbledhjet e krishtere të adhuruesve të vërtetë hapen dhe mbyllen me lutje. Sa e përshtatshme është që ta fillojmë çdo herë studimin personal të Biblës me një lutje të çiltër dhe pastaj të mbajmë një qëndrim të përkushtuar gjatë studimit!
13. Çfarë duhet të bëjmë për të fituar një zemër që i pëlqen Jehovait?
13 Zemra figurative duhet përgatitur që t’i largojë paragjykimet. Udhëheqësit fetarë të ditëve të Jezuit nuk donin ta bënin këtë. (Mateu 13:15) Nga ana tjetër, mamaja e Jezuit, Maria, nxori përfundime «në zemrën e saj» duke u bazuar në të vërtetat që kishte dëgjuar. (Luka 2:19, 51) Ajo u bë një dishepulle besnike e Jezuit. Lidia nga Tiatira e dëgjoi Pavlin ‘dhe Jehovai ia hapi plotësisht zemrën për të kushtuar vëmendje’. Edhe ajo u bë besimtare. (Veprat 16:14, 15) Asnjëherë të mos mbahemi në mënyrë të ngurtë pas ideve personale ose pikëpamjeve doktrinale që i kemi për zemër. Përkundrazi, le të jemi të gatshëm që «të dalë Perëndia i vërtetë, edhe sikur çdo njeri të gjendet gënjeshtar».—Romakëve 3:4.
14. Si mund ta përgatitim zemrën për të dëgjuar në mbledhjet e krishtere?
14 Veçanërisht e rëndësishme është të përgatitim zemrën për të dëgjuar në mbledhjet e krishtere. Shpërqendrimet mund të na e heqin vëmendjen nga ajo që po thuhet. Fjalët që thuhen mund të ushtrojnë pak ndikim, nëse e kemi mendjen të zënë me gjërat që kanë ndodhur gjatë ditës ose jemi të shqetësuar për atë që na pret të nesërmen. Duhet të jemi fortësisht të vendosur për të dëgjuar dhe për të mësuar, nëse duam të nxjerrim dobi nga ajo që po thuhet. Sa shumë dobi mund të marrim nëse jemi të vendosur t’i kuptojmë shkrimet që po shtjellohen dhe kuptimin që u jepet atyre!—Nehemia 8:5-8, 12.
15. Si na ndihmon përulësia që të jemi më të prirur për të mësuar?
15 Ashtu si shtimi i lëndëve plotësuese të duhura mund ta pasurojë tokën fizike, po ashtu, kultivimi i përulësisë, i etjes për të pasur një gjendje të mirë frymore, i besimit, i frikës së perëndishme dhe i dashurisë për Perëndinë mund të na e pasurojë zemrën figurative. Përulësia e zbut zemrën, duke na ndihmuar që të jemi më të prirur për të mësuar. Jehovai i tha mbretit jude Josisë: «Se e ke zbutur zemrën e pse je përvujtëruar para Zotit kur ke dëgjuar çfarë kam thënë . . . e qave para meje, unë të dëgjova.» (2 Mbretërve 22:19, DSF) Zemra e Josisë ishte e përulur dhe e ndjeshme. Përulësia u bëri të mundur dishepujve «të pashkolluar e të thjeshtë» të Jezuit të kuptonin dhe të zbatonin të vërtetat frymore që nuk arritën t’i kuptonin njerëzit ‘e mençur e intelektualë’. (Veprat 4:13; Luka 10:21) Le të ‘përulemi përpara Perëndisë tonë’, ndërsa përpiqemi të fitojmë një zemër që i pëlqen Jehovait!—Ezdra 8:21.
16. Përse duhen përpjekje që të kultivojmë oreks për ushqimin frymor?
16 Jezui tha: «Lum ata që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore.» (Mateu 5:3) Ndonëse na është dhënë kapaciteti për të pasur gjendje frymore, presionet nga kjo botë e ligë ose tipare të tilla, si përtesa, mund të na e mpijnë vetëdijen për nevojën tonë. (Mateu 4:4) Duhet të zhvillojmë një oreks të shëndetshëm për ushqimin frymor. Edhe nëse në fillim nuk gjejmë kënaqësi në leximin e Biblës dhe në studimin personal, me këmbëngulje do të shohim se njohuria ‘do të jetë e këndshme për shpirtin tonë’, kështu që mezi do t’i presim periudhat e studimit.—Fjalët e urta 2:10, 11.
17. (a) Përse Jehovai është i denjë për besimin tonë të plotë? (b) Si mund të kultivojmë besimin te Perëndia?
17 «Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd»,—këshilloi mbreti Solomon. (Fjalët e urta 3:5) Një zemër që ka besim te Jehovai e di se çfarëdo gjëje që kërkon ose urdhëron Ai nëpërmjet Fjalës së tij është gjithnjë e drejtë. (Isaia 48:17) Sigurisht, Jehovai e meriton besimin tonë të plotë. Ai është në gjendje të plotësojë gjithçka që ka vënë si qëllim. (Isaia 40:26, 29) E pra, vetë emri i tij fjalë për fjalë do të thotë «Ai shkakton të bëhet», dhe kjo na e rrit sigurinë në aftësinë e tij për të përmbushur atë që ka premtuar. Ai është «i drejtë në të gjitha rrugët e tij dhe dashamirës [besnik, BR] në të gjitha veprat e tij». (Psalmi 145:17) Sigurisht, për të kultivuar besim tek ai, duhet të ‘provojmë e të shohim sa i mirë është Zoti’, duke e zbatuar në jetën tonë atë që mësojmë nga Bibla dhe duke medituar për gjërat e mira që sjell kjo.—Psalmi 34:8.
18. Si na ndihmon frika e perëndishme që të jemi të ndjeshëm ndaj udhëheqjes së Perëndisë?
18 Duke treguar edhe një cilësi tjetër që na e bën zemrën të ndjeshme ndaj udhëheqjes hyjnore, Solomoni tha: «Ki frikë nga Zoti dhe hiq dorë nga e keqja.» (Fjalët e urta 3:7) Lidhur me Izraelin e lashtë, Jehovai tha: «Ah, sikur të kishin gjithnjë një zemër të tillë, të më kishin frikë dhe të respektonin tërë urdhërimet e mia, që të rronin gjithnjë në begati ata dhe bijtë e tyre!» (Ligji i përtërirë 5:29) Po, ata që i frikësohen Perëndisë i binden atij. Jehovai ka aftësinë ‘të tregojë forcën ndaj atyre që kanë një zemër të ndershme ndaj tij’ dhe të japë ndëshkim për ata që nuk i binden. (2 Kronikave 16:9) Frika plot nderim se mos i shkaktojmë pakënaqësi Perëndisë le të drejtojë të gjitha veprimet, mendimet dhe ndjenjat tona!
‘Duaje Jehovain me gjithë zemrën tënde’
19. Çfarë roli luan dashuria për ta bërë zemrën tonë të ndjeshme ndaj drejtimit të Jehovait?
19 Më shumë se të gjitha cilësitë e tjera, dashuria e bën zemrën tonë vërtet të ndjeshme ndaj drejtimit të Jehovait. Një zemër e mbushur me dashuri për Perëndinë e bën një person të zellshëm për të mësuar se çfarë i pëlqen e çfarë nuk i pëlqen Perëndisë. (1 Gjonit 5:3) Jezui tha: «Duhet ta duash Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.» (Mateu 22:37) Le ta thellojmë dashurinë tonë për Perëndinë duke e bërë një zakon të meditojmë për mirësinë e tij, duke folur rregullisht me të si me një mik të ngushtë dhe duke qenë të zellshëm për t’u folur të tjerëve për të.
20. Si mund të fitojmë një zemër që i pëlqen Jehovait?
20 Le të bëjmë një rishikim: të fitojmë një zemër që i pëlqen Jehovait përfshin ta lejojmë Fjalën e Perëndisë të ndikojë në atë që jemi përbrenda, në njeriun e fshehtë të zemrës. Studimi personal domethënës i Shkrimeve dhe meditimi me çmueshmëri janë të domosdoshme. Kjo bëhet më mirë kur e kemi zemrën të përgatitur, domethënë kur zemra është e lirë nga paragjykimet, kur është e mbushur me cilësi që na bëjnë të prirur për të mësuar! Po, me ndihmën e Jehovait, mund të fitojmë një zemër të mirë. Por, çfarë masash mund të marrim për ta ruajtur zemrën?
[Shënimi]
a Emri është ndryshuar.
Si do të përgjigjeni?
• Çfarë është zemra figurative që shqyrton Jehovai?
• Si mund të ‘vëmë zemrën’ në Fjalën e Perëndisë?
• Si duhet ta përgatitim zemrën për të konsultuar Fjalën e Perëndisë?
• Pasi keni shqyrtuar këtë material, çfarë ndiheni të shtyrë të bëni?
[Figura në faqen 17]
Davidi meditonte me çmueshmëri për gjërat frymore. Po ju?
[Figurat në faqen 18]
Përgatiteni zemrën para se të studioni Fjalën e Perëndisë