Jeni shenjtëruar
«Jeni larë, jeni shenjtëruar.»—1 KOR. 6:11.
1. Cilat ngjarje shqetësuese mori vesh Nehemia kur u kthye në Jerusalem? (Shih figurën pranë titullit.)
JERUSALEMI zien nga fjalët. Në një dhomë të tempullit po rri një i huaj famëkeq. Levitët po lënë caktimet e tyre. Pleqtë nuk marrin drejtimin në adhurim, por bëjnë tregti në sabat. Shumë izraelitë po martohen me jojudeje. Këto janë vetëm disa nga ngjarjet shqetësuese që merr vesh Nehemia kur kthehet në Jerusalem pak pas vitit 443 p.e.s.—Neh. 13:6.
2. Si u bë Izraeli një komb i shenjtë?
2 Izraeli ishte komb i kushtuar ndaj Perëndisë. Më 1513 p.e.s., izraelitët dëshironin me zjarr të vepronin sipas vullnetit të Jehovait. Ata thanë: «Jemi gati t’i zbatojmë të gjitha fjalët e Jehovait.» (Dal. 24:3) Prandaj, Perëndia i shenjtëroi, ose i veçoi, si popullin e tij të zgjedhur. Çfarë privilegji! Dyzet vjet më vonë, Moisiu i kujtoi Izraelit: «Ti je një popull i shenjtë për Jehovain, Perëndinë tënd. Nga të gjithë popujt që janë mbi faqen e dheut, Jehovai, Perëndia yt, të zgjodhi ty që të bëhesh populli i tij, prona e tij e veçantë.»—Ligj. 7:6.
3. Cila ishte gjendja frymore e judenjve kur Nehemia mbërriti në Jerusalem për herë të dytë?
3 Mjerisht, Izraelit iu shua shpejt entuziazmi i fillimit kur u bë komb i shenjtë. Edhe pse mes tyre kishte gjithnjë individë që i shërbenin Perëndisë, judenjtë si popull zakonisht merakoseshin më tepër që të dukeshin të shenjtë ose të përkushtuar, se sa të bënin vullnetin e Perëndisë. Kur Nehemia mbërriti në Jerusalem për herë të dytë, kishin kaluar rreth njëqind vjet nga koha kur një mbetje besnike ishte kthyer nga Babilonia për të rivendosur adhurimin e vërtetë. Përsëri, zelli i kombit për gjërat frymore po venitej.
4. Cilët faktorë që mund të na ndihmojnë të mbetemi një popull i shenjtëruar do të shqyrtojmë tani?
4 Ashtu si izraelitët, Dëshmitarët e Jehovait sot janë shenjtëruar nga Perëndia në kuptimin e përgjithshëm. Qoftë të krishterët e mirosur, qoftë pjesëtarët e ‘shumicës së madhe’ janë të shenjtë, të veçuar për shërbim të shenjtë. (Zbul. 7:9, 14, 15; 1 Kor. 6:11) Askush prej nesh nuk do që të humbë qëndrimin e shenjtëruar para Perëndisë, siç bënë izraelitët me kalimin e kohës. Ç’mund të na ndihmojë të mos e lejojmë këtë dhe të mbetemi të shenjtë e të dobishëm në shërbim të Jehovait? Në këtë studim do të trajtojmë katër faktorë që dalin në pah nga kapitulli i 13-të i Nehemisë: (1) Të shmangim shoqëritë e këqija; (2) të mbështetim masat teokratike; (3) të vëmë në vend të parë gjërat frymore dhe (4) të ruajmë identitetin e krishterë. Le t’i shqyrtojmë një nga një këto pika.
TË SHMANGIM SHOQËRITË E KËQIJA
5, 6. Cilët ishin Eliashibi e Tobia dhe cila mund të ketë qenë arsyeja që Eliashibi shoqërohej me Tobinë?
5 Lexo Neheminë 13:4-9. Bombardohemi vazhdimisht nga ndikime ndotëse, ndaj nuk e kemi të lehtë të mbetemi të shenjtë. Të marrim rastin e Eliashibit dhe të Tobisë. Eliashibi ishte kryeprift, kurse Tobia ishte amonit e ka të ngjarë një funksionar i vogël i administratës perse në Judë. Tobia dhe shokët e tij u ishin kundërvënë përpjekjeve të Nehemisë për të rindërtuar muret e Jerusalemit. (Neh. 2:10) Amonitëve u ndalohej të hynin në zonën e tempullit. (Ligj. 23:3) Atëherë, pse kryeprifti do t’i bënte vend në sallën e ngrënies së tempullit një njeriu si Tobia?
6 Tobia kishte shoqëri të ngushtë me Eliashibin. Ai dhe i biri, Jehohanani, ishin martuar me gra judeje dhe shumë judenj flitnin mirë për Tobinë. (Neh. 6:17-19) Një nga nipat e Eliashibit ishte martuar me bijën e Sanballatit, guvernatorit të Samarisë i cili ishte një nga miqtë më të ngushtë të Tobisë. (Neh. 13:28) Këto lidhje mund të shpjegojnë pse kryeprifti Eliashib lejoi që një jobesimtar e kundërshtar të ndikonte tek ai. Por, Nehemia tregoi besnikëri ndaj Jehovait duke flakur jashtë sallës së ngrënies gjithë orenditë e Tobisë.
7. Si tregojnë kujdes pleqtë dhe të tjerët që qëndrimi i tyre i shenjtë para Jehovait të mos ndotet?
7 Si popull i kushtuar ndaj Perëndisë, në radhë të parë duhet t’i qëndrojmë besnikë Jehovait. Po të mos u përmbahemi normave të tij të drejta, nuk do të mbetemi të shenjtë para tij. Të mos lejojmë që lidhjet familjare të dalin mbi parimet biblike. Pleqtë e krishterë udhëhiqen nga mënyra e të menduarit e Jehovait, jo nga opinionet a ndjenjat personale. (1 Tim. 5:21) Ata tregojnë kujdes të mos bëjnë asgjë që të mos rrezikojnë të humbasin qëndrimin e mirë para Perëndisë.—1 Tim. 2:8.
8. Çfarë s’duhet të harrojnë të gjithë shërbëtorët e kushtuar të Jehovait për shoqëritë?
8 Bëjmë mirë të mos harrojmë se «shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme». (1 Kor. 15:33) Disa të afërm mund të mos ndikojnë për mirë në jetën tonë. Eliashibi i kishte lënë një shembull të mirë popullit, duke mbështetur plotësisht Neheminë në rindërtimin e mureve të Jerusalemit. (Neh. 3:1) Megjithatë, me kohë, ndikimi i dëmshëm i Tobisë dhe i të tjerëve duket se e shtynë Eliashibin të bënte gjëra që e ndotën në sytë e Jehovait. Shoqëritë e mira na inkurajojnë të jepemi pas aktiviteteve të krishtere të dobishme, si leximi i Biblës, pjesëmarrja në mbledhje e në shërbim. I çmojmë dhe i duam në mënyrë të veçantë pjesëtarët e familjes që na nxitin të bëjmë atë që është e drejtë.
TË MBËSHTETIM MASAT TEOKRATIKE
9. Pse nuk po funksiononte më tempulli, dhe cilët qortoi Nehemia për këtë?
9 Lexo Neheminë 13:10-13. Me sa duket, në kohën kur Nehemia u kthye në Jerusalem, thuajse nuk dërgoheshin më kontribute në tempull. Pa atë përkrahje, levitët po i linin caktimet dhe po iknin të punonin arat e tyre. Për këtë situatë, Nehemia qortoi mëkëmbësit. Siç duket, ata nuk po i plotësonin detyrat. Ose nuk po mblidhnin të dhjetat nga populli, ose nuk i dërgonin në tempull, sipas caktimit që kishin. (Neh. 12:44) Kështu, Nehemia mori masa të mblidheshin të dhjetat. Ai caktoi burra të besueshëm të mbikëqyrnin dhomat e rezervave në tempull dhe pastaj t’i ndanin kontributet.
10, 11. Ç’privilegj ka populli i Perëndisë ndërsa mbështet adhurimin e vërtetë?
10 Çfarë mësimi nxjerrim? Kjo histori na kujton se kemi privilegjin të nderojmë Jehovain me gjërat tona me vlerë. (Prov. 3:9) Kur bëjmë kontribute për të mbështetur veprën e tij, thjesht po i japim Jehovait atë që i përket. (1 Kron. 29:14-16) Ndoshta mendojmë se nuk kemi kushedi sa për të dhënë por, po të kemi dëshirë, të gjithë mund të japim diçka.—2 Kor. 8:12.
11 Për vite të tëra, një familje e madhe ftonte një herë në javë për një vakt një çift të moshuar pionierësh specialë. Edhe pse prindërit kishin tetë fëmijë, mamaja thoshte shpesh: «E ç’janë dy pjata më shumë në tavolinën e shtruar për dhjetë veta?» Mbase një vakt në javë nuk duket kushedi çfarë, por sa mirënjohës ishin pionierët për atë mikpritje. Edhe ata ishin një bekim për mikpritësit. Fjalët e përvojat zemërdhënëse të çiftit i motivuan më shumë fëmijët që të përparonin frymësisht. Më vonë, të gjithë ata nisën shërbimin e plotkohor.
12. Çfarë shembulli të shkëlqyer lënë të emëruarit në kongregacion?
12 Një mësim tjetër është ky: ashtu si Nehemia, burrat e emëruar sot marrin drejtimin për të mbështetur masat teokratike. Të tjerët në kongregacion nxjerrin dobi nga shembulli i tyre. Në këtë aspekt, pleqtë imitojnë edhe apostullin Pavël. Ai mbështeti adhurimin e vërtetë e dha udhëzime të dobishme. Për shembull, dha një sërë sugjerimesh praktike se si të bëjmë kontribute.—1 Kor. 16:1-3; 2 Kor. 9:5-7.
TË VËMË NË VEND TË PARË GJËRAT FRYMORE
13. Në ç’mënyrë nuk po e mbanin sabatin disa judenj?
13 Lexo Neheminë 13:15-21. Nëse lejojmë të zhytemi në gjërat materiale, dalëngadalë mund të humbim marrëdhënien me Perëndinë. Sipas Daljes 31:13, sabati i përjavshëm duhej t’u kujtonte izraelitëve se ishin një popull i shenjtëruar. Dita e sabatit duhej veçuar për adhurim familjar, lutje dhe meditim për Ligjin e Perëndisë. Mirëpo, për disa nga bashkëkohësit e Nehemisë sabati ishte bërë një ditë si gjithë të tjerat—ditë pune e zakonshme. Adhurimi po lihej në hije. Kur pa ç’po ndodhte, Nehemia urdhëroi të mbylleshin portat e qytetit në muzg të ditës së gjashtë, e kështu dëboi tregtarët e huaj para se të fillonte sabati.
14, 15. (a) Ç’mund të na ndodhë nëse nuk e kufizojmë interesin për fitime materiale? (b) Si mund të hyjmë në pushimin e Perëndisë?
14 Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Nehemisë? Një mësim është të mos shpërqendrohemi duke harxhuar tepër kohë për të bërë pará. Përndryshe, mund të shpërqendrohemi fare kollaj, ose edhe të jemi me zemër të ndarë, sidomos nëse na pëlqen puna që bëjmë. Të mbajmë parasysh se Jezui paralajmëroi të mos jemi skllevër të dy zotërinjve. (Lexo Mateun 6:24.) Nehemia kishte burime financiare, por si e përdori kohën që kaloi në Jerusalem? (Neh. 5:14-18) Në vend që të bënte tregti me tirasit ose me të tjerë, ai u përkushtua të ndihmonte vëllezërit dhe të bënte gjëra që ndikonin në shenjtërimin e emrit të Jehovait. Edhe sot, pleqtë e krishterë dhe shërbëtorët ndihmës përqendrohen të bëjnë gjëra për të mirën e kongregacionit, dhe bashkëbesimtarët i duan për këtë frymë që tregojnë. Si pasojë, mes popullit të Perëndisë ka dashuri, paqe dhe siguri.—Ezek. 34:25, 28.
15 Ndonëse të krishterëve nuk u kërkohet të mbajnë sabatin çdo javë, Pavli na thotë se «mbetet një pushim sabati për popullin e Perëndisë». Ai shton: «Kush ka hyrë në pushimin e Perëndisë, ka pushuar edhe vetë nga veprat e tij, ashtu si Perëndia nga të vetat.» (Hebr. 4:9, 10) Si të krishterë, mund të hyjmë në pushimin e Perëndisë nëse i bindemi, duke vepruar në harmoni me qëllimin e tij që po shkon drejt plotësimit. A po e vini në vend të parë në jetë ti dhe njerëzit e tu të dashur adhurimin familjar, pjesëmarrjen në mbledhje dhe në shërbim? Mund të na duhet të tregohemi të vendosur me punëdhënësit ose me shokët e punës, sidomos nëse nuk i respektojnë përparësitë tona teokratike. Mund të jetë e nevojshme, si të thuash, ‘të mbyllim portat e qytetit e të dëbojmë tirasit’ që t’u japim përparësi e t’u kushtojmë vëmendjen e duhur gjërave të shenjta. Meqë jemi shenjtëruar, duhet të pyesim veten: «Mënyra si jetoj, a tregon se jam veçuar për shërbimin e Jehovait?»—Mat. 6:33.
TË RUAJMË IDENTITETIN E KRISHTERË
16. Si u vu në rrezik identiteti i kombit si popull i shenjtëruar në ditët e Nehemisë?
16 Lexo Neheminë 13:23-27. Në ditët e Nehemisë, izraelitët po martoheshin me gra të huaja. Gjatë vizitës së parë në Jerusalem, Nehemia bëri që të gjithë pleqtë e popullit të nënshkruanin një marrëveshje ku izraelitët betoheshin të mos martoheshin me pagane. (Neh. 9:38; 10:30) Megjithatë, vite më vonë, ai pa se burrat judenj jo vetëm që kishin marrë gra të huaja, por thuajse po humbnin identitetin si populli i shenjtëruar i Perëndisë. Fëmijët e grave të huaja nuk dinin të lexonin a të flitnin hebraisht. Si do të quheshin kur të rriteshin: izraelitë apo ashdoditë, amonitë e moabitë? A kishte gjasa ta kuptonin Ligjin e Perëndisë pa e ditur gjuhën hebraike? Si do të arrinin ta njihnin Jehovain dhe të vendosnin t’i shërbenin atij në vend të perëndive të rreme që adhuronin nënat e tyre? Ishte e nevojshme të veprohej menjëherë e me vendosmëri, dhe ashtu bëri Nehemia.—Neh. 13:28.
17. Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët të kenë një marrëdhënie personale me Jehovain?
17 Sot duhet të marrim masa praktike që t’i ndihmojmë fëmijët tanë të formojnë identitetin e krishterë. Prindër, pyetni veten: «Sa mirë e flasin fëmijët e mi ‘gjuhën e kulluar’ të së vërtetës biblike? (Sof. 3:9) Bisedat e tyre pasqyrojnë frymën e Perëndisë apo të botës?» Nëse shihni se ka vend për përmirësime, mos u shkurajoni shpejt. Për të mësuar një gjuhë duhet kohë, veçanërisht kur kudo ka shpërqendrime. Fëmijët po përballen me presione të jashtëzakonshme që të bëjnë kompromis. Prandaj, me durim përdorni Adhurimin Familjar dhe raste të tjera për t’i ndihmuar fëmijët që të zhvillojnë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain. (Ligj. 6:6-9) Theksojuni dobitë që vijnë kur jemi të ndryshëm nga bota e Satanait. (Gjoni 17:15-17) Gjithashtu, përpiquni t’u prekni zemrat.
18. Pse prindërit e krishterë janë në gjendje më shumë se kushdo t’i përgatitin fëmijët t’i kushtohen Jehovait?
18 Në fund, çdo fëmijë do ta marrë vetë vendimin nëse do t’i shërbejë Perëndisë apo jo. Gjithsesi, prindërit mund të bëjnë shumë. Kjo përfshin të lini një shembull të mirë, të vini kufij të qartë dhe të flitni me fëmijët për pasojat e vendimeve. Prindër, ju jeni në gjendje më shumë se kushdo t’i përgatitni fëmijët t’i kushtohen Jehovait. Ata kanë nevojë t’i ndihmoni që të formojnë e të ruajnë identitetin e krishterë. Patjetër, të gjithë duhet të rrimë syhapur që të mos humbim «rrobat» tona të figurshme, pra cilësitë dhe normat që na identifikojnë si dishepuj të Krishtit.—Zbul. 3:4, 5; 16:15.
TË KUJTUAR «PËR MIRË»
19, 20. Si mund të na kujtojë «për mirë» Jehovai?
19 Një nga bashkëkohësit e Nehemisë, profeti Malakia, tregoi se «një libër kujtimi nisi të shkruhej . . . për ata që kishin frikë nga Jehovai dhe për ata që mendojnë thellë për emrin e tij». (Mal. 3:16, 17) Perëndia nuk do t’i harrojë kurrë ata që tregojnë frikë plot nderim për të dhe që e duan emrin e tij.—Hebr. 6:10.
20 Nehemia u lut: «Më kujto për mirë, o Perëndia im!» (Neh. 13:31) Ashtu si Nehemia, emrat tanë do të jenë në librin e kujtimit të Perëndisë, nëse vazhdojmë të shmangim shoqëritë e këqija, të mbështetim masat teokratike, t’u japim përparësi gjërave frymore dhe të ruajmë identitetin e krishterë. Le ‘të vazhdojmë të vëmë në provë veten nëse jemi në besim’. (2 Kor. 13:5) Po të ruajmë marrëdhënien e shenjtëruar me Jehovain, ai do të na kujtojë «për mirë».