Imitoni besimin e tyre
Ajo veproi me mençuri, me guxim dhe me altruizëm
ESTERA i afrohej ngadalë fronit teksa zemra i rrihte fort. Përfytyro heshtjen që ra në dhomën madhështore të mbretit, në pallatin pers të Shushanit. Kaq e thellë ishte heshtja, sa Estera mund të dëgjonte hapat e saj të lehtë dhe fëshfërimën e rrobave mbretërore. Nuk mund të shpërqendrohej nga madhështia e oborrit mbretëror, nga shtyllat elegante dhe nga gdhendjet e shumta në tavanin prej cedri të importuar nga Libani i largët. Ajo e drejtoi gjithë vëmendjen te burri i ulur në fron, i cili kishte në dorë jetën e saj.
Mbreti e shihte me vëmendje ndërsa ajo afrohej dhe i shtriu skeptrin e artë. Ky ishte një gjest i thjeshtë, por nga ai varej jeta e Esterës. Nënkuptonte se mbreti e shfajësonte nga shkelja që sapo bëri—doli para tij pa qenë e ftuar nga ai. Tek shkonte drejt fronit, Estera u zgjat dhe, me mirënjohje, preku majën e skeptrit.—Estera 5:1, 2.a
Çdo gjë rreth mbretit Asuer pasqyronte pasurinë dhe fuqinë e tij tejet të madhe. Studiuesit mendojnë se veshja mbretërore e monarkëve persë të asaj kohe vlente sa qindra milionë dollarë. Megjithatë, Estera mund të shihte njëfarë ngrohtësie në sytë e të shoqit; ai e donte sipas mënyrës së vet. Ai i tha: «Çfarë ke, o mbretëresha Ester? Cila është lutja jote? Edhe sikur të duash gjysmën e mbretërisë, të qoftë falë!»—Estera 5:3.
Estera tashmë kishte treguar besim e guxim të jashtëzakonshëm; doli para mbretit që të mbronte popullin e saj nga një komplot që do t’i shfaroste të gjithë. Deri tani ia kishte dalë mbanë, por e pritnin vështirësi më të mëdha. Ajo duhej ta bindte këtë monark krenar se këshilltari i tij më i besuar ishte njeri i lig, i cili e kishte manipuluar mbretin që të dënonte me vdekje popullin e Esterës. Si do ta bindte ajo dhe ç’mund të mësojmë nga besimi i saj?
Me mençuri zgjodhi «një kohë për të folur»
A duhej t’ia zbulonte Estera mbretit të gjithë problemin përpara oborrtarëve të tij? Kjo mund ta kishte poshtëruar mbretin dhe t’i jepte kohë këshilltarit të tij, Hamanit, që të kundërshtonte akuzat e saj. Pra, çfarë bëri Estera? Shekuj më parë, mbreti i mençur Solomon u frymëzua nga Perëndia dhe shkroi: «Për çdo gjë ka një kohë të caktuar, . . . një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur.» (Eklisiastiu 3:1, 7) Mund ta imagjinojmë babanë adoptues të Esterës, Mordekain besnik, duke i mësuar vajzës parime të tilla teksa rritej nën kujdesin e tij. Me siguri Estera e kuptoi rëndësinë që ka zgjedhja me kujdes e ‘kohës për të folur’.
Ajo tha: «Nëse mbreti e sheh të udhës, le të vijë sot bashkë me Hamanin në gostinë që kam përgatitur për të.» (Estera 5:4) Mbreti pranoi dhe e ftoi Hamanin. A e vëren me sa mençuri foli Estera? Nuk ia uli dinjitetin bashkëshortit, por krijoi një rrethanë më të përshtatshme që t’ia shprehte shqetësimet e saj.
Pa dyshim, Estera e përgatiti me kujdes banketin, duke u siguruar që çdo hollësi të ishte sipas shijeve të të shoqit. Në gosti kishte verë të shkëlqyer që të sillte në qejf. (Psalmi 104:15) Asueri u kënaq, prandaj e pyeti prapë Esterën se çfarë kërkese kishte. A kishte ardhur koha për të folur?
Estera mendonte se jo. Madje, të nesërmen e ftoi mbretin dhe Hamanin në një gosti të dytë. (Estera 5:7, 8) Pse e la për më vonë? Mos harro se i gjithë populli i Esterës gjendej përballë vdekjes nga dekreti i mbretit. Me gjithë këtë rrezik, Estera duhej të sigurohej për momentin e duhur. Prandaj priti, duke krijuar edhe një mundësi tjetër që t’i tregonte burrit sa shumë e vlerësonte.
Durimi është cilësi e rrallë dhe e çmuar. Edhe pse tejet e shqetësuar dhe mezi priste të thoshte ç’kishte në mendje, Estera priti me durim çastin e duhur. Mund të mësojmë shumë nga shembulli i saj, pasi të gjithë ne mund të kemi parë padrejtësi që duhen ndrequr. Nëse përpiqemi të bindim dikë me autoritet të merret me një problem, mbase duhet të imitojmë Esterën dhe të jemi të duruar. Te Proverbat 25:15 thuhet: «Me durim i mbushet mendja një komandanti, dhe gjuha e butë mund të thyejë kocka.» Nëse presim me durim çastin e duhur dhe flasim me butësi si Estera, mund të thyejmë edhe kundërshtimin e fortë sa kocka. A e bekoi Jehovai, Perëndia i saj, për durimin dhe mençurinë që tregoi?
Durimi i shtron rrugën drejtësisë
Durimi i Esterës shtroi rrugën për një zinxhir ngjarjesh të jashtëzakonshme. Hamani iku nga gostia e parë shend e verë, «i gëzuar dhe me hare në zemër» ngaqë mbreti dhe mbretëresha e pëlqenin kaq shumë. Por, teksa Hamani kalonte në portën e kështjellës, i zunë sytë Mordekain, judeun që ende nuk pranonte t’i jepte nderim të veçantë. Arsyet e Mordekait nuk lidheshin fare me mosrespektin, por me ndërgjegjen dhe marrëdhënien e tij me Perëndinë Jehova. E megjithatë, Hamani «u mbush menjëherë me tërbim».—Estera 5:9.
Kur Hamani u tregoi gruas e miqve për këtë ofendim, ata e nxitën të përgatiste një shtyllë të madhe mbi 22 metra të lartë, pastaj t’i kërkonte leje mbretit që ta varte Mordekain. Hamanit i pëlqeu ideja e tyre dhe menjëherë iu fut punës.—Estera 5:12-14.
Ndërkohë, mbreti kaloi një natë të pazakontë. «Mbretin nuk e zinte gjumi»,—thuhet në Bibël, kështu që kërkoi t’i lexonin me zë të lartë regjistrimet zyrtare. Në to përfshihej raporti i një komploti për vrasjen e Asuerit. Atij iu kujtua ngjarja; komplotuesit u kapën e u ekzekutuan. Por, ç’u bë me njeriun që kishte zbuluar komplotin, me Mordekain? Mbreti u kthjellua krejt papritur dhe pyeti si e kishin shpërblyer Mordekain? Cila ishte përgjigjja? Nuk ishte bërë asgjë për të.—Estera 6:1-3.
I trazuar, mbreti pyeti cilët zyrtarë të oborrit ishin në dispozicion që ta ndihmonin të ndreqte këtë gabim. Nga gjithë oborrtarët, pikërisht Hamani ndodhej në oborrin e mbretit. Me sa duket, kishte ardhur herët se mezi priste të merrte leje për ekzekutimin e Mordekait. Por, para se të bënte kërkesën, mbreti e pyeti Hamanin si mund të nderohej më së miri ai që kishte fituar miratimin e mbretit. Hamani kujtoi se mbreti kishte atë në mendje. Kështu që sajoi një mal me nderime: ai njeri të vishej me rroba mbretërore dhe një zyrtar i lartë ta shëtiste përreth Shushanit mbi kalin e mbretit e ta lëvdonte me zë të lartë para të gjithëve. Imagjino fytyrën e Hamanit kur mori vesh se ai që do të nderohej ishte Mordekai! Dhe kë caktoi mbreti që të lëvdonte Mordekain? Hamanin!—Estera 6:4-10.
Hamani e zbatoi pa pikë dëshire atë që në sytë e tij ishte një detyrë e urryeshme dhe më pas rendi tërë vrer në shtëpi. Gruaja e miqtë i thanë se kjo kthesë ngjarjesh do të sillte vetëm telashe; nuk do të triumfonte kundër judeut Mordeka.—Estera 6:12, 13.
Ngaqë Estera tregoi durim duke pritur edhe një ditë tjetër për t’ia paraqitur lutjen mbretit, Hamani kishte kohë t’i hapte gropën vetes. Po pagjumësinë e mbretit, a mund ta kishte shkaktuar Jehovai? (Proverbat 21:1) Jo më kot Fjala e Perëndisë na nxit ‘të rrimë në pritje’. (Mikea 7:7) Kur presim Perëndinë, mund të kuptojmë se zgjidhjet e tij për problemet tona i tejkalojnë ku e ku rrugëzgjidhjet që mund të kemi menduar.
Foli me guxim
Estera nuk guxoi ta provonte më tej durimin e mbretit; duhej t’i tregonte gjithçka në gostinë e dytë. Por si? Siç dolën gjërat, mbreti i dha mundësi të shprehej duke e pyetur sërish për kërkesën e saj. (Estera 7:2) Esterës i kishte ardhur ‘koha për të folur’.
Mund ta marrim me mend Esterën tek i lutet në heshtje Perëndisë së saj para se të thotë këto fjalë: «Në paça gjetur hir në sytë e tu, o mbret, dhe nëse mbreti e sheh të udhës, kërkesa ime është që të më falet jeta dhe lutja ime është që të mos shfaroset populli im!» (Estera 7:3) Vër re se ajo e siguroi mbretin se e respektonte gjykimin e tij për atë që ai e shihte të udhës. Sa ndryshonte Estera nga Vashti, ish-mbretëresha, e cila e kishte poshtëruar qëllimisht burrin e saj! (Estera 1:10-12) Për më tepër, Estera nuk e kritikoi mbretin për marrëzinë që tregoi duke i besuar Hamanit. Përkundrazi, iu përgjërua ta mbronte nga një rrezik për jetën.
Kjo lutje me siguri e preku dhe e habiti mbretin. E kush do të guxonte ta vinte në rrezik mbretëreshën e tij? Estera vazhdoi: «Unë dhe populli im jemi shitur për t’u shfarosur, për t’u vrarë dhe për t’u zhdukur. Po të ishim shitur për t’u bërë skllevër e shërbyese, do të kisha heshtur. Por vuajtja nuk është me vend, kur bëhet në dëm të mbretit.» (Estera 7:4) Vër re se Estera e nxori në pah haptazi problemin, e në të njëjtën kohë, shtoi se do të kishte heshtur nëse kërcënimi do të ishte thjesht skllavëria. Por ky gjenocid do t’i kushtonte shumë mbretit, nëse ajo nuk fliste.
Shembulli i Esterës na mëson shumë për artin e bindjes. Nëse ndonjëherë të duhet t’i parashtrosh një problem serioz një njeriu të dashur ose dikujt me shumë autoritet, kombinimi i durimit, i respektit dhe i çiltërsisë mund të të ndihmojë shumë.—Proverbat 16:21, 23.
Asueri pyeti: «Kush na qenka ky? Ku ndodhet ky që qenka kaq trim sa të bëjë kështu?!» Imagjino Esterën ndërsa tregon me gisht duke thënë: «Ja kush është kundërshtari dhe armiku, ky Hamani i poshtër.» Ç’reagim solli kjo akuzë e rëndë? Hamanit i hyri tmerri. Përfytyro monarkun e xhindosur që i mori fytyra zjarr kur kuptoi se këshilltari i tij i besuar e kishte mashtruar të nënshkruante një urdhër, i cili do t’i merrte jetën gruas së tij të shtrenjtë. Mbreti doli furishëm në kopsht të mblidhte veten.—Estera 7:5-7.
Hamani, i demaskuar si burracak që kurdis plane, ra në këmbët e mbretëreshës. Kur mbreti u kthye në dhomë dhe pa që Hamani po i përgjërohej Esterës në kolltukun e saj, e akuzoi gjithë nerva se po orvatej të përdhunonte mbretëreshën në shtëpinë e vetë mbretit. Për Hamanin ra kambana e vdekjes. Ia mbuluan fytyrën dhe e morën. Më pas foli një nga zyrtarët e mbretit, i cili i tregoi për shtyllën e madhe që kishte ngritur Hamani për Mordekain. Asueri urdhëroi menjëherë që në shtyllë të varej Hamani.—Estera 7:8-10.
Në botën e sotme të padrejtë është kollaj të mendojmë se asnjëherë nuk do të shkojë në vend drejtësia. A ke menduar ndonjëherë kështu? Estera nuk e humbi kurrë shpresën, nuk u bë kurrë cinike dhe nuk e humbi kurrë besimin. Kur erdhi koha, ajo foli me guxim në mbrojtje të drejtësisë dhe besoi se Jehovai do të bënte pjesën tjetër. Le të veprojmë edhe ne njësoj. Jehovai nuk ka ndryshuar që nga koha e Esterës. Ai është ende i aftë të zërë të ligjtë dhe dinakët në kurthet e tyre, siç bëri me Hamanin.—Psalmi 7:11-16.
Veproi me altruizëm për Jehovain dhe për popullin e tij
Së fundmi, mbreti e mori vesh kush ishte Mordekai: jo vetëm ai që e mbrojti besnikërisht nga komploti, por edhe babai adoptues i Esterës. Asueri ia dha Mordekait pozitën e Hamanit si kryeministër. Shtëpinë e Hamanit—përfshirë pasurinë e tij tejet të madhe—mbreti ia dha Esterës, e cila caktoi Mordekain në krye të saj.—Estera 8:1, 2.
Tani që Estera dhe Mordekai shpëtuan, a mund të rrinte e qetë mbretëresha? Vetëm po të ishte egoiste. Në atë moment, dekreti i Hamanit për të vrarë gjithë judenjtë po përhapej në çdo skaj të perandorisë. Hamani kishte hedhur shortin, ose Purin, me sa duket një formë spiritizmi, që të përcaktonte kohën e duhur për të kryer këtë sulm mizor. (Estera 9:24-26) Dita po afrohej me shpejtësi, edhe pse ishte ende muaj larg. A mund të ndalohej tani gjëma?
Estera rrezikoi sërish jetën me altruizëm, duke dalë edhe një herë para mbretit pa ftesë zyrtare. Këtë radhë qau për popullin e saj duke iu lutur bashkëshortit ta anulonte dekretin e tmerrshëm. Por ligjet që dilnin në emër të monarkut pers nuk mund të anuloheshin. (Danieli 6:12, 15) Kështu, mbreti u dha autoritet Esterës dhe Mordekait të nxirrnin ligje të reja. U dërgua një shpallje e dytë që u dha judenjve të drejtën për vetëmbrojtje. Kalorësit rendën në çdo cep të perandorisë e u çuan judenjve këtë lajm të mirë. Në mjaft zemra rrezatoi shpresa. (Estera 8:3-16) Mund t’i shohim me sytë e mendjes judenjtë anekënd perandorisë së paanë, të armatosen e të bëhen gati për betejë, diçka që nuk do ta bënin dot kurrë pa atë urdhër të ri. Por, ç’është më e rëndësishmja, a do të ishte ‘Jehovai i ushtrive’ me popullin e tij?—1 Samuelit 17:45.
Kur më në fund erdhi dita e caktuar, populli i Perëndisë ishte gati. Tani me ta ishin edhe mjaft zyrtarë persë, pasi lajmi për kryeministrin e ri, judeun Mordeka, kishte marrë dhenë. Jehovai i dha popullit të tij një fitore madhështore. Pa dyshim, që populli i tij të mos pësonte më dëme të tmerrshme, Perëndia u kujdes që armiqtë të vuanin disfatë të plotë.b—Estera 9:1-6.
Për më tepër, Mordekai nuk do të ishte asnjëherë i sigurt si mbikëqyrës i shtëpisë së Hamanit ndërkohë që dhjetë bij të atij njeriu të lig jetonin ende. Edhe ata u vranë. (Estera 9:7-10) Kjo përmbushi një profeci biblike, pasi, më parë, Perëndia kishte parathënë shkatërrimin e plotë të amalekitëve, armiqve të egër të popullit të tij. (Ligji i përtërirë 25:17-19) Bijtë e Hamanit fare mirë mund të kenë qenë mes pjesëtarëve më të fundit të atij populli të mallkuar.
Esterës iu desh t’i mbante që në moshë të re barrët e rënda që i ranë për pjesë: dekrete mbretërore ku përfshihej luftë dhe ekzekutim. Duhet ta ketë pasur të vështirë. Por vullneti i Jehovait ishte ta mbronte popullin e tij nga shkatërrimi, pasi nga kombi i Izraelit duhej të vinte Mesia i premtuar, i vetmi burim shprese për tërë njerëzimin. (Zanafilla 22:18) Sot shërbëtorët e Perëndisë janë të kënaqur të dinë se, kur erdhi në tokë Mesia ose Jezui, nuk i lejoi më dishepujt të merrnin pjesë në luftë fizike.—Mateu 26:52.
Sidoqoftë, të krishterët marrin pjesë në një luftë për besimin. Satanai është më i vendosur se kurrë të na e shkatërrojë besimin te Perëndia Jehova. (2 Korintasve 10:3, 4) Ç’bekim është të kemi një shembull si Estera! Si ajo, le të shfaqim besim duke treguar mençuri e durim teksa bindim të tjerët, si dhe guxim e gatishmëri plot altruizëm ndërsa mbrojmë popullin e Perëndisë.
[Shënimet]
a Në artikullin e mëparshëm të kësaj serie pamë si jetimen Ester e adoptoi Mordekai, kushëriri i saj shumë më i madh në moshë se ajo. Më vonë e zgjodhën të ishte gruaja e Asuerit, mbretit të Persisë. Këshilltari i mbretit, Hamani, kurdisi një komplot të lig që të shfaroste popullin e Mordekait, judenjtë. Mordekai e bindi Esterën t’i afrohej mbretit që të ndërmjetësonte për popullin e saj.—Shih artikullin «Imitoni besimin e tyre—Ajo mbrojti popullin e Perëndisë», në revistën Kulla e Rojës të 1 tetorit 2011.
b Mbreti u la judenjve një ditë të dytë që të shfarosnin armiqtë. (Estera 9:12-14) Deri sot e kësaj dite, judenjtë e përkujtojnë atë fitore çdo vit në muajin e adarit që përkon me fundin e shkurtit dhe me fillimin e marsit. Festa quhet Purim, e quajtur kështu për shkak të shortit që hodhi Hamani në përpjekje që të shkatërronte Izraelin.
[Kutia në faqen 28]
Pyetje rreth Esterës
Pse Mordekai e lejoi Esterën të martohej me një jobesimtar pagan?
Nuk ka asnjë bazë për sugjerimet e disa studiuesve se Mordekai ishte një oportunist, i cili donte që Estera të martohej me mbretin për hir të prestigjit. Si jude besnik, ai nuk do ta miratonte një martesë të tillë. (Ligji i përtërirë 7:3) Histori të lashta judaike thonë se Mordekai u përpoq ta ndalonte këtë martesë. Duket se s’ka të ngjarë që, ai ose Estera, të ndikonin sadopak në këtë çështje, pasi ishin të huaj që jetonin në një vend nën sundimin e një autokrati, i cili ishte vetë zot, vetë shkop. Me kalimin e kohës, u bë e qartë se Jehovai e përdori martesën e Esterës si mjet për të mbrojtur popullin e tij.—Estera 4:14.
Pse libri i Esterës nuk e përmend askund emrin e Perëndisë, Jehova?
Nga sa duket, shkrimtari i frymëzuar i librit ishte Mordekai. Ndoshta në fillim libri mbahej bashkë me regjistrimet zyrtare perse, para se ta kthenin në Jerusalem. Përdorimi i emrit Jehova mund t’i kishte nxitur adhuruesit e perëndive perse ta shkatërronin librin. Sido të ketë qenë, duket qartë përfshirja e Jehovait në këtë histori. Është interesante se në katër vende të tekstit origjinal hebraik, emri i Perëndisë gjendet i fshehur me anë të akrostikës, ku shkronjat e para të fjalëve të njëpasnjëshme përmbajnë emrin e Perëndisë.
A është i pasaktë historikisht libri i Esterës?
Kritikët ngrenë këtë akuzë për librin. Gjithsesi, disa studiues kanë vënë re se shkrimtari i librit ka shfaqur një njohuri tepër të hollësishme për mbretërinë, arkitekturën dhe zakonet perse. Është e vërtetë se mbretëresha Ester nuk përmendet askund në dokumentet jobiblike që kanë mbijetuar, por zor se do të ishte i vetmi personazh mbretëror që s’është përfshirë në regjistrimet publike. Për më tepër, regjistrimet jobiblike tregojnë se një burrë me emrin Mardukâ, ekuivalenti pers i Mordekait, shërbeu si një zyrtar i oborrit në Shushan në kohën që përshkruhet në libër.
[Kutia në faqen 29]
Përmbushet një profeci
Tek luftonin për popullin e Perëndisë, Estera dhe Mordekai përmbushën një profeci tjetër biblike. Mbi 1.200 vjet para përmbushjes, Jehovai frymëzoi patriarkun Jakob të parathoshte për një nga bijtë e tij: «Beniamini do të shqyejë si një ujk. Në mëngjes do të hajë kafshën e kapur dhe në mbrëmje do të ndajë prenë.» (Zanafilla 49:27) Në ‘mëngjesin’ e historisë mbretërore të Izraelit, pasardhësit e Beniaminit përfshinin mbretin Saul dhe luftëtarë të tjerë të fuqishëm në popullin e Jehovait. Në ‘mbrëmjen’ e kësaj historie mbretërore, pasi dielli kishte perënduar në linjën mbretërore të Izraelit, Estera dhe Mordekai që ishin të dy nga fisi i Beniaminit, dolën fitimtarë në luftën kundër armiqve të Jehovait. Në njëfarë mënyre, ata ndanë edhe prenë, në kuptimin që pasuria tejet e madhe e Hamanit u shkoi atyre.
[Figura në faqen 25]
Estera e pranoi me përulësi mëshirën e mbretit
[Figura në faqet 26, 27]
Me guxim Estera nxori në shesh ligësinë e Hamanit
[Figura në faqet 28, 29]
Estera dhe Mordekai u dërguan shpallje judenjve në Perandorinë Perse