MËSIMI 34
Si t’i tregojmë Jehovait se e duam?
A ndihesh më afër me Perëndinë tani që ke filluar të studiosh Biblën? A dëshiron ta forcosh akoma më shumë miqësinë me të? Nëse po, mos harro se sa më fort ta duash Jehovain, aq më shumë do të të dojë e do të kujdeset për ty. Si mund t’i tregosh Jehovait se e do?
1. Si i tregojmë Jehovait se e duam?
Tregojmë se e duam Jehovain duke iu bindur. (Lexo 1 Gjonit 5:3.) Ai nuk detyron askënd t’i bindet, përkundrazi na e ka lënë neve në dorë të zgjedhim. Pse? Sepse Jehovai dëshiron ‘t’i bindemi me gjithë zemër’. (Romakëve 6:17) Me fjalë të tjera, ai dëshiron t’i bindesh nga dashuria dhe jo ngaqë s’ke rrugë tjetër. Pjesët 3 dhe 4 të këtij libri janë përgatitur enkas për të të ndihmuar si t’i tregosh Jehovait se e do, duke bërë çfarë i pëlqen atij dhe duke shmangur gjërat që nuk i pëlqejnë.
2. Pse s’është gjithmonë e lehtë ta tregojmë dashurinë për Jehovain?
«Hallet e të drejtit s’kanë të sosur.» (Psalmi 34:19) Të gjithë luftojmë me të metat tona. Jo vetëm kaq, por përballemi edhe me probleme ekonomike, padrejtësi e vështirësi të tjera. Kur jemi në hall, mund të jetë edhe më e vështirë të veprojmë si dëshiron Jehovai. Tekefundit, të bësh të keqen nuk do ndonjë mundim të madh. Por, kur ndjek me besnikëri drejtimin e Jehovait, tregon se e do më shumë se gjithçka tjetër. Gjithashtu jep dëshmi për besnikërinë tënde. Në këmbim edhe ai do të jetë besnik me ty dhe s’ka për të të braktisur kurrë.—Lexo Psalmin 4:3.
SHQYRTO MË TEJ
Shiko pse për Jehovain është e rëndësishme t’i bindemi dhe ç’mund të të ndihmojë t’i qëndrosh besnik.
3. Një çështje ku je i përfshirë edhe ti
Sipas librit të Jobit, Satanai ngriti një akuzë jo vetëm kundër Jobit, por edhe kundër kujtdo që dëshiron t’i shërbejë Jehovait. Lexoni Jobin 1:1, 6–2:10 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:
Sipas Satanait, pse i bindej Jobi Jehovait?—Shih Jobin 1:9-11.
Çfarë akuze ka hedhur Satanai ndaj të gjithë njerëzve, përfshirë edhe ndaj teje?—Shih Jobin 2:4.
Lexoni Jobin 27:5b dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Si tregoi Jobi se e donte me gjithë zemër Jehovain?
4. Gëzoja zemrën Jehovait
Lexoni Proverbat 27:11 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Si ndihet Jehovai kur tregohesh i mençur dhe i bindur? Pse?
5. Ti mund t’i qëndrosh besnik Jehovait
Dashuria për Jehovain na nxit t’u flasim të tjerëve për të. Ndërsa besnikëria na motivon ta bëjmë këtë, edhe kur nuk shkon gjithçka vaj. Shihni VIDEON dhe më pas diskutoni për këto pyetje:
A e ke të zorshme ndonjëherë të flasësh me të tjerët për Jehovain?
Çfarë e ndihmoi Xhejzonin ta kapërcente frikën?
Është më e thjeshtë t’i qëndrojmë besnikë Jehovait kur duam çfarë do ai dhe urrejmë çfarë urren ai. Lexoni Psalmin 97:10 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:
Nga ajo që ke mësuar deri tani, cilat gjëra do Jehovai? Cilat gjëra urren ai?
Si mund të mësosh të duash të mirën dhe të urresh të keqen?
6. Të mirat që vijnë kur i bindemi Jehovait
T’i bindesh Jehovait është gjëja më e mirë që mund të bësh. Lexoni Isainë 48:17, 18 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:
A je i sigurt se Jehovai e di gjithmonë çfarë është më e mira për ty? Pse?
Çfarë të mirash ke parë deri tani nga ato që ke mësuar për Biblën dhe Perëndinë e vërtetë, Jehovain?
DISA THONË: «Perëndia nuk do t’ia dijë se çfarë bëj unë!»
Çfarë shkrimi do të përdorje për t’u treguar se veprimet tona e kënaqin ose e mërzitin Jehovain?
PËRMBLEDHJE
Mund të tregosh se e do Jehovain, duke iu bindur e duke i qëndruar besnik, pavarësisht nga vështirësitë.
Si do të përgjigjeshe?
Çfarë mësove nga shembulli i Jobit?
Si do ta tregosh se e do Jehovain?
Çfarë do të të ndihmojë t’i qëndrosh besnik Jehovait?
EKSPLORO
Shiko si t’i qëndrosh besnik Jehovait dhe kongregacionit.
«Me atë që është besnik ti do të veprosh me besnikëri» (16:49)
Mëso më shumë për akuzat që ka ngritur Satanai kundër njerëzve.
«Jobi qëndron besnik» (Bibla—Cili është mesazhi i saj?, pjesa 6)
Shih se si edhe fëmijët mund të tregojnë se e duan Jehovain.
Si mund t’i qëndrojë një i ri besnik Perëndisë përballë presionit të moshatarëve?