Shpërblimi i Jobit—Një burim shprese
«Zoti i bekoi vitet e fundit të Jobit më tepër se vitet e para.»—JOBI 42:12.
1. Çfarë bën Jehovai për njerëzit e tij, madje edhe kur sprovat i dobësojnë ata shumë?
JEHOVAI «është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë». (Hebrenjve 11:6) Gjithashtu, ai i nxit njerëzit e tij të devotshëm që të dëshmojnë me guxim, edhe pse sprovat mund t’i kenë dobësuar deri në vdekje. (Jobi 26:5; Zbulesa 11:3, 7, 11) Kjo doli e vërtetë edhe në rastin e Jobit të përvuajtur. Megjithëse u përfol nga të tre ngushëlluesit e rremë, ai nuk heshti prej frikës së njerëzve. Përkundrazi, dha një dëshmi të guximshme.
2. Edhe pse kanë vuajtur persekutime dhe vështirësi, si kanë dalë Dëshmitarët e Jehovait prej sprovave të tyre?
2 Shumë Dëshmitarë të sotëm të Jehovait kanë vuajtur persekutime dhe vështirësi aq të mëdha, saqë kanë qenë në prag të vdekjes. (2. Korintasve 11:23) Sidoqoftë, ashtu si edhe Jobi, ata kanë treguar dashuri për Perëndinë dhe kanë praktikuar drejtësinë. (Ezekieli 14:14, 20) Kanë mbijetuar, gjithashtu, prej sprovave të tyre, të vendosur për t’i pëlqyer Jehovait, të forcuar për të dhënë një dëshmi të guximshme dhe të mbushur me shpresë të vërtetë.
Jobi jep një dëshmi të guximshme
3. Çfarë lloj dëshmie dha Jobi në fjalimin e tij të fundit?
3 Në fjalimin e tij të fundit, Jobi dha një dëshmi edhe më të madhe nga sa kishte dhënë më parë. Ai i detyroi të heshtnin plotësisht ngushëlluesit e tij të rremë. Me një sarkazëm therëse, ai tha: «Si e ke ndihmuar të dobëtin?» (Jobi 26:2) Jobi lëvdoi Jehovain, fuqia e të cilit e mban të varur globin tonë tokësor në asgjë në hapësirë dhe i var retë e ngarkuara me ujë mbi tokë. (Jobi 26:7-9) Megjithatë, Jobi tha se mrekulli të tilla ‘janë vetëm thekët e veprave të Jehovait’.—Jobi 26:14.
4. Çfarë tha Jobi në lidhje me integritetin dhe përse ai mundi të shprehej kështu për veten?
4 I sigurt në pafajësinë e tij, Jobi deklaroi: «Deri në regëtimat e fundit nuk do të heq dorë nga ndershmëria [integriteti, BR] ime.» (Jobi 27:5) Në kundërshtim me akuzat e rreme që u hodhën mbi të, ai s’kishte bërë asgjë për të merituar ato që i ndodhën. Jobi e dinte se Jehovai nuk i dëgjon lutjet e apostatëve, por do t’i shpërblejë mbajtësit e integritetit. Kjo mund të na mbajë mirë në mendje se së shpejti stuhitë e Harmagedonit do t’i fshijnë të ligjtë nga vendet e tyre të fuqishme dhe se ata nuk do t’i shpëtojnë dorës së pamëshirshme të Perëndisë. Deri në atë kohë, populli i Jehovait do të ecë në integritetin e tij.—Jobi 27:11-23.
5. Si e përcaktoi Jobi mençurinë e vërtetë?
5 Imagjino pak atë treshe të zgjuar nga pikëpamja botërore duke dëgjuar, ndërsa Jobi tregonte se njeriu i ka përdorur aftësitë e tij për të gjetur ar, argjend dhe thesare të tjera në tokë e në det. «Por,—thotë Jobi,—vlera e diturisë është më e madhe se margaritarët.» (Jobi 28:18) Ngushëlluesit e rremë të Jobit nuk mund ta blinin dot mençurinë e vërtetë. Burim i saj është Krijuesi i erës, i shiut, i vetëtimës dhe i bubullimës. Në fakt, e nderuara «frikë nga Zoti, kjo është dituri, dhe t’i largohesh së keqes është zgjuarsi».—Jobi 28:28.
6. Përse foli Jobi mbi jetën e tij të mëparshme?
6 Pavarësisht nga vuajtjet, Jobi vazhdoi t’i shërbente Jehovait. Në vend se të largohej nga Më i Larti, ky burrë me integritet digjej nga dëshira për ‘kujdesin e Perëndisë’, të cilin e kishte pasur më parë. (Jobi 29:4) Jobi nuk po mburrej, kur kujtoi se si ‘i çlironte të varfrit, i veshur me drejtësi dhe ishte një baba për të varfrit’. (Jobi 29:12-16) Përkundrazi, po citonte fakte nga jeta e tij si një shërbëtor besnik i Jehovait. A ke edhe ti një reputacion të tillë? Natyrisht, Jobi po nxirrte në pah edhe falsitetin e akuzave që i bënë mashtruesit e veshur gjoja me mëshirë fetare.
7. Ç’njeri kishte qenë Jobi?
7 Jobin e kishin përqeshur më të rinjtë, ‘etërit e të cilëve nuk do të kishte pranuar t’i vinte midis qenve të kopesë së tij’. Atë e urrenin dhe e kishin pështyrë. Edhe pse ishte mjaft i pikëlluar, askush nuk kishte konsideratë për Jobin. (Jobi 30:1, 10, 30) Megjithatë, duke qenë plotësisht i devotshëm ndaj Jehovait, ai kishte një ndërgjegje të pastër dhe mundi të thoshte: «Le të më peshojë me një peshore të saktë, dhe Perëndia do ta njohë ndershmërinë time.» (Jobi 31:6) Jobi nuk kishte bërë tradhti bashkëshortore apo intriga dhe as nuk kishte dështuar në ndihmën ndaj nevojtarëve. Edhe pse kishte qenë i pasur, ai kurrë nuk kishte besuar në pasuritë materiale. Për më tepër, Jobi s’kishte kryer idhujtari, duke u treguar devotshmëri gjërave pa jetë, si p.sh. hënës. (Jobi 31:26-28) Duke besuar në Perëndinë, ai la një shembull të shkëlqyer si mbajtës i integritetit. Pavarësisht nga vuajtjet e tij dhe nga prania e ngushëlluesve të rremë, Jobi bëri një mbrojtje mjeshtërore dhe dha një dëshmi të shkëlqyer. Ndërsa po përfundonte së foluri, ai i besoi Perëndisë si Gjykatësi dhe Shpërblyesi i tij.—Jobi 31:35-40.
Elihu flet
8. Kush ishte Elihu dhe si tregoi ai respekt dhe guxim?
8 Aty pranë ishte edhe Elihu i ri, një pasardhës i birit të Nahorit, Buzit, pra një farefis i largët i mikut të Jehovait, Abrahamit. (Isaia 41:8) Elihu tregoi respekt për më të vjetrit, duke i dëgjuar në të dyja anët e debatit. Megjithatë, ai foli me guxim mbi çështje në të cilat ata kishin gabuar. Për shembull, zemërimi i tij u ndez kundër Jobit «sepse ai e quante veten e tij të drejtë më tepër se Perëndia». Veçanërisht, zemërimi i Elihut u drejtua kundër ngushëlluesve të rremë. Pohimet e tyre dukeshin se lavdëronin Perëndinë, por në të vërtetë ato e qortonin atë, duke mbajtur anën e Satanait në çështjen e pazgjidhur. «Plot fjalë» dhe i nxitur nga fryma e shenjtë, Elihu ishte një dëshmitar i paanshëm i Jehovait.—Jobi 32:2, 18, 21.
9. Si tregoi Elihu se Jobi do të lehtësohej?
9 Jobi ishte shqetësuar më tepër për të justifikuar veten, sesa Perëndinë. Në fakt, ai kishte konkurruar me Perëndinë. Megjithatë, ndërsa vdekja e tij po bëhej e pashmangshme, ekzistonte edhe një tregues për lehtësim. Në ç’mënyrë? E pra, Elihu ishte i nxitur të thoshte se Jehovai e favorizonte Jobin me këtë mesazh: «Kurseje që të mos zbresë në gropë; gjeta shpengimin për të. Atëherë mishi i tij do të bëhet më i freskët se kur ishte fëmijë dhe ai do të kthehet në ditët e rinisë së tij.»—Jobi 33:24, 25.
10. Deri në ç’masë do të provohej Jobi, por për çfarë mund të jemi të sigurt duke parë 1. Korintasve 10:13?
10 Elihu e korrigjoi Jobin, pasi ky kishte thënë se nuk ekziston asnjë përfitim nëse i pëlqejmë Perëndisë, duke mbajtur integritetin. Elihu tha: «Qoftë larg Perëndisë paudhësia dhe ligësia qoftë larg të Plotfuqishmit! Sepse ai ia kthen njeriut sipas veprave të tij.» Jobi u nxitua duke lëvduar drejtësinë e tij, por veproi kështu pa njohurinë dhe mendjehollësinë e duhur. Elihu shtoi: «Le të provohet Jobi deri në fund, sepse përgjigjet e tij janë si ato të njerëzve të këqij.» (Jobi 34:10, 11, 35, 36) Në mënyrë të ngjashme, besimi dhe integriteti ynë mund të provohen plotësisht, nëse ‘provohemi deri në fund’ në disa mënyra. Sidoqoftë, Ati ynë i dashur qiellor nuk do të lejojë që të tundohemi përtej asaj që mund të mbajmë.—1. Korintasve 10:13.
11. Kur provat të na shkaktojnë dhembje, çfarë duhet të kujtojmë?
11 Duke vazhduar, Elihu tregoi përsëri se Jobi po e theksonte më tepër sesa duhej drejtësinë e tij. Vëmendja duhet përqendruar mbi Krijuesin tonë të Madh. (Jobi 35:2, 6, 10) Perëndia «nuk e lë të jetojë njeriun e keq dhe u siguron drejtësinë të shtypurve»,—tha Elihu. (Jobi 36:6) Askush nuk mund t’i kërkojë llogari Perëndisë dhe të thotë se ai ka qenë i padrejtë. Ai është i lavdëruar shumë më tepër nga sa dimë ne dhe vitet e tij janë të pafundme. (Jobi 36:22-26) Nëse provat mund të na shkaktojnë dhimbje, le të mos harrojmë se Perëndia ynë i përjetshëm është i drejtë dhe do të na shpërblejë për aktivitetin besnik në lavdi të emrit të tij.
12. Çfarë treguan shprehjet përfundimtare të Elihut mbi ekzekutimin e gjykimit të Jehovait mbi të ligjtë?
12 Ndërsa Elihu fliste, një stuhi po grumbullohej. Ndërkohë që ajo afrohej, zemra e Elihut filloi të hovte e të dridhej. Ai foli për gjërat e mëdha që kishte bërë Jehovai dhe tha: «Dëgjo këtë, o Job, ndalu dhe merr parasysh mrekullitë e Perëndisë!» Si Jobi, edhe ne duhet të shqyrtojmë veprat e mrekullueshme të Perëndisë dhe dinjitetin e tij që të frymëzon frikë. «Të Plotfuqishmin ne nuk mund ta arrijmë,—thotë Elihu.—Ai është i madhërishëm për nga fuqia, nga ndershmëria dhe nga drejtësia; ai nuk shtyp asnjeri. Prandaj njerëzit e kanë frikë.» (Jobi 37:1, 14, 23, 24) Shprehjet përmbyllëse të Elihut na kujtojnë se kur Perëndia të ekzekutojë së shpejti gjykimin mbi të ligjtë, ai nuk do ta zvogëlojë drejtësinë dhe do t’i ruajë ata që i frikësohen atij, si adhurues që e nderojnë. Çfarë privilegji është të gjendesh midis këtyre mbajtësve të integritetit që e pranojnë Jehovain si Sovranin Universal! Ji i durueshëm si Jobi dhe mos lejo kurrë që Djalli të të largojë nga vendi yt i bekuar midis këtyre radhëve të lumtura.
Jehovai i përgjigjet Jobit
13, 14. (a) Në lidhje me çfarë e pyeti Jehovai Jobin? (b) Çfarë mësimi mund të nxjerrim nga pyetjet e tjera që Jehovai i bëri Jobit?
13 Sa i habitur duhet të ketë qenë Jobi, kur Jehovai i foli nga stuhia! Ajo stuhi ishte një vepër e Perëndisë, që nuk ngjante me atë erë të fortë që Satanai e përdori për të shembur shtëpinë dhe për të vrarë fëmijët e Jobit. Jobi mbeti pa fjalë, kur Perëndia e pyeti: «Ku ishe kur unë hidhja themelet e tokës? . . . Kush ia vuri gurin qoshes, kur yjet e mëngjesit këndonin të gjithë së bashku dhe tërë bijtë e Perëndisë lëshonin britma gëzimi?» (Jobi 38:4, 6, 7) Jehovai i paraqiti Jobit njërën pyetje pas tjetrës, mbi detin, mbi veshjen e tokës me re, mbi agimin, mbi portat e vdekjes, mbi dritën dhe errësirën dhe mbi kostelacionet yjësitë. Jobi nuk mundi të thoshte asgjë kur e pyeti: «A i njeh ti ligjet e qiellit?»—Jobi 38:33.
14 Pyetje të tjera treguan se përpara se njeriu të krijohej dhe t’i jepej sundim mbi peshqit, shpendët, kafshët dhe zvarranikët, Perëndia kishte marrë masat për ta, pa ndihmën apo këshillën e ndonjë njeriu. Pyetjet e mëtejshme të Jehovait përmendin krijesa të tilla, si bualli i egër, struci dhe kali. Jobit iu vu kjo pyetje: «Është vallë nën komandën tënde që shqiponja ngrihet lart dhe e bën folenë e saj në vende të larta?» (Jobi 39:27) Natyrisht që jo! Imagjino si ka reaguar Jobi, kur Perëndia e pyeti: «Ai që kundërshton të Plotfuqishmin, a dëshiron vallë ta korrigjojë?» Nuk habitemi, pra, që Jobi tha: «Ja, jam shpirtvogël, çfarë mund të të përgjigjem? E vë dorën mbi gojën time.» (Jobi 40:2, 4) Pasi Jehovai është gjithmonë i drejtë, nëse ndonjëherë do të ndihemi të tunduar për t’u ankuar kundër tij, duhet ‘të vëmë dorën mbi gojën tonë’. Pyetjet e Perëndisë lartësuan, gjithashtu, superioritetin, dinjitetin dhe forcën e tij, siç shfaqen edhe nga krijimi.
Behemothi dhe Leviathani
15. Cila kafshë mendohet në përgjithësi se është Behemothi dhe cilat janë disa nga karakteristikat e tij?
15 Më tej, Jehovai përmendi Behemothin, që në përgjithësi mendohet se është hipopotami. (Jobi 40:15-24) Kjo kafshë barngrënëse është e njohur për përmasat e saj të mëdha, për peshën e rëndë dhe për lëkurën e ashpër. Burime të fuqisë dhe të energjisë së tij janë vithet dhe gilcat e barkut. Kockat e këmbëve të tij janë të forta si «tuba prej bronzi». Behemothi nuk u trembet ujërave të rrëmbyeshme, por noton me lehtësi kundër rrymës.
16. (a) Me cilën krijesë përputhet përshkrimi i Leviathanit dhe cilat janë disa nga gjërat që dimë për të? (b) Çfarë mund të na sugjerojë forca e Behemothit dhe e Leviathanit, në lidhje me plotësimin e caktimeve në shërbim të Jehovait?
16 Perëndia e pyeti përsëri Jobin: «A mund ta nxjerrësh Leviathanin me grep ose të mbash të palëvizur gjuhën e tij me një litar?» Përshkrimi i Leviathanit përputhet me krokodilin. (Jobi 41:1-34) Ai nuk lidh asnjë besëlidhje paqeje me askënd dhe asnjë njeri i mençur nuk është aq trim sa të ngacmojë këtë reptil. Shigjetat nuk e bëjnë atë të ikë dhe «ai tallet me vringëllimën e ushtës». Zemërimi i Laviathanit i bënë thellësirat të ziejnë si një enë me melhem. Fakti që Laviathani dhe Behemothi ishin shumë më të fuqishëm se Jobi, e ndihmuan atë për t’u përulur. Edhe ne duhet të pranojmë me përulësi se nuk jemi të fuqishëm në vetvete. Kemi nevojë për mençurinë dhe forcën që jep Perëndia, për t’u ikur dhëmbëve të Satanait, Gjarpërit dhe për të plotësuar caktimin tonë në shërbim të Jehovait.—Filipianëve 4:13; Zbulesa 12:9.
17. (a) Si e «soditi Perëndinë» Jobi? (b) Çfarë provuan pyetjet, të cilave Jobi nuk mundi t’u përgjigjej dhe si mund të na ndihmojë kjo?
17 Plotësisht i përulur, Jobi e pranoi pikëpamjen e tij të gabuar dhe e kuptoi se kishte folur pa mend. Megjithatë, ai kishte shprehur besimin se do ‘të sodiste Perëndinë’. (Jobi 19:25-27) Si mund të ndodhë kjo, në një kohë që asnjë njeri nuk mund ta shohë Jehovain dhe të rrojë? (Të Dalët 33:20) Në të vërtetë, Jobi pa shfaqjen e fuqisë hyjnore, dëgjoi zërin e Perëndisë dhe sytë e tij të kuptueshmërisë ishin hapur për të parë të vërtetën mbi Jehovain. Prandaj, Jobi ‘ndjeu neveri dhe u pendua mbi pluhurin dhe hirin’. (Jobi 42:1-6) Pyetjet e shumta, të cilave ai s’kishte mundur t’u përgjigjej, kishin provuar superioritetin e Perëndisë dhe kishin treguar vogëlsinë e njeriut, madje edhe të atyre që janë të devotshëm ndaj Jehovait, siç kishte qenë Jobi. Kjo na ndihmon të kuptojmë se interesat tona nuk duhet t’i shohim si më të rëndësishme se shenjtërimi i emrit të Jehovait dhe shfajësimi i sovranitetit të tij. (Mateu 6:9, 10) Shqetësimi ynë kryesor duhet të jetë mbajtja e integritetit ndaj Jehovait dhe nderimi i emrit të tij.
18. Çfarë kishin nevojë të bënin ngushëlluesit e rremë të Jobit?
18 Por, si shkoi puna me ngushëlluesit e rremë, që e mbanin veten për të drejtë? Me të drejtë, Jehovai mund t’i kishte vrarë Elifazin, Bildadin dhe Zofarin, pasi nuk kishin thënë të vërtetën mbi të, siç kishte bërë Jobi. «Merrni me vete shtatë dema e shtatë desh, shkoni te shërbëtori im Job,—tha Perëndia,—dhe ofroni një olokaust për veten tuaj. Dhe shërbëtori im Job do të lutet për ju.» Treshja duhej të përulej për të vepruar kështu. Ruajtësi i integritetit, Jobi, duhej të lutej për ta dhe Jehovai e pranoi lutjen e tij. (Jobi 42:7-9) Ç’mund të themi për gruan e Jobit, e cila e kishte nxitur të mallkonte Perëndinë e të vdiste? Duket se ajo është pajtuar me Jobin, falë mëshirës së Jehovait.
Shpërblimet e premtuara na japin shpresë
19. Në lidhje me Jobin, si e tregoi Jehovai superioritetin e tij mbi Djallin?
19 Sapo Jobi pushoi së ankuari mbi vuajtjet e tij dhe u riaktivizua në shërbim të Perëndisë, Jehovai e ndryshoi gjendjen e tij. Pasi Jobi u lut për treshen, Perëndia ‘e ktheu në gjendjen e mëparshme’ dhe i dha ‘dyfishin e tërë atyre që kishte zotëruar’. Jehovai tregoi superioritetin e tij mbi Djallin, duke ndaluar dorën e Satanait që kishte sëmurur Jobin dhe duke e shëruar këtë të fundit në mënyrë të mrekullueshme. Gjithashtu, Perëndia i zmbrapsi hordhitë demonike dhe i mbajti larg ato, duke vënë sërish një gardh përreth Jobit, me fushimin e Tij engjëllor.—Jobi 42:10; Psalmi 34:7.
20. Në cilat mënyra Jehovai e shpërbleu dhe e bekoi Jobin?
20 Vëllezërit e motrat e Jobit, si edhe të njohur të tij të mëparshëm erdhën për të ngrënë bashkë me të, për ta përkrahur dhe për ta ngushëlluar për ndodhitë e këqija që Jehovai kishte lejuar të binin mbi të. Çdonjëri prej tyre i dha Jobit para dhe nga një unazë floriri. Jehovai e bekoi fundin e Jobit më shumë se fillimin, kështu që ai pati 14.000 dele, 6.000 deve, 1.000 çifte gjedhësh dhe 1.000 gomarë. Jobi pati, gjithashtu, shtatë djem e tri vajza, po aq sa kishte pasur edhe më parë. Vajzat e tij, Jemimah, Ketsiah dhe Keren-Hapuk, ishin gratë më të bukura të vendit dhe Jobi u dha atyre një trashëgimi midis vëllezërve. (Jobi 42:11-15) Përveç kësaj, jetoi akoma edhe 140 vjet dhe pa katër breza të pasardhësve të tij. Tregimi përfundon: «Pastaj Jobi vdiq plak dhe i ngopur me ditë.» (Jobi 42:16, 17) Jetëgjatësia e tij ishte një vepër e mrekullueshme e Jehovait.
21. Si na ndihmon tregimi biblik mbi Jobin dhe për çfarë duhet të jemi të vendosur?
21 Tregimi biblik i Jobit na bën edhe më të vetëdijshëm mbi mjetet e Satanait dhe na ndihmon të kuptojmë se si sovraniteti universal është i lidhur me integritetin njerëzor. Ashtu si edhe Jobi, të gjithë që e duan Perëndinë do të sprovohen. Por ne mund të durojmë ashtu si dhe Jobi. Ai mbijetoi prej sprovave të tij me besim e shpresë dhe shpërblimi i tij qe i madh. Si shërbëtorë të Perëndisë sot, ne kemi besim dhe shpresë të vërtetë. Dhe çfarë shprese të madhe ka vënë përpara secilit prej nesh Shpërblyesi i Madh! Mbajtja ndër mend e shpërblimit qiellor do t’i ndihmojë të mirosurit që t’i shërbejnë besnikërisht Perëndisë gjatë pjesës së mbetur të jetës së tyre mbi tokë. Shumë prej atyre që kanë perspektivën tokësore nuk do të vdesin kurrë, por edhe ata që do të vdesin, do të shpërblehen me një ringjallje në Parajsën mbi tokë, së bashku me vetë Jobin. Me një shpresë të vërtetë në zemër e në mendje, të gjithë ata që e duan Perëndinë le të provojnë se Satanai është një gënjeshtar, duke qëndruar të vendosur në anën e Jehovait si mbajtës të integritetit dhe mbështetës të patundur të sovranitetit të tij universal.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Cilat janë disa nga pikat që Jobi nxori në pah në përgjigjen e fundit që u dha ngushëlluesve të tij të rremë?
◻ Në ç’mënyrë provoi Elihu se ishte një dëshmitar i paanshëm i Jehovait?
◻ Cilat ishin disa nga pyetjet e Jehovait për Jobin dhe çfarë ndikimi patën ato?
◻ Si ke përfituar nga tregimi biblik i Jobit?
[Figurat në faqen 18]
Deklaratat e Jehovait mbi Behemothin dhe Leviathanin e ndihmuan Jobin të përulej