ELIHU
[Perëndia im është ai].
1. ‘Biri i Barakelit, buzitit, nga familja e Ramit.’ Duke qenë pasardhës i Buzit, Elihu duhet të ketë qenë farefis i largët me Abrahamin. (Jb 32:1, 2, 6; Zn 22:20, 21) Sigurisht, Elihu dëgjoi me kujdes gjithë debatin mes Jobit dhe tre gjoja ngushëlluesve të tij. Por nga respekti për moshën e tyre, ai nuk foli derisa mbaruan të gjithë. Edhe pse disa kritikë modernë e kanë quajtur fjalëshumë, duke thënë se fjalimet e tij ishin të zvargura, pohimet e Elihut nuk ishin si ato të një të riu të paturp. Ai e kuptonte shumë mirë se mençuria nuk ishte privilegj vetëm i të moshuarve, por që fryma e Perëndisë të bënte vërtet të mençur. Pra, Elihu mbështetej shumë te fryma e Perëndisë. Kjo e bëri të dallonte qartë se Jobi nuk e kishte kuptuar që shfajësimi i Perëndisë Jehova ishte shumë më i rëndësishëm se shfajësimi i cilitdo qoftë dhe se tre shokët e Jobit në të vërtetë e kishin bërë Perëndinë fajtor.—Jb 32:2-9, 18.
Elihu ishte i paanshëm dhe nuk iu drejtua asnjërit me tituj miklues. Ai e pranoi se ishte bërë nga argjila njësoj si Jobi dhe se i Plotfuqishmi ishte Krijuesi i tij. Ai nuk kishte ndër mend ta tmerronte Jobin, por i foli si mik i vërtetë, duke iu drejtuar me emër, gjë që Elifazi, Bildadi ose Zofari nuk e bënë.—Jb 32:21, 22; 33:1, 6.
Elihu lartësoi në çdo kuptim pozitën e Perëndisë së vërtetë duke thënë se i Plotfuqishmi është i drejtë dhe e shpërblen secilin sipas sjelljes së tij. Ai është i paanshëm kur gjykon dhe e di shumë mirë se si sillet gjithkush. Perëndia e dëgjon klithmën e të munduarit. Është një Mësues që e bën njeriun më të mençur se kafshët. Elihu tha se e vetmja gjë që Perëndia nuk dëgjon, janë gënjeshtrat dhe, duke u nisur nga kjo, e nxiti Jobin t’i mbante sytë tek Ai. Veç kësaj, Elihu e siguroi Jobin se Perëndia ishte me të dhe se Ai nuk do ta ruante gjallë të ligun, përkundrazi ata që i shërbejnë «do t’i përfundojnë ditët në mbarësi». (Jb 36:11) Më pas, ai e këshilloi Jobin të madhëronte atë që kishte bërë Perëndia, Siguruesi i madh, i cili jep ushqim me bollëk. Elihu ia drejtoi vëmendjen Jobit te gjërat madhështore që ka bërë Perëndia dhe te fakti që Ai ka nën kontroll forcat e natyrës, duke e nxitur Jobin ‘t’u vinte mendjen mrekullive të Perëndisë’. (Jb 37:14) Elihu e mbaroi ligjëratën e tij me fjalë fisnike për të Plotfuqishmin: «S’ka më të fuqishëm se Ai. Ai nuk do ta nënçmojë gjykimin e drejtë dhe drejtësinë që shfaqet me bollëk. Prandaj njerëzit le t’i frikësohen.»—Jb 37:23, 24; kap. 34-37.
Vetëm falë frymës së Perëndisë Elihu mundi t’i vlerësonte drejt gjërat dhe të thoshte fjalë që u përmbushën te Jobi kur u rimëkëmb: «Le të mos shkojë në gropë! Për të gjeta shpërblesë! Mishi iu bëftë më i freskët se në rini! Iu ktheftë gjallëria si në ditët e rinisë!»—Jb 33:24, 25.
2. Paraardhës i profetit Samuel; i biri i Tohut. (1Sa 1:1) Me sa duket Elihu quhet edhe Eliab dhe Eliel.—1Kr 6:27, 34.
3. Mendohet se ishte Eliabi, vëllai i madh i mbretit David; ai u bë princi i fisit të Judës.—1Kr 27:18, 22; krahaso 1Sa 16:6; shih ELIABI nr. 4.
4. Një nga shtatë krerët e mijësheve që i përkitnin Manaseut dhe që u hodhën në anën e Davidit në Ziklag.—1Kr 12:20.
5. Korahit nga familja e Obed-Edomit; ishte caktuar derëtar në shtëpinë e Perëndisë gjatë kohës kur mbretëronte Davidi.—1Kr 26:1, 4, 7, 8.