TEMA KRYESORE | A KA ARDHUR BIBLA VËRTET NGA ZOTI?
Bibla—E saktë në çdo aspekt
E saktë shkencërisht
NDONËSE Bibla nuk është libër shkencor, ajo flet me saktësi për botën fizike. Shqyrto disa shembuj nga fusha e meteorologjisë dhe e gjenetikës.
METEOROLOGJIA—FORMIMI I SHIUT
Bibla thotë: «[Perëndia] tërheq atje lart pikat e ujit në formë avulli, i cili dendësohet pastaj në shi, që retë zbrazin.»—Jobi 36:27, 28, Diodati i Ri.
Këtu Bibla përshkruan tre hapat kryesorë të ciklit të qarkullimit të ujit. Perëndia, Burimi i nxehtësisë diellore, ‘tërheq lart pikat e ujit’ me anë të (1) avullimit. Pastaj, nëpërmjet (2) kondensimit, avujt e ujit ngrihen sipër dhe formojnë re që e zbrazin ujin në formë shiu ose (3) reshjesh të tjera. Sot e kësaj dite meteorologët akoma nuk e kuptojnë plotësisht çdo detaj të fenomenit të shiut. Është interesante pyetja e Biblës: «Kush mund ta kuptojë shtresën e reve?» (Jobi 36:29) Megjithatë, Krijuesi e kupton ciklin e shiut dhe mori masa që një shkrimtar njerëzor t’i shkruante me saktësi të gjitha faktet në Bibël. Këtë e bëri shumë kohë para se njerëzit ta shpjegonin shkencërisht këtë proces bazë.
GJENETIKA—ZHVILLIMI I EMBRIONIT TË NJERIUT
Mbreti David, një shkrimtar i Biblës, i tha Perëndisë: «Sytë e tu panë embrionin tim, dhe në librin tënd ishin shkruar tërë pjesët e tij.» (Psalmi 139:16) Me një gjuhë poetike, Davidi flet për zhvillimin e një embrioni sipas udhëzimeve të shkruara në një «libër» ose plan të mëparshëm. Është e pabesueshme që kjo të jetë shkruar rreth 3.000 vjet më parë!
Megjithatë, parimet bazë të gjenetikës u zbuluan vetëm në mesin e shekullit të 19-të nga botanisti austriak Gregor Mendeli. Dhe vetëm në prill të 2003-shit studiuesit kuptuan plotësisht renditjen dhe kombinimin e elementeve në gjenomin e njeriut, i cili përmban gjithë informacionin gjenetik që nevojitet për zhvillimin e embrionit. Udhëzimi gjenetik në gjenet tona është organizuar me rregullsi njësoj si organizohen në një fjalor shkronjat dhe fjalët që formojnë. Bazuar në këto udhëzime, pjesët e embrionit—si truri, zemra, mushkëritë dhe gjymtyrët—zhvillohen sipas një radhe të caktuar dhe fiks në kohën e duhur. Jo më kot shkencëtarët e kanë quajtur gjenomin «libri i jetës». Si ka mundësi që Davidi, shkrimtari i Biblës, ishte kaq i saktë? Ai pranoi me përulësi: «Fryma e Jehovait foli nëpërmjet meje, dhe fjala e tij ishte në gjuhën time.»a—2 Samuelit 23:2.
Parathotë të ardhmen me saktësi
ËSHTË shumë e vështirë—në mos e pamundur—të dish kur, si dhe deri në ç’masë do të lulëzojnë a do të shkatërrohen mbretëri e qytete. Prapëseprapë, Bibla paratha me detaje shkatërrimin e mbretërive dhe të qyteteve të fuqishme. Shqyrto vetëm dy shembuj.
RËNIA DHE SHKRETIMI I BABILONISË
Babilonia e lashtë ishte qendra e një perandorie të fuqishme që për shekuj kishte pushtet mbi Azinë Perëndimore. Dikur ishte qyteti më i madh në botë. Megjithatë, Perëndia e frymëzoi shkrimtarin e Biblës, Isainë, të profetizonte se një pushtues me emrin Kir do të mposhtte Babiloninë dhe se ajo s’do të banohej më kurrë. Kjo profeci u tha rreth 200 vjet para se të ndodhte. (Isaia 13:17-20; 44:27, 28; 45:1, 2) A ndodhi vërtet kështu?
Një natë tetori të vitit 539 p.e.s., Kiri i Madh pushtoi Babiloninë. Me kalimin e kohës kanalet që më parë ujitnin tokat pjellore përreth, u lanë pas dore dhe u thanë. Thuhet se vendi ishte i shkretuar aty nga viti 200 i e.s. Sot, Babilonia mbetet ende një rrënojë. Ajo ‘është bërë e tëra një shkreti’, tamam si paratha Bibla.—Jeremia 50:13.
Si arriti ta parashikonte me kaq saktësi historinë ky shkrimtar i Biblës? Bibla zbulon se kjo ishte «shpallja kundër Babilonisë, që pa në vegim Isaia, biri i Amozit».—Isaia 13:1.
NINEVIA—‘E THATË SI SHKRETËTIRA’
Ninevia, kryeqyteti i Perandorisë Asiriane, konsiderohej një mrekulli arkitekturore. Qyteti kishte rrugë të gjera, parqe, tempuj dhe pallate mbretërore të mëdha. Gjithsesi, profeti Sofonia paratha se ky qytet madhështor do të kthehej «në shkreti, në vend të thatë si shkretëtira».—Sofonia 2:13-15.
Ninevia u shkatërrua plotësisht nga ushtritë aleate të Babilonisë dhe të Medisë në shekullin e shtatë p.e.s. Sipas një vepre referimi, qyteti i mposhtur «u la në harresë për 2.500 vjet». Për njëfarë kohe njerëzit dyshonin nëse Ninevia kishte ekzistuar vërtet. Vetëm në mesin e shekullit të 19-të arkeologët zbuluan rrënojat e Ninevisë. Sot edhe rrënojat e saj po humbasin për shkak të shpërbërjes dhe të vandalizmit. Ja pse Fondi i Trashëgimisë Botërore paralajmëron: «Rrënojat e lashta të Ninevisë rrezikojnë sërish të zhduken përgjithmonë.»
Si ka mundësi që Sofonia e dinte që më parë këtë informacion? Ai pranoi se ishte «fjala e Jehovait që iu drejtua».—Sofonia 1:1.
Bibla u përgjigjet pyetjeve më të rëndësishme të jetës
BIBLA ka përgjigje të kënaqshme për pyetjet më të rëndësishme të jetës. Shqyrto shembujt e mëposhtëm.
PSE KA KAQ SHUMË LIGËSI E VUAJTJE?
Shkrimet flasin goxha për ligësinë dhe vuajtjet. Bibla shpjegon:
«Njeriu ka sunduar mbi njeriun në dëm të tij.»—Eklisiastiu 8:9.
Qeverisja e njerëzve të paaftë dhe të korruptuar ka sjellë vuajtje të papërshkrueshme.
«Të gjithëve u rastis të kalojnë kohë të vështira dhe të përjetojnë ngjarje të paparashikuara.»—Eklisiastiu 9:11.
Ngjarjet e paparashikuara, si sëmundjet serioze, aksidentet ose katastrofat, mund të prekin këdo, kudo dhe kurdo.
«Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit.»—Romakëve 5:12.
Kur u krijuan dy njerëzit e parë, nuk ekzistonin papërsosmëria dhe vdekja. Mëkati «hyri në botë» kur nuk iu bindën me dashje Krijuesit të tyre.
Bibla nuk shpjegon vetëm pse vuajnë njerëzit. Ajo shkon edhe më tej. Premton se Zoti do të shkulë me rrënjë ligësinë dhe «do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më».—Zbulesa 21:3, 4.
ÇFARË NDODH ME NE KUR VDESIM?
Bibla shpjegon se, kur vdesim, jemi plotësisht të pavetëdijshëm dhe joaktivë. Eklisiastiu 9:5 thotë: «Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë.» Domethënë, bashkë me ne ‘marrin fund edhe mendimet tona’. (Psalmi 146:4) Pra, kur vdesim, truri dhe organet ndijore nuk funksionojnë më. Pas vdekjes s’mund të lëvizim, të ndiejmë apo të mendojmë.
Mirëpo, Bibla shpjegon jo vetëm gjendjen e të vdekurve, por edhe jep shpresën e mrekullueshme se ata që bien në gjumin e thellë të vdekjes, do të zgjohen sërish nëpërmjet ringjalljes.—Hozea 13:14; Gjoni 11:11-14.
CILI ËSHTË QËLLIMI I JETËS?
Sipas Biblës, Perëndia Jehova krijoi burrin dhe gruan. (Zanafilla 1:27) Ja pse njeriu i parë, Adami, është quajtur «bir i Perëndisë». (Luka 3:38) Njeriu u krijua me një qëllim—të ishte mik me Atin e vet qiellor dhe të bënte një jetë të lumtur e domethënëse në tokë përgjithmonë. Prandaj, të gjithë njerëzit janë krijuar me dëshirën e natyrshme për të mësuar për Perëndinë. Bibla thotë: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë.»—Mateu 5:3.
Për më tepër, Bibla thotë: «Lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!» (Luka 11:28) Bibla jo vetëm na mëson për Zotin, por edhe na ndihmon të jemi më të lumtur e të kemi shpresë për të ardhmen.
Autori i Biblës dhe ti
PASI kanë shqyrtuar provat, miliona njerëz përreth botës kanë arritur në përfundimin se Bibla nuk është thjesht një libër i vjetër. Ata janë të bindur se Bibla është Fjala e frymëzuar e Perëndisë, mënyra si komunikon me njerëzit—dhe me ty. Me anë të saj, Zoti na fton ta njohim e të bëhemi miq të tij. Bibla premton: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.»—Jakovi 4:8.
Ndërsa gërmojmë në Bibël, na shpaloset një mundësi emocionuese. Cila? Kur lexon një libër, futesh paksa në mendjen e autorit. Po njësoj, kur lexon Biblën, arrin të zbulosh ndjenjat dhe mendimet e Autorit të saj, të Perëndisë. Mendo se ç’do të thotë kjo për ty. Mund të kuptosh si mendon e si ndihet Krijuesi yt. Për më tepër në Bibël tregohet:
Emri i Zotit, personaliteti dhe cilësitë e tij të mrekullueshme.
Qëllimi i Perëndisë për njerëzit.
Si të bëhesh mik me Perëndinë.
A dëshiron të dish më shumë? Dëshmitarët e Jehovait do të të ndihmojnë me kënaqësi. Ata mund të marrin masa të studiosh Biblën falas. Kështu mund të lidhesh më ngushtë me Autorin e Biblës—Perëndinë Jehova.
Ky artikull shqyrtoi disa dëshmi se Bibla është e frymëzuar. Për më shumë informacion, shih kapitullin 2 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait dhe që disponohet në www.jw.org
Gjithashtu, shih videon Kush është autori i Biblës? që disponohet në www.jw.org
Shih te BOTIME > VIDEO
a Në Bibël Zoti identifikohet me emrin Jehova.—Psalmi 83:18.