Krijimi thotë: «Ata janë të pafalshëm»
«Cilësitë e tij të padukshme shihen qartë që nga krijimi i botës, sepse ato kuptohen nga gjërat e bëra, bile edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia, kështu që ata janë të pafalshëm.—ROMAKËVE 1:20, NW.
1, 2. (a) Çfarë tha Jobi i hidhëruar duke iu ankuar Jehovait? (b) Çfarë tërheqjeje bëri më vonë Jobi?
JOBI, një burrë i kohëve të vjetra që tregoi integritet të palëkundshëm ndaj Jehovait, qe vënë nën një sprovë të tmerrshme nga Satanai. Djalli e kishte privuar Jobin nga të gjitha të mirat e tij materiale, kishte shkaktuar vdekjen e bijve dhe bijave dhe e kishte goditur me një sëmundje të neveritshme. Jobi mendonte se këto gjëma ia kishte dërguar Perëndia dhe i hidhëruar iu ankua Jehovait: «Është mirë për ty që ti të gabosh, . . . që përpiqesh të gjesh gabimin tim dhe vazhdon të kërkosh mëkatin tim? Kjo megjithëse ti vetë e di që nuk jam në gabim.»—Jobi 1:12-19; 2:5-8; 10:3, 6, 7.
2 Nga fjalët që Jobi i drejtoi Perëndisë, disa kohë më vonë, vërehet një ndryshim i plotë i opinionit: «Kam folur, por nuk kuptoja gjëra tepër të mrekullueshme për mua, që nuk i njoh. Nga të tjerët kam dëgjuar të flitet për ty, por tani vetë syri im me të vërtetë të shikon. Prandaj edhe tërhiqem dhe pendohem në pluhur dhe në hi.» (Jobi 42:3, 5, 6) Çfarë kishte ndikuar në ndryshimin e sjelljes së Jobit?
3. Çfarë pikëpamje të re fitoi Jobi në lidhje me krijimin?
3 Ndërkohë, Jehovai i kishte folur Jobit nga stuhia. (Jobi 38:1) I kishte drejtuar shumë pyetje. «Ku ishe ti, kur unë formova tokën. Kush e mbylli me porta detin dhe vendosi kufijtë, që dallgët e tij të mos kalonin përtej? A mund të bësh që të bjerë shi mbi tokë? A mund të bësh që të mbijë bari? A mund t’i mbash të bashkuara yjësitë dhe t’i udhëheqësh në rrugën e tyre të vendosur?» Siç lexojmë në kapitujt 38 deri 41 të librit të Jobit, Jehovai e shembi Jobin me pyetje të tilla si këto mbi krijimin e Tij. I tregoi Jobit hendekun e madh që ndan Perëndinë nga njeriu dhe i kujtoi me forcë mençurinë dhe fuqinë që duket në krijimin e Tij, gjëra që shkonin përtej asaj që Jobi mund të bënte ose edhe të kuptonte. Jobi, i mposhtur nga fuqia madhështore dhe nga mençuria e pafund e Perëndisë së Gjithëpushtetshëm, të zbuluara nga krijimi i Tij, u turpërua thellësisht që kishte guxuar të diskutonte me Jehovain. Prandaj tha: «Nga të tjerët kam dëgjuar të flitet për ty, por tani vetë syri im me të vërtetë të shikon.»—Jobi 42:5.
4. Çfarë duhet të dallojmë nga veprat krijuese të Jehovait dhe çfarë mund të thuhet për ata që nuk e bëjnë?
4 Shumë shekuj më vonë, një shkrimtar i frymëzuar biblik pohoi se cilësitë e Jehovait mund të shihen nëpërmjet krijimit të Tij. Në Romakëve 1:19, 20 apostulli Pavël shkroi: «Ajo që mund të njihet mbi Perëndinë është shfaqur midis tyre, sepse Perëndia ua shfaqi atyre. Cilësitë e tij të padukshme shihen qartë që nga krijimi i botës, sepse ato kuptohen nga gjërat e bëra, bile edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia, kështu që ata janë të pafalshëm.»
5. (a) Çfarë nevoje të lindur kanë njerëzit dhe si e plotësojnë disa në mënyrë të papërshtatshme? (b) Çfarë këshille u drejtoi Pavli athinasve?
5 Njeriu u krijua me nevojën e lindur për të adhuruar një qenie më të lartë. Dr. C. G. Jung iu referua kësaj nevoje si «një qëndrimi instinktiv karakteristik për njeriun, shfaqjet e të cilit mund të ndiqen nëpërmjet gjithë historisë njerëzore». (The Undiscovered Self) Apostulli Pavël foli mbi impulsin e lindur të njeriut për të adhuruar, që shpjegonte se përse athinasit kishin bërë shëmbëlltyra dhe kishin ngritur altare për shumë perëndi të njohur dhe të panjohur. Pavli u shpjegoi atyre edhe identitetin e Perëndisë së vërtetë dhe tha se për të plotësuar në mënyrë korrekte këtë nevojë të lindur duhej të kërkonin Perëndinë e vërtetë, Jehovain, «nëse mund ta kërkojnë duke prekur dhe me të vërtetë ta gjejnë, sido që, në fakt, nuk është larg asnjërit prej nesh». (Veprat 17:22-30, NW) Jemi afër për të shquar cilësitë dhe vetitë e tij, ashtu siç jemi afër veprave të tij krijuese.
Qarkullimi i çuditshëm i ujit
6. Çfarë cilësie të Jehovait vërejmë në qarkullimin e ujit?
6 Për shembull, çfarë cilësie të Jehovait vërejmë në aftësinë që kanë retë e buta për të mbajtur tonelata uji? Vërejmë dashurinë dhe mençurinë e tij, sepse në këtë mënyrë ai e bekon tokën me shiun. E bën me anë të qarkullimit të jashtëzakonshëm të ujit, të përmendur tek Eklisiastiu 1:7: «Të gjithë përrenjtë e dimrit shkojnë në det, e megjithatë vetë deti nuk mbushet. Në vendin ku shkojnë përrenjtë e dimrit, atje kthehen të shkojnë.» Libri biblik i Jobit përshkruan se si ndodh kjo.
7. Në ç’mënyrë shkon uji nga oqeanet tek retë dhe si retë e buta mund të mbajnë tonelata uji?
7 Kur përrenjtë e dimrit bien në det, uji nuk mbetet atje. Jehovai «tërheq pikat e ujit dhe i kthen në shi avujt e tij». Meqë uji është në formë avujsh uji dhe në fund mjegull e hollë, «retë rrinë në ekuilibër, mrekulli e Atij që është i përsosur në njohuri». (Jobi 36:27; 37:16, NW) Derisa janë në formë avulli, retë rrinë pezull: «I mban ujërat në retë e tij: Avujt nuk çahen nga pesha e tyre.» Ose sipas një përkthimi tjetër: «I mbyll ujërat brenda reve dhe retë nuk çahen nga pesha e tyre.»—Jobi 26:8, The Jerusalem Bible; CEI.
8. Cilat janë proceset e ndryshme me anë të të cilave «qypat me ujë të qiellit» derdhen, duke plotësuar kështu qarkullimin e ujit?
8 Këto «qypa me ujë të qiellit, kush mund t’i zbrazë», kështu që shiu të bjerë mbi tokë? (Jobi 38:37, NW) «Ai që është i përsosur në njohuri», i cili me mençurinë e tij i ka vënë atje dhe «i kthen në shi avujt e tij». Dhe çfarë duhet për të kthyer avujt në shi? Duhet të jenë pjesëza mikroskopike të qëndrueshme si grimca pluhuri ose kripe—mijëra ose qindra mijëra për çdo centimetër kub ajër—që veprojnë si bërthama rreth të cilave formohen piklat. Llogaritet se nevojiten një milion pikla të vogla për të formuar një pikë shiu me madhësi mesatare. Vetëm pas gjithë kësaj pune retë derdhin përrenjtë e tyre të ujit mbi tokë, të cilat formojnë udhët e ujit që kthehen pastaj në det. Kështu qarkullimi i ujit plotësohet. A ndodh kjo thjesht rastësisht? Ta mendosh do të ishte «e pafalshme»!
Një burim i mençurisë së Solomonit
9. Çfarë gjëje kaq të jashtëzakonshme pa Solomoni në një lloj milingone?
9 Në botën antike, mençuria e Solomonit ishte e pashoqe. Pjesa më e madhe e asaj mençurie kishte të bënte me mençurinë e Jehovait: «[Solomoni] fliste mbi pemët, nga kedri që është në Liban, deri tek hisopi që mbin mbi mur; dhe fliste për kafshët dhe për shpendët dhe për gjërat që lëvizin dhe për peshqit.» (1. Mbretërve 4:33) Qe vetë mbreti Solomon që shkroi: «Shko tek milingona, o dembel; shikoji rrugët e saj dhe bëhu i mençur. Megjithëse nuk ka komandant, as oficer, as qeveritar, përgatit ushqim edhe në verë; ka grumbulluar rezervat e saj të ushqimit edhe në korrje.»—Proverbat 6:6-8.
10. Kush e ka vërtetuar saktësinë e fjalëve të Solomonit mbi milingonat korrëse?
10 Kush i ka mësuar milingonat të mbledhin ushqimin në verë për të mbijetuar në acarin e dimrit? Për shekuj saktësia me të cilën Solomoni i përshkroi këto milingona që grumbullonin e mblidhnin farërat për dimër qe vënë në dyshim. Asnjë nuk kishte gjetur provat e ekzistencës së tyre. Megjithatë, në vitin 1871, një natyralist anglez zbuloi hambarët e tyre nëntokësorë dhe saktësia e Biblës u vërtetua. Por në ç’mënyrë këto milingona kishin fituar aftësinë që në verë të parashikonin ardhjen e të ftohtit të dimrit dhe mençurinë për të kuptuar se çfarë duhej të bënin? Vetë Bibla shpjegon se shumë krijesa të Jehovait kanë një mençuri të programuar që i ndihmon të mbijetojnë. Milingonat korrëse janë të pajisura nga Krijuesi me këtë aftësi. Proverbat 30:24 thotë se «janë të mençura instinktivisht». Të mendosh se kjo mençuri mund të jetë fryt i rastësisë nuk është e arsyeshme; të mos shohësh në të dorën e një Krijuesi është e pafalshme.
11. (a) Përse është kaq madhështore sekuoja gjigante? (b) Çfarë ka kaq të jashtëzakonshme në reaksionin e parë të fotosintezës?
11 Përpara madhështisë së një sekuoje gjigante, është e kuptueshme që njeriu të ndihet si një milingonë e vogël. Përmasat e kësaj peme janë gjigante: më shumë se 90 metra e lartë, me diametër 11 metra, 60 centimetra trashësi lëkure, rrënjë që shtrihen më shumë se një hektar e gjysmë. Megjithatë, proceset kimike dhe fizike të implikuara në rritjen e saj janë shumë më të jashtëzakonshme. Gjethet e saj marrin ujë nga rrënjët, dyoksid karboni nga ajri dhe energji nga dielli për të prodhuar sheqer dhe për të çliruar oksigjen: një proces i quajtur fotosintezë që kërkon nja shtatëdhjetë reaksione kimike, disa prej të cilave nuk janë kuptuar akoma. Fakt i jashtëzakonshëm, reaksioni i parë varet nga drita e diellit, që ka tamam ngjyrën e duhur, gjatësinë e duhur të valës; përndryshe molekulat e klorofilit nuk do të mund ta thithnin dhe procesi i fotosintezës nuk do të fillonte.
12. (a) Përse është e shquar mënyra se si sekuoja e përdor ujin? (b) Përse bimët që të rriten kanë nevojë për azot dhe si plotësohet cikli i azotit?
12 Është gjithashtu i jashtëzakonshëm fakti që pema është në gjendje të ngrejë shtylla uji, që nga rrënjët e kësaj peme gjigante arrijnë në majë, në një lartësi prej 90 metrash. Ngrihet shumë më tepër ujë se sa nevojitet për fotosintezën. Ai që është tepër humbet në ajër, duke avulluar nëpërmjet gjetheve. Mund të thuhet se pema ka një ftohje me ujë, pak a shumë të ngjashme me atë çka ndodh tek ne me djersitjen. Për të prodhuar proteinat e nevojshme për rritje, përveç sheqernave apo karbohidrateve, ka nevojë për azot. Gjethet nuk mund të thithin azotin e ajrit, por në dhe ndodhen mikroorganizma që janë në gjendje të transformojnë azotin e dheut në nitrate e nitrite të tretshme në ujë të cilat pasi thithen nga rrënjët mund të arrijnë tek gjethet. Kur bimët dhe kafshët, që e kanë shkrirë këtë azot në proteinat e tyre, vdesin dhe dekompozohen, azoti çlirohet, duke plotësuar kështu ciklin e tij. Mënyra e ndërlikuar që zbulon e gjithë kjo është mahnitëse, diçka që vështirë se mund të kryhet rastësisht.
Pa fjalë apo pa zë, ato flasin!
13. Çfarë i deklaronin Davidit qiejt me yje dhe çfarë vazhdojnë të na thonë neve?
13 Çfarë refleksi madhështor i Krijuesit shihet në një natë me yje që ngjall tek vështruesit një ndjenjë shumë të thellë nderimi! Tek Psalmi 8:3, 4 Davidi e shprehu kështu admirimin e madh që ndjente: «Kur shoh qiejt e tu, veprat e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ti ke përgatitur, çfarë është njeriu i vdekshëm që ti kujtohesh për të dhe biri i njeriut tokësor që ti kujdesesh për të?» Për ata që kanë sy për të parë, veshë për të dëgjuar dhe një zemër të ndjeshme, qiejt me yje flasin, siç i flisnin Davidit, i cili tha: «Qiejt deklarojnë lavdinë e Perëndisë.»—Psalmi 19:1-4.
14. Përse energjia dinamike e një ylli të veçantë është me rëndësi jetësore për ne?
14 Sa më shumë i njohim yjet, aq më qartë na flasin. Tek Isaia 40:26 jemi të ftuar të mendojmë mbi energjinë e tyre të madhe: «Ngrini sytë lart dhe shikoni. Kush i ka krijuar këto gjëra? Është Ai që nxjerr ushtrinë e tyre edhe me numër madje, që i thërret të gjitha edhe në emër, madje. Falë bollëkut të energjisë dinamike, pasi ai është edhe i fortë në fuqi, nuk mungon asnjë prej tyre.» Forca e rëndesës dhe «energjia dinamike» e njërit prej tyre, diellit tonë, bëjnë të mundur që toka të qëndrojë në orbitën e saj, që bimët të rriten dhe që ne të kemi temperaturën e duhur, gjë që bën të mundur jetën e çdo lloji mbi tokë. Nën frymëzim apostulli Pavël tha: «Një yll ndryshon nga një yll tjetër në lavdi.» (1. Korintasve 15:41, NW) Shkenca e di se ekzistojnë yje të verdhë si dielli ynë, yje blu, gjigantë të kuq, xhuxha të bardhë, yje neutrone dhe supernova që shpërthejnë duke çliruar një sasi të paimagjinueshme energjie.
15. Çfarë kanë mësuar dhe çfarë janë përpjekur të imitojnë nga krijimi shumë shpikës?
15 Shumë shpikës kanë mësuar nga krijimi dhe janë përpjekur të imitojnë aftësitë me të cilat janë pajisur krijesa të ndryshme të gjalla. (Jobi 12:7-10) Mendoni vetëm disa aspekte të veçanta të krijimit. Zogj detarë që shkripëzojnë ujin e detit; peshq dhe ngjala që prodhojnë elektricitet; peshq, vemje dhe insekte që prodhojnë dritë të ftohtë; lakuriqë nate dhe delfinë që përdorin ultratinguj; grerëza që prodhojnë letër; milingona që ndërtojnë ura; kastorë që ndërtojnë diga; gjarpërinj që kanë termometra të trupëzuar; insekte që jetojnë në këneta dhe që përdorin respiratorë dhe këmbana polumbarësh; oktapodë që përdorin shtytës me hedhje; merimanga që endin shtatë tipe të ndryshme pëlhurash dhe ndërtojnë kurthe, rrjeta, gracka dhe të vegjlit e të cilave janë aeronautë të aftë që të përshkojnë mijëra kilometra në një lartësi të konsiderueshme; peshq dhe guallorë që përdorin serbatorë pluskues si nëndetëset; zogj, insekte, breshka uji, peshq dhe gjitarë që kryejnë shtegtime të jashtëzakonshme: janë të gjitha aftësi që shkenca nuk di t’i shpjegojë.
16. Çfarë të vërtetash shkencore tashmë ishin shkruar në Bibël mijëra vjet përpara se shkenca t’i zbulonte?
16 Në Bibël u shkruan të vërteta shkencore mijëra vjet përpara se shkenca t’i zbulonte. Nga ligji i Moisiut (shekulli XVI p.e.s.) pasqyrohej dijenija e ekzistencës së mikrobeve sëmundjeprurëse mijëra vjet përpara Pastërit. (Levitiku, kapitujt 13, 14) Në shekullin XVII p.e.s. Jobi deklaronte se Perëndia «e var tokën mbi asgjë». (Jobi 26:7) Mijëra vjet para Krishtit, Solomoni shkroi në lidhje me qarkullimin e gjakut; shkenca mjekësore duhej të priste shekullin XVII për ta kuptuar. (Eklisiastiu 12:6) Akoma më përpara, Psalmi 139:16 pasqyronte një njohuri të kodit gjenetik: «Sytë e tu panë deri edhe embrionin tim dhe në librin tënd ishin shkruar të gjitha pjesët, në lidhje me ditët kur qenë formuar dhe mes tyre nuk kishte akoma asnjë.» Në shekullin VII p.e.s., para se natyralistët të kuptonin fenomenin e shtegtimit, Jeremia shkroi: «Edhe shtërgu në qiell e di kur është koha e shtegtimit; turtulli, dallëndyshja dhe lejleku e dinë kur është koha për t’u kthyer.»—Jeremia 8:7, Parola del Signore.
«Krijuesi» që kanë zgjedhur evolucionistët
17. (a) Çfarë thotë Romakëve 1:21-23 për disa që refuzojnë të shohin një Krijues inteligjent prapa mrekullive të krijimit? (b) Në një farë kuptimi, çfarë zgjedhin evolucionistët si «krijuesin» e tyre?
17 Në lidhje me disa që refuzojnë të shohin një Krijues inteligjent prapa mrekullive të krijimit, një varg biblik thotë: «Ata u bënë kokëbosh në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa inteligjencë është errësuar. Megjithëse pohojnë se janë të mençur, janë bërë të marrë e kanë ndryshuar lavdinë e Perëndisë së paprishshëm në diçka të ngjashme me shëmbëlltyrat e njeriut të prishshëm, zogjve, krijesave katërgjymtyrëshe dhe gjërave zvarritëse.» Ata «kanë ndryshuar të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër dhe kanë adhuruar e kanë bërë shërbim të shenjtë ndaj krijimit në vend se ndaj Atij që krijoi.» (Romakëve 1:21-23, 25, NW) Ndodh diçka e ngjashme në rastin e shkencëtarëve evolucionistë, të cilët, në fakt, lavdërojnë si «krijuesin» e tyre një zinxhir imagjinar ngjitës: protozoarë-krimba-peshq-amfibë-zvarranikë-gjitarë-«njerëz-majmunë». Megjithatë e dinë se nuk ekziston një organizëm kaq i thjeshtë njëqelizor që të mund të vihet në fillim të zinxhirit. Organizmi më i thjeshtë i njohur përmban njëqind miliard atome, me mijëra reaksione kimike që zhvillohen njëkohësisht në brendësinë e tij.
18, 19. (a) Vetëm kujt i jepet merita për krijimin e jetës? (b) Deri në ç’pikë mund ta kuptojmë krijimin e Jehovait?
18 Perëndia Jehova është krijuesi i jetës. (Psalmi 36:9) Ai është Shkaku i Parë i madh. Emri i tij, Jehova, do të thotë «Ai shkakton që të bëhet». Veprat e tij krijuese për ne janë të panumërta. Me siguri, miliona prej tyre njeriu nuk i njeh. Psalmi 104:24, 25 e përmend këtë: «Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova! I ke bërë të gjitha me mençuri.» Jobi 26:14 shprehet qartë mbi këtë: «Shiko! Këto janë anët e rrugëve të tij dhe çfarë fëshfërime është dëgjuar në lidhje me të mbi një çështje! Por, kush mund të tregojë kuptueshmëri nga gjëmimi i tij i fuqishëm?» Ne shohim ndonjë anë, dëgjojmë ndonjë fëshfërimë, por të kuptojmë gjëmimin e tij të fuqishëm në të gjithë prurjen e tij është diçka që tejkalon aftësitë tona.
19 Megjithatë, për ta parë kemi një burim më të mirë se krijimi i tij material. Ky burim është Fjala e tij, Bibla. Dhe këtij burimi do t’i kushtojmë vëmendjen në artikullin vijues.
Pyetjet për përsëritje
◻ Çfarë mësoi Jobi kur Jehovai i foli nga stuhia?
◻ Përse tha Pavli se disa ishin të pafalshëm?
◻ Si kryhet qarkullimi i ujit?
◻ Çfarë dobish të rëndësishme marrim nëpërmjet dritës së diellit?
◻ Çfarë të vërtetash shkencore ishin zbuluar në Bibël para se t’i zbulonte shkenca?