KAPITULLI 4
«Jehovai është . . . madhështor për nga fuqia»
1, 2. Ç’gjëra mahnitëse kishte parë Elija në jetën e tij, por çfarë ngjarjesh mbresëlënëse pa me sytë e vet që nga shpella në malin Horeb?
ELIJA kishte parë edhe më përpara gjëra mahnitëse. Kishte parë korbat t’i sillnin ushqim dy herë në ditë gjatë kohës që jetonte i fshehur. Kishte parë se si dy enë me miell dhe vaj nuk ishin boshatisur kurrë gjatë një zie buke të gjatë. Kishte parë zjarrin të binte nga qielli në përgjigje të lutjes së tij. (1 Mbretërve, kapitujt 17, 18) Por nuk kishte parë kurrë asgjë si kjo.
2 Ndërsa qëndronte kruspull në hyrje të një shpelle në malin Horeb, Elija pa me sytë e tij një sërë ngjarjesh mbresëlënëse. Në fillim fryu një erë. Duhet të ketë qenë një oshtimë, një zhurmë shurdhuese, sepse ishte kaq e fortë, saqë çau malet dhe copëtoi shkëmbinjtë. Pas kësaj ra tërmet, duke çliruar forca të jashtëzakonshme që gjendeshin të mbyllura në koren e tokës. Më pas ra zjarr. Ndërsa zjarri përshkonte rajonin, Elija duhet të ketë ndier afshin e nxehtësisë së tij djegëse.—1 Mbretërve 19:8-12.
«Ja, po kalonte Jehovai»
3. Shfaqje të cilës cilësi hyjnore pa Elija, e ku mund të shohim edhe ne dëshmi të kësaj cilësie?
3 Të gjitha këto ngjarje të ndryshme që pa Elija kishin një gjë të përbashkët: ishin shfaqje të fuqisë së madhe të Perëndisë Jehova. Sigurisht ne nuk kemi nevojë të shohim ndonjë mrekulli për të kuptuar se Perëndia e ka këtë cilësi. Ajo është mjaft e dukshme. Bibla na thotë se krijimi jep prova të ‘fuqisë së përjetshme dhe të Hyjnisë’ së Jehovait. (Romakëve 1:20) Mendo vetëm për vetëtimat verbuese dhe bubullimat gjëmuese gjatë një stuhie, për ujin që bie furishëm në një ujëvarë, për hapësirën e paanë të qiellit të mbushur me yje! A e sheh fuqinë e Perëndisë që shfaqet në këto dukuri? E megjithatë pak veta sot në botë e pranojnë vërtet ekzistencën e fuqisë së Perëndisë. Edhe më të paktë janë ata që kanë pikëpamjen e duhur për këtë fuqi. Por do të kemi shumë arsye për t’iu afruar më tepër Jehovait po ta kuptojmë këtë cilësi hyjnore. Në këtë pjesë do t’i hyjmë një studimi të hollësishëm të fuqisë së pakrahasueshme të Jehovait.
Një cilësi thelbësore e Jehovait
4, 5. (a) Ç’lidhje ka emri i Jehovait me forcën ose fuqinë e tij? (b) Pse është e përshtatshme që Jehovai zgjodhi demin për të simbolizuar fuqinë e tij?
4 Jehovai është i pashoq për sa i përket fuqisë. Te Jeremia 10:6 thuhet: «Nuk ka kurrsesi asnjë si ti, o Jehova. Ti je i madh dhe emri yt është i madh në fuqi.» Vër re se forca ose fuqia lidhet me emrin e Jehovait. Mos harro se, me sa duket, ky emër do të thotë «Ai shkakton të bëhet». Çfarë i jep mundësi Jehovait të krijojë gjithçka që i do zemra dhe të bëhet çfarëdo gjëje që zgjedh? Një nga gjërat është fuqia. Po, aftësia e Jehovait për të vepruar e për të përmbushur vullnetin e tij është e pakufishme. Kjo fuqi është një nga cilësitë e tij thelbësore.
5 Meqë nuk do të mund ta kuptonim kurrë plotësisht sa e madhe është fuqia e tij, Jehovai përdor ilustrime për të na ndihmuar. Siç e kemi parë, ai përdor demin për të simbolizuar fuqinë e tij. (Ezekieli 1:4-10) Kjo zgjedhje është me vend, pasi edhe demi i zbutur është një krijesë e stërmadhe dhe e fuqishme. Në Palestinën e kohëve biblike njerëzit rrallëherë, për të mos thënë kurrë, hasnin ndonjë gjë më të fortë se ai. Por e dinin se kishte një lloj demi edhe më të frikshëm, që ishte demi i egër ose urusi, i cili është zhdukur si lloj. (Jobi 39:9-12) Perandori romak Jul Cezari një herë komentoi se këta dema ishin paksa më të vegjël se elefantët. «Kanë forcë dhe shpejtësi të madhe»,—shkroi ai. Mendo pak se sa i vogël e i dobët do të ndiheshe po të qëndroje pranë një krijese të tillë!
6. Pse vetëm Jehovai quhet «i Plotfuqishmi»?
6 Në mënyrë të ngjashme, njerëzit janë të vegjël e të pafuqishëm në krahasim me Perëndinë e fuqisë, Jehovain. Për të edhe kombet e fuqishme janë si një shtresë pluhuri mbi peshore. (Isaia 40:15) Ndryshe nga çdo krijesë, Jehovai ka fuqi të pakufishme, sepse vetëm ai quhet «i Plotfuqishmi».a (Zbulesa 15:3) Jehovai është «energjik në fuqi» dhe zotëron ‘një bollëk energjie dinamike’. (Isaia 40:26) Ai është burimi i pashtershëm dhe i bollshëm i fuqisë. Ai nuk varet nga asnjë burim i jashtëm për të marrë energji, sepse «forca i përket Perëndisë». (Psalmi 62:11) Por, si e ushtron Jehovai fuqinë e tij?
Si e ushtron Jehovai fuqinë?
7. Çfarë është fryma e shenjtë e Jehovait dhe çfarë nënkuptojnë fjalët e gjuhës origjinale të përdorura në Bibël?
7 Fryma e shenjtë që del nga Jehovai është e pashtershme. Ajo është fuqia e Perëndisë në veprim. Te Zanafilla 1:2 Bibla e quan atë «forca vepruese» e Perëndisë. Fjalët origjinale hebraike dhe greke të përkthyera «frymë», në kontekste të tjera mund të përkthehen «erë», «frymëmarrje» dhe «shkulm». Sipas leksikografëve, fjalët e gjuhës origjinale të bëjnë të mendosh për një forcë të padukshme në veprim. Ashtu si era, fryma e Perëndisë është e padukshme për sytë tanë, por pasojat e saj janë reale dhe të dallueshme.
8. Si quhet në kuptim të figurshëm fryma e Perëndisë në Bibël dhe pse këto krahasime janë të përshtatshme?
8 Përdorimi i frymës së shenjtë të Perëndisë është i shumëllojshëm dhe i pafund. Jehovai mund ta përdorë atë për të përmbushur çdo qëllim që ka ndër mend. Në mënyrë të përshtatshme, pra, në Bibël fryma e Perëndisë quhet në kuptim të figurshëm ‘gishti’ i tij, ‘dora e tij e fortë’ ose ‘krahu i tij i shtrirë’. (Luka 11:20; Ligji i përtërirë 5:15; Psalmi 8:3) Një njeri mund t’i përdorë duart për të bërë shumë punë që kërkojnë sasi të ndryshme force ose delikatese. Po ashtu Perëndia mund ta përdorë frymën e tij për të plotësuar çfarëdo lloj qëllimi, si për shembull: për të krijuar atomin mikroskopik, për të ndarë Detin e Kuq ose për t’u dhënë të krishterëve të shekullit të parë aftësinë për të folur në gjuhë të huaja.
9. Sa e madhe është fuqia sunduese e Jehovait?
9 Jehovai ushtron fuqi edhe nëpërmjet autoritetit të tij si Sovrani Universal. A e përfytyron dot të kesh miliona e miliona nënshtetas inteligjentë e të aftë që janë të gatshëm të të binden? Jehovai ka një fuqi të tillë sunduese. Ai ka shërbëtorë njerëzorë, të cilët në Shkrime krahasohen shpesh me një ushtri. (Psalmi 68:11; 110:3) Mirëpo njeriu është një krijesë e dobët në krahasim me engjëjt. E pra, kur ushtria siriane sulmoi popullin e Perëndisë, një engjëll i vetëm vrau 185.000 ushtarë armiq brenda një nate! (2 Mbretërve 19:35) Engjëjt e Perëndisë janë «shumë të fuqishëm».—Psalmi 103:19, 20.
10. (a) Pse i Plotfuqishmi quhet Jehovai i ushtrive? (b) Kush është më i fuqishmi nga gjithë krijimet e Jehovait?
10 Sa engjëj ekzistojnë? Profeti Daniel pati një vegim ku pa më shumë se 100 milionë krijesa frymore para fronit të Jehovait në qiell, por nuk ka asnjë tregues se ai pa tërë krijimin engjëllor. (Danieli 7:10) Pra mund të ekzistojnë me qindra milionë engjëj. Për këtë arsye Perëndia quhet Jehovai i ushtrive. Ky titull përshkruan pozitën e tij të fuqishme si Komandanti i një morie të organizuar engjëjsh të fuqishëm. Ai ka vendosur mbi të gjitha këto krijesa frymore Birin e tij të dashur, ‘të parëlindurin e gjithë krijimit’. (Kolosianëve 1:15) Duke qenë kryeengjëlli, domethënë kreu mbi gjithë engjëjt, serafinët dhe kerubinët, Jezui është më i fuqishmi nga gjithë krijimet e Jehovait.
11, 12. (a) Në ç’mënyrë ushtron fuqi fjala e Perëndisë? (b) Si e tregoi Jezui se deri ku arrin fuqia e Jehovait?
11 Jehovai ushtron fuqi edhe me anë të një mjeti tjetër. Te Hebrenjve 4:12 thuhet: «Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi.» A e ke vënë re fuqinë e jashtëzakonshme që ka fjala e Perëndisë ose mesazhi i frymëzuar nga fryma, të cilin tani e gjejmë në Bibël? Fjala e Perëndisë mund të na forcojë, të na ndërtojë besimin dhe të na ndihmojë të bëjmë ndryshime rrënjësore brenda nesh. Apostulli Pavël i paralajmëroi bashkëbesimtarët që t’u rrinin larg njerëzve që kishin një stil imoral jetese. Më pas shtoi: «Megjithatë, të tillë ishit disa prej jush.» (1 Korintasve 6:9-11) Po, «fjala e Perëndisë» kishte ushtruar fuqi tek ata dhe i kishte ndihmuar të ndryshonin.
12 Fuqia e Jehovait është kaq e madhe dhe mjetet me të cilat e ushtron atë fuqi janë kaq të efektshme, saqë nuk ka asgjë që të mund ta pengojë. Jezui tha: «Për Perëndinë gjithçka është e mundur.» (Mateu 19:26) Për cilat qëllime e përdor Jehovai fuqinë e tij?
Fuqi e drejtuar nga një qëllim
13, 14. (a) Pse mund të themi që Jehovai nuk është një burim abstrakt fuqie? (b) Në cilat mënyra e përdor Jehovai fuqinë e tij?
13 Fryma e Jehovait është shumë më e madhe se çdo forcë fizike. Gjithashtu Jehovai nuk është një forcë abstrakte ose thjesht një burim fuqie, por një Perëndi me personalitet që e ka nën kontroll të plotë fuqinë e tij. Megjithatë, çfarë e shtyn që ta përdorë këtë fuqi?
14 Siç do ta shohim, Perëndia e përdor fuqinë për të krijuar, për të shkatërruar, për të mbrojtur e për të ripërtërirë: me pak fjalë për të bërë çdo gjë që përshtatet me qëllimet e tij të përsosura. (Isaia 46:10) Në disa raste, Jehovai e përdor fuqinë e tij për të zbuluar aspekte të rëndësishme të personalitetit dhe të normave të tij. Mbi të gjitha e përdor fuqinë për të përmbushur vullnetin e tij, domethënë për të shfajësuar sovranitetin e tij dhe për të shenjtëruar emrin e tij të shenjtë me anë të Mbretërisë mesianike. Asgjë nuk mund ta prishë kurrë këtë qëllim.
15. Për cilin qëllim lidhur me shërbëtorët e tij e përdor Jehovai fuqinë dhe si u demonstrua kjo në rastin e Elijas?
15 Jehovai e përdor, gjithashtu, fuqinë e tij për dobinë tonë si individë. Vër re se çfarë thuhet te 2 Kronikave 16:9: «Sa për Jehovain, sytë e tij enden në gjithë tokën për të treguar forcën e tij në dobi të atyre që e kanë zemrën të plotë kundrejt tij.» Përvoja e Elijas, e përmendur në fillim, është një rast i tillë. Pse i dha Jehovai atë shfaqje mahnitëse të fuqisë hyjnore? Po ja, mbretëresha e ligë Jezabelë ishte betuar që ta vriste Elijan. Profeti po ua mbathte këmbëve për të shpëtuar jetën e tij. Ndihej i vetmuar, i frikësuar dhe i shkurajuar, sikur e gjithë puna e tij e lodhshme të kishte qenë e kotë. Për ta ngushëlluar këtë njeri të trazuar, Jehovai i kujtoi në mënyrë mbresëlënëse fuqinë hyjnore. Era, tërmeti dhe zjarri treguan se Qenia më e fuqishme në univers ishte aty me Elijan. Pse duhej t’i frikësohej Jezabelës, kur kishte Perëndinë e plotfuqishëm nga ana e tij?—1 Mbretërve 19:1-12.b
16. Pse mund të gjejmë ngushëllim duke menduar për fuqinë e madhe të Jehovait?
16 Ndonëse tani nuk është koha për të kryer mrekulli, Jehovai nuk ka ndryshuar që nga ditët e Elijas. (1 Korintasve 13:8) Sot ai është po kaq i gatshëm ta përdorë fuqinë e tij në dobi të atyre që e duan. Është e vërtetë që ai banon në sferën e lartë frymore, por nuk është larg nesh. Fuqia e tij është e pakufishme, prandaj largësia nuk është një pengesë. Përkundrazi, «Jehovai është afër të gjithë atyre që e thërrasin». (Psalmi 145:18) Një herë, kur profeti Daniel i thirri Jehovait për ndihmë, iu shfaq një engjëll para se ta kishte mbaruar lutjen! (Danieli 9:20-23) Asgjë nuk mund ta pengojë Jehovain që të ndihmojë e të forcojë ata që i do.—Psalmi 118:6.
A e bën të paafrueshëm Perëndinë fuqia e tij?
17. Në cilin kuptim fuqia e Jehovait nxit frikë te ne, por cilën lloj frike nuk na krijon?
17 A duhet ta kemi frikë Perëndinë për shkak të fuqisë së tij? Duhet të përgjigjemi edhe po, edhe jo. Përgjigjemi po sepse kjo cilësi na jep arsye të mjaftueshme për të zhvilluar frikë Perëndie, nderimin e thellë dhe respektin për të cilin folëm shkurtimisht në kapitullin e mëparshëm. Bibla na thotë se kjo frikë është «fillimi i mençurisë». (Psalmi 111:10) Mirëpo, përgjigjemi edhe jo sepse fuqia e Perëndisë nuk na jep asnjë arsye për të ndier një tmerr të sëmurë ndaj tij ose për të ngurruar që t’i afrohemi.
18. (a) Përse shumë veta nuk kanë besim te njerëzit që kanë fuqi? (b) Si e dimë se Jehovai nuk mund të korruptohet nga fuqia që ka?
18 «Ai që ka fuqi ka prirjen të korruptohet, kur fuqia që ka është e pakufizuar, ai korruptohet tërësisht.» Kështu shkroi historiani anglez Lord Akton në vitin 1887. Ky pohim i tij është përsëritur shpesh, ndoshta sepse shumë njerëzve u duket një e vërtetë e pamohueshme. Njerëzit e papërsosur shpeshherë abuzojnë me fuqinë që kanë, siç e ka vërtetuar vazhdimisht historia. (Eklisiastiu 4:1; 8:9) Për këtë arsye, shumë njerëz nuk kanë besim te njerëzit që kanë fuqi dhe u rrinë larg atyre. Jehovai ka fuqi të pakufizuar, por, a është korruptuar në ndonjë mënyrë nga kjo fuqi? Patjetër që jo! Siç e kemi parë, Jehovai është i shenjtë, nuk mund të korruptohet në asnjë mënyrë. Nuk është si burrat e papërsosur dhe gratë e papërsosura që kanë fuqi në këtë botë të korruptuar. Ai nuk e ka keqpërdorur kurrë fuqinë e tij dhe nuk ka për ta bërë kurrë këtë.
19, 20. (a) Në harmoni me cilat cilësi të tjera e ushtron gjithnjë Jehovai fuqinë e tij dhe pse na qetëson kjo? (b) Si mund ta ilustrosh vetëpërmbajtjen që tregon Jehovai dhe pse të tërheq kjo cilësi?
19 Mos harro se fuqia nuk është cilësia e vetme e Jehovait. Do të studiojmë ende për drejtësinë, mençurinë dhe dashurinë e tij. Por nuk duhet të arrijmë në përfundimin se cilësitë e Jehovait dalin në pah në mënyrë të ngurtë e mekanike, sikur ai të shfaqte vetëm një cilësi çdo herë. Përkundrazi, në kapitujt që vijojnë do të shohim se Jehovai gjithnjë e ushtron fuqinë e tij në harmoni me drejtësinë, mençurinë dhe dashurinë që ka. Mendo edhe për një cilësi tjetër që ka Perëndia, e cila rrallëherë gjendet te sundimtarët në botë: vetëpërmbajtja.
20 Përfytyro sikur takon një njeri kaq trupmadh e të fuqishëm, saqë të frikëson. Mirëpo, me kalimin e kohës vëren se duket njeri i butë. Është gjithnjë gati dhe i zellshëm ta përdorë fuqinë e tij për të ndihmuar e për të mbrojtur njerëzit, sidomos ata që janë të pambrojtur dhe të dobët. Nuk e keqpërdor kurrë forcën që ka. Ti e sheh se shpifin pa arsye për të, e megjithatë vazhdon të jetë i vendosur, por i qetë, me dinjitet e madje dashamirës. Fillon të mendosh nëse ti vetë do të ishe në gjendje të tregoje të njëjtën butësi dhe vetëpërmbajtje, sidomos po të ishe aq i fortë sa ai. Duke e njohur këtë njeri, a nuk do të fillonte të të tërhiqte? Kemi shumë më tepër arsye për t’iu afruar Jehovait të plotfuqishëm. Shqyrto fjalinë e plotë nga është marrë titulli i këtij kapitulli: «Jehovai është i ngadalshëm në zemërim e madhështor për nga fuqia.» (Nahumi 1:3) Jehovai nuk nxiton ta përdorë fuqinë e tij kundër njerëzve, madje as edhe kundër të ligjve. Është me natyrë të butë dhe mirëdashës. Është treguar «i ngadalshëm në zemërim» përballë shumë provokimeve.—Psalmi 78:37-41.
21. Përse Jehovai nuk i detyron njerëzit që të bëjnë vullnetin e tij dhe çfarë na mëson kjo për të?
21 Shqyrtoje vetëpërmbajtjen e Jehovait nga një këndvështrim tjetër. Po të kishe fuqi të pakufizuar, a mendon se nganjëherë mund të tundoheshe për t’i detyruar njerëzit që të bënin siç doje ti? Me gjithë fuqinë që ka, Jehovai nuk i detyron njerëzit që t’i shërbejnë. Edhe pse e vetmja rrugë drejt jetës së përhershme është t’i shërbejmë Perëndisë, Jehovai nuk na detyron që ta bëjmë këtë. Përkundrazi, me dashamirësi na jep dinjitet si individë duke na dhënë lirinë për të zgjedhur. Na paralajmëron për pasojat e zgjedhjeve të këqija dhe na tregon shpërblimet e zgjedhjeve të mira. Por vetë zgjedhjen na e lë neve ta bëjmë. (Ligji i përtërirë 30:19, 20) Jehovait nuk i intereson aspak shërbimi i kryer nga detyrimi ose nga frika e sëmurë prej fuqisë së tij madhështore. Ai kërkon njerëz që do t’i shërbejnë me dëshirë dhe nga dashuria.—2 Korintasve 9:7.
22, 23. (a) Nga duket se Jehovai gjen kënaqësi duke u dhënë fuqi të tjerëve? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në kapitullin vijues?
22 Le të shohim një arsye të fundit pse nuk duhet të jemi të tmerruar nga Perëndia i Plotfuqishëm. Njerëzit që kanë fuqi zakonisht kanë frikë ta ndajnë atë me të tjerët. Por Jehovai gjen kënaqësi duke u dhënë fuqi adhuruesve të tij besnikë. Ai u delegon një autoritet të konsiderueshëm të tjerëve, si për shembull Birit të tij. (Mateu 28:18) Jehovai i fuqizon shërbëtorët e tij edhe në një mënyrë tjetër. Bibla shpjegon: «Të tuat, o Jehova, janë madhështia, fuqia, bukuria, shkëlqimi dhe dinjiteti; sepse çdo gjë në qiej dhe në tokë është jotja. . . . Në dorën tënde është fuqia dhe forca, në dorën tënde është aftësia për të bërë të madh dhe për t’u dhënë forcë të gjithëve.»—1 Kronikave 29:11, 12.
23 Po, Jehovai do të të japë edhe ty me kënaqësi forcën e nevojshme. Ai madje u jep «fuqi përtej asaj që është normale» atyre që duan t’i shërbejnë. (2 Korintasve 4:7) A nuk ndihesh i tërhequr ndaj këtij Perëndie dinamik, i cili e përdor fuqinë e tij në mënyra kaq mirëdashëse e sipas parimeve të tij? Në kapitullin vijues, do të përqendrohemi se si e përdor Jehovai fuqinë e tij për të krijuar.
a Fjala greke e përkthyer «i Plotfuqishëm» fjalë për fjalë do të thotë: «Sundimtar mbi gjithçka; Ai që ka gjithë fuqinë.»
b Bibla thotë se «Jehovai nuk ishte tek era . . . , te tërmeti . . . , te zjarri». Ndryshe nga adhuruesit e perëndive mitologjikë të natyrës, shërbëtorët e Jehovait nuk e kërkojnë atë te forcat e natyrës. Ai është tepër i madh për të qëndruar i mbyllur brenda ndonjë gjëje që vetë e ka krijuar.—1 Mbretërve 8:27.