Mësime nga zogjtë e qiellit
«Pyet pak . . . zogjtë e qiellit, dhe ata do të të tregojnë! Cili ndër tërë këta nuk e di mirë se dora e Jehovait ka bërë gjithçka?»—Jobi 12:7, 9.
MBI 3.000 vjet më parë patriarku i lashtë Job kuptoi se zogjtë e qiellit mund të na tregojnë shumë për veprën e duarve të Perëndisë. Për shkak të karakteristikave të tyre, përdoren mjaft mirë edhe për ilustrime e metafora. Në Bibël, në shumë nga rastet ku përmenden zogjtë e qiellit mund të nxjerrim mësime të rëndësishme për jetën dhe për marrëdhënien tonë me Zotin. T’u hedhim një sy disa shembujve.
ATJE KU DALLËNDYSHJA BËN FOLENË
Banorët e Jerusalemit i njihnin mirë dallëndyshet, që zakonisht i ngrinin foletë nën strehën e çative. Disa e bënin folenë në tempullin e Solomonit. Ka të ngjarë që dallëndyshet të ndiheshin të sigurta në zonën e tempullit, prandaj e ngrinin folenë atje çdo vit, ku mund t’i rritnin të vegjlit pa i trazuar kush.
Kompozitori i Psalmit 84—një prej bijve të Korahut, i cili shërbente në tempull një javë çdo gjashtë muaj—i vuri re dallëndyshet në tempull. Ngaqë digjej nga dëshira të ishte si dallëndyshja që e kishte bërë vendbanim të përhershëm shtëpinë e Jehovait, tha plot entuziazëm: «Sa e dua tabernakullin tënd të madhërishëm, o Jehova i ushtrive! Shpirti im ka mall e po digjet për oborret e Jehovait. . . . Edhe zogu e ka gjetur një shtëpi e dallëndyshja një fole, ku të vërë të vegjlit e saj, pranë altarit tënd të madhërishëm, o Jehova i ushtrive, Mbreti im dhe Perëndia im!» (Psalmi 84:1-3) Të rinj a të moshuar qofshim, a tregojmë të njëjtën dëshirë të fortë e çmueshmëri për shoqërimin e rregullt me kongregacionin e adhuruesve të Perëndisë?—Psalmi 26:8, 12.
LEJLEKU E DI MIRË KOHËN E TIJ
Profeti Jeremia shkroi: «Lejleku në qiej i di mirë kohët e tij.» Pa dyshim që ai e kishte parë shtegtimin e lejlekëve përmes Tokës së Premtuar. Përllogaritet se në pranverë mbi 300.000 lejlekë të bardhë shtegtojnë nga Afrika drejt Evropës së Veriut nëpërmjet luginës së Jordanit. Ora biologjike i nxit që në verë të kthehen në vendet ku shumohen. Ashtu si zogjtë e tjerë shtegtarë, ata «kthehen secili tamam në kohën e vet».—Jeremia 8:7.
«Ajo çfarë e bën migrimin një mrekulli të vërtetë është se drejtohet nga instinkti»,—thotë Collins Atlas of Bird Migration. Perëndia Jehova i pajisi zogjtë shtegtarë me mençuri instinktive për stinët, ama njeriut i dha aftësinë që të dallonte kohët e stinët. (Luka 12:54-56) Ndryshe nga mençuria instinktive e lejlekut, njohuria për Zotin është çelësi që njerëzit të dallojnë domethënien e ngjarjeve në kohët që po jetojmë. Izraelitët në ditët e Jeremisë nuk i vunë re këto shenja. Perëndia shpjegoi se cila ishte rrënja e problemit: «Ata kanë hedhur poshtë fjalën e Jehovait, e ç’mençuri kanë?»—Jeremia 8:9.
Sot kemi plot dëshmi se po jetojmë në periudhën që Bibla e quan «ditët e fundit». (2 Timoteut 3:1-5) Po ti, a do ta imitosh lejlekun e të dallosh ‘kohën’?
SHQIPONJA VROJTON PREJ SË LARGU
Shqiponja përmendet shumë herë në Bibël, dhe ishte e zakonshme të shihje siluetën e saj mbresëlënëse në Tokën e Premtuar. Shqiponja «kërkon ushqim» që nga foleja lart në shkëmb; «sytë e saj vrojtojnë prej së largu». (Jobi 39:27-29) Ajo ka shikim kaq të mprehtë, sa thuhet se mund ta pikasë një lepur 1 kilometër larg.
Si shqiponja që «vrojton prej së largu», Jehovai mund të shohë të ardhmen e largët. Ja pse Bibla pohon se Perëndia Jehova «thotë përfundimin qysh në fillim dhe që prej shumë kohësh gjërat që ende nuk kanë ndodhur». (Isaia 46:10) Po t’ua vëmë veshin këshillave të Jehovait, mund të nxjerrim dobi nga mençuria dhe largpamësia e tij e pakrahasueshme.—Isaia 48:17, 18.
Bibla krahason me shqiponjat edhe ata që besojnë te Zoti: «Ata që shpresojnë te Jehovai, do të rimarrin fuqi. Ata do të ngrihen me krahë si shqiponjat.» (Isaia 40:31) Shqiponja fluturon duke shfrytëzuar rrymat termale, ose rrymat e ngrohta të ajrit. Kur shqiponja lokalizon një rrymë termale, hap krahët dhe rrotullohet brenda saj duke u ngritur gjithnjë e më lart. Nuk mbështetet në fuqinë e saj për të fluturuar a për të qëndruar në ajër pa rrahur krahët për distanca të gjata. Po njësoj, ata që besojnë te Jehovai mund t’i mbajnë sytë tek ai që u premton ‘fuqi përtej asaj që është normale’.—2 Korintasve 4:7, 8.
«ASHTU SI I MBLEDH KLLOÇKA ZOGJTË»
Pak para se të vdiste, Jezui u ndal të shihte kryeqytetin e judenjve. Ai psherëtiu: «Jerusalem, Jerusalem, vrasës i profetëve, që i vret me gurë ata që janë dërguar te ti! Sa herë desha t’i mblidhja bashkë fëmijët e tu, ashtu si i mbledh klloçka zogjtë nën krahë! Por ju nuk deshët.»—Mateu 23:37.
Ndër instinktet më të forta të shpendëve është dëshira për të mbrojtur të vegjlit. Ata që e bëjnë folenë në tokë, si klloçkat, duhet të jenë shumë vigjilentë ndaj rrezikut. Nëse klloçka sheh një skifter që vjen rrotull, lëshon një thirrje të fortë paralajmëruese dhe zogjtë rendin drejt krahëve të saj të sigurt. Atje zogjtë e vegjël mund të gjejnë strehë nga dielli përvëlues dhe rrebeshi. Po njësoj, Jezui donte që për banorët e Jerusalemit të ishte strehë dhe mbrojtje për sa i përket besimit. Sot Jezui na fton t’i afrohemi për freskim dhe për lehtësim nga ngarkesat dhe ankthet e përditshme.—Mateu 11:28, 29.
Vërtet, mund të mësojmë goxha nga krijesat me krahë. Ndërsa këqyrni sjelljen e tyre, përpiquni të sillni ndër mend metaforat në Shkrime që flasin për to. Urojmë që dallëndyshja të të ndihmojë ta vlerësosh shtëpinë e adhurimit të Jehovait. Urojmë që të mbështetesh te Zoti për forcë që të ngrihesh fluturim si një shqiponjë. Urojmë që të rendësh te Jezui për të vërtetat biblike ashtu si zogjtë në krahët e klloçkës. Dhe urojmë që lejleku të të kujtojë të qëndrosh vigjilent ndaj domethënies së ngjarjeve botërore që karakterizojnë kohën tonë.