KAPITULLI I DYMBËDHJETË
Të jetojmë në mënyrën që i pëlqen Perëndisë
Si mund të bëhesh mik i Perëndisë?
Si të përfshin edhe ty sfida e Satanait?
Cila sjellje nuk i pëlqen Jehovait?
Si mund të jetosh në mënyrën që i pëlqen Perëndisë?
1, 2. Jep disa shembuj të njerëzve që Jehovai i konsideronte miq të ngushtë.
ÇFARË njeriu do të zgjidhje për mik? Me siguri do të kërkoje një njeri që ka të njëjtat pikëpamje, interesa dhe parime që ke edhe ti. Do të të pëlqente dikush që ka cilësi të mira, si ndershmëria dhe mirësia.
2 Gjatë gjithë historisë, Perëndia ka zgjedhur disa njerëz që të ishin miqtë e tij të ngushtë. Për shembull, Jehovai e quajti Abrahamin mikun e tij. (Isaia 41:8; Jakovi 2:23) Davidin e quajti «një njeri siç ma do zemra», sepse ishte tamam ashtu siç i pëlqente Jehovait. (Veprat 13:22) Edhe profetin Daniel, Jehovai e konsideronte një njeri ‘shumë të vyer’.—Danieli 9:23.
3. Pse Jehovai zgjodhi si miq disa individë të veçantë?
3 Pse Jehovai e konsideronte mik Abrahamin, Davidin dhe Danielin? Po ja, për shembull, Abrahamit i tha: «Ti e dëgjove zërin tim.» (Zanafilla 22:18) Pra, Jehovai u afrohet atyre njerëzve që me përulësi bëjnë çfarë u kërkon ai. «Bindjuni zërit tim,—u tha izraelitëve,—dhe unë do të jem Perëndia juaj, e ju do të bëheni populli im.» (Jeremia 7:23) Edhe ti mund të bëhesh mik i Jehovait, nëse i bindesh atij.
JEHOVAI I MBËSHTET MIQTË E TIJ
4, 5. Si e tregon Jehovai forcën e tij në dobi të popullit të vet?
4 Mendo pak se ç’do të thotë të jesh mik i Perëndisë. Bibla thotë se Jehovai po kërkon mundësinë «për të treguar forcën e tij në dobi të atyre që i janë kushtuar me gjithë zemër atij». (2 Kronikave 16:9) Si mund ta tregojë Jehovai forcën e tij në dobinë tënde? Një mënyrë tregohet te Psalmi 32:8, ku lexojmë: «Unë [Jehovai] do të të jap gjykim të thellë dhe do të të mësoj udhën që duhet të ndjekësh. Do të të këshilloj, duke i mbajtur sytë mbi ty.»
5 Sa bukur është shprehur këtu kujdesi i Jehovait! Ai do të të japë drejtimin e duhur dhe do t’i mbajë sytë mbi ty, ndërsa ndjek këtë drejtim. Perëndia dëshiron të të ndihmojë që t’i kalosh me sukses sprovat dhe vështirësitë. (Psalmi 55:22) Prandaj, nëse i shërben me gjithë zemër Jehovait, mund të jesh po aq i sigurt sa edhe psalmisti, që tha: «E kam Jehovain gjithnjë para syve. Nuk do të lëkundem, pasi ai është në të djathtën time.» (Psalmi 16:8; 63:8) Po, Jehovai mund të të ndihmojë të jetosh në mënyrën që i pëlqen atij. Por, siç e di, ekziston një armik i Perëndisë, i cili bën çmos të të pengojë.
SFIDA QË NGRITI SATANAI
6. Çfarë akuze ngriti Satanai kundër njerëzve?
6 Në kapitullin e 11-të të këtij libri u shpjegua se si e sfidoi Satana Djalli sovranitetin e Perëndisë. Satanai e akuzoi Perëndinë se gënjente. Ai la të nënkuptohej se Jehovai po tregohej i padrejtë që nuk i linte Adamin dhe Evën të vendosnin vetë se çfarë ishte e mirë dhe e keqe. Pasi Adami dhe Eva mëkatuan dhe kur toka filloi të mbushej me pasardhës të tyre, Satanai vuri në dyshim arsyet pse njerëzit i shërbejnë Perëndisë. Mund ta përmbledhim me këto fjalë akuzën e Satanait: «Njerëzit nuk i shërbejnë Perëndisë sepse e duan. Po të më jepej vetëm një mundësi, mund ta ktheja këdo kundër tij.» Tregimi për një njeri me emrin Job e bën të qartë se pikërisht këto ishin mendimet e Satanait. Kush ishte Jobi dhe si u përfshi në sfidën e Satanait?
7, 8. (a) Pse Jobi ishte i veçantë ndër njerëzit e kohës së tij? (b) Si e vuri në dyshim Satanai motivin që e shtynte Jobin t’i shërbente Perëndisë?
7 Jobi jetoi rreth 3.600 vjet më parë. Ishte njeri i mirë, sepse Jehovai tha: «Nuk ka në tërë tokën njeri si ai, të paqortueshëm dhe të drejtë, që ka frikë nga Perëndia dhe që i largohet së keqes.» (Jobi 1:8) Perëndia e pëlqente Jobin.
8 Por Satanai vuri në dyshim motivin që e shtynte Jobin t’i shërbente Perëndisë. I tha Jehovait: «A nuk ke ngritur një gardh rreth [Jobit], rreth shtëpisë së tij dhe rreth gjithçkaje që ka përqark? Ti ke bekuar punën e duarve të tij dhe kopetë e tij janë përhapur në mbarë tokën. Por, a mund ta zgjatësh dorën e të prekësh çdo gjë që ka? Pastaj shih po nuk të mallkoi sy më sy!»—Jobi 1:10, 11.
9. Si iu përgjigj Jehovai akuzës së Satanait dhe përse?
9 Pra, Satanai pohoi se Jobi i shërbente Perëndisë vetëm sepse merrte diçka në këmbim. Gjithashtu, Djalli hodhi akuzën se, po të vihej në provë, Jobi do të kthehej kundër Perëndisë. Si iu përgjigj Jehovai akuzës së Satanait? Meqë kjo çështje kishte të bënte me motivin që e shtynte Jobin t’i shërbente Perëndisë, Jehovai e lejoi Satanain që ta vinte në provë këtë njeri. Kështu do të shihej qartë nëse Jobi kishte apo jo dashuri për Perëndinë.
SATANAI VË NË PROVË JOBIN
10. Si u vu në provë Jobi dhe si reagoi?
10 Menjëherë Satanai e vuri në provë Jobin në mënyra të ndryshme. Jobit i vodhën disa bagëti, kurse të tjera ia vranë. Shumë shërbëtorë të tij po ashtu i vranë me shpatë. Kjo i solli vështirësi ekonomike. Pastaj i ndodhi një tragjedi tjetër, kur të dhjetë fëmijët i vdiqën nga një stuhi. Por, pavarësisht nga këto ngjarje të tmerrshme, «Jobi nuk mëkatoi dhe nuk fajësoi në asnjë mënyrë Perëndinë».—Jobi 1:22.
11. (a) Cila ishte akuza e dytë që bëri Satanai kundër Jobit? Si u përgjigj Jehovai? (b) Si reagoi Jobi kur u godit me një sëmundje të tmerrshme?
11 Mirëpo, Satanai nuk u dorëzua. Me siguri, duhet të ketë menduar se Jobi mund ta duronte humbjen e pasurisë, të shërbëtorëve dhe të fëmijëve, por ama, po të sëmurej vetë, do të kthehej kundër Perëndisë. Jehovai e lejoi Satanain që ta godiste Jobin me një sëmundje të neveritshme që i shkaktonte shumë dhembje. Por as kjo nuk e bëri Jobin të humbte besimin te Perëndia. Përkundrazi, ai tha me vendosmëri: «Nga integriteti im nuk do të heq dorë gjersa të vdes.»—Jobi 27:5.
12. Si tregoi sjellja e Jobit se akuza e Djallit ishte e rreme?
12 Jobi nuk e dinte se shkaku i problemeve të tij ishte Satanai. Duke mos i ditur hollësitë e sfidës së Djallit ndaj sovranitetit të Jehovait, Jobi kishte frikë se mos ishte Perëndia burimi i problemeve të tij. (Jobi 6:4; 16:11-14) Po gjithsesi, mbajti integritetin ndaj Jehovait. Kështu, pretendimi i Satanait se Jobi i shërbente Perëndisë për arsye egoiste, doli i rremë. Vetë besnikëria e Jobit e tregoi këtë.
13. Çfarë ndodhi ngaqë Jobi i qëndroi besnik Perëndisë?
13 Besnikëria e Jobit i dha mundësi Jehovait t’i jepte një përgjigje të fuqishme akuzës fyese të Satanait. Jobi ishte vërtet mik i Jehovait, dhe Ai e shpërbleu për sjelljen e tij besnike.—Jobi 42:12-17.
SI TË PËRFSHIN EDHE TY KJO SFIDË?
14, 15. Pse mund të themi që akuza e Satanait lidhur me Jobin përfshin të gjithë njerëzit?
14 Çështja që ngriti Satanai, për integritetin e njerëzve ndaj Perëndisë, s’kishte të bënte vetëm me Jobin. Ka të bëjë edhe me ty. Kjo tregohet qartë te Proverbat 27:11, ku Fjala e Jehovait thotë: «Ji i mençur, biri im, dhe gëzoma zemrën, që të kem se ç’t’i përgjigjem atij që më sfidon.» Këto fjalë, që u shkruan qindra vjet pasi kishte vdekur Jobi, tregojnë se Satanai ende e sfidon Perëndinë dhe akuzon shërbëtorët e Tij. Kur jetojmë në mënyrën që i pëlqen Jehovait, faktikisht po japim ndihmën tonë për t’iu përgjigjur akuzave të rreme të Satanait, e kështu po i gëzojmë zemrën Perëndisë. Si të duket kjo? A s’do të ishte e mrekullueshme të bëje edhe ti pjesën tënde për t’iu përgjigjur akuzave të gënjeshtërta të Djallit, edhe sikur të të duhej të bëje disa ndryshime në jetë?
15 Shiko çfarë tha Satanai: «Njeriu jep gjithë ç’ka për shpirtin e tij.» (Jobi 2:4) Me fjalën «njeriu», ai tregoi qartë se akuzën s’po e bënte vetëm për Jobin, po për të gjithë njerëzit. Kjo është diçka shumë e rëndësishme. Satanai ka vënë në dyshim integritetin tënd ndaj Perëndisë. Ai do të donte që ti të mos i bindesh Perëndisë dhe ta lësh rrugën e drejtë, kur të lindin vështirësi në jetë. Ç’mund të bëjë Satanai për të arritur këtë?
16. (a) Me cilat metoda përpiqet Satanai t’i largojë njerëzit nga Perëndia? (b) Si mund t’i përdorë Djalli këto metoda kundër teje?
16 Siç u trajtua në kapitullin e dhjetë, Satanai përdor metoda të ndryshme për t’i larguar njerëzit nga Perëndia. Nga njëra anë, ai sulmon «si një luan që ulërin, duke kërkuar të gllabërojë dikë». (1 Pjetrit 5:8) Kështu, ndikimi i Satanait mund të shihet kur shokët, të afërmit ose të tjerë i kundërshtojnë përpjekjet e tua për të studiuar Biblën dhe për të zbatuar atë që po mëson.a (Gjoni 15:19, 20) Nga ana tjetër, Satanai «vazhdon të shndërrohet në engjëll drite». (2 Korintasve 11:14) Ai mund të përdorë mjete tinëzare për të të mashtruar dhe për të të tërhequr, që të mos jetosh më në mënyrën që i pëlqen Perëndisë. Mund të përdorë edhe shkurajimin, ndoshta duke të shtyrë të mendosh se nuk i plotëson dot kërkesat për t’i pëlqyer Perëndisë. (Proverbat 24:10) Sido që të veprojë Satanai, «si një luan që ulërin» apo si «engjëll drite», sfida mbetet po njëlloj: ai thotë se, kur të jesh përballë vështirësive ose tundimeve, ti nuk do t’i shërbesh më Perëndisë. Si t’i përgjigjesh kësaj sfide dhe të tregosh integritetin tënd ndaj Perëndisë, siç bëri Jobi?
T’U BINDEMI URDHËRIMEVE TË JEHOVAIT
17. Cila është arsyeja kryesore pse duhet t’u bindemi urdhërimeve të Jehovait?
17 Mund t’i përgjigjesh sfidës së Satanait duke jetuar siç i pëlqen Perëndisë. Ç’do të thotë kjo? Bibla përgjigjet: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë forcën tënde.» (Ligji i përtërirë 6:5) Ndërkohë që dashuria për Perëndinë rritet në zemrën tënde, do të dëshirosh të bësh çfarë kërkon ai prej teje. Apostulli Gjon shkroi: «Kjo është dashuria për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij.» Në qoftë se e do me gjithë zemër Jehovain, do të shohësh se «urdhërimet e tij nuk janë të rënda».—1 Gjonit 5:3.
18, 19. (a) Cilat janë disa urdhërime të Jehovait? (Shih kutinë «Largohu prej asaj që Jehovai urren».) (b) Nga e dimë se Perëndia nuk kërkon tepër prej nesh?
18 Cilat janë urdhërimet e Jehovait? Disa prej tyre kanë të bëjnë me ato sjellje që duhet të shmangim. Për shembull, shiko kutinë me titull «Largohu prej asaj që Jehovai urren». Aty do të gjesh të renditura disa gjëra që Bibla i dënon hapur. Në shikim të parë, disa nga këto gjëra mund të mos duken edhe aq të këqija. Por, pasi të kesh medituar rreth shkrimeve që janë dhënë, me siguri do të kuptosh sa të mençura janë ligjet e Jehovait. Ndryshimet që duhet të bësh në sjelljen tënde mund të jenë ndoshta gjëja më e vështirë që ke hasur. Megjithatë, të jetosh në mënyrën që i pëlqen Perëndisë, të sjell kënaqësi dhe lumturi të madhe. (Isaia 48:17, 18) Dhe kjo mënyrë jetese është diçka që ti mund ta arrish. Nga e dimë këtë?
19 Jehovai nuk na kërkon kurrë më shumë nga ç’mund të bëjmë. (Ligji i përtërirë 30:11-14) Ai i di më mirë se ne mundësitë dhe kufizimet që kemi. (Psalmi 103:14) Për më tepër, Jehovai mund të na japë forcën e duhur për t’iu bindur atij. Apostulli Pavël shkroi: «Perëndia është i besueshëm dhe nuk do të lejojë që të tundoheni përtej asaj që mund të mbani, por bashkë me tundimin do të sigurojë edhe rrugëdaljen, që të jeni në gjendje t’i qëndroni.» (1 Korintasve 10:13) Që të të ndihmojë të qëndrosh, Jehovai mund të të japë madje ‘fuqi përtej asaj që është normale’. (2 Korintasve 4:7) Pasi kishte duruar shumë sprova, Pavli mund të thoshte: «Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.»—Filipianëve 4:13.
TË ZHVILLOJMË CILËSI QË I PËLQEJNË PERËNDISË
20. Cilat cilësi që i pëlqejnë Perëndisë duhet të zhvillosh? Pse janë të rëndësishme ato?
20 Sigurisht, për t’i pëlqyer Jehovait nuk mjafton vetëm të shmangësh gjërat që ai i urren. Duhet edhe të duash gjërat që ai i do. (Romakëve 12:9) A nuk je i prirur të zgjedhësh si miq ata njerëz që kanë të njëjtat interesa, pikëpamje dhe parime që ke ti? Edhe Jehovai kështu bën. Prandaj mëso të duash gjërat që Jehovai ka për zemër. Disa prej tyre janë renditur në Psalmin 15:1-5, ku përshkruhen ata që Perëndia i konsideron miq të tij. Miqtë e Jehovait shfaqin ‘frytin e frymës’, siç shprehet Bibla. Këtu futen cilësi të tilla, si «dashuria, gëzimi, paqja, shpirtgjerësia, mirëdashja, mirësia, besimi, butësia, vetëkontrolli».—Galatasve 5:22, 23.
21. Çfarë do të të ndihmojë të zhvillosh cilësitë që i pëlqejnë Perëndisë?
21 Leximi dhe studimi i rregullt i Biblës do të të ndihmojë të zhvillosh cilësi që i pëlqejnë Perëndisë. Kur mëson se çfarë kërkon Perëndia, mund t’i përputhësh mendimet e tua me mendimet e Perëndisë. (Isaia 30:20, 21) Sa më shumë ta thellosh dashurinë për Jehovain, aq më shumë do të dëshirosh të jetosh në mënyrën që i pëlqen atij.
22. Çfarë do të arrish duke jetuar në mënyrën që i pëlqen Perëndisë?
22 Kërkohen përpjekje për të jetuar ashtu siç i pëlqen Jehovait. Bibla thotë se, të ndryshosh jetën tënde, është sikur të heqësh personalitetin e vjetër dhe të veshësh një personalitet të ri. (Kolosianëve 3:9, 10) Por, lidhur me urdhërimet e Jehovait, psalmisti shkroi: «Kur i zbaton, merr shpërblim të madh.» (Psalmi 19:11) Do ta shohësh edhe vetë se, duke jetuar në mënyrën që i pëlqen Perëndisë, ke shumë shpërblime. Nëse vepron kështu, do t’i japësh përgjigje sfidës së Satanait dhe do t’ia gëzosh zemrën Jehovait.
a Kjo nuk do të thotë se ata që të kundërshtojnë, janë drejtpërdrejt nën kontrollin e Satanait. Por Satanai është perëndia i kësaj bote, pra e gjithë bota është nën pushtetin e tij. (2 Korintasve 4:4; 1 Gjonit 5:19) Prandaj është normale që shumicës nuk do t’i pëlqejë që ti po jeton në mënyrën që do Perëndia, e disa do të të kundërshtojnë.