Jobi duroi—Edhe ne mund ta bëjmë!
«Ja, ne shpallim të lum ata që duruan.»—JAKOVIT 5:11.
1. Çfarë tha një i krishterë i moshuar në lidhje me sprovat e tij?
‘DJALLI më është qepur nga pas! Ndihem tamam si Jobi!’ Alexander Hugh Macmillan ia shprehu me këto fjalë ndjenjat e tij një miku të ngushtë në selinë qendrore të Dëshmitarëve të Jehovait. Vëllai Macmillan e përfundoi rrugën e tij tokësore në moshën 89-vjeçare, në 26 gusht 1966. Ai e dinte se çmimi për shërbimin besnik të të krishterëve të mirosur, si ai, do të ‘shkonte menjëherë me ta’. (Zbulesa 14:13, BR) Në fakt, të krishterët e mirosur do të vazhdonin pa ndërprerje në shërbim të Jehovait, nëpërmjet ringjalljes në jetën e pavdekshme në qiell. Miqtë e tij u gëzuan që vëllai Macmillan e mori atë shpërblim. Megjithatë, në vitet e tij të fundit mbi tokë, ai u sulmua nga sprova të ndryshme, duke përfshirë edhe probleme shëndetësore, të cilat e bënë atë plotësisht të vetëdijshëm mbi përpjekjet e Satanait për të thyer integritetin e tij ndaj Perëndisë.
2, 3. Kush ishte Jobi?
2 Kur tha se ndihej tamam si Jobi, vëllai Macmillan i referohej një njeriu që kishte duruar sprova të mëdha të besimit. Jobi jetoi në «vendin e Uzit», ka të ngjarë në veri të Arabisë. Si pasardhës i birit të Noes, Semit, ai ishte adhurues i Jehovait. Me sa duket, sprovat e Jobit ndodhën diku aty midis vdekjes së Jozefit dhe kohës në të cilën Moisiu u provua si i drejtë. Gjatë asaj periudhe, mbi tokë nuk ekzistonte askush që të barazohej me Jobin, për sa i përkiste devotshmërisë hyjnore. Jehovai e pa Jobin si njeri pa faj, të drejtë dhe me frikë Perëndie.—Jobi 1:1, 8.
3 Si «më i madhi ndër të gjithë njerëzit e Lindjes», Jobi kishte shumë shërbëtorë dhe numri i bagëtive të tij ishte 11.500. Por pasuritë frymore ishin më të rëndësishme për të. Ashtu si baballarët e sotëm me perëndishmëri, ka shumë të ngjarë që Jobi t’i ketë mësuar bijtë e bijat e tij mbi Jehovain. Edhe pasi ata nuk jetonin më në shtëpinë e tij, ai kryente rolin e priftit të familjes, duke ofruar flijime për ta, sidomos në rastet kur ata mëkatonin.—Jobi 1:2-5.
4. (a) Përse të krishterët e persekutuar duhet ta mbajnë në konsideratë Jobin? (b) Në lidhje me Jobin, cilat pyetje do të shqyrtojmë?
4 Jobi është një personazh, të cilin të krishterët e persekutuar duhet ta mbajnë në konsideratë, në mënyrë që të forcojnë durimin e qëndrueshëm. «Ja,—shkroi dishepulli Jakov,—ne shpallim të lum ata që duruan; ju keni dëgjuar për durimin e Jobit, dhe e keni parë fatin përfundimtar që Zoti i rezervoi, sepse Zoti është plot mëshirë e dhembshuri.» (Jakovit 5:11) Ashtu si Jobi, edhe ithtarët e mirosur të Jezuit dhe «shumica e madhe» e tanishme, kanë nevojë për durim që të përballojnë me sukses sprovat e besimit. (Zbulesa 7:1-9) Pra, çfarë sprovash duroi Jobi? Përse ndodhën ato? Dhe si mund të përfitojmë ne prej përvojës së tij?
Një çështje e rëndësishme
5. Pa dijeninë e Jobit, çfarë po ndodhte në qiell?
5 Pa dijeninë e Jobit, një çështje e madhe ishte gati të lindte në qiell. Një ditë «bijtë e Perëndisë shkuan të paraqiten para Zotit». (Jobi 1:6) Biri i vetëmlindur i Perëndisë, Fjala, ishte i pranishëm. (Gjoni 1:1-3) Të pranishëm ishin, gjithashtu, edhe engjëjt e drejtë, si edhe ‘djemtë [e pabindur engjëllorë] të Perëndisë’. (Zanafilla 6:1-3) Aty ndodhej edhe Satanai, pasi dëbimi i tij prej qiellit nuk do të ndodhte përpara vendosjes së Mbretërisë, më 1914-ën. (Zbulesa 12:1-12) Në ditët e Jobit, Satanai do të ngrinte një çështje të rëndësishme. Ai po përgatitej të vinte në diskutim drejtësinë e sovranitetit të Jehovait mbi krijesat e Tij.
6. Çfarë po përpiqej të bënte Satanai dhe si shpifi ai për Jehovain?
6 «Nga vjen»,—e pyeti Jehovai. Dhe Satanai ia ktheu: «Nga ecejaket mbi dheun duke e përshkruar lart e poshtë.» (Jobi 1:7) Kishte qenë duke kërkuar dikë për ta gllabëruar. (1. Pjetrit 5:8, 9) Duke thyer integritetin e individëve që i shërbenin Jehovait, Satanai do të përpiqej të provonte se askush nuk do t’i bindej plotësisht Perëndisë i nxitur nga dashuria. Duke e pranuar çështjen, Jehovai e pyeti Satanain: «E ke vënë re shërbëtorin tim Job? Sepse mbi dhe nuk ka asnjë tjetër si ai që të jetë i ndershëm, i drejtë, të ketë frikë nga Perëndia dhe t’i largohet së keqes?» (Jobi 1:8) Jobi u përshtatej normave hyjnore, të cilat e merrnin parasysh papërsosmërinë e tij. (Psalmi 103:10-14) Por Satanai ia priti: «Vallë më kot Jobi ka frikë nga Perëndia? A nuk ke vënë ti një mbrojtje rreth tij, rreth shtëpisë së tij dhe të gjitha gjërave që ai zotëron? Ti ke bekuar veprën e duarve të tij dhe bagëtia e tij është shtuar shumë në vend?» (Jobi 1:9, 10) Në këtë mënyrë Djalli shpifi kundër Perëndisë, duke lënë të nënkuptohej se askush nuk e donte apo adhuronte Perëndinë i nxitur nga vlerësimi për pozitën dhe cilësitë e Tij, por se Perëndia u jepte rryshfet krijesave të veta për t’i shërbyer. Satanai la të nënkuptohej edhe se Jobi i shërbente Perëndisë për avantazhe egoiste, jo i nxitur nga dashuria.
Satanai hidhet në sulm!
7. Në ç’mënyrë e sfidoi Djalli Jehovain dhe si iu përgjigj Jehovai?
7 «Por,—tha Satanai,—shtri dorën tënde dhe preki të gjitha ato që ai zotëron dhe ke për të parë po nuk të mallkoi ai haptazi.» Si iu përgjigj Perëndia një sfide të tillë fyese? «Ja,—tha Jehovai,—të gjitha ato që ai zotëron janë në pushtetin tënd, por mos e shtri dorën mbi personin e tij.» Djalli kishte thënë se gjithçka që zotëronte Jobi ishte bekuar, shtuar e mbrojtur. Perëndia do të lejonte që Jobi të vuante, edhe pse trupi i tij nuk do të prekej. I vendosur për të bërë keq, Satanai u largua nga asambleja.—Jobi 1:11, 12.
8. (a) Çfarë humbjesh materiale pësoi Jobi? (b) Cila ishte e vërteta mbi «zjarrin e Perëndisë»?
8 Së shpejti, sulmi i Satanait filloi. Një nga shërbëtorët e Jobit i dha këtë lajm të keq: «Qetë po lëronin dhe gomarët po kullotnin aty afër, kur Sabejtë u sulën mbi ta, i morën me vete dhe vranë me shpatë shërbëtorët.» (Jobi 1:13-15) Mbrojtja përreth pronave të Jobit ishte hequr. Pothuajse në të njëjtën kohë, u vu në lëvizje forca e drejtpërdrejtë demonike, sepse një shërbëtor tjetër raportoi: «Zjarri i Perëndisë ra nga qielli, zuri delet dhe shërbëtorët dhe i ka përpirë.» (Jobi 1:16) Sa djallëzore! Dukej sikur Perëndia ishte përgjegjës për gjëma të tilla, madje edhe mbi vetë shërbëtorët e tij. Pasi rrufetë vijnë prej qiellit, ishte e lehtë që faji t’i hidhej Jehovait, por në të vërtetë zjarri vinte nga burime demonike.
9. Si ndikoi mbi marrëdhënien me Jehovain rënimi ekonomik i Jobit?
9 Ndërsa Satanai vazhdonte sulmin, një shërbëtor tjetër raportoi se kaldeasit kishin marrë devetë e Jobit dhe kishin vrarë shërbëtorët. (Jobi 1:17) Edhe pse në këtë mënyrë po shkonte drejt rënimit ekonomik, Jobi nuk e shkatërroi marrëdhënien me Perëndinë. A do të duroje humbje të mëdha materiale, pa e thyer integritetin ndaj Jehovait?
Tragjedi edhe më të mëdha
10, 11. (a) Çfarë ndodhi me dhjetë fëmijët e Jobit? (b) Pas vdekjes tragjike të të dhjetë fëmijëve, si e shikonte Jobi Jehovain?
10 Por Djalli nuk kishte mbaruar akoma me Jobin. Ja, raporti i një shërbëtori tjetër: «Bijtë e tu dhe bijat e tua ishin duke ngrënë dhe duke pirë verë në shtëpinë e vëllait të tyre më të madh, kur papritur një erë e furishme, që vinte nga shkretëtira, ra në të katër qoshet e shtëpisë e cila u shemb mbi të rinjtë, dhe ata vdiqën. Vetëm unë shpëtova dhe erdha të ta them.» (Jobi 1:18, 19) Një i keqinformuar mund të thoshte se shkatërrimi nga ajo erë ishte ‘një vepër e Perëndisë’. Megjithatë, fuqia demonike e kishte prekur Jobin në një pikë të dobët.
11 I hidhëruar, Jobi ‘grisi mantelin e tij dhe rroi kokën; pastaj ra përmbys dhe adhuroi’. Megjithatë, dëgjo se ç’tha: «Zoti ka dhënë dhe Zoti ka marrë. Qoftë i bekuar emri i Zotit [Jehovait, BR].» Tregimi vazhdon: «Në të gjitha këto Jobi nuk mëkatoi dhe nuk paditi Perëndinë për ndonjë padrejtësi.» (Jobi 1:20-22) Satanai kishte dështuar sërish. Ç’mund të themi nëse do të provojmë hidhërim e pikëllim si shërbëtorë të Perëndisë? Devotshmëria pa interes ndaj Jehovait dhe besimi në të do të na mundësojnë të durojmë si mbajtës të integritetit, ashtu siç bëri edhe Jobi. Të mirosurit dhe shokët e tyre që kanë shpresë tokësore sigurisht që mund të marrin ngushëllim e forcë nga tregimi i durimit të Jobit.
Çështja ndizet më tepër
12, 13. Çfarë kërkoi Satanai në një asamble tjetër në qiell dhe si iu përgjigj Perëndia?
12 Shpejt, Jehovai thirri një asamble tjetër në oborret qiellore. Jobi ishte katandisur në një njeri pa fëmijë dhe i varfër, në pamje të parë i pikëlluar nga Perëndia, por integriteti i tij ishte ruajtur i paprekur. Natyrisht, Satanai nuk do të pranonte se sfida e tij kundër Perëndisë dhe Jobit ishte e rreme. Tani, ‘bijtë e Perëndisë’ ishin gati për të dëgjuar argumentet dhe kundërargumentet, ndërsa Jehovai manovronte me Djallin për ta sjellë çështjen në një ballafaqim të fundit.
13 Duke i kërkuar llogari Satanait, Jehovai pyeti: «Nga vjen?» Cila ishte përgjigjja? «Nga ecejaket mbi dheun duke e përshkuar lart e poshtë.» Sërish, Jehovai tërheq vëmendjen mbi Jobin, shërbëtorin e tij të pafajshëm, të drejtë e me frikë Perëndie, e cili ende po e ruante vendosmërisht integritetin e tij. Djalli u përgjigj: «Lëkurë për lëkurë! Gjithçka që zotëron, njeriu është gati ta japë për jetën e tij. Por shtrije dorën tënde dhe preki kockat e tij dhe mishin e tij dhe ke për të parë po nuk të mallkoi haptazi.» Dhe Perëndia tha: «Ja ai, është në pushtetin tënd, por mos ia merr jetën.» (Jobi 2:2-6) Duke lënë të nënkuptohet se Jehovai nuk i kishte hequr akoma të gjitha pengesat e tij mbrojtëse, Satanai kërkoi të prekte kockat dhe mishin e Jobit. Djallit nuk iu dha leje të vriste Jobin; por Satani e dinte se sëmundjet fizike do t’i sillnin dhembje dhe do të dukej sikur ai po vuante ndëshkimin nga Perëndia, për ndonjë mëkat të fshehtë.
14. Me çfarë e goditi Satanai Jobin dhe përse asnjë njeri nuk mund t’u jepte lehtësim vuajtjeve?
14 Pas shpërndarjes së asaj asambleje, Satanai vazhdoi me kënaqësitë e tij djallëzore. Ai e goditi Jobin me «një ulcerë të keqe nga majat e këmbëve deri në pjesën e sipërme të kokës». Çfarë vuajtjesh duroi Jobi, ndërsa rrinte ulur mbi hi dhe kruhej me një copë enë balte! (Jobi 2:7, 8) Asnjë mjek njerëzor nuk mund t’i sillte lehtësi nga kjo sëmundje e dhimbshme, e neveritshme dhe poshtëruese, sepse ajo shkaktohej nga fuqi satanike. Vetëm Jehovai mund ta shëronte. Nëse je një shërbëtor i sëmurë i Perëndisë, asnjëherë mos harro se Perëndia mund të të ndihmojë që të durosh dhe mund të të japë jetën në një botë të re pa sëmundje.—Psalmi 41:1-3; Isaia 33:24.
15. Për çfarë e nxiti gruaja Jobin dhe cili ishte reagimi i tij?
15 Më në fund, gruaja e Jobit tha: «Qëndron ende në ndershmërinë [integritetin, BR] tënde? Mallko Perëndinë dhe vdis!» «Integritet» tregon devotshmëri pa faj dhe ajo ndoshta mund të ketë folur në mënyrë sarkastike për ta shtyrë Jobin që të mallkonte Perëndinë. Por ai iu përgjigj: «Ti flet si një grua pa mend. Në rast se pranojmë të mirën nga Perëndia, pse nuk duhet të pranojmë edhe të keqen?» Edhe kjo përpjekje e Satanait nuk piu ujë, sepse na thuhet: «Në të gjitha këto Jobi nuk mëkatoi me buzët e tij.» (Jobi 2:9, 10) Ta zëmë se anëtarë të familjes që të kundërshtojnë, do të të thoshin se ne po lodhemi më kot në aktivitetet e krishtere dhe të të nxitnin për të mohuar Perëndinë Jehova. Ashtu si Jobi, ne mund ta durojmë një sprovë të tillë, sepse e duam Jehovain dhe dëshirojmë të lavdërojmë emrin e tij të shenjtë.—Psalmi 145:1, 2; Hebrenjve 13:15.
Tre mashtrues arrogantë
16. Cilët erdhën gjoja për të ngushëlluar Jobin, por si i përdori Satanai ata?
16 Në atë që doli se ishte një tjetër skemë satanike, tre «shokë» erdhën gjoja për të ngushëlluar Jobin. Njëri ishte Elifazi, ndoshta një pasardhës i Abrahamit nëpërmjet Esaut. Pasi Elifazi fliste i pari, pa dyshim që ishte edhe më i madhi në moshë. I pranishëm ishte, gjithashtu, edhe Bildadi, një pasardhës i Shuahut, njëri prej bijve të Abrahamit nga Keturahu. I treti ishte Zofari, që quhej naamatiti, për të identifikuar familjen e tij apo vendin e banimit, ndoshta në veri-perëndim të Arabisë. (Jobi 2:11; Zanafilla 25:1, 2; 36:4, 11) Ashtu si ata që sot përpiqen për t’i detyruar Dëshmitarët e Jehovait që të mohojnë Perëndinë, kjo trio ishte manipuluar nga Satanai, në përpjekje që ta bënte Jobin të ndihej fajtor për akuza të rreme dhe të thyente integritetin e tij.
17. Çfarë bëri treshja vizituese dhe çfarë nuk bëri për shtatë ditë e shtatë netë?
17 Trioja bëri një shfaqje të madhe mallëngjimi, duke qarë, duke shqyer rrobat dhe duke hedhur pluhur mbi kokat e tyre. Por pastaj, ata u ulën me Jobin shtatë ditë e shtatë netë, pa thënë asnjë fjalë ngushëllimi! (Jobi 2:12, 13; Luka 18:10-14) Këta tre mashtrues arrogantë kishin një mungesë të tillë të karakterit frymor, saqë nuk kishin asgjë ngushëlluese për të thënë mbi Jehovain dhe premtimet e tij. Përkundrazi, do të nxirrnin përfundime të gabuara dhe po përgatiteshin t’i përdornin ato kundër Jobit, sapo të mbaronin formalitetin e hidhërimit. Është interesante që përpara se të mbaronin shtatë ditët e heshtjes, i riu Elihu zuri vend në një distancë ku mund të dëgjonte bisedën.
18. Përse Jobi kërkoi paqe tek vdekja?
18 Më në fund, Jobi e theu heshtjen. Pasi nuk kishte marrë asnjë ngushëllim nga treshja vizituese, ai mallkoi ditën e lindjes dhe pyeti se përse jeta e tij e mjerë po zgjatej. Ai kërkonte paqe tek vdekja, duke imagjinuar se kurrë nuk do të kishte gëzim të vërtetë përpara se të vdiste, tani që ishte shumë i varfër, i pikëlluar dhe i sëmurë rëndë. Por Perëndia nuk do të lejonte që Jobi të prekej deri në vdekje.—Jobi 3:1-26.
Akuzuesit e Jobit sulmojnë
19. Në cilat aspekte Elifazi e akuzoi Jobin në mënyrë të gënjeshtërt?
19 Elifazi flet i pari në të trija raundet e debatit, që më pas vuri në provë integritetin e Jobit. Në fjalimin e tij të parë, Elifazi pyeti: «A janë shkatërruar vallë njerëzit e ndershëm?» Po nxirrte, pra, përfundimin se Jobi duhej të kishte bërë diçka të keqe që po ndëshkohej nga Perëndia. (Jobi, kapitujt 4, 5) Në fjalimin e tij të dytë, Elifazi u tall me mençurinë e Jobit dhe pyeti: «Çfarë di ti që ne nuk e dimë?» Elifazi nënkuptonte se Jobi po përpiqej të dukej më i lartë se i Plotfuqishmi. Duke përfunduar sulmin e tij të dytë, ai e përshkroi Jobin si fajtor për apostazi, dhënie rryshfetesh dhe mashtrim. (Jobi, kapitulli 15) Në fjalimin e tij të fundit, Elifazi e akuzoi në mënyrë të gënjeshtërt Jobin për shumë krime: rrëmbim me forcë, se u kishte mbajtur bukën dhe ujin nevojtarëve dhe se kishte shtypur vejushat dhe jetimët.—Jobi, kapitulli 22.
20. Cila ishte natyra e sulmeve të Bildadit ndaj Jobit?
20 Duke folur i dyti në secilin prej tri raundeve të debatit, Bildadi zakonisht ndoqi temën e përgjithshme që kishte lënë Elifazi. Fjalimet e Bildadit ishin më të shkurtra, por më therëse. Ai akuzoi, madje, edhe fëmijët e Jobit se kishin vepruar gabimisht dhe në këtë mënyrë e kishin merituar vdekjen. Me një arsyetim të lig, ai përdori këtë ilustrim: ashtu si papirusi dhe kallamat thahen e vdesin pa ujë, kështu iu ndodh edhe «të gjithë atyre që harrojnë Perëndinë». Ky pohim është i vërtetë, por nuk zbatohej në rastin e Jobit. (Jobi, kapitulli 8) Bildadi i renditi vuajtjet e Jobit bashkë me ato që bien mbi të ligjtë. (Jobi, kapitulli 18) Në fjalimin e tij të tretë e të shkurtër, Bildadi argumentoi se njeriu është «një vemje» dhe «një krimb» dhe prandaj është i papastër përpara Perëndisë.—Jobi, kapitulli 25.
21. Për çfarë e akuzoi Zofari Jobin?
21 Zofari ishte i treti që foli në debat. Në përgjithësi, argumentimi i tij ndoqi linjën e Elifazit dhe të Bildadit. Zofari e akuzoi Jobin për ligësi dhe e nxiti që të flakte tej praktikat e tij mëkatare. (Jobi kapitujt 11, 20) Pas dy raundeve Zofari nuk foli më. Ai nuk kishte asgjë për të shtuar në raundin e tretë. Megjithatë, gjatë gjithë debatit, Jobi iu përgjigj me guxim akuzuesve të tij. Për shembull, në një vend ai tha: «Të gjithë ju jeni ngushëllues të mërzitshëm. Kur do të marrin fund fjalimet tuaja boshe?»—Jobi 16:2, 3.
Ne mund të durojmë
22, 23. (a) Si në rastin e Jobit, çfarë mund të bëjë Djalli për të thyer integritetin tonë ndaj Perëndisë Jehova? (b) Edhe pse Jobi po duronte sprova të ndryshme, çfarë mund të pyesim në lidhje me qëndrimin e tij?
22 Si edhe Jobi, ne mund të ballafaqohemi njëherësh me disa sprova dhe Satanai mund të përdorë shkurajimin apo faktorë të tjerë në përpjekje për të thyer integritetin tonë. Ai mund të përpiqet të na kthejë kundër Jehovait, nëse kemi probleme ekonomike. Nëse na vdes një njeri i dashur apo nëse sëmuremi, Satanai mund të përpiqet të na nxisë që të fajësojmë Perëndinë. Si shokët e Jobit, dikush mund edhe të na akuzojë në mënyrë të gënjeshtërt. Siç tregoi vëllai Macmillan, Satanai mund ‘të na qepet pas’, por ne mund të durojmë.
23 Siç kemi vërejtur deri tani, Jobi po i duronte sprovat e tij të ndryshme. Megjithatë, a ishte vetëm një durim i thjeshtë? Ai kishte ai në të vërtetë një frymë të thyer? Le të shohim nëse Jobi i kishte humbur vërtet të gjitha shpresat.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Cilën çështje të madhe ngriti Satanai në ditët e Jobit?
◻ Në cilat mënyra Jobi u sprovua deri në fund?
◻ Për çfarë e akuzuan Jobin tre «shokët» e tij?
◻ Si në rastin e Jobit, si mund të përpiqet Satanai për të thyer integritetin tonë ndaj Jehovait?
[Figura në faqen 10]
A. H. Macmillan