«Kush i ngjan Perëndisë tonë Jehova?»
«Kush i ngjan Perëndisë tonë Jehova, i cili e bën banesën e tij në lartësi?»—PSALMI 113:5.
1, 2. (a) Në ç’mënyrë e konsiderojnë Perëndinë dhe Biblën dëshmitarët e Jehovait? (b) Cilat pyetje meritojnë të konsiderohen?
LAVDËRUESIT e Jehovait janë të bekuar me të vërtetë. Çfarë privilegji të jesh në këtë shumicë të lumtur! Si Dëshmitarë të tij, ne i pranojmë këshillat, ligjet, mësimet, premtimet dhe profecitë e Fjalës së Perëndisë, Biblës. Ne jemi të gëzuar të mësojmë nga Shkrimet dhe «të ushtrohemi nga Jehovai».—Gjoni 6:45.
2 Dëshmitarët e Jehovait, për shkak të nderimit të tyre të thellë ndaj Perëndisë, mund të pyesin: «Kush i ngjan Perëndisë tonë Jehova?» (Psalmi 113:5) Këto fjalë të psalmistit nënkuptojnë besim. Por, përse Dëshmitarët kanë një besim të tillë tek Perëndia? Dhe çfarë arsyesh kanë ata për ta lavdëruar Jehovain?
Besim dhe lavdi të përshtatshme
3. Çfarë janë Psalmet e Hallelit dhe përse quhen kështu?
3 Besimi tek Jehovai është plotësisht i justifikuar sepse ai është i vetmi Perëndi. Kjo del në pah në Psalmet 113, 114 dhe 115, pjesë nga gjashtë Psalmet e Hallelit. Sipas shkollës rabine të Hillelit, Psalmet 113 dhe 114 këndoheshin gjatë darkës së pashkëve hebreje pasi ishte derdhur kupa e dytë e verës dhe ishte shpjeguar domethënia e kremtimit. Psalmet 115 deri 118 këndoheshin pas kupës së katërt të verës. (Krahaso Mateun 26:30.) Ata janë quajtur «Psalmet e Hallelit» sepse përsëritet shumë herë thirrja Hallelujah!—«Lavdëroni Jah!»
4. Çfarë do të thotë fjala «Hallelujah» dhe sa herë duket në Bibël?
4 «Hallelujah!» është transkriptim i një shprehjeje hebreje që duket 24 herë tek Psalmet. Në vende të tjera të Biblës duket katër herë në formën greke në lidhje me gëzimin për shkatërrimin e Babilonisë së Madhe, perandorisë botërore të fesë së rrejshme, dhe me gëzimin që lidhet me faktin që Jehovai ka filluar të mbretërojë. (Zbulesa 19:1-6) Ndërsa marrim në shqyrtim tre nga Psalmet e Hallelit, mund ta përfytyrojmë veten në mes të kënduesve të këtyre këngëve në lavdi të Jehovait.
Lavdëroni Jah!
5. Cilës pyetje i përgjigjet Psalmi 113 dhe kujt i aplikohet në mënyrë të veçantë Psalmi 113:1, 2?
5 Psalmi 113 i përgjigjet pyetjes: përse ta lavdërojmë Jehovain? Fillon me urdhër: «Lavdëro Jah, ti o popull! Ofrojini lavdi, ju o shërbëtorë të Jehovait, lavdëroni emrin e Jehovait. Qoftë i bekuar emri i Jehovait qysh tani e deri në kohë të pafundme.» (Psalmi 113:1, 2) «Hallelujah!» Po, «Lavdëroni Jah!» Ky urdhër aplikohet në mënyrë të veçantë në popullin e Perëndisë në këtë «kohë të fundit». (Danieli 12:4) Që tani e përgjithmonë emri i Jehovait duhet të jetë i lartësuar në mbarë tokën. Dëshmitarët e tij shpallin tani se Jehovai është Perëndi, Krishti është Mbret dhe se Mbretëria është ndërtuar në qiell. Satana Djalli dhe organizata e tij nuk mund ta mbysin këtë kor lavdie për Jehovain.
6. Në ç’mënyrë lavdërohet Jehovai «nga lindja në perëndim»?
6 Kënga e lavdisë do të vazhdojë derisa Jehovai të shkaktojë që ajo të mbushë të gjithë tokën. «Që nga ngritja e diellit e deri në perëndim, emri i Jehovait duhet të jetë i lavdëruar.» (Psalmi 113:3) Kjo do të thotë më tepër se sa adhurimi i përditshëm i disa krijesave tokësore. Dielli ngrihet në lindje dhe ulet në perëndim, duke përqafuar tërë tokën. Së shpejti, kudo që dielli shkëlqen, emri i Jehovait do të lavdërohet nga të gjithë ata që do të lirohen nga skllavëria e fesë së rrejshme dhe e organizatës së Satanait. Sot kjo këngë që kurrë nuk do të pushojë këndohet nga dëshmitarët e mirosur të Jehovait dhe prej atyre që do të bëhen bij tokësorë të Mbretit të tij, Jezu Krishtit. Çfarë privilegji kanë ata këngëtarë të lavdive të Jehovait!
Jehovai është i pakrahasueshëm
7. Mbi cilat dy aspekte të epërsisë së plotë të Jehovait tërheq vëmendjen Psalmi 113:4?
7 Psalmisti shton: «Jehovai është lartësuar mbi të gjitha kombet; lavdia e tij është mbi qiejt.» (Psalmi 113:4) Kjo shënon dy aspekte të epërsisë së plotë të Perëndisë: (1) Për Jehovain, Supremin, «të lartin mbi të gjitha kombet», ata nuk janë tjetër veçse një pikë nga kova dhe një vello e thjeshtë pluhuri mbi peshore; (Isaia 40:15; Danieli 7:18) (2) lavdia e tij është shumë më e madhe sesa qiejt fizikë, engjëjt që kryejnë vullnetin e tij sovran.—Psalmet 19:1, 2; 103:20, 21.
8. Përse dhe si ulet Jehovai për të vështruar se çfarë ndodh në qiell dhe mbi tokë?
8 I mallëngjyer nga madhështia e Perëndisë, psalmisti thotë: «Kush i ngjan Perëndisë tonë Jehova, i cili e bën banesën e tij në lartësi? Ai ulet për të parë mbi qiellin dhe mbi tokën.» (Psalmi 113:5, 6) Perëndia është aq lart, saqë i duhet të ulet për të parë se ç’ndodh në qiell dhe mbi tokë. Megjithëse Jehovai nuk është më i ulët se ndonjë ose i nënshtruar ndaj të tjerëve, ai tregon përulësi duke ushtruar mëshirë dhe dhembshuri ndaj mëkatarëve të mjerë. Dhënia e Birit të tij, Jezu Krishtit, si «një flijim pajtues» për të krishterët e mirosur dhe për botën e njerëzve, është një shprehje e përulësisë nga ana e Jehovait.—1. Gjonit 2:1, 2.
Jehovai është i dhembshur
9, 10. Në ç’mënyrë Perëndia e «ngre të varfërin për ta ulur me fisnikët»?
9 Duke nxjerrë në pah dhembshurinë e Perëndisë, psalmisti shtoi që Jehovai «e ngre të mjerin nga vetë pluhuri; e ngre të varfërin nga vetë gropa e hirit për ta ulur me fisnikët, me fisnikët e popullit të tij. Ai bën që gruaja shterpë të banojë në një shtëpi, e gëzuar si nënë fëmijësh. Lavdëro Jah, ti o popull!» (Psalmi 113:7-9) Shërbëtorët e Jehovait kanë besim se ai mund t’i lirojë të drejtët që kanë nevojë, ta ndryshojë gjendjen e tyre dhe të plotësojë nevojat dhe dëshirat e tyre të drejta. «I larti dhe Madhështori, gjallëron frymën e të mjerëve dhe zemrën e atyre që janë të shtypur.»—Isaia 57:15.
10 Në ç’mënyrë Jehovai «ngre një të varfër që ta ulë me fisnikët?» Kur ky është vullneti i Perëndisë, ai i vë shërbëtorët e tij në një pozicion të barabartë me atë të fisnikëve. Ai e bëri këtë në rastin e Jozefit, i cili u bë administrator i ushqimit në Egjipt. (Zanafilla 41:37-49) Në Izrael qëndrimi me fisnikët, apo me njerëz me autoritet në mes të popullit të Jehovait, ishte konsideruar një privilegj i madh. Ashtu si pleqtë e sotëm të krishterë, këta njerëz i gëzoheshin ndihmës dhe bekimit të Perëndisë.
11. Përse mund të thuhet që Psalmi 113:7-9 u aplikohet në mënyrë të veçantë shërbëtorëve të sotëm të Jehovait?
11 Ç’të themi mbi «kthimin e gruas shterpë në një nënë të gëzuar?» Perëndia i dha Hanës, e cila ishte shterpë, një bir—Samuelin, që ajo ia kushtoi shërbimit të Tij. (1. Samueli 1:20-28) Diçka akoma më domethënëse, duke filluar me Jezuin dhe me derdhjen e frymës së shenjtë mbi dishepujt në Rrëshajat e vitit 33 të e.s., gruaja simbolike e Perëndisë, Sioni qiellor, filloi të lindë fëmijë frymorë. (Isaia 54:1-10, 13; Veprat 2:1-4) Dhe ashtu siç rivendosi hebrenjtë në atdheun e tyre pas mërgimit në Babiloni, kështu më 1919 Perëndia liroi mbetjen e mirosur të «Izraelit të Perëndisë» nga ligësia babilonike dhe e ka bekuar në kuptim frymor në mënyrë të tillë, saqë fjalët e Psalmit 113:7-9 i aplikohen në mënyrë të veçantë kësaj klase. (Galatasve 6:16) Si dëshmitarë besnikë të Jehovait, mbetja e Izraelit frymor dhe shokët e tij që kanë shpresë tokësore i përgjigjen me zemër fjalëve përmbyllëse të Psalmit 113: «Lavdëro Jah, ti o popull!»
Prova të pakrahasueshmërisë së Jehovait
12. Si e tregon Psalmi 114 pakrahasueshmërinë e Jehovait?
12 Psalmi 114 tregon pakrahasueshmërinë e Jehovait duke cituar ngjarje të jashtëzakonshme të cilat përfshinin izraelitët. Psalmisti këndoi: «Kur Izraeli doli nga Egjipti, shtëpia e Jakobit nga një popull që fliste në mënyrë të pakuptueshme, Juda u bë vendi i tij i shenjtë, Izraeli sundimi i tij i madh.» (Psalmi 114:1, 2) Perëndia e liroi Izraelin nga skllavëria e egjiptianëve, gjuha e të cilëve ishte e çuditshme për veshët e tyre. Lirimi i popullit të Jehovait, i quajtur Judë dhe Izrael në këtë paralelizëm poetik, tregon që Perëndia është në gjendje të lirojë të gjithë shërbëtorët e tij të sotëm.
13. Në ç’mënyrë Psalmi 114:3-6 vë në dukje epërsinë e plotë të Jehovait dhe cilat përvoja vë në dukje nga Izraeli i lashtë?
13 Sovraniteti i Jehovait mbi të gjithë krijimin është i dukshëm nga fjalët: «Vetë deti pa dhe ia dha vrapit; sa për Jordanin u kthye prapa. Vetë malet kërcyen përreth si deshtë, kodrat si qengja. Çfarë kishe, o det, që ia dhe vrapit, ti o Jordan që u ktheve prapa? Ju o male, që filluat të kërcenit përreth si deshtë; ju o kodra si qengja?» (Psalmi 114:3-6) Deti i Kuq «ia dha vrapit» kur Perëndia hapi një shteg që të kalonte populli i tij. Pra Izraeli shikoi dorën e madhe të Jehovait të bjerë mbi egjiptianët kur ujërat u kthyen në vendin e tyre duke i vrarë. (Të Dalët 14:21-31) Me një shfaqje të ngjashme fuqie hyjnore, «lumi Jordan u kthye prapa», gjë që i lejoi izraelitët ta kalonin dhe të hynin në Kanaan. (Josiu 3:14-16) «Malet kërcenin përreth si deshtë» kur mali Sinai lëshonte tym dhe dridhej në rastin e ndërtimit të besëlidhjes së Ligjit. (Të Dalët 19:7-18) Për ta çuar këngën në pikën kulminante, psalmisti shprehet në formë pyetjeje, ndoshta për të treguar që gjërat jofrymore si detin, lumin, malet dhe kodrat i zuri frika e përulur përpara atyre shfaqjeve të fuqisë së Jehovait.
14. Çfarë ndodhi në Meriba dhe në Kadesh falë fuqisë së Jehovait dhe si duhet të ndikojë kjo tek shërbëtorët e tij të sotëm?
14 Përsëri në lidhje me fuqinë e Jehovait psalmisti këndoi: «Për shkak të Zotit të jesh në dhimbje të rënda, o tokë, për shkak të Perëndisë së Jakobit, që shkëmbin e kthen në kënetë uji të dendur me kallama, shkëmbin prej stralli në burim uji.» (Psalmi 114:7, 8) Me një gjuhë figurative, psalmisti tregon kështu, që njerëzimi duhet të provojë përulësi të thellë para Jehovait, Sovranit Universal dhe Zotit të mbarë tokës. Ai ishte «Perëndia i Jakobit», o Izrael, siç është Perëndi i izraelitëve frymorë dhe i shokëve të tyre tokësorë. Në Meriba e Kadesh në shkretëtirë, Jehovai tregoi fuqinë e tij duke siguruar në mënyrë të mrekullueshme ujë për Izraelin, duke shndërruar «shkëmbin në kënetë uji të dendur me kallama, shkëmbin prej stralli në burim». (Të Dalët 17:1-7; Numrat 20:1-11) Këta kujtues të fuqisë madhështore të Jehovait dhe të kujdesit të tij të butë, u japin Dëshmitarëve të tij arsye të vlefshme për të pasur besim absolut në të.
I ndryshëm nga perënditë idhujtarë
15. Si këndohej ndoshta Psalmi 115?
15 Psalmi 115 na nxit që ta lavdërojmë Jehovain dhe të besojmë në të. Regjistron aftësinë e të bekuarit dhe të dhënies së ndihmës dhe tregon padobishmërinë e idhujve. Ndoshta psalmi këndohej në formë antifone, ku një zë këndonte: «Ju që i frikësoheni Jehovait besoni tek Jehovai», dhe kongregacioni përgjigjej: «Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre».—Psalmi 115:11.
16. Çfarë ndryshimi vërehet në mes të Jehovait dhe idhujve të kombeve?
16 Lavdia nuk duhet të na shkojë neve, por emrit të Jehovait, Perëndi i dashamirësisë së dashur, ose i dashurisë besnike dhe i së vërtetës. (Psalmi 115:1) Armiqtë mund të pyesin me tallje: «Ku është . . . Perëndia i tyre?» Por populli i Jehovait mund të përgjigjet: «Perëndia ynë është në qiej dhe bën çdo gjë që ai kënaqet për ta bërë». (Vargjet 2, 3) Ndërsa idhujt e kombeve, nuk mund të bëjnë asgjë, sepse janë statuja prej argjendi dhe ari të bëra nga njeriu. Edhe pse kanë gojë, sy dhe veshë, janë memecë, të verbër dhe të shurdhër. Kanë hundë, por nuk mund të nuhasin, këmbë, por nuk mund të ecin, grykë, por nuk mund të shprehin asnjë tingull. Ata që bëjnë idhuj të pafuqishëm dhe ata që besojnë në ta do të privohen nga jeta si ata.—Vargjet 4-8.
17. Meqë të vdekurit nuk mund ta lavdërojnë Jehovain, çfarë duhet të bëjmë ne dhe me çfarë perspektive?
17 Pastaj jepet thirrja që të besojmë tek Jehovai si Ndihmë dhe Mburojë mbrojtëse e Izraelit, e shtëpisë priftërore të Aaronit dhe i të gjithë atyre që i frikësohen Perëndisë. (Psalmi 115:9-11) Meqenëse i frikësohemi Jehovait, edhe ne ushqejmë një përulje të thellë për Perëndinë dhe frikë të shëndoshë që të mos e hidhërojmë. Gjithashtu kemi besim që «Krijuesi i qiejve dhe i tokës» i bekon adhuruesit e tij besnikë. Duke qenë se të vdekurit, që janë në qetësi dhe të pavetëdijshëm, nuk mund ta lavdërojnë Jehovain, ne të gjallët duhet ta bëjmë me devotshmëri dhe besnikëri të plotë. (Eklisiastiu 9:5) Vetëm ata që lavdërojnë Jehovain do të marrin jetën e përhershme dhe do të jenë në gjendje të «bekojnë Jah» përgjithmonë, duke folur mirë mbi të «në kohë të pafundme». Le të bashkohemi, pra, besnikërisht me ata që i vënë veshin thirrjes: «Lavdëro Jah, ti o popull!»—Psalmi 115:16-18.
Cilësitë e mrekullueshme të Jehovait
18, 19. Në cilat mënyra cilësitë që ka Jehovai e dallojnë atë nga perënditë e rrejshëm?
18 Në ndryshim me idhujt jofrymorë, Jehovai është Perëndia i gjallë, që tregon cilësi të mrekullueshme. Ai është mishërimi i dashurisë dhe është «i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në hidhërim dhe bujar në dashamirësi të dashur dhe vërtetësi». (Të Dalët 34:6; 1. Gjonit 4:8) Sa i ndryshëm është nga perëndia mizor kananeas Moleku, të cilit i flijoheshin fëmijë! Duket se statuja e këtij perëndie kishte formë njerëzore me kokë demi. Thuhet se idhulli nxehej derisa të bëhej inkandeshent, pas kësaj fëmijët hidheshin në mes të krahëve të tij të shtrira dhe rrëzoheshin poshtë në mes të flakëve. Por Jehovai është kaq i dashur dhe i mëshirshëm, saqë edhe ideja e flijimeve të tilla njerëzore kurrë nuk i kishte «ardhur në zemër».—Jeremia 7:31.
19 Në cilësitë kryesore të Jehovait përfshihen edhe drejtësia e përsosur, dituria e pafund dhe gjithëpushtetshmëria. (Ligji i përtërirë 32:4; Jobi 12:13; Isaia 40:26) Ç’mund të themi për hyjnitë mitologjike? Larg nga të praktikuarit e drejtësisë, hyjnitë babilonase ishin hakmarrëse. Perënditë e Egjiptit nuk ishin shembuj diturie, por ishin përshkruar me dobësi njerëzore. Kjo gjë nuk të habit, me qenë se perënditë dhe perëndeshat e rrejshme janë prodhime të njerëzve «që shohin ëndrra me sy hapur» megjithëse mbahen për të mençur. (Romakëve 1:21-23) Mendohej se hyjnitë greke kurdisnin njërën kundër të tjerave. Për shembull, sipas mitologjisë, Zeusi kishte rrëmbyer fronin e atit të tij Kronusit, i cili kishte shfronësuar të atin Uranusin. Çfarë bekimi që t’i shërbesh dhe ta lavdërosh Jehovain, Perëndinë e gjallë dhe të vërtetë, që tregon në masë të përsosur dashuri, drejtësi, dituri dhe fuqi!
Jehovai meriton të jetë i lavdëruar në përjetësi
20. Cilat arsye përmendi mbreti David për të lavdëruar emrin e Jehovait?
20 Ashtu si tregojnë Psalmet e Hallelit, Jehovai meriton të jetë i lavdëruar në përjetësi. Ngjashëm kësaj, kur Davidi dhe izraelitët e tjerë bënin oferta vullnetare për ndërtimin e tempullit, Davidi tha përpara kongregacionit: «Qofsh i bekuar, o Jehova, Perëndi i Izraelit, ati ynë, nga kohë e pafundme deri në kohë të pafundme. Të tuat, o Jehova, janë madhështia dhe fuqia dhe bukuria dhe shkëlqesia dhe dinjiteti; sepse çdo gjë në qiej dhe mbi tokë është e jotja. E jotja është mbretëria, o Jehova, që gjithashtu të ngre si krye mbi gjithçka. Pasuritë dhe lavdia janë për shkakun tënd, dhe ti sundon mbi çdo gjë; dhe në dorën tënde janë pushteti dhe fuqia; dhe në dorën tënde është aftësia për t’i bërë të mëdhenj dhe për t’u dhënë forcë të gjithëve. Dhe tani, o Perëndia ynë, të falenderojmë dhe lavdërojmë emrin tënd të bukur.»—1. Kronikat 29:10-13.
21. Çfarë prove na jep Zbulesa 19:1-6 mbi atë se Jehovai lavdërohet nga radhët qiellore?
21 Jehovai gjithashtu do të jetë i bekuar dhe i lavdëruar në qiej. Apostulli Gjon dëgjoi «një shumicë të madhe në qiell» të thoshte: «Lavdëro Jah, ti o popull! Shpëtimi dhe lavdia dhe fuqia i përkasin Perëndisë tonë, sepse gjykimet e tij janë të vërteta dhe të drejta. Sepse ai ka zbatuar gjykimin kundër prostitutës së madhe [Babilonisë së madhe] e cila e prishte tokën me kurvërinë e saj, dhe është hakmarrë për gjakun e skllevërve të tij nga dora e saj.» Përsëri ata thanë: «Lavdëro Jah, ti o popull!» Po kështu vepruan «njëzet e katër pleqtë si dhe katër krijesat e gjalla.» Një zë nga froni tha: «Lavdëroni Perëndinë tonë, të gjithë ju skllevërit e tij që i frikësoheni, të vegjël dhe të mëdhenj.» Pastaj Gjoni shtoi: «Dëgjova atë që ishte si zëri i një shumice të madhe dhe si zhurma e shumë ujërave, si gjëmimi i bubullimave të forta. Thoshin: ‘Lavdëro Jah, ti o popull, sepse Perëndia ynë Jehova, i Gjithëpushtetshmi, ka filluar të mbretërojë.’»—Zbulesa 19:1-6, NW.
22. Si do të lavdërohet Jehovai në botën e tij të re të premtuar?
22 Sa e përshtatshme është që radhët qiellore të lavdërojnë Jehovain! Në botën e tij të re tashmë afër, të ringjallurit besnikë do t’u bashkohen atyre që do të mbijetojnë fundin e këtij sistemi për të lavdëruar Jah. Majat mbizotëruese të maleve do të ngrenë kokën duke i kënduar lavdi Perëndisë. Kodrat e gjelbërta dhe pemët frutore do të këndojnë lavditë e tij. Po, çdo krijesë që do të jetojë dhe do të marrë frymë, do të lavdërojë emrin e Jehovait në korin madhështorë Hallelujah! (Psalmi 148) A do të dëgjohet zëri yt në mes të asaj shumice të gëzuar? Po, nëse i shërben Jah besnikërisht me popullin e tij. Ky duhet të jetë qëllimi i jetës tonë, sepse kush i ngjan Perëndisë tonë Jehova?
Pyetjet për përsëritje
◻ Përse duhet lavdëruar Perëndia Jehova?
◻ Përse Jehovai është i pakrahasueshëm?
◻ Çfarë provash kemi që Jehovai është i dhembshur?
◻ Si dallon Jehovai nga idhujt jofrymorë dhe nga perënditë e rrejshëm?
◻ Përse mund të themi që Jehovai do të lavdërohet në përjetësi si në qiell ashtu edhe mbi tokë?
[Figura në faqen 6]
Psalmet e Hallelit këndoheshin gjatë darkës së pashkëve