Fjala e Jehovait është e gjallë
Pika kryesore nga libri i pestë i Psalmeve
TË PASURIT mund të thonë: «Bijtë tanë që në rini janë filiza të rritur, dhe bijat tona si qoshe të skalitura për të stolisur një pallat. Drithnikët tanë janë plot e përplot, . . . kopetë shtohen jashtë shtëpive tona.» Pastaj mund të thërrasin: «Lum ai popull që gëzon tërë këto!» Ndërsa psalmisti, ndryshe nga ata, thotë: «Lum ai popull që ka për Perëndi Jehovain!» (Psalmi 144:12-15) E si mund të ishte ndryshe? Jehovai është Perëndia i lumtur dhe lumturia është shpërblimi për ata që e adhurojnë. (1 Timoteut 1:11) Kjo e vërtetë theksohet në përmbledhjen e fundit të këngëve të frymëzuara nga Perëndia. Kjo përmbledhje përfshin Psalmet 107-150.
Libri i pestë i Psalmeve flet edhe për cilësitë e larta të Jehovait, si për shembull, për dashamirësinë, besnikërinë dhe mirësinë e tij. Sa më mirë ta njohim personalitetin e Perëndisë, aq më shumë do të priremi ta duam dhe do t’i frikësohemi. Si rrjedhojë, kjo na bën të lumtur. Ç’vlerë të madhe që ka mesazhi që gjejmë në librin e pestë të Psalmeve!—Hebrenjve 4:12.
TË LUMTUR FALË DASHAMIRËSISË SË JEHOVAIT
«Le ta falënderojnë Jehovain për dashamirësinë e tij dhe për gjërat e mrekullueshme që ka bërë për të mirën e bijve të njerëzve»,—këndojnë judenjtë gjatë kthimit nga mërgimi në Babiloni. (Psalmi 107:8, 15, 21, 31) Davidi lëvdon Perëndinë me këngë: «Besnikëria jote [arrin] deri në re.» (Psalmi 108:4) Në vargjet pasuese ai i lutet: «Më ndihmo, o Jehova, Perëndia im. Më shpëto sipas dashamirësisë sate.» (Psalmi 109:18, 19, 26) Psalmi 110 flet në mënyrë profetike për sundimin e Mesisë. «Të kesh frikë nga Jehovai është hapi i parë drejt mençurisë»,—thuhet te Psalmi 111:10. Sipas psalmit që vijon, «lum ai që ka frikë nga Jehovai».—Psalmi 112:1.
Psalmet 113-118 quhen Psalmet Halel, sepse në to përdoret shpesh shprehja «Halelujah» ose «Lëvdoni Jah». Sipas Mishnës, një vepër e shekullit të tretë e cila përmblidhte traditat e mëparshme gojore, këto këngë këndoheshin gjatë Pashkës dhe gjatë tri festave vjetore të judenjve. Psalmi 119, më i gjati nga të gjithë psalmet dhe kapitujt në Bibël, lartëson fjalën ose mesazhin që zbulon Jehovai.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
109:23—Ç’donte të thoshte Davidi me fjalët: «Unë kam për t’u zhdukur, si hija që zvogëlohet»? Në gjuhën poetike Davidi po thoshte se e ndiente që po i afrohej vdekja.—Psalmi 102:11.
110:1, 2—Çfarë bëri ‘Zotëria [i Davidit]’, Jezu Krishti, kur u ul në të djathtë të Perëndisë? Pasi u ringjall, Jezui u ngrit në qiell dhe priti në të djathtë të Perëndisë deri në vitin 1914 kur do të fillonte të sundonte si Mbret. Gjatë asaj kohe, Jezui qeverisi mbi ithtarët e tij të mirosur duke i udhëhequr në veprën e predikimit dhe të bërjes së dishepujve e duke i parapërgatitur të sundonin bashkë me të në Mbretërinë e tij.—Mateu 24:14; 28:18-20; Luka 22:28-30.
110:4—Cilës gjë i referohet psalmisti kur thotë se Jehovai ‘është betuar dhe nuk do t’i vijë keq’? Ky betim i referohet besëlidhjes që bëri Jehovai me Jezu Krishtin, që ky i fundit të shërbente si Mbret dhe Kryeprift.—Luka 22:29.
113:3—Në ç’kuptim emri i Jehovait duhet lëvduar «nga lindja e diellit deri në perëndim të tij»? Këtu përfshihen më shumë se një grup njerëzish që adhurojnë çdo ditë Perëndinë. Që në lindje e deri në perëndim, rrezet e diellit ndriçojnë mbarë globin. Po kështu duhet adhuruar edhe Jehovai, në mbarë tokën. Kjo nuk mund të arrihet pa përpjekje dhe organizim. Si Dëshmitarë të Jehovait, jemi të privilegjuar të lëvdojmë Perëndinë dhe të shpallim me zell Mbretërinë.
116:15—Sa ‘e shtrenjtë është në sytë e Jehovait vdekja e besnikëve të tij’? Adhuruesit e Jehovait janë kaq të shtrenjtë e të çmuar për të, saqë nuk mund të lejojë vdekjen e tyre si grup. Nëse Jehovai do ta lejonte të ndodhte, kjo do të nënkuptonte që armiqtë e tij janë më të fuqishëm se ai. Pastaj, askush nuk do të mbetej në tokë si bazë për të formuar botën e re.
119:71—Ç’të mirë sjell vuajtja? Kur hasim vështirësi, mësojmë të mbështetemi më shumë te Jehovai, t’i lutemi me ngulm dhe ta studiojmë e ta zbatojmë më me zell Biblën. Përveç këtyre, nga mënyra si i përballojmë vështirësitë, mund të dalin në pah të metat tona që mund t’i korrigjojmë. Nëse lejojmë që vuajtjet të na rafinojnë, nuk do të mbushemi me mëri kur të vuajmë.
119:96—Ç’do të thotë «çdo gjë e përsosur e ka një cak»? Psalmisti e ka fjalën për përsosmërinë nga pikëpamja e një njeriu. Ndoshta donte të thoshte se koncepti i njeriut për përsosmërinë është i kufizuar. Ndërsa urdhërimet e Perëndisë nuk kanë kufizime të tilla. Udhëheqja e tij është e vlefshme për çdo aspekt të jetës. Shkrimi thotë: «Pashë që çdo gjë e përsosur e ka një cak, kurse urdhërimet e tua janë të paana.»
119:164—Pse janë domethënëse fjalët e psalmistit kur thotë se e lëvdon Jehovain «shtatë herë në ditë»? Numri shtatë shpesh tregon plotësi. Prandaj, psalmisti këtu thotë se Jehovai meriton të gjitha lavdërimet e mundshme.
Mësime për ne:
107:27-31. Mençuria e botës ‘do të jetë e kotë’ kur të vijë Harmagedoni. (Zbulesa 16:14, 16) Ajo nuk mund të shpëtojë asnjë nga shkatërrimi. Vetëm ata që e presin shpëtimin nga Jehovai do të jetojnë ‘për ta falënderuar [atë] për dashamirësinë e tij’.
109:30, 31; 110:5. Dora e djathtë e një shpatari zakonisht nuk mbrohet siç mbrohet dora e majtë me mburojën që e mban vetë. Në kuptimin e figurshëm, Jehovai është «në të djathtë» të shërbëtorëve të tij, duke luftuar për ta. Kështu i mbron dhe i ndihmon, e ky është një motiv i shkëlqyer për ne që ‘ta përlëvdojmë shumë’.
113:4-9. Jehovai është aq lart sa i duhet të përkulet për të parë edhe «në qiell». Pavarësisht nga kjo, atij i vjen keq për të përvuajturin, të varfrin dhe për gruan shterpë. Zotëria Sovran Jehova është i përulur dhe dëshiron që edhe adhuruesit e tij të jenë të tillë.—Jakovi 4:6.
114:3-7. Veprat e mrekullueshme që Jehovai kreu për popullin e tij në Detin e Kuq, në Lumin Jordan dhe në Malin Sinai duhet të ndikojnë thellë te ne. Njerëzimi që përfaqësohet nga ‘toka’, duhet të ketë frikë, siç thotë edhe shkrimi ‘të dridhet nga dhembjet’, për shkak të Zotërisë.
119:97-101. Mençuria, gjykimi i thellë dhe kuptueshmëria që fitojmë nga Fjala e Perëndisë, janë mbrojtje për gjendjen tonë frymore.
119:105. Fjala e Perëndisë është një llambë në këmbën tonë, në kuptimin që na ndihmon të përballojmë problemet që hasim. Gjithashtu, në kuptimin simbolik na e ndriçon rrugën pasi na tregon paraprakisht qëllimin që ka Perëndia për të ardhmen.
TË LUMTUR, PAVARËSISHT NGA VËSHTIRËSITË
Si mund t’i kapërcejmë sprovat dhe vështirësitë? Psalmet 120 deri 134 i japin një përgjigje të qartë kësaj pyetjeje. Do t’i kapërcejmë vështirësitë dhe do të ruajmë gëzimin nëse mbështetemi te Jehovai për ndihmë. Këto psalme, që quhen Këngët e Ngjitjeve, ndoshta këndoheshin kur izraelitët ngjiteshin në Jerusalem për të kremtuar festat vjetore.
Psalmet 135 dhe 136 e paraqitin Jehovain si Bërësin e gjithçkaje që dëshiron, tërësisht ndryshe nga idhujt e pafuqishëm. Psalmi 136 është kompozuar në formë antifonike, ku pjesa e fundit e çdo vargu këndohet në përgjigje të pjesës së parë. Psalmi tjetër flet për kushtet e mjera të judenjve në Babiloni, që donin të adhuronin Jehovain në Sion. Psalmet 138-145 i ka shkruar Davidi. Ai dëshiron ‘ta përlëvdojë Jehovain me gjithë zemër’. Përse? «Sepse jam krijuar në mënyrë të mrekullueshme e që të ngjall frikë»,—thotë ai. (Psalmi 138:1; 139:14) Në psalmet 140-144, në lutje, Davidi kërkon mbrojtje nga njerëzit e këqij, qortim nga i drejti, çlirim nga përndjekësit dhe drejtim për sjelljen. Ai thekson lumturinë e popullit të Jehovait. (Psalmi 144:15) Pasi flet për madhështinë dhe mirësinë e Perëndisë, Davidi deklaron: «Nga goja do të më burojnë lëvdime për Jehovain. Gjithkush le të bekojë emrin e tij të shenjtë brez pas brezi, përgjithmonë!»—Psalmi 145:21.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
122:3—Në ç’kuptim Jerusalemi ishte një qytet «fort i bashkuar»? Ashtu siç ndodhte zakonisht me qytetet në kohët e lashta, shtëpitë në Jerusalem ndërtoheshin shumë afër me njëra-tjetrën. Qyteti ishte i tëri në një vend, prandaj ishte e lehtë ta mbroje. Për më tepër, falë afërsisë së shtëpive, banorët mbështeteshin te njëri-tjetri për ndihmë dhe mbrojtje. Kjo paraqit unitetin frymor të 12 fiseve të Izraelit kur bashkoheshin në adhurim.
123:2—Pse përdoret ilustrimi i syve të shërbëtorëve në këtë shkrim? Shërbëtorët dhe shërbyeset i mbajnë sytë nga dora e zotërisë ose zonjës së tyre për dy arsye: që të kuptojnë ç’dëshiron ai apo ajo, si dhe të kërkojnë mbrojtje dhe plotësimin e nevojave të jetës. Po kështu, edhe ne i mbajmë sytë nga Jehovai që të kuptojmë vullnetin e tij dhe të fitojmë miratimin e tij.
131:1-3—Në ç’kuptim Davidi ‘e lehtësoi dhe e qetësoi shpirtin e tij, si foshnja që sapo ka lënë gjirin dhe prehet në krahët e nënës’? Ashtu si një foshnjë që sapo ka lënë gjirin mëson të gjejë prehje dhe kënaqësi në krahët e nënës, Davidi mësoi ta lehtësonte dhe qetësonte shpirtin «si foshnja që sapo ka lënë gjirin dhe prehet në krahët e nënës». Si e bëri këtë? Nuk zhvilloi një zemër fodulle dhe sy krenarë dhe as nuk rendi pas gjërave tepër të mëdha. Në vend që të kërkonte lavdinë, Davidi zakonisht i pranonte kufizimet e tij dhe tregonte përulësi. Duhet të jemi të mençur dhe të kemi të njëjtin qëndrim si ai, sidomos kur synojmë privilegje në kongregacion.
Mësime për ne:
120:1, 2, 6, 7. Të folurit shpifës dhe sarkastik mund t’u shkaktojë të tjerëve stres të padurueshëm. Një mënyrë që tregon se e ‘duam paqen’, është t’i vëmë fre gjuhës.
120:3, 4. Nëse duhet të durojmë dikë që ka një «gjuhë dhelparake», mund të gjejmë ngushëllim kur dimë se Jehovai do t’i rregullojë gjërat në momentin e duhur. Shpifësit do të pësojnë fatkeqësi nga duart e «një trimi». Me siguri do të marrin gjykimin e frikshëm të Jehovait, që në këtë shkrim përfaqësohet nga «thëngjijtë përvëlues të gjineshtrës».
127:1, 2. Në çdo përpjekje që bëjmë, duhet të kërkojmë drejtimin e Jehovait.
133:1-3. Uniteti i popullit të Jehovait ndikon për mirë, është qetësues dhe përtëritës. Nuk duhet ta prishim këtë unitet duke qenë kritikues, duke u grindur apo duke u ankuar.
137:1, 5, 6. Adhuruesit e Jehovait që ishin të mërguar, ishin lidhur mjaft me Sionin, që kishte përfaqësuar organizatën e Perëndisë. Ç’të themi për ne sot? A jemi lidhur besnikërisht me organizatën që Jehovai po përdor sot?
138:2. Jehovai ‘e plotësoi fjalën e tij më madhërisht nga sa prisnim falë emrit të tij’, në kuptimin që përmbushja e gjithçkaje që ka premtuar në emër të tij, do të jetë e plotë, pavarësisht nga ajo që presim ne. Vërtet, një e ardhme e bukur shtrihet para nesh.
139:1-6, 15, 16. Jehovai i njeh aktivitetet, mendimet dhe fjalët tona para se t’i themi. Ai na njeh që nga ngjizja, para se të formoheshin edhe vetë gjymtyrët tona. Njohuria për Perëndinë është tepër «e mrekullueshme» për t’u kuptuar. Sa ngushëlluese është të dimë se Jehovai jo vetëm i sheh rrethanat sprovuese që kalojmë, por edhe e kupton si ndikojnë te ne!
139:7-12. Nuk ka asnjë vend të paarritshëm për Jehovain që të vijë e të na forcojë.
139:17, 18. A është bërë e këndshme njohuria e Jehovait për ne? (Proverbat 2:10) Nëse po, atëherë kemi gjetur një burim të pashtershëm kënaqësie. Mendimet e Jehovait ‘janë më të shumta se kokrrizat e rërës’. Gjithmonë do të kemi shumë për të mësuar rreth tij.
139:23, 24. Duhet të dëshirojmë që Jehovai të shqyrtojë mendimet dhe zemrën tonë për ndonjë ‘udhë që do të na sillte dhembje’, nëse kemi mendime, dëshira dhe prirje të papërshtatshme, dhe të na ndihmojë t’i ç’rrënjosim ato.
143:4-7. Si mund t’u bëjmë ballë edhe sprovave të rënda? Psalmisti na tregon sekretin: duke medituar për ato që Jehovai ka bërë, duke mbajtur në mendje veprat e tij dhe duke iu drejtuar atij për ndihmë.
«Lëvdoni Jah!»
Secila nga katër përmbledhjet e para të psalmeve përfundon me një shprehje lëvdimi për Jehovain. (Psalmi 41:13; 72:19, 20; 89:52; 106:48) Po kështu edhe përmbledhja e fundit. Te Psalmi 150:6 thuhet: «Çdo gjë që merr frymë, le të lëvdojë Jah! Lëvdoni Jah!» Kjo do të ndodhë vërtet në botën e re të Perëndisë.
Ndërsa presim me padurim atë kohë të mrekullueshme, kemi mjaft arsye për t’i dhënë lavdi Perëndisë së vërtetë dhe emrit të tij. A nuk na vjen ta lëvdojmë me mirënjohje nga zemra kur mendojmë për lumturinë që ndiejmë ngaqë njohim Jehovain dhe gëzojmë një marrëdhënie të mirë me të?
[Figura në faqen 15]
Veprat e mrekullueshme të Jehovait janë mahnitëse
[Figura në faqen 16]
Mendimet e Jehovait ‘janë më të shumta se kokrrizat e rërës’