Le ta ndriçojë fjala e Perëndisë shtegun tonë!
«Fjala jote është . . . një dritë për shtegun tim.»—PSALMI 119:105.
1, 2. Vetëm kur do të na e ndriçojë shtegun fjala e Jehovait?
NË QOFTË se ne e lejojmë, fjala e Jehovait do të na e ndriçojë shtegun nëpër të cilin ecim. Që të kemi këtë dritë frymore, duhet të jemi studiues të zellshëm të Fjalës së shkruar të Perëndisë dhe të zbatojmë këshillat që gjejmë aty. Vetëm atëherë mund të ndihemi si psalmisti që tha: «Fjala jote është një llambë për këmbën time dhe një dritë për shtegun tim.»—Psalmi 119:105.
2 Le të shqyrtojmë tani Psalmin 119:89-176. Këto vargje, të renditura në 11 strofa, përmbajnë vërtet shumë informacione. Ato mund të na ndihmojnë të qëndrojmë në rrugën që të çon në jetën e përhershme.—Mateu 7:13, 14.
Pse duhet ta kemi në zemër fjalën e Perëndisë?
3. Si tregon Psalmi 119:89, 90 se mund të mbështetemi te fjala e Perëndisë?
3 Kur e kemi në zemër fjalën e Jehovait, rezultati është qëndrueshmëria frymore. (Psalmi 119:89-96) Psalmisti këndoi: «O Jehova, fjala jote qëndron përgjithnjë në qiej. . . . E ke bërë tokën të patundur, që të mbetet përgjithnjë.» (Psalmi 119:89, 90) Nëpërmjet fjalës së Perëndisë, domethënë ‘ligjeve të qiellit’ që ka vendosur, trupat qiellorë lëvizin me përpikëri në orbitat e tyre dhe toka është e vendosur fort, përgjithnjë. (Jobi 38:31-33; Psalmi 104:5) Mund të kemi besim te çdo fjalë që del nga goja e Jehovait, pasi ajo që thotë Perëndia do të ‘realizohet plotësisht’ sipas qëllimit të tij.—Isaia 55:8-11.
4. Si i ndihmon përzemërsia për fjalën e Perëndisë shërbëtorët e tij, kur hasin vuajtje?
4 Psalmisti ‘do të kishte marrë fund në vuajtjen e tij, po të mos e kishte pasur në zemër ligjin e Perëndisë’. (Psalmi 119:92) Vuajtjet nuk po ia shkaktonin ca të huaj; jo, ata që e urrenin ishin izraelitë, shkelës të ligjit. (Levitiku 19:17) Por kjo nuk e pikëlloi tej mase, sepse ai e donte ligjin e Perëndisë, dhe ky ligj e mbështeste. Kur ndodhej në Korint, edhe apostulli Pavël ishte «në rreziqe mes vëllezërve të rremë», ku ndoshta futeshin ‘apostujt tejet të shquar’ që donin si e si ta akuzonin. (2 Korintasve 11:5, 12-14, 26) E megjithatë, Pavli mbijetoi frymësisht, sepse e kishte në zemër fjalën e Perëndisë. Ne, duke qenë se e kemi në zemër Fjalën e shkruar të Jehovait dhe zbatojmë çfarë thotë ajo, i duam vëllezërit tanë. (1 Gjonit 3:15) Ndonëse bota na urren, kjo nuk na bën të harrojmë udhëzimet e Perëndisë. Vazhdojmë të bëjmë vullnetin e tij në unitet e në dashuri me vëllazërinë tonë, ndërsa presim me padurim t’i shërbejmë përjetësisht me gëzim Jehovait.—Psalmi 119:93.
5. Si e kërkoi mbreti Asa Jehovain?
5 Duke shprehur përkushtimin tonë ndaj Jehovait, mund të lutemi: «Unë të përkas ty, ndaj më shpëto, sepse i kam shqyrtuar me kujdes urdhrat e tu.» (Psalmi 119:94) Mbreti Asa e kërkoi Perëndinë dhe e zhduku apostazinë nga Juda. Në një asamble të madhe që u mbajt vitin e 15-të të mbretërimit të Asës (963 p.e.s.), banorët e Judës «u zotuan me një besëlidhje të kërkojnë Zotin». Perëndia ‘i la ta gjejnë’ dhe «u dha paqe rreth e qark». (2 Kronikave 15:10-15) Ky shembull duhet ta nxitë këdo që është larguar nga kongregacioni i krishterë, të fillojë sërish me zell të kërkojë Perëndinë. Jehovai do t’i bekojë e do t’i mbrojë ata që fillojnë të shoqërohen përsëri aktivisht me popullin e tij.
6. Cili veprim do të na mbrojë nga dëmet frymore?
6 Fjala e Jehovait na jep mençuri, e cila mund të na mbrojë nga dëmet frymore. (Psalmi 119:97-104) Urdhërimet e Perëndisë na bëjnë më të mençur se armiqtë tanë. Kur ua vëmë veshin përkujtuesve të tij, kemi gjykim të thellë, dhe ‘kur i zbatojmë urdhrat e tij, sillemi më me mend se të moshuarit’. (Psalmi 119:98-100) Në qoftë se fjalët e Jehovait janë ‘në qiellzën tonë më të ëmbla se ç’është mjalti në gojën tonë’, do të urrejmë e do të shmangim «çdo udhë gënjeshtre». (Psalmi 119:103, 104) Kjo do të na mbrojë nga dëmet frymore në këto ditë të fundit, ndërkohë që ndeshemi me njerëz krenarë, të egër e të paperëndishëm.—2 Timoteut 3:1-5.
Një llambë për këmbën
7, 8. Çfarë duhet të bëjë secili prej nesh, në përputhje me Psalmin 119:105?
7 Fjala e Perëndisë është burim i një drite frymore të përhershme. (Psalmi 119:105-112) Qofshim të krishterë të mirosur, qofshim nga ‘delet e tjera’, pra shokët e të mirosurve, ne shpallim: «Fjala jote është një llambë për këmbën time dhe një dritë për shtegun tim.» (Gjoni 10:16; Psalmi 119:105) Fjala e Perëndisë është si një llambë që na ndriçon rrugën, me qëllim që të mos pengohemi e të mos biem frymësisht. (Fjalët e urta [Proverbat] 6:23) Gjithsesi, duhet që secili prej nesh ta lejojë fjalën e Perëndisë që të jetë një llambë për këmbën tonë.
8 Duhet të kemi të njëjtën vendosmëri që kishte kompozitori i Psalmit 119. Ai ishte i vendosur që të mos shmangej nga urdhrat e Perëndisë. «Kam bërë një betim,—tha,—dhe do ta mbaj. Po, do t’i zbatoj vendimet e tua [të Jehovait] të drejta gjyqësore.» (Psalmi 119:106) Le të mos e nënvlerësojmë kurrë rëndësinë e studimit të rregullt të Biblës dhe të pjesëmarrjes në mbledhjet e krishtere.
9, 10. Si e dimë se edhe individë që i janë kushtuar Jehovait mund ‘të shmangen nga urdhrat e tij’, por si mund të ruhemi ne nga kjo?
9 Psalmisti ‘nuk iu shmang urdhrave të Perëndisë’, por kjo ama mund të ndodhë me dikë që i është kushtuar Jehovait. (Psalmi 119:110) Kjo i ndodhi mbretit Solomon, edhe pse i përkiste një kombi të kushtuar ndaj Jehovait dhe në fillim kishte vepruar sipas mençurisë që i dha Perëndia. «Gratë e huaja e bënë edhe atë të mëkatojë», duke e shtyrë që të adhuronte perëndi të rreme.—Nehemia 13:26; 1 Mbretërve 11:1-6.
10 ‘Gjuetari i shpendëve’, pra Satanai, vë shumë gracka rreth e përqark. (Psalmi 91:3) Për shembull, dikush që më parë shoqërohej me ne mund të përpiqet të na shtyjë që të shmangemi nga shtegu i dritës frymore për të hyrë në errësirën e apostazisë. Midis të krishterëve në Tiatirë, ishte ‘gruaja Jezabelë’, ndoshta një grup grash që u mësonin të tjerëve të praktikonin idhujtarinë dhe të kryenin kurvëri. Jezui nuk i toleroi këto gjëra të liga, dhe as ne nuk duhet t’i tolerojmë. (Zbulesa 2:18-22; Juda 3, 4) Prandaj, le t’i lutemi Jehovait për ndihmë, që të mos shmangemi nga urdhrat e tij, por të qëndrojmë në dritën e Fjalës së Perëndisë.—Psalmi 119:111, 112.
Mbështetje nga fjala e Perëndisë
11. Si i sheh Perëndia të ligjtë, siç na tregon Psalmi 119:119?
11 Nëse nuk shmangemi kurrë nga rregullat e Perëndisë, ai do të na mbështetë. (Psalmi 119:113-120) Ne nuk i miratojmë «njerëzit me zemër të lëkundur», ashtu siç Jezui nuk i miraton sot ata që thonë se janë të krishterë, por janë të vakët. (Psalmi 119:113; Zbulesa 3:16) Ngaqë i shërbejmë me gjithë zemër, Jehovai është ‘vendi ku fshihemi’ dhe do të na mbështetë. Ai ‘do t’i hedhë tej të gjithë ata që u shmangen rregullave të tij’ duke përdorur dredhi e mashtrime. (Psalmi 119:114, 117, 118; Fjalët e urta 3:32) Këta të ligj ai i sheh si ‘zgjyrën e metaleve’, domethënë si mbeturina që u hiqen metaleve të çmuara, siç janë ari e argjendi. (Psalmi 119:119; Fjalët e urta 17:3) Le të shfaqim gjithnjë dashuri për përkujtuesit e Perëndisë, pasi me siguri nuk duam të jemi ndër të ligjtë që do të shkatërrohen!
12. Pse është e rëndësishme frika ndaj Jehovait?
12 «Më ngjethet mishi nga frika jote [o Jehova], dhe vendimet e tua gjyqësore më frikësojnë»,—tha psalmisti. (Psalmi 119:120) Kjo frikë e shëndetshme ndaj Perëndisë, që e shfaqim duke shmangur gjërat që nuk i pëlqejnë atij, është jetësore, nëse duam që të na konsiderojë shërbëtorë të tij e të na mbështetë. Në rastin e Jobit, frika përnderuese ndaj Jehovait e ndihmoi që të ishte i drejtë gjatë gjithë jetës. (Jobi 1:1; 23:15) Frika ndaj Perëndisë na jep mundësi të vazhdojmë me vendosmëri në rrugën që pëlqen Perëndia, pavarësisht nga ato që na duhet të durojmë. Por, qëndrueshmëria kërkon të lutemi me zjarr e me besim.—Jakovi 5:15.
Të lutemi me besim
13-15. (a) Pse mund të kemi besim se lutjet tona do të marrin përgjigje? (b) Ç’mund të ndodhë nëse nuk dimë ç’të themi në lutje? (c) Ilustroni se si mund të zbatohet Psalmi 119:121-128 në lidhje me ‘rënkimet tona të pathëna’ kur lutemi.
13 Mund të lutemi me besimin se Perëndia do të veprojë për të na ndihmuar. (Psalmi 119:121-128) Ashtu si psalmisti, ne jemi të sigurt se lutjet tona do të marrin përgjigje. Pse? Sepse i duam urdhërimet e Perëndisë «më shumë se arin, madje më shumë se arin e kulluar». Për më tepër, ‘i çmojmë si të drejtë tërë urdhrat që ka dhënë Perëndia, në lidhje me gjithçka’.—Psalmi 119:127, 128.
14 Jehovai i dëgjon kërkesat tona, sepse i lutemi me besim dhe bëjmë kujdes që të veprojmë sipas urdhrave të tij. (Psalmi 65:2) Po në ato raste kur problemet tona janë kaq të ngatërruara, saqë nuk dimë çfarë të themi në lutje? Atëherë «vetë fryma ndërmjetëson për rënkimet tona të pathëna». (Romakëve 8:26, 27) Në raste të tilla, Perëndia pranon shprehjet që gjenden në Fjalën e tij të shkruar, si lutje për nevojat tona.
15 Shkrimet janë plot me lutje e mendime që mund t’u përshtaten ‘rënkimeve tona të pathëna’. Për shembull, le të shqyrtojmë Psalmin 119:121-128. Mënyra se si janë shprehur mendimet në këto vargje, mund të përputhet me rrethanat tona. Nëse mendojmë se dikush po na ha hakun, për shembull, mund t’i kërkojmë ndihmë Perëndisë siç i kërkoi psalmisti. (Vargjet 121-123) Ose, ta zëmë se duhet të marrim një vendim shumë të vështirë. Atëherë mund të lutemi që fryma e Jehovait të na ndihmojë që të kujtojmë e të zbatojmë përkujtuesit e tij. (Vargjet 124, 125) Edhe pse ‘urrejmë çdo shteg të rremë’, mund të na duhet t’i kërkojmë Perëndisë që të veprojë për ne, me qëllim që të mos dorëzohemi para ndonjë tundimi për të shkelur ligjin e tij. (Vargjet 126-128) Po ta lexojmë përditë Biblën, mund të na vijnë ndër mend vargje të tilla të dobishme ndërsa i lutemi Jehovait.
Ndihmë nga përkujtuesit e Jehovait
16, 17. (a) Pse kemi nevojë për përkujtuesit e Perëndisë e si duhet t’i shohim ata? (b) Si mund të na konsiderojnë të tjerët, por çfarë ka vërtet vlerë për ne?
16 Që të na dëgjohen lutjet dhe të kemi miratimin e Perëndisë, duhet t’u vëmë veshin përkujtuesve të tij. (Psalmi 119:129-136) Meqë si njerëz harrojmë shpejt, kemi nevojë për përkujtuesit e mrekullueshëm të Jehovait që na rikujtojnë udhëzimet dhe urdhërimet e tij. Sigurisht, ne e çmojmë dritën frymore që vjen nga çdo kuptueshmëri e re e fjalëve të Perëndisë. (Psalmi 119:129, 130) Jemi mirënjohës edhe që Jehovai ‘ka bërë të ndriçojë fytyra e tij mbi ne’ duke na miratuar, ndonëse ‘nga sytë tanë rrjedhin rrëke lotësh’ ngaqë të tjerët shkelin ligjin e tij.—Psalmi 119:135, 136; Numrat 6:25.
17 Do ta kemi me siguri miratimin e Perëndisë, nëse zbatojmë përkujtuesit e tij të drejtë. (Psalmi 119:137-144) Si shërbëtorë të Jehovait, ne e pranojmë se ai ka të drejtën të na japë përkujtues dhe të na i vërë si urdhërime që duhet t’i zbatojmë. (Psalmi 119:138) Por, meqë psalmisti u bindej urdhërimeve të Perëndisë, përse tha: «Jam i papërfillshëm dhe i përçmuar.» (Psalmi 119:141) Me sa duket, e kishte fjalën për mënyrën si e konsideronin armiqtë e tij. Kur ne jemi të vendosur që të mos bëjmë kompromis me drejtësinë tonë, të tjerët mund të na shohin me përçmim. Megjithatë, ajo që ka vërtet vlerë për ne është se Jehovai na miraton, ngaqë jetojmë në përputhje me përkujtuesit e tij të drejtë.
Të sigurt e në paqe
18, 19. Çfarë kemi si rrjedhojë, kur zbatojmë përkujtuesit e Perëndisë?
18 Ngaqë i zbatojmë përkujtuesit e Perëndisë, qëndrojmë afër tij. (Psalmi 119:145-152) Meqë u kushtojmë vëmendje përkujtuesve të Jehovait, e dimë se mund t’i thërrasim me gjithë zemër e mund të presim që të na dëgjojë. Ndoshta na ndodh që ‘të ngrihemi në mugëtirën e mëngjesit’ e t’i thërrasim atij për ndihmë. A s’është kjo një kohë e shkëlqyer për t’u lutur?! (Psalmi 119:145-147) Edhe Perëndia na qëndron afër, sepse e shmangim sjelljen e shthurur dhe e shohim fjalën e tij si e vërteta, ashtu siç bëri edhe Jezui. (Psalmi 119:150, 151; Gjoni 17:17) Lidhja që kemi me Jehovain na mbështet në këtë botë të trazuar dhe do të na mbështetë gjatë luftës së tij të madhe të Harmagedonit.—Zbulesa 7:9, 14; 16:13-16.
19 Duke qenë se kemi respekt të thellë për fjalën e Perëndisë, ne gëzojmë siguri të vërtetë. (Psalmi 119:153-160) Ndryshe nga të ligjtë, ne ‘nuk u jemi shmangur përkujtuesve të Jehovait’. I duam urdhrat e Perëndisë, prandaj ndihemi të sigurt në dashamirësinë e tij. (Psalmi 119:157-159) Përkujtuesit e Jehovait na vënë në punë kujtesën, kështu që, në çdo situatë, e mbajmë mend se çfarë kërkon ai prej nesh. Nga ana tjetër, urdhrat e Perëndisë janë direktiva dhe ne e pranojmë me gatishmëri të drejtën e Krijuesit për të na drejtuar. Duke e ditur se ‘brendia e fjalës së Perëndisë është e vërteta’ dhe se nuk i drejtojmë dot vetë hapat tanë, të pavarur prej tij, ne e pranojmë me kënaqësi drejtimin që na jep ai.—Psalmi 119:160; Jeremia 10:23.
20. Pse kemi «paqe të madhe»?
20 Dashuria që kemi për ligjin e Jehovait na sjell paqe të madhe. (Psalmi 119:161-168) Përndjekja nuk na heq ‘paqen e Perëndisë’ që është e pakrahasueshme. (Filipianëve 4:6, 7) I vlerësojmë kaq shumë vendimet gjyqësore të Jehovait, saqë e lavdërojmë shpesh për të, «shtatë herë në ditë». (Psalmi 119:161-164) Psalmisti këndoi: «Ata që e duan ligjin tënd, kanë paqe të madhe, dhe s’ka asgjë që t’i pengojë.» (Psalmi 119:165) Nëse secili prej nesh e do dhe e zbaton ligjin e Jehovait, nuk do të pengohemi frymësisht nga ajo që bëjnë të tjerët ose për ndonjë çështje tjetër.
21. Cilët shembuj biblikë tregojnë se nuk duhet të pengohemi, nëse lindin vështirësi brenda kongregacionit?
21 Shumë individë që përmenden në Bibël, nuk lejuan asgjë që t’i pengonte përgjithnjë. Për shembull, një i krishterë me emrin Gaji nuk u pengua, por ‘vazhdoi të ecte në të vërtetën’, pavarësisht nga veprimet e paperëndishme të Diotrefit. (3 Gjonit 1-3, 9, 10) Pavli i nxiti Evodinë dhe Sintikinë, dy gra të krishtere, që ‘të ishin në një mendje në Zotërinë’, ndoshta sepse midis tyre kishin lindur disa vështirësi. Me sa duket, kjo këshillë i ndihmoi ta zgjidhnin problemin, e kështu vazhduan t’i shërbenin me besnikëri Jehovait. (Filipianëve 4:2, 3) Prandaj, s’kemi pse të pengohemi, nëse brenda kongregacionit lindin disa vështirësi. Le të përqendrohemi në zbatimin e urdhrave të Jehovait, duke mos harruar se ‘tërë udhët tona janë para tij’. (Psalmi 119:168; Fjalët e urta 15:3) Nëse veprojmë kështu, asgjë nuk do të na e heqë përgjithnjë ‘paqen e madhe’ që gëzojmë.
22. (a) Cilin privilegj mund të kemi, nëse i bindemi Perëndisë? (b) Si duhet t’i shohim disa që janë larguar nga kongregacioni i krishterë?
22 Në qoftë se i bindemi gjithnjë Jehovait, do të kemi privilegjin të vazhdojmë t’i japim atij lavdi. (Psalmi 119:169-176) Duke jetuar në përputhje me rregullat e Perëndisë, jo vetëm që kemi siguri frymore, por ‘nga buzët tona gurgullojnë lavde’ për Jehovain. (Psalmi 119:169-171, 174) Për ne, ky është privilegji më i madh që mund të kishim në këto ditë të fundit. Psalmisti donte të vazhdonte të jetonte e t’i jepte lavdi Jehovait, por në ndonjë mënyrë që nuk është treguar, ai ishte ‘endur sa andej-këtej si dele e humbur’. (Psalmi 119:175, 176) Disa që janë larguar nga kongregacioni i krishterë, mund të kenë ende dashuri për Perëndinë dhe duan t’i japin lavdi atij. Prandaj, le të bëjmë çmos që t’i ndihmojmë të gjejnë përsëri siguri frymore dhe të kenë kënaqësinë që ta lëvdojnë Jehovain bashkë me popullin e tij.—Hebrenjve 13:15; 1 Pjetrit 5:6, 7.
Dritë e përhershme për shtegun tonë
23, 24. Çfarë dobish keni nxjerrë nga Psalmi 119?
23 Psalmi 119 mund të jetë i dobishëm për ne në shumë drejtime. Për shembull, na bën të mbështetemi më shumë te Perëndia, sepse tregon që lumturia e vërtetë vjen kur ‘ecim sipas ligjit të Jehovait’. (Psalmi 119:1) Psalmisti na rikujton se ‘brendia e fjalës së Perëndisë është e vërteta’. (Psalmi 119:160) Me siguri, kjo duhet të na e shtojë çmueshmërinë që kemi për gjithë Fjalën e shkruar të Perëndisë. Meditimi rreth Psalmit 119 duhet të na nxitë që t’i studiojmë me zell Shkrimet. Psalmisti iu lut vazhdimisht Perëndisë: «Më mëso rregullat e tua.» (Psalmi 119:12, 68, 135) Gjithashtu, u lut: «Më mëso të kem mirësi, gjykim të shëndoshë dhe njohuri, sepse kam treguar besim te urdhërimet e tua.» (Psalmi 119:66) Edhe ne duhet të lutemi po kështu.
24 Mësimi i Jehovait na jep mundësi që të kemi një marrëdhënie të ngushtë me të. Psalmisti e quan vazhdimisht veten shërbëtor të Perëndisë. Madje i drejtohet Jehovait me këto fjalë prekëse: «Unë të përkas ty.» (Psalmi 119:17, 65, 94, 122, 125; Romakëve 14:8) Sa privilegj i madh është t’i shërbejmë Jehovait e ta lavdërojmë si Dëshmitarë të tij! (Psalmi 119:7) A po i shërben me gëzim Perëndisë si lajmëtar i Mbretërisë? Nëse po, të jesh i sigurt se Jehovai do të vazhdojë të të mbështetë dhe të të bekojë në këtë vepër të privilegjuar, në qoftë se beson gjithnjë te fjala e tij dhe e lejon që të të ndriçojë shtegun.
Si do të përgjigjeshit?
• Pse duhet ta kemi në zemër fjalën e Perëndisë?
• Si na mbështet fjala e Perëndisë?
• Si na ndihmojnë përkujtuesit e Jehovait?
• Pse shërbëtorët e Jehovait janë të sigurt dhe në paqe?
[Figura në faqen 16]
Fjala e Perëndisë është burim drite frymore
[Figura në faqen 17]
Nëse i duam përkujtuesit e Jehovait, ai nuk do të na shohë kurrë si «zgjyra e metaleve»
[Figurat në faqen 18]
Po ta lexojmë përditë Biblën, mund të na vijnë me lehtësi në mendje vargje të dobishme, ndërsa lutemi