A të njeh me të vërtetë Perëndia?
«O Jehova, . . . ti je bërë familjar edhe me të gjitha rrugët e mia.»—PSALMI 139:1, 3, BR.
1. Sa e përhapur është ndjenja se «të tjerët nuk i kuptojnë» ankthet, problemet dhe presionet që ne përballojmë?
AI KUPTON dikush me të vërtetë ankthet, presionet dhe problemet që has ti? Në të gjithë botën ka me miliona njerëz, të rinj dhe të vjetër, që nuk kanë familje apo të afërm që të kujdesen për çka u ndodh atyre. Madje edhe brenda familjes, shumë gra—edhe burra—e ndiejnë se bashkëshortët e tyre nuk i kuptojnë me të vërtetë presionet që rëndojnë mbi ta. Herë pas here, të zhgënjyer, ata protestojnë: «Por ti nuk më kupton!» Po kështu edhe shumë të rinj kanë arritur në përfundimin se askush nuk i kupton më. Megjithatë, midis atyre që kanë dashur një kuptueshmëri më të madhe prej të tjerëve, ka disa, jeta e të cilëve ka marrë më vonë një domethënie të madhe. Si është e mundur kjo?
2. Çfarë u bën të mundur adhuruesve të Jehovait që të kenë një jetë plotësisht të kënaqur?
2 Është e mundur, sepse, pavarësisht nga fakti nëse njerëzit e tjerë i kuptojnë plotësisht apo jo ndjenjat e tyre, ata besojnë se Perëndia e kupton atë çka ata provojnë dhe se si shërbëtorë të tij ata nuk i përballojnë problemet të vetëm. (Psalmi 46:1) Për më tepër, Fjala e Perëndisë bashkë me ndihmën e pleqve të krishterë të pajisur me kuptueshmëri, u ka mundësuar atyre që të shohin përtej problemeve të tyre personale. Shkrimet i ndihmojnë ata që të vlerësojnë faktin se shërbimi i tyre besnik është i çmuar në sy të Perëndisë dhe se ata që mbesin me shpresë tek ai dhe tek masat që ai ka marrë nëpërmjet Jezu Krishtit, kanë një të ardhme të sigurt.—Proverbat 27:11; 2. Korintasve 4:17, 18.
3, 4. (a) Në ç’mënyrë mund të na ndihmojë për të provuar gëzim në shërbimin e Jehovait fakti se «Jehovai është Perëndi» dhe se ai «na ka bërë»? (b) Përse duhet të kemi besim të plotë në kujdesin e dashur të Jehovait?
3 Ti ndoshta e njeh Psalmin 100:2, që thotë: «I shërbeni Zotit [Jehovait, BR] me gaz, ejani para tij me këngë gëzimi.» Sa veta kryejnë me të vërtetë një adhurim të tillë ndaj Jehovait? Arsye të shëndosha për një veprim të tillë na jepen në vargun 3, që na kujton: «Pranoni që Zoti [Jehovai, BR] është Perëndi; na ka bërë ai dhe jo ne vetë; ne jemi populli i tij dhe kopeja e kullotës së tij.» Në tekstin hebre për të është përdorur fjala Elo·him΄, që tregon madhësinë e tij në madhështi, dinjitet dhe shkëlqesi. Ai është Perëndia i vetëm i vërtetë. (Ligji i përtërirë 4:39; 7:9; Gjoni 17:3) Shërbëtorët e tij e njohin Hyjninë e tij jo thjesht si një fakt që u është mësuar, por si diçka që e provojnë dhe për të cilën ata japin dëshmi me anë të bindjes, besimit dhe devotshmërisë.—1. Kronikat 28:9; Romakëve 1:20.
4 Pasi Jehovai është Perëndia i gjallë, i aftë për të parë edhe zemrat tona, asgjë nuk është e fshehur prej syve të tij. Ai është plotësisht i vetëdijshëm për çka ndodh në jetën tonë. Ai e kupton se kush i shkakton problemet me të cilat ballafaqohemi ne, si dhe trazirat mendore dhe emocionale që mund të vijnë prej tyre. Si Krijues, ai na njeh më mirë sesa njohim ne vetveten. Ai di, gjithashtu, se si të na ndihmojë për t’u ballafaquar me situatën tonë dhe si të sigurojë një lehtësim të qëndrueshëm. Me dashuri ai do të na ndihmojë—si një bari që mban në gji të tij një qengj—ndërsa ne besojmë tek ai me gjithë zemrën tonë. (Proverbat 3:5, 6; Isaia 40:10, 11) Një studim i Psalmit 139 mund të bëjë shumë për të forcuar këtë besim.
Ai që sheh të gjitha rrugët tona
5. Ç’do të thotë se Jehovai na ka «hetuar» dhe përse kjo është e dëshirueshme?
5 Me një çmueshmëri të thellë, psalmisti David shkroi: «O Jehova, ti më ke hetuar dhe ti më njeh.» (Psalmi 139:1, BR) Davidi kishte besim se njohuria e Jehovait për të nuk ishte e sipërfaqshme. Perëndia nuk e shihte Davidin siç mund ta shihnin njerëzit, duke vërejtur vetëm shtatin e tij fizik, aftësinë e tij të të folurit apo shkathtësinë e tij kur luante në harpë. (1. Samuelit 16:7, 18) Jehovai kishte «hetuar» në gjërat më intime të Davidit dhe e kishte bërë këtë me një përkujdesje të dashur për mirëqenien e tij frymore. Nëse je një shërbëtor i devotshëm i Jehovait, ai të njeh po aq mirë sa njohu edhe Davidin. A nuk ngjall kjo brenda ndjenjave të tua mirënjohje dhe nderim të thellë?
6. Si tregon Psalmi 139:2, 3 se Jehovai njeh gjithçka që bëjmë, madje edhe të gjitha mendimet tona?
6 Të gjitha aktivitetet e Davidit ishin të shfaqura në sy të Jehovait dhe Davidi ishte i vetëdijshëm për këtë. «Ti e di kur ulem e kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim. Ti e shqyrton me kujdes ecjen time dhe pushimin tim dhe i njeh thellë të gjitha rrugët e mia.» (Psalmi 139:2, 3) Fakti se Jehovai është në qiell, shumë larg nga toka, nuk e pengon që të dijë se çfarë po bën apo çfarë po mendon Davidi. Ai «e shqyrton me kujdes», ose e mat me kujdes, aktivitetin e Davidit, si ditën dhe natën, aq sa të dijë edhe natyrën e tij.
7. (a) Duke pasur si bazë disa raste nga jeta e Davidit, komento mbi disa gjëra në jetën tënde, për të cilat Perëndia është i vetëdijshëm. (b) Si ndikon kjo dijeni mbi ne?
7 Kur dashuria për Perëndinë dhe besimi tek fuqia e Tij për të çliruar e nxitën Davidin të dilte vullnetar për të luftuar me gjigantin filiste, Goliadin, Jehovai e vërejti këtë. (1. Samuelit 17:32-37, 45-47) Më vonë, kur armiqësia e njerëzve i shkaktoi Davidit dhimbje të rënda në zemër, kur shtypja ishte aq e madhe, sa qante natën, ai u ngushëllua prej njohurisë se Jehovai e dëgjonte lutjen e tij. (Psalmet 6:6, 9; 55:2-5, 22) Po kështu, kur një zemër plot me mirënjohje e bëri Davidin të meditonte mbi Jehovain gjatë një nate pa gjumë, Jehovai ishte po aq i vetëdijshëm për këtë. (Psalmi 63:6; krahaso Filipianëve 4:8, 9.) Një mbrëmje, kur Davidi pa gruan e një fqinji duke u larë, Jehovai e dinte edhe këtë dhe e pa se çfarë ndodhi kur Davidi, edhe pse për pak kohë, e lejoi dëshirën mëkatare të linte jashtë mendimeve të tij Perëndinë. (2. Samuelit 11:2-4) Më vonë, kur profeti Natan u dërgua për të ballafaquar Davidin me seriozitetin e mëkatit të tij, Jehovai jo vetëm që i dëgjoi fjalët që dolën prej gojës së Davidit, por dalloi edhe zemrën e penduar prej nga dolën ato fjalë. (2. Samuelit 12:1-14; Psalmi 51:1, 17) A nuk duhet të na bëjë kjo gjë që të mendojmë seriozisht se ku shkojmë, çfarë bëjmë apo çfarë kemi në zemër?
8. (a) Në ç’mënyrë «fjala e gjuhës sonë» ndikon mbi qëndrimin tonë me Perëndinë? (b) Si mund të kapërcehet dobësia në përdorimin e gjuhës? (Mateu 15:18; Luka 6:45)
8 Pasi Perëndia di çdo gjë që bëjmë, nuk duhet të habitemi që ai njeh edhe mënyrën se si e përdorim ne një gjymtyrë të tillë të vogël të trupit siç është gjuha. Mbreti David e kuptoi këtë dhe shkroi: «Sepse, edhe para se të jetë fjala mbi gojën time ti, o Zot [Jehova, BR], e di atë plotësisht.» (Psalmi 139:4) Davidi e dinte mirë se ata që do të priteshin si miq në tendën e Jehovait, duhej të ishin njerëz që nuk shpifnin për të tjerët dhe që refuzonin ta përdornin gjuhën për të përhapur thashetheme të vogla tërheqëse që do të fajësonin ndonjë të njohur të afërm. Ata që kishin favorin e Jehovait duhej të ishin njerëz që flitnin fjalë të vërteta edhe në zemër. (Psalmi 15:1-3; Proverbat 6:16-19) Askush prej nesh nuk mund ta mbajë gjuhën nën një kontroll të plotë, megjithatë Davidi nuk përfundoi me dobësi se nuk mund të bëhej asgjë për të përmirësuar gjendjen. Ai kaloi shumë kohë duke kompozuar dhe duke kënduar psalme lavdie për Jehovain. Ai, gjithashtu, pranoi hapur nevojën për ndihmë dhe për t’iu lutur Perëndisë për këtë ndihmë. (Psalmi 19:12-14) A kemi edhe ne nevojë për të shqyrtuar në lutje mënyrën se si e përdorim gjuhën?
9. (a) Çfarë tregon përshkrimi në Psalmin 139:5 mbi mënyrën e plotë në të cilën e njeh Perëndia gjendjen tonë? (b) Çfarë besimi duhet të na japë kjo?
9 Jehovai nuk na shikon ne apo gjendjen tonë vetëm nën një perspektivë të kufizuar. Ai ka një kuadër të plotë, nga të gjitha anët. Duke marrë si shembull një qytet të rrethuar, Davidi shkroi: «Ti më rrethon nga pas dhe përpara.» Në rastin e Davidit, Perëndia nuk ishte një armik rrethues; më mirë të themi që ishte një rojë vigjilente. «Dhe vë dorën tënde mbi mua»,—shtoi Davidi, duke treguar kontrollin dhe mbrojtjen që ushtron Perëndia për dobinë e përhershme të atyre që e duan atë. Davidi pranoi: «Njohja jote është shumë e mrekullueshme për mua, aq e lartë sa unë nuk mund ta arrij.» (Psalmi 139:5, 6) Njohja e Perëndisë për shërbëtorët e tij është kaq e plotë dhe rrënjësore, saqë ne nuk mund ta kuptojmë plotësisht. Por ne njohim mjaft për të besuar se Jehovai na kupton me të vërtetë dhe se ndihma që ai siguron do të jetë më e mira.—Isaia 48:17, 18.
Kudo që të jemi, Perëndia mund të na ndihmojë
10. Cila e vërtetë inkurajuese na jepet nga përshkrimi i gjallë në Psalmin 139:7-12?
10 Duke e vështruar kujdesin e dashur të Jehovait nga një këndvështrim tjetër, psalmisti vazhdoi: «Ku do të mund të shkoja larg Frymës sate, ose ku do të mund të ikja larg pranisë sate?» Ai nuk dëshironte të ikte nga Jehovai; përkundrazi, ai e kuptonte se kudo që të ishte, Jehovai do ta dinte dhe do ta ndihmonte me anë të frymës së shenjtë. «Në rast se ngjitem në qiell, ti je atje; në rast se shtrij shtratin tim në Sheol, ti je edhe aty. Në rast se marr krahët e agimit dhe shkoj të banoj në skajin e detit, edhe aty dora jote do të më udhëheqë dhe dora jote e djathtë do të më kapë. Po të them: ‘Me siguri terri do të më fshehë’, madje edhe nata do të bëhet dritë rreth meje: terri vetë nuk mund të të fshehë asgjë madje edhe nata shkëlqen si dita; terri dhe drita janë të barabarta për ty.» (Psalmi 139:7-12) Nuk ka asnjë vend ku mund të shkojmë, asnjë rrethanë që mund të përballojmë, që të mund të na çojë përtej syve të Jehovait apo përtej kufirit të arritjes së frymës së tij për të na ndihmuar.
11, 12. (a) Edhe pse Jonai u largua për një farë kohe, si u shfaq aftësia e Jehovait për të parë dhe ndihmuar në rastin e Jonait? (b) Si duhet të përfitojmë prej përvojës së Jonait?
11 Për një moment, profeti Jonai e harroi këtë. Jehovai e kishte caktuar që t’u predikonte njerëzve në Ninevi. Për disa arsye, ai e ndjeu se nuk mund ta përballonte këtë caktim. Ndoshta për shkak të reputacionit të egër të asirianëve, mendimi për të shërbyer në Ninevi e frikësoi Jonain. Kështu, ai u mundua të largohej. Në portin detar të Jopës, ai hipi në një anije që shkonte në Tarsis (vend që zakonisht lidhet me Spanjën, mbi 3.500 km në perëndim të Ninevisë). Megjithatë, Jehovai e pa kur hipi në anije dhe kur shkoi të flinte poshtë në hambar. Perëndia e dinte edhe se ku ndodhej Jonai, kur e hodhën nga anija dhe Jehovai e dëgjoi Jonain kur premtoi brenda barkut të peshkut të madh se do ta mbante betimin. Pasi doli në tokë të thatë, Jonait iu dha përsëri një mundësi për të përmbushur caktimin e tij.—Jonai 1:3, 17; 2:1-3:4.
12 Sa mirë do të ishte për Jonain, sikur të kish besuar qysh në fillim se fryma e Jehovait do ta ndihmonte për të përmbushur caktimin e tij! Megjithatë, më vonë, Jonai me përulësi e shënoi përvojën e tij dhe ky tregim ka ndihmuar shumë veta që të tregojnë besim në Jehovain, gjë që Jonait fillimisht iu duk shumë e vështirë për t’u pasur.—Romakëve 15:4.
13. (a) Çfarë caktimesh përmbushi me besnikëri Elija para se të ikte nga mbretëresha Jezabel? (b) Si e ndihmoi Jehovai Elijan edhe atëherë kur ai kërkoi të largohej nga territori i Izraelit?
13 Përvoja e Elias ishte krejt e ndryshme. Ai e kishte shpërndarë me besnikëri dekretin e Jehovait se Izraeli do të vuante nga thatësira, si ndëshkim për mëkatet e tyre. (1. Mbretërve 16:30-33; 17:1) Ai e kishte mbrojtur me guxim adhurimin e vërtetë gjatë çështjes midis Jehovait dhe Baalit në malin Karmel. Ai kishte ekzekutuar, gjithashtu, 450 profetët e Baalit në luginën e përroit të Kishonit. Por kur mbretëresha Jezabelë, në zemërim e sipër u betua se do ta vriste Elijan, ai u largua nga vendi. (1. Mbretërve 18:18-40; 19:1-4) A ishte aty Jehovai për ta ndihmuar në atë moment të vështirë? Në të vërtetë, po. Nëse Elija do të ngjitej në një mal të lartë, si të ishte në qiell; nëse do të fshihej në një gropë të thellë brenda në tokë, sikur të ishte në Sheol; nëse do të shkonte në ndonjë ishull të largët me shpejtësinë që përhapet drita e agimit mbi tokë—dora e Jehovait do të ishte aty, për ta forcuar dhe udhëhequr atë. (Krahaso Romakëve 8:38, 39.) Dhe Jehovai e forcoi Elijan jo vetëm me ushqim gjatë udhëtimit të tij, por edhe me shfaqje të mrekullueshme të forcës së Tij aktive. I forcuar në këtë mënyrë, Elija mori përsipër caktimin e tij vijues profetik.—1. Mbretërve 19:5-18.
14. (a) Përse është e gabuar të përfundojmë se Perëndia është i kudondodhur? (b) Në çfarë rrethanash Jehovai i ka mbështetur me dashuri shërbëtorët e tij në kohët moderne? (c) Në çfarë kuptimi Perëndia do të jetë aty edhe sikur ne të jemi në Sheol?
14 Fjalët profetike të Psalmit 139:7-12 nuk do të thonë se Perëndia është i kudondodhur, se ai është personalisht i pranishëm në çdo vend dhe në çdo kohë. Shkrimet tregojnë qartë të kundërtën. (Ligji i përtërirë 26:15; Hebrenjve 9:24) Megjithatë, shërbëtorët e tij nuk janë kurrë përtej kufirit të arritjes së tij. Kjo është e vërtetë për ata, caktimet teokratike të të cilëve i kanë çuar në vende të largëta. Kjo ishte e vërtetë për Dëshmitarët besnikë në kampet naziste të përqendrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ishte e vërtetë edhe për misionarët e mbajtur nëpër burgjet e izoluara në Kinë gjatë fundit të viteve ’50 dhe fillimit të viteve ’60. Kjo ishte e vërtetë edhe për vëllezërit dhe motrat tona të dashura në një vend të Afrikës Qendrore, të cilëve iu desh vazhdimisht të braktisnin fshatrat, madje edhe vendin e tyre. Nëse është e nevojshme, Jehovai mund të arrijë edhe në Sheol, në varrin e përbashkët, dhe të rikthejë sërish besnikët me anë të ringjalljes.—Jobi 14:13-15; Luka 20:37, 38.
Ai që na kupton me të vërtetë
15. (a) Që prej cilës kohë Jehovai ka mundur të vëzhgojë zhvillimin tonë? (b) Si tregohet gjerësia e njohjes që ka Perëndia mbi ne, nga referimi që bën psalmisti mbi veshkat?
15 Nën frymëzim, psalmisti i kushtoi vëmendje faktit që njohuria e Perëndisë për ne tejkalon edhe kohën e lindjes sonë, duke thënë: «Po, ti ke formuar të përbrëndëshmet [veshkat, BR] e mia, ti më ke endur në barkun e nënes sime. Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar, dhe unë e di shumë mirë këtë gjë.» (Psalmi 139:13, 14) Kombinimi i gjeneve të babait dhe nënës sonë në kohën e ngjizjes, prodhon trashëgiminë që ndikon thellësisht në potencialin tonë fizik dhe mendor. Perëndia e kupton këtë potencial. Në këtë psalm janë përmendur veçanërisht veshkat, të cilat janë përdorur shpesh në Shkrimet për të përfaqësuar aspektet më të fshehta të personalitetit.a (Psalmi 7:9; Jeremia 17:10) Jehovai i ka ditur këto hollësi mbi ne, përpara se të lindnim. Ai e ka projektuar, gjithashtu, trupin e njeriut me përkujdesje të dashura, në atë mënyrë që qeliza e pllenuar brenda mitrës së nënës, të prodhojë një vend mbrojtës për të «endur» embrionin dhe për ta mbrojtur ndërsa zhvillohet.
16. (a) Në ç’mënyrë e nënvizon Psalmi 139:15, 16 fuqinë depërtuese të pamjes së Perëndisë? (b) Përse duhet të na inkurajojë kjo?
16 Pastaj, duke lavdëruar fuqinë depërtuese të pamjes së Jehovait, psalmisti shton: «Kockat e mia nuk ishin një e fshehtë për ty kur u formova në fshehtësi duke u endur në thellësitë e tokës [me sa duket një referim poetik për mitrën e nënës së tij, por duke aluduar për krijimin e Adamit nga pluhuri]. Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim, dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre [pjesëve të dukshme të trupit] nuk ekzistonte ende.» (Psalmi 139:15, 16) Nuk ka asnjë dyshim: na kuptojnë apo jo njerëzit e tjerë, Jehovai na kupton. Si duhet të ndikojë kjo mbi ne?
17. Kur shohim se sa të mrekullueshme kanë qenë veprat e Perëndisë, për çfarë duhet të na nxisë kjo?
17 Shkrimtari i Psalmit 139 e pranoi se veprat e Perëndisë mbi të cilat ai kishte shkruar ishin të mrekullueshme. A ndihesh edhe ti po kështu? Diçka që është e mrekullueshme e bën një njeri të mendojë thellë dhe të tregojë një vëmendje të madhe. Po kështu, ti reagon në këtë mënyrë ndaj veprave të krijimit fizik të Jehovait. (Krahaso Psalmi 8:3, 4, 9.) A e ke këtë lloj mendimi edhe për atë që ai ka bërë për vendosjen e Mbretërisë Mesianike, për atë që po bën për predikimin e lajmit të mirë në të gjithë tokën dhe për mënyrën në të cilën Fjala e tij transformon personalitetin e njerëzve?—Krahaso 1. Pjetrit 1:10-12.
18. Nëse e ndjejmë se veprat e Perëndisë na frymëzojnë frikë, si duhet të ndikojë kjo mbi ne?
18 A tregon përvoja jote se soditja e veprave të Perëndisë të frymëzon frikë, se prodhon tek ti një frikë të shëndoshë, të atillë që të nxit fuqishëm, që ndikon fuqishëm mbi personalitetin tënd dhe mbi mënyrën se si e përdor jetën tënde? (Krahaso Psalmin 66:5.) Nëse është kështu, atëherë zemra jote do të të shtyjë për të lavdëruar Jehovain, për ta lëvduar atë, për të krijuar mundësi që t’ua tregosh edhe të tjerëve qëllimet e tij dhe gjërat e mrekullueshme që ka ruajtur për ata që e duan.—Psalmi 145:1-3.
[Shënimi]
a Shiko Insight on the Scriptures, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., volumi 2, faqe 150, angl.
Si do të komentoje?
◻ Si do të na ndihmojë njohuria se «Jehovai është Perëndi», për t’i shërbyer me gëzim?
◻ Si duhet të ndikojë mbi jetën tonë fakti se Perëndia di gjithçka që bëjmë?
◻ Përse është inkurajues fakti se nuk jemi kurrë jashtë nga pamja e Perëndisë?
◻ Përse Perëndia mund të na kuptojë në atë mënyrë që njerëzit nuk munden?
◻ Përse një studim i tillë duhet të na bëjë që të lavdërojmë Jehovain?