«Lëvdoni Jah»—Përse?
‘Lëvdoni Jah, sepse është kënaqësi, . . . është e hijshme ta lëvdosh.’—PSAL. 147:1.
1-3. (a) Me sa duket, kur u shkrua Psalmi 147? (b) Ç’mund të mësojmë teksa studiojmë Psalmin 147?
KUR dikush e bën mirë një punë që i është caktuar ose kur na lë mbresa një cilësi e krishterë që shfaq, meriton ta lëvdojmë. Nëse është kështu për njerëzit, sa më shumë arsye kemi të lëvdojmë Perëndinë Jehova! Mund ta lëvdojmë për fuqinë e tij të pakufi, që shihet te mrekullitë e krijimit, ose për dashurinë e ngrohtë që ka treguar ndaj njerëzve, siç provon fakti që ka siguruar flijimin shpërblyes të Birit të tij.
2 Shkrimtarin e Psalmit 147 e nxiti zemra të lëvdonte Jehovain. Veç kësaj, ai inkurajoi edhe të tjerët që të bashkoheshin me të për të lëvduar Perëndinë.—Lexo Psalmin 147:1, 7, 12.
3 Nuk e dimë kush e shkroi këtë psalm, por me sa duket psalmisti jetoi në periudhën kur Jehovai i ktheu izraelitët në Jerusalem nga mërgimi në Babiloni. (Psal. 147:2) Patjetër që kthimi i popullit të Perëndisë në vendin e adhurimit të vërtetë do ta ketë nxitur psalmistin të lëvdonte Jehovain. Gjithsesi, ai përmendi edhe arsye të tjera. Cilat ishin këto? Çfarë arsyesh ke ti që të thërrasësh «lëvdoni Jah»?—Psal. 147:1.
JEHOVAI SHËRON ZEMËRVRARËT
4. Si duhet të jenë ndier izraelitët e mërguar kur i çliroi mbreti Kir, dhe pse?
4 Përfytyro si duhet të jenë ndier në Babiloni izraelitët e mërguar. Ata që i mbanin robër u thoshin me qesëndi: «Na këndoni ndonjë këngë nga ato të Sionit!» Në atë kohë Jerusalemi, shkaku kryesor i gëzimit që kishin falë Jehovait, ishte shkretuar. (Psal. 137:1-3, 6) Judenjve nuk u vinte fare të këndonin. E kishin zemrën të vrarë dhe kishin nevojë për ngushëllim e inkurajim. Megjithatë, tamam siç thoshte fjala profetike e Perëndisë, çlirimi erdhi nëpërmjet Kirit, mbretit të Persisë. Ai pushtoi Babiloninë dhe deklaroi: «Jehovai . . . më ka ngarkuar që t’i ndërtoj një shtëpi në Jerusalem. . . . Perëndia Jehova qoftë me atë që bën pjesë në popullin e tij! Le të shkojë atje.» (2 Kron. 36:23) Sa shumë duhet t’u ketë dhënë zemër kjo ngjarje izraelitëve që jetonin në Babiloni!
5. Çfarë thotë psalmisti rreth fuqisë së Jehovait për të na shëruar?
5 Jehovai i dha zemër jo vetëm kombit të Izraelit si një i tërë, por edhe çdo individi. Njësoj është edhe sot. Psalmisti shkroi për Perëndinë: «Ai shëron zemërvrarët dhe lidh plagët e tyre të dhembshme.» (Psal. 147:3) Po, Jehovai merakoset dhe kujdeset për ata që kalojnë probleme—qofshin fizike a emocionale. Sot Jehovai dëshiron me zjarr të na ngushëllojë e të na shërojë plagët emocionale. (Psal. 34:18; Isa. 57:15) Ai na jep mençuri dhe forcë që të përballojmë çdo problem që mund të hasim.—Jak. 1:5.
6. Si mund të nxjerrim dobi nga fjalët e Psalmit 147:4, që duken si ndryshim argumenti? (Shih figurën hapëse.)
6 Pastaj psalmisti e kthen vëmendjen lart nga qielli, dhe na thotë se Jehovai «numëron yjet» dhe «i thërret të gjitha me emër». (Psal. 147:4) Pse psalmisti, me sa duket në pamje të parë, ndryshoi argument dhe përmendi trupat qiellorë? Mendo pak: ai mund t’i shihte me sy yjet, por s’e kishte idenë sa shumë janë në të vërtetë. Me kalimin e viteve, numri i yjeve që mund të shohim është rritur në mënyrë marramendëse. Disa mendojnë se vetëm galaktika jonë Udha e Qumështit ka me miliarda yje. Dhe në univers mund të jenë triliona galaktika. Për ne, yjet janë vërtet të panumërta. Ama, Krijuesi u vë të gjithave një emër. Kjo do të thotë se për Jehovain çdo yll është unik. (1 Kor. 15:41) Ç’të themi për njerëzit, krijesat e tij në tokë? Perëndia që e di ku ndodhet secili yll në çfarëdo momenti, të njeh edhe ty si individ—di në çfarëdo momenti ku ndodhesh me saktësi, si ndihesh tamam dhe ç’të nevojitet konkretisht.
7, 8. (a) Çfarë merr parasysh Jehovai kur shpëton shërbëtorët e tij nga sprovat? (b) Jepni një shembull që tregon sa i dhembshur është Jehovai kur ndihmon njerëzit e papërsosur.
7 Jehovai jo vetëm interesohet për ty si person, por ka edhe fuqinë dhe empatinë e nevojshme për të të ndihmuar të përballosh problemet e jetës. (Lexo Psalmin 147:5.) Mbase të duket se situata jote është tepër e vështirë dhe se nuk e mban dot një barrë kaq të rëndë. Perëndia i kupton kufizimet e tua dhe ‘nuk harron që je pluhur’. (Psal. 103:14) Si të papërsosur, ne bëjmë të njëjtat gabime shumë e shumë herë. Ah, sa keq na vjen për ato fjalë që na shkanë nga goja, për ato prirje të mishit që nxjerrin kokë herë pas here ose për ato ndjenja zilie nga ajo që kanë të tjerët! Jehovai vetë nuk ka mangësi të tilla; e megjithatë, kuptueshmëria që ka për ne është e pakufi, e pahetueshme!—Isa. 40:28.
8 Tashmë mund ta kesh provuar se si të ndihmoi e të dha forcë në ndonjë sprovë dora e fuqishme e Jehovait. (Isa. 41:10, 13) Mendo pak, për shembull, për rastin e Kijokos, një pioniere që u shkurajua shumë pas transferimit në një caktim tjetër. Si tregoi Jehovai se i kuptonte mirë problemet e saj? Në atë ambient të ri, Kijoko kishte përreth plot njerëz që i kuptonin ndjenjat e saj. Ndjeu se Jehovai po i thoshte: «Unë të dua, jo thjesht ngaqë je pioniere, por ngaqë je bija ime dhe më je kushtuar mua. Dua ta shijosh jetën si Dëshmitarja ime!» Si ka treguar i Plotfuqishmi në rastin tënd se «kuptueshmëria e tij s’tregohet me fjalë»?
JEHOVAI SIGURON Ç’NA NEVOJITET
9, 10. Ç’na siguron së pari Jehovai kur na ndihmon? Jepni një shembull.
9 Ndonjëherë nevojat e tua mund të jenë fizike. Për shembull, mbase ke merak se nuk do të kesh mjaft ushqim. Megjithatë, Jehovai është ai që krijoi ciklin natyror të nevojshëm për t’u rritur ushqimi, madje edhe për zogjtë e korbit që thërrasin për ushqim. (Lexo Psalmin 147:8, 9.) Nëse Jehovai vazhdon të ushqejë korbat, mund të kesh besim të plotë se do të të sigurojë edhe ty gjërat e nevojshme materiale.—Psal. 37:25.
10 Ç’është më e rëndësishmja, Jehovai siguron ç’na nevojitet për ta mbajtur besimin të fortë dhe na jep ‘paqen e Tij, që kapërcen çdo mendim’. (Filip. 4:6, 7) Të mendojmë, për shembull, për rastin e Mucuos dhe gruas së tij që provuan si i mbështeti e u dha forcë Jehovai pas tsunamit të vitit 2011 në Japoni. Ata mezi shpëtuan gjallë nga tsunami duke u ngjitur në çatinë e shtëpisë. Mirëpo, atë ditë humbën thuajse gjithçka që kishin. Natën e errët e të ftohtë e kaluan në një dhomë në katin e dytë të shtëpisë së tyre karakatinë. Në mëngjes kërkuan të gjenin diçka që t’i inkurajonte. I vetmi libër që arritën të gjenin ishte Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait 2006. Menjëherë, Mucuos i zuri syri nëntitullin «Tsunamet më vdekjeprurëse të regjistruara deri tani». Aty flitej për një tërmet në Sumatra, që në vitin 2004 shkaktoi tsunamin më shkatërrues të regjistruar në histori. Mucuo dhe e shoqja qanë teksa lexonin përvojat njëra pas tjetrës. Ndien kujdesin e ngrohtë dhe të dashur që po tregonte Perëndia duke u dhënë tamam inkurajimin që u nevojitej dhe fiks kur u nevojitej. Jehovai u siguroi me dashuri edhe gjërat e nevojshme materiale. Ata morën ndihma nëpërmjet vëllezërve të tyre në besim. Por, ajo që u dha forcë mbi gjithçka ishin vizitat që bënë në kongregacion përfaqësuesit e organizatës së Perëndisë. Mucuo shprehet: «Ndieja se Jehovai ishte aty pranë secilit prej nesh dhe po kujdesej për ne. Çfarë ngushëllimi!» Në radhë të parë, Perëndia siguron ç’na nevojitet për ta mbajtur besimin të fortë, e pastaj plotëson nevojat tona fizike.
NXIRR DOBI NGA FUQIA E PERËNDISË PËR TË TË SHPËTUAR
11. Ç’kërkohet nga ata që shpresojnë të nxjerrin dobi nga fuqia e Perëndisë për të na shpëtuar?
11 Jehovai është gjithnjë gati të veprojë dhe ‘t’u vejë në ndihmë zemërbutëve’. (Psal. 147:6a) Por, si mund të nxjerrim dobi nga gatishmëria e tij për të na ardhur në ndihmë? Duhet të kemi një marrëdhënie të mirë me të. Për këtë, kemi nevojë të kultivojmë zemërbutësi. (Sof. 2:3) Zemërbutët presin që Perëndia të ndreqë çdo padrejtësi dhe të zhbëjë dëmet që kanë pësuar. Jehovai i sheh zemërbutët me një buzëqeshje miratimi.
12, 13. (a) Ç’duhet të shmangim që të nxjerrim dobi nga ndihma e Perëndisë? (b) Cilët njerëz i pëlqejnë Jehovait?
12 Nga ana tjetër, Perëndia ‘i ul gjer në tokë [i vërvit përtokë] të ligjtë’. (Psal. 147:6b) Ç’fjalë të forta! Që të nxjerrim dobi nga dashuria besnike e Jehovait dhe të mos provojmë zemërimin e tij, duhet të urrejmë atë që urren ai. (Psal. 97:10) Për shembull, duhet të urrejmë imoralitetin seksual. Kjo do të thotë se nevojitet të rrimë larg çdo gjëje që mund të na çojë drejt një mëkati të tillë, duke përfshirë pornografinë. (Psal. 119:37; Mat. 5:28) Ndoshta kjo është një luftë e vështirë, por për të pasur bekimin e Jehovait ia vlen çdo përpjekje.
13 Ndërsa zhvillojmë këtë luftë, duhet të mbështetemi te Jehovai, jo te vetja. A do të kënaqet ai nëse përpiqemi të shpëtojmë me ‘fuqinë e kuajve’, pra t’u drejtohemi për ndihmë gjërave që u drejtohen njerëzit? Aspak! E as duhet të mbështetemi te ‘këmbët e shpejta të njeriut’, duke vepruar sikur ne vetë a ndonjë njeri tjetër jemi në gjendje të sjellim shpëtim. (Psal. 147:10) Në vend të kësaj, duhet t’i drejtohemi Jehovait, duke iu përgjëruar për ndihmë. Ndryshe nga këshilltarët njerëzorë, ai nuk lodhet kurrë duke dëgjuar lutjet tona, edhe kur i kërkojmë ndihmë sa e sa herë. «Jehovait i pëlqejnë ata që i frikësohen, ata që presin dashamirësinë e tij [dashurinë e tij besnike].» (Psal. 147:11) Mund të kemi besim të plotë se, nga dashuria besnike, ai do të na qëndrojë pranë dhe do të na ndihmojë të fitojmë mbi dëshirat e gabuara.
14. Cila bindje i dha zemër psalmistit?
14 Jehovai na jep një bazë për të qenë të bindur se do t’i ndihmojë shërbëtorët e tij kur të jenë në vështirësi. Duke menduar për rimëkëmbjen e Jerusalemit, psalmisti këndoi për Jehovain: ‘Ai i forcon shulat e portave të tua; i bekon bijtë që janë në gjirin tënd. Ai vë paqen në territorin tënd.’ (Psal. 147:13, 14) Sa ia ngrohu zemrën psalmistit fakti që Perëndia do t’i forconte portat e qytetit për të mbrojtur adhuruesit e vet!
15-17. (a) Si mund të ndihemi hera-herës nga sprovat, por si e përdor Jehovai Fjalën e tij për të na ndihmuar? (b) Jepni një shembull që ilustron se ‘fjala e Perëndisë rend si shigjetë’.
15 Mbase ti has vështirësi që të futin ankth. Por Jehovai mund të të japë mençurinë që t’u bësh ballë. Psalmisti thotë për Perëndinë e tij: «Ai dërgon urdhrin e tij në tokë; fjala e tij rend si shigjetë.» Më tej, pasi thotë se Jehovai ‘dërgon borën, shpërndan brymën dhe hedh akullin’, psalmisti pyet: «Kush mund ta durojë të ftohtët që sjell ai?» Ai shton se Jehovai «dërgon fjalën e tij dhe i shkrin». (Psal. 147:15-18) Perëndia ynë me mençuri të pafund dhe i plotfuqishëm, ai që ka nën kontroll breshrin dhe borën, mund të të ndihmojë të kapërcesh çdo pengesë që has.
16 Sot, Jehovai na udhëheq me anë të Fjalës së tij, Biblës. E «fjala e tij rend si shigjetë», pra ai na jep pa vonesë drejtim nëpërmjet saj atëherë kur kemi nevojë. Mendo pak si nxjerr dobi kur lexon Biblën, kur shqyrton botimet e ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’, kur sheh JW Broadcasting, kur viziton jw.org, kur flet me pleqtë dhe kur shoqërohesh me bashkëbesimtarët. (Mat. 24:45) A nuk e ke provuar vetë sa i shpejtë është Jehovai për të të dhënë drejtim?
17 Simona ka përjetuar fuqinë që ka Fjala e Perëndisë. Ajo ndihej aq e pavlerë, sa dyshonte nëse Perëndia do ta shihte ndonjëherë me miratim. Megjithatë, kur ishte e shkurajuar, ngulmonte në lutje, duke iu drejtuar Jehovait për ndihmë. Gjithashtu, vazhdonte të zhytej në studimin personal të Biblës. Ajo thotë: «Nuk jam gjendur kurrë në një situatë ku të mos kem ndier forcën dhe drejtimin e Jehovait.» Kjo e ka ndihmuar që të përpiqet të mbajë një pikëpamje sa më pozitive të jetë e mundur.
18. Pse ndihesh i bekuar nga Perëndia, dhe çfarë arsyesh ke që të thërrasësh «lëvdoni Jah»?
18 Psalmisti e dinte mirë çfarë bekimi unik kishte populli i lashtë i Perëndisë. Ishte i vetmi komb që kishte marrë «fjalën» e Perëndisë dhe «rregullat e ligjet e tij». (Lexo Psalmin 147:19, 20.) Sot ne kemi nderin e madh të jemi të vetmit në tokë që thirremi me emrin e Perëndisë. Ngaqë njohim Jehovain dhe ngaqë Fjala e tij vepron në jetën tonë, gëzojmë një marrëdhënie të rrallë e të çmuar me të. A nuk ke edhe ti plot arsye të forta që, ashtu si shkrimtari i Psalmit 147, të thërrasësh «lëvdoni Jah» dhe t’i nxitësh edhe të tjerët ta bëjnë këtë?